Ahmed MORA


PROTESTË E QYTETARËVE TË FSHATIT BAÇISHT


Në kohën kur kampanja e gjeniut të shekullit të XXI-të Nijazi Limanovskit, një kvazi – intelektual dhe torbesh nga Rostusha e Gostivarit me kampanjën e shtetit monist, në krye me Partinë Komuniste dhe Komitetin Qëndror të Maqedonisë, me qëndrime neobolshevike e shpifje dhe trillime për asgjësimin e dinjitetit kombëtar të një pjesë të popullit shqipëtar, sulmonte pa ndërprerë gjë që s’ishte e arsyeshme në sistemin shumëpartiak. Tani më banorët e këtij fshati protestojnë për hirë të së vërtetës si që vijon:

P R O T E S T O J M Ë


Ne anëtarët e nëndegës së PPD-së nga fshati Baçisht – Kërçovë, si qytetarë të këtij nënqielli ku është edhe dega e kësaj Partie, lëshojmë zërin tonë protestues për hirë të së vërtetës që duhet të jehojë. Shpeshherë nga imponimi dhe informimi qëllimkeq sllavo – maqedon u quajtëm dhe etiketuam si “makedonski” muslimanë. Kjo për këto vite na ka brengosur, dhe njëherë na ka prerë tërë identitetin tonë që e ruajmë me shekuj. Prandaj, besojmë se s’do të mund ta shembë, as ta bind me lajka dhe imponime kurrë derisa në damarin tonë rrjedh gjaku i kulluar i shqiptarit.

Kërkojmë që të ndalet dhe ndërpritet një fushatë e tillë për përcaktimin tonë kombëtar dhe ideor, pasi kjo është e drejtë legjitime e jona që të ndjehemi në shtëpitë tona dhe trollin tonë ashtu si duam dhe si dëshirojmë. Çdo e pavërtetë që do të përpiqet të mbështillet për çështjen tonë, s’do të kenë kurrë sukses, sepse jemi të gatshëm që ardhmërinë ta ngrisim ne si e kuptojmë dhe si duam, pa mos rënë në përkujdesjen e asnjë tutori. Nëse ne kërkojmë që ta mësojmë gjuhën tonë që e folën stërgjushërit tanë, kjo u shpreh edhe nëpër peticionet që i nënshkruam më parë, mbase është dhe krenari që neve na gëzon, dhe në të kundërtën s’ka të bëjë me shqiparizimin kur fund e krye ne jemi ata.

Për të dëshmuar përpara të gjithëve që duan ta dijnë të vërtetën, ne lëshojmë traditën tonë kombëtare që e kultivojmë me dinjitet.

Elementi ynë kombëtar mund të shihet në teshat kryekëput kombëtare, si tek burrat edhe tek gratë, në këngët e dasmave tona me tërë madhështinë e pritjeve dhe ritualin fisnik në varrimet tona sipas fesë dhe traditës, e njëherë ndaj traditës tonë të prerë për gjykim të drejtë dhe fisnik.

Me këtë protestë nuk dëshirojmë që të shmangim mundësitë e një ideje të tillë nëse dikund ka “makedonski” muslimanë por, ua bëjmë me dije të gjithë atyre që duan edhe neve të na e mveshin ate “petkë” që s’e kemi pasur kurrë, të mos përpiqen. Nëse edhe kjo nuk është dëshmi e plotë ia bëjmë me dije dhe ia mundësojmë gjeniut “Nijazov Limanovskit” që edhe me analiza të ndryshme të qelizave tona do të dëshmojë, e njëherë s’do të gjejë së paku asnjë qelizë të tillë për dëshmi.

Ky është zëri i 1.400 shqiptarëve të përcaktuar me vetëdije të plotë edhe në Partinë për Prosperitet Demokratik.


Lëshuar në shtyp nga Kryetari i PPD-së
Ahmed MORA
më 10.08.1990
K ë r ç o v ë