Ahmed MORA

LE TË ECI DYKRENARJA PËRPARA


Disa herë mendoj se jemi shumë të impresionuar me llomotinë e ngjarjeve ditore. Në përgjithësi, revistat, radioja, ekrani televiziv e veçanërisht ai satelitor “skaj” programet që na ofrojnë një shiqim të shkurtër dhe të njëanshëm informativ. Ata na mbysin me detale të shtypit nga ndodhitë ditore, nga ana tjetër na detyrojnë dhe mundësojnë të humbim pasqyrën e momenteve të mëdha historike.

Si do që të jetë s’duhet harruar se kjo epokë është një tendencë e thellë me përgjegjësi historike e jo një ngacmim apo dalldisje kalimtare, e cila do të formon dhe përcakton hapin e kombit tonë në ardhmëri. Që të ecet deri në këta momente historike kërkohet dhe duhet një urtësi, vizion e shiqim më i gjerë, i cili do të jetë krahas me kohën në të cilën gjindemi.

Një shiqim i tillë i gjërë dhe i gjatë na e bën me dije, se revolucioni për pavarësi nacionale është një fakt fundamental historik i kohës sonë, bile ky revolucion është i pandërprerë. Në këtë kohë, njëherë edhe përpara syve tonë, nga harresa jonë shekullore po na lind një komb i ri, i cili aspiratë të parë e ka të pohojë, vërtetojë identitetin e vetë kombëtar që nuk e ka, e që DJE I SHKRETI SOROLLATESHTE KEPEVE TË KARPATEVE.

Shpresë më e thellë e të ngratit është, që në botë brenda kufijëve të bashkëpunimeve ndërnacionale të lemetitet për të shqyrtuar problemin në pajtueshmëri të “traditave dhe idealeve” ashtu si që i glorifikon, verifikon dhe falsifikon ai vetë, së bashku me shërbëtorët e tij. E, njëherit me një propagandë të tillë permanente, mundohet të verbon e shurdhon Europën plakë të strukur në gjumë, e të mashtron tërë opinionin botërorë e forcat demokratike se ky na qenka një komb më antik se antikët!?

Është në interes të ndjenjës dhe veprimit të diturisë e pikërisht kjo është në interesin tonë kombëtar, se një revolucion për pavarësi kombëtare po lulëzon e na duhet pranuar e kultivuar ate.

Por, ky lulëzim të përqëndrohet pikërisht për ne e jo të punojmë me tru të mykosur për të tjerë siç kemi punuar, gabuar dhe vepruar gjatë çdo reformacioni historik, se bota është e këtij lloji, në të cilën, ne shqiptarët për herë të parë në histori s’duhet të gabojmë, por në të kundërtën duhet të jemi më vigjilent dhe t’ia japim besën e ndihmën e njëri tjetrit, ndërsa në bazë të principeve për ekzistencë të luftojmë për identitetin tonë kombëtarë.

Besoj se nuk është kohë të flasim dhe debatojmë kundër proceseve demokratike, se nuk është fund i këtyre proceseve as që është fillim i fundit, por fund i fillimit të tyre. Pra, përkundrazi në këtë fund të fillimit të evolucionit apo revolucionit për transformim ne duhet të inicojmë dhe formojmë frontin tonë politik për shpëtim gjithëkombëtar.

Në proceset demokratike s’duhet harruar, se ndoshta ishte e nevojshme dhe është që të lindin dhe lindën partitë politike, organizata, shoqata, forume e asociacione me termin plot bujë “demokraci”, ndërmjet të cilave me përcaktimet e tyre programore ngulin këmbë dhe lypin të drejtat për njeri – qytetar – e të drejtat e të shprehurit lirisht.

Vëllezër, pyetemi, vallë, a është gjithë kjo e mjaftueshme? A është kjo, ajo për çka vuan populli? Përgjigjja ka me qenë jo e jo, por ajo për çka vuan populli është LIRIA dhe pavarësia kombëtare në të gjitha sferat e jetës.

Nuk dëshiroj që të flas në lidhje me ate se çka ndodhi dje, në lidhje me kërkesat dhe veprimet sterile të disa partive të cilat na mbërthyen në kornizat e durimit, tolerancës, pritjet e dështimit që të pyetemi se ç’ndodhë dhe çka do të ndodh me ne nesër?!

Mendoj, se sot puna jonë nuk është ajo që të lypim llogarinë e dështimeve prej bashkëpunëtorëve apo partive qytetare, asaj të PDP –së dhe PPD-së si që i quan populli parti “pansllave”, parti të zalisura: që më tani nuk është e nevojshme të shtjellohet, meqenëse ajo është evidente dhe për një gjë të tillë tani më populli është i njohur dhe i dinë mirë, ndërsa në të kundërtën populli e dinë se çka kërkon – Sovranitet kombëtar.

Prandaj inkurajoj vehten të them dhe besoj se ndaj mendimin e qindra mijë individëve, dëshirat dhe shpresat e tyre, se populli ynë sot pret diçka më tepër prej nesh sesa që janë brohoritjet e shamjet për indignacion, ofendime dhe sulme.

Koha është tani shumë akute dhe e kufizuar, ndërsa nxitja është shumë urgjente e solucioni gjendet në temperaturë të lartë që të mundësoj pasion të rëndomtë për një debat të tillë politikë.

Kujtoj se është më maturi që ta lejmë këtë për në të ardhmen, e pasi të vijmë deri në fitore, kjo çka është primare për të gjithë ne, atëherë kemi kohë dhe është obligim moral e historik për ndytësitë që ka bërë individi apo grup individësh, për të bërë përfitim nga populli – duke shfrytëzuar çështjen kombëtare në pikëpamje individuale të jep llogari.

Duhet të kujtojmë se nuk është kohë që të mallkojmë errësirën, por Ju thëras që të ndezim dritën e cila do të na udhëheq nëpër atë errësirë në ardhmëri më të sigurtë dhe më të shëndoshë, si që ka thënë i ndjeri Winston Çerçil.

Pikërisht, mu për këtë duke menduar se ende s’është vonë, duke shpresuar se do të kisha përkrahjen e juaj e njëherit duke qenë i bindur dhe e kam të qartë, se fuqitë që bashkojnë janë prezente te të gjithë ne, dhe se ato fuqi janë shumë më të thella, më të forta se ato që ndajnë dhe coptojnë. Por, si do që të jetë është e nevojshme që këtyre fuqive për bashkim t’u prijnë të tjerë. Prandaj, nga çdo tubim në vend apo diasporë të homogjenizohet, të koordinohet kërkesa për angazhimin e të gjithë subjekteve politike shqiptare që më janë organe legjitime dhe merren me aktivitet politik qoftë në Kosovë, Shqipërinë Lindore; tani e ashtuquajtura IRJM, Mal të Zi, trojet e Sërbisë jugore si që ceket shumë mirë edhe në romanin “KU NDAHET LUMI” e në krye me Shqipërinë, të ngritet zëri më lart nga mbarë popullata shqiptare, për jetësimin e kërkesës gjithëpopullore e kurrë të mos hiqet dorë prej saj.

Kurrë të mos pranojmë Status Quo të imponuar nga sllavët, për okupimin dhe aneksimin e territoreve shqipëtare. Por, përkundrazi të luftojmë me konsekuencë për bashkimin e tyre dhe formimin e Shtetit Amë, në një SHTET që nuk është kurrgjë tjetër përveç se TRUNGU I SHQIPËRISË REALE – NATYRALE.

Nga gjithë kjo që thash më lart del qartë, se shqiptarët që janë ndarë nga tërësia dhe janë detyruar të jetojnë të ndarë në Kosovë, IJRM, Mal të Zi, brenda në Sërbinë jugore e Çamëri, tani më janë të vetëdijshëm se shtypjet gjakësore serbe, malazeze, slavo – maqedone e greke, që po u bëhen në trojet e veta etnike duhet t’i përballojnë, ndërsa aneksimin e trojeve tona shqiptare duhet ta kundlrshtojnë, mbasi kjo është rruga që na shpie drejt BASHKIMIT KOMBËTAR.

Me shpalljen e Kosovës Republikë, IJRM-së – REPUBLIKA E ILIRIDËS e Sërbisë jugore AUTONOMI – teritoriale me të drejtë për vetvendosje; shqiptarët ia bëjnë me dije botës se më nuk dëshirojnë dhe s’mund të jetojnë nën dhunën sllave!

Ashtu, në IRJM, Mal të Zi e brenda në Sërbi qarqeve sunduese shoviniste e megallomane po ua trondit themelet fryma e demokracisë.

Duke u bazuar dhe vlerësuar në aktivitetin politik të partive tona deri më tani i cili kryekëput u bazua në durim e tolerancë, shërbim, dialog e kompromise të njëanshme për bashkëjetesë e integrim, duhet të pranojmë se një aktivitet i tillë politik e pruri popullin tonë në një rrugëkryq tejet të rëndë e që është edhe më keq formoi një front që do ta quaj FRONT I RI – front me dy kahje:

a) Njëra prej kahjeve të këtij fronti është durimi, toleranca, kompromisi dhe dështimi i mbushur me rrezikun për vetasgjësim.
b) Tjetra kahje e këtij fronti është e mbushur me shpresat dhe kërcënimet e pangpopura pansllave që përsëri na shpijnë në asimilim.

Pra, të nderuar vëllezër, mos kërkoni dhe mos pyetni se çka ka bërë e mund të bëjë Shteti Amë për ne!

Shqipëria aktuale është katandisur në skamje, e e mbuluar me mykun e komunizmit që mbolli gjakatari shqiptar i shqiptarëve. Mjerisht, historikisht na kanë përbuzur si që thonë pleqtë tonë se Nëna Shqipëri na dogji më 1912, e përsëriti 1945 dhe sot mundohet të na anashkaloj!?

Prandaj, ne duhet të pyetemi se çka mund të bëjmë dhe bëjmë ne për të, konkretisht për vetë popullin shqiptar në trojet e veta, që janë trung i Shtetit Amë, në kufirin e Ish – SFRJ-së.

Nëse dëshirojmë që të dalim prej kësaj situate kaotike dhe fatale për vetvendosje, e nëse dëshirojmë të mburremi dhe të pranojmë bekimin e brezit të ri; fëmijëve tanë, ne duhet të japim besën ndërmjet veti dhe të sakrifikojmë ndoshta më tepër se kurrë deri në fitore të plotë, se sot është koha të jetosh e mos me vdekë; e në vend që të ndjehemi të sigurtë në këtë se çka na servuan partitë politike, qytetare të tashme dhe të tjerët, opozita sllave.

E arsyeshme është që të luftohet ky FRONT I RI, të kërkohet përgjegjësi nga të gjithë ata që Ju shmangën faktorit komb! Prandaj, vëllezër dhe motra, e kemi për nder që në çdo vend dhe kohë të caktuar e atje ku do të paraqitet nevojë ta ngrejmë zërin, për llogari kundër konspiratorëve, le të jehojë deri kupën qiellore. Me zemër të çelikosur ta mbrojmë faktorin komb, me ndjenjën e arsyes e këmbëngulje stoike ta kërkojmë pavarësinë vetë e mos presim Europën plakë të strukur në gjumë, që uniteti i shqipeve e pret.

Ata kanë heshtur dhe arbitruar lishtë në të kaluarën, edhepse në kohë të fundit Dymbëdhjetshja Europiane po tregon një urtësi e syçeltësi ndaj çështjes shqiptare ashtu si që e duan shtigjet e së vërtetës por, ajde mbushva mendjen parlamentarëve tanë korkolepsë, që vajtojnë me lotë të krokodillit për mospranimin e shtetit artificial në Bashkësinë Europiane!

Si do që të jetë s’dëshiroj që të hapim grindje, mosmarrëveshje ndërmjet të tanishmes dhe të kaluarës, se me siguri do të rrezikojmë të humbim edhe të ardhmen e ajo është gjëja me e shtrenjtë. Kujdesi i jonë duhet të jetë patjetër i përqëndruar në të ardhmen, për arsye se bota ndryshon e kombi duhet përpara të shkoj, ndërsa e vjetra të mbarojë, por historia dënon.

Më vjen keq ta them këte, por kombi shqiptar edhe sot e kësaj dite gjindet n’ate rrugë – kryq historike akoma të pazgjedhur dhe ka nevojë për koordinime, marrëdhënje humane e morale ndërmjet veti, e të zgjidhen njerëz që do t’u prij arsyeja. Pikësëpari me botëkuptimet e veta të qarta do të gjejnë guxim të përfillin argumentet e jo të pranojnë direktiva, të jenë njerëz të logjikës e jo të sundimit e despotizmit, me një fjalë njerëz që do të japin besën e ndërsjelltë për mirëqenjen gjithë kombëtare.

Pa mos i bë ballë aneksimit të trojeve shqiptare jashtë Shtetit Amë dhe formimin e Shtetit të përbashkët REAL apo NATYRAL për ne shqiptarët nuk ka liri, nuk mund të përparojmë as që dikush mund të shpresoj e mendoj se në Ballkan do të ketë stabilitet, në çka thirren diplomatët e jashtëm?!...

Me fjalë të tjera duhet të veprojmë në lëvizje gjithëkombëtare, për bashkim gjithëkomëtar, në shtëpinë tonë e jo zgjidhjen tonë kombëtare ta gjejmë në skenaret e atyre që kanë bërë e bëjnë copëtime, okupime e aneksime të trojeve tona si që është Serbia, Mali i Zi, Greqia e IRJM-ja.

Të mos besojmë në asnjërin që ofrojnë zgjedhje të lehtë e të lëmuar, për arsye që përgjigjja e vetme dhe finale do të vijë nga puna e mijëra individëve qofshin ato të mëdha apo të vogla, nga gjiri i popullit, veprime të cilat do të rrjedhin nga fshatrat, qytetet dhe provincat që janë të shkëputura nga Shteti Amë, nga aksionet e guximshme dhe shërbetorët e urtë popullor e nga reakcionet e banorëve të vendosur për pavarësi të plotë.

Për hirë të kësaj, Ju thërras që të mbrohet dinjiteti kombëtar e kjo është domosdoshmëri dhe e drejtë e patjetërsueshme që të formohen parti nacionale, radikale e jo qytetare, të cilat si fokus drite do të kenë pavarësinë nacionale dhe do të na nxjerrin nga errësira që na ka kapluar.

Apeloj, që të vijmë deri në realizim të ardhmërisë sonë, duhet të vlerësojmë moralin, kualitetet historike të kombit që përfshihen në katër elemente kyçe, elemente të cilat duhet t’i posedoj çdo shqiptarë në shpirt. Çdo njëri si individ duhet të posedoj guximin me urtësi si që thotë Xhorxh Gordon Bajroni “Trimërisë duhet t’i prijë urtësia”. Si element i dytë gjykimi me maturi, integriteti me sinqeritet për unitet ndërshqiptar dhe dedikimi me arsyet në aksionet që do të merren.

Së fundi, nga thellësitë e zemrës sime të sinqertë e përshëndes ecjen e dykrenares, e në të njejtën kohë lyp që me arsye e përgjegjësi të veprohet, të kemi reciprocitet, unitet dhe respekt të ndërsjelltë, mirëkuptim dhe tolerancë ndërshqiptare në lidhje me mposhtjen e hutive të ngatërruara se për ndryshe do të na gjykojë koha, historia, vetë populli, e njëherë kombit i dëshiroj punë të mbarë dhe shumë e shumë suksese në ardhmëri.



Shënuar më
15.10.1992