Ligjet e jetës profesionale dhe suksesit të përgjithshëm
I nderuari lexues! Çdo punë dhe profesion në strukturën e vet ka rregullat dhe metodën e vet të punës. Këtë të vërtetë njerëzit e atij profesioni e dinë mirë. Por, njëkohësisht edhe jeta ideore dhe fizike si dhe suksesi i kanë ligjet e veta të përgjithshme racionale. Këtu do të mundohem t’i theksoj vetëm disa që unë i di:
Mos prit kohë dhe ditë të qëlluara për punë. Dije se çdo orë dhe çdo ditë është e qëlluar për punë.
Mos kërko vend të përshtatshëm për pune. Dije që çdo skutë është vendi më i përshtatshëm i punës
Assesi punën e sotme mos e lë për nesër, për arsye se çdo ditë i ka vështirësitë dhe punët e veta.
Në një kohë të caktuar bëre vetëm një punë, vetëm një mësim, respektivisht puno rreth një problemi derisa mos të dobësohen kujdesi dhe fuqia. Nëse thua se do të bësh më shumë punë për një kohë, atëherë asnjërën prej tyre nuk do të mund ta bësh si duhet. Dijetarin e famshëm Gazaliun me një rast e kanë pyetur si e ka shkruar kryeveprën e tij “Ilhjau Ulumiddin”. Në këtë ai është përgjigjur se brenda një kohe të caktuar është përqendruar vetëm rreth një subjekti, çështjeje dhe pjese.
Pa e kryer një punë, mësim, libër apo obligim që e ke filluar mos kalo në tjetrën. Puna e mbetur përgjysmë është sikur të mos jetë nisur fare.
Pasi ta kryesh punën e ditës së sotme, vendos se çka do të bësh nesër. Ose, së paku para se ta fillosh punën, vendos se cilën punë do ta bësh.
Para se ta fillosh punën, mësimin ose librin pran vetes merri të gjitha gjërat të cilat do të nevojiten gjatë kryerjes së tyre, ashtu që mos të të humbë kujdesi duke u ngritur pandërprerë për të marrë letër, laps, etj.
Në momentin kur nuk ke mundësi të përballosh një problem rreth çështjes të cilën e punon, assesi mos bën hap prapa. Dije që lëshimi pe është përtaci e maskuar. Duhet ta dish se dashuria ndaj punës lindet dhe forcohet përmes përballimit të problemeve. Kënaqësia shpirtërorë që paraqitet pas kapërcimit të problemeve është e pashoq. Të jesh i sigurt se ngadhënjimi në luftë dhe suksesi në punë janë me atë që nuk kthehet prapa. Përpara këmbënguljes problemet shkrihen dhe të pamundurat bëhen te mundshme.
Pikësëpari ndaje problemin me të cilin do të ballafaqohesh, pastaj përpiqu që një nga një t’i zbërthesh pjesë e tij. Pikërisht në këtë mënyrë edhe mësimin dhe librin që e lexon ndaji në pjesë më të thjeshta dhe më të shkurta. Para se ta kuptosh mirë një pjesë mos kalo në tjetrën. Kalo si i verbëri me shkop mbi të gjithë kapitujt, respektivisht mos e hedh hapin e ardhshëm pa qenë i sigurt për të parin.
Puno vazhdimisht dhe me kujdes, si dhe çdo ditë puno në të njëjtën kohë. Mos e ndërpre punën më ndërprerje të gjata. Nëse nuk je i sëmurë dhe i lodhur puno nga pak edhe gjatë pushimeve, ashtu që të mos e humbësh shprehinë e punës dhe ta kesh vështirë t’i kthehesh përsëri.
Nëse lodhesh me një punë atëherë ndërroje atë ose ngadalësoje ritmin, por assesi mos gjej arsye për pushim. Organizmi i atij që rri kot është sikur hekur që nuk punohet dhe ndryshket.
Mendo mirë dhe dijë se punë nuk do të thotë vetëm të lëvizësh, të lexosh ose të shkruash. Njeriu që mendon, punon edhe me të tepër se xehetari në minierë.
Asnjëherë mos e vlerëso produktivitetin e punës me orë dhe mos thuaj mjaft. Shihe rezultatin e punës dhe atë që e ke mësuar.
Në punët mendore dy-tri orë punë të pandërprerë mjaftojnë. Filozofi i madh mysliman Ibn Sina veprën e tij të njohur “esh-Shifa” e ka shkruar me një punë dyorëshe çdo ditë pas namazit të mëngjesit, në skajin e një xhamie ne Bagdad. Filozofi i madh anglez Spenseri veprat e veta i ka shkruar me një punë permanente dyorëshe në ditë. Shkrimtarin e njohur francez i cili për çdo vit ka shkruar nga një mijë apo një mijë e dyqind faqe, Emil Zolën, e kanë pyetur për fshehtësinë e suksesit të tij. “Çdo ditë punoj dhe shkruaj nga tri orë.” – është përgjigjur ai.
Bëhu i qëndrueshëm shoku im i ri, bëhu i qëndrueshëm. Koka-koka bëhet oka.
Në momentin kur mendon ta fillosh mësimin ose leximin e librit mos u bën i padurueshëm. Bëhu i qetë dhe i fortë. Ec por mos nxito. Puno dhe mëso duke kuptuar.
Asnjëherë në punën tënde mos e nënçmo asnjë mendim. Mos harro se nga moskujdesi dhe nënçmimi shpeshherë paraqiten pasoja të rënda.
Kur të shtrihesh në shtrat për të pushuar bëre llogarinë e asaj që kë bërë atë ditë dhe planifiko çdo do të bësh të nesërmen.
Çdo ditë lexo me zë nga dhjetë faqe të një vepre të mirë. Në këtë mënyrë do të zhvillohet aftësia jote e të folurit.
Mësoi përmendsh pjesët e bukura që do t’i hasesh në ndonjë libër filozofik ose letrar. Në këtë mënyrë do të pasurohen fjalori dhe shprehjet tua si dhe do të përforcohet mbamendja.
Pas përfundimit të leximit të pjesëve të një libri përsëriti ato në kujtesën tënde dhe merr shënime. Mënyra më e mirë e përvetësimit të një njësie është pikërisht kjo.
Pjesët dhe gjërat që i ke mësuar prej ndonjë libri më vonë diskutoi me shokët. Në këtë mënyrë do të zhvillohet intelekti yt dhe do ta kuptosh atë që e ke lexuar. Njëkohësisht do ta përfitosh shkathtësinë e të shprehurit të qartë të mendimeve dhe ideve.
Ki kujdes: fjalët dhe shkrimet tua le të jenë të shkurtra, të qarta dhe të kuptueshme.
Koha e punës mendore dhe produktiviteti i saj varen nga natyra e individit. Për dikë kjo kohë është në orët e hershme të mëngjesit, për dikë në mesditë, ndërsa për dikë tjetër në orët e vonshme të natës. Provo veten se cila kohë të përshtatet më tepër për punë dhe mos e harxho kot atë.
Shëno faqen e një fjalie ose kaptine me rëndësi në librin të cilin je duke e lexuar. Këto shënime mblidhi në një vend të caktuar. Po që se në të ardhmen ke dëshirë të shkruash ndonjë libër, atëherë të gjitha këto shënime do të të ndihmojnë shumë.
Nëse dëshiron të shkruash libër në çfarëdo qoftë teme, pikësëpari lexoi librat e shkruar rreth asaj teme, ashtu që të mos e harxhosh kot kohën duke i përsëritur temat e shtjelluara më parë.
Në botë nuk ekziston kurrfarë mendimi krejtësisht i ri. Mendimi i ri është petk i ri i një mendimi të vjetër.
Para së gjithash mëso të flasësh dhe të shkruash mirë në gjuhën amtare. Gjëja më e rëndësishme për njeriun është gjuha e tij amtare.
Njohja e gjuhës nuk është qëllim por mjet. Qëllimi i vërtetë është pasuria mendore.
Vlera e individit është e fshehur nën gjuhën dhe në majën e lapsit të tij. Ajo shfaqet nëpërmjet fjalës dhe shkrimit.
Në momentin kur do të hamendesh të fillosh ose të mos fillosh ndonjë punë, mendo për pasojat e të dy vendimeve. Zgjedhe atë nga i cili ke më shumë dobi e më pak dëm.
Mos vendos t’i rrekesh ndonjë pune në gjendje të hidhëruar. Prit që të qetësohesh. Ai që ngrihet me hidhërim ulet i dëmtuar.
Mos flit shumë, por flit me vend dhe domethënie. Vlera dhe ndikimi nuk mbështeten në fjalë të shumta, por në fjalët me vend dhe domethënie.
Ki kujdes gjatë përdorimit të gjuhës dhe dije se plaga e shkaktuar nga gjuha dhemb shumë më tepër se plaga e shkaktuar nga thika.
Atë që nuk e thua para syve mos e thuaj as pas shpine dhe dije se fjalët pas shpine janë forma më tronditëse e frikës.
Mosdijen askujt mos ia përplas në fytyrë. Dije se theksimi i paditurisë në prani të tyre, do të jetë shkas për hidhërimin e bashkëbiseduesit.
Mos gënje. Gënjeshtari është si vjedhësi i cili jeton me frikë se në çdo moment do të kapet.
Para se të premtosh diçka mendo mirë, por kurrë mos e shkel fjalën e dhënë. Shkelja e premtimit është gënjeshtra më e keqe.
Gjithnjë paraqitu si je dhe bëhu ashtu siç paraqitesh. Ai i cili mundohet të paraqitet ashtu si nuk është, vërtet është tejet mendjelehtë.
Mos urrej dhe mos ndjej zili ndaj suksesit dhe lumturisë së askujt, por përpiqu që edhe ti ta arrish këtë sukses dhe lumturi. Përpjekja është kushti i përparimit. Urrejtja dhe zilia janë dy armiqtë kryesorë të shëndetit, qetësisë shpirtërore dhe lumturisë.
Bëhu bujar që të kesh shumë shokë. Dije se koprraci nuk ka shokë të sinqertë.
Shokët fitoi në rini, meqë shokët e pleqërisë nuk janë të sinqertë.
Edhe fuqia e verbër, “shansi”, është i dashuruar në bukurinë rinore. Mos e harxho kot rininë, por vlerësoje ashtu siç duhet.
Bukuria e vërtetë e pëlqyer nga çdokush është bukuria e moralit, pasi njeriu me moral të bukur është i bukur në çdo moshë.
Gjithmonë përpiqu ta zbukurosh moralin. Bukuria morale është pasuria më me vlerë e njeriut.
Shakatë që do t’i bësh edhe me shokët më të afërm, le të jenë tërheqëse. Nga shakatë e vrazhda as kafshët nuk argëtohen.
Bëhu shok që të kesh shokë.
Miqësinë vërtetoje në ditë të vështira, që të kesh miq në ditë të vështira.
Bëhu besnik ndaj miqve, zemërgjerë ndaj armiqve dhe armikun i cili ka ra në tokë mos e shqelmo, bëhu shpirtmirë. Shpirtmirësia dhe besnikëria janë shtyllat kryesore të moralit të lartë.
Ki respekt ndaj femrave. Përkujtohu se femra është nëna e njerëzimit.
Mos i dëshpëro prindërit, pasi ai që i dëshpëron ata nuk shpëton dot.
Shfrytëzoi përvojat e të moshuarve dhe assesi mos tento që t’i sprovosh njerëzit me përvojë sepse pendohesh shumë.
Në fillim mendo mirë për punën për të cilën ndoshta do të pendohesh në mbarim të saj. Pendimi i tillë është naivitet.
Sillu mirë ndaj më të vegjëlve, ashtu që të kesh të drejtë që kur të rriten të presësh prej tyre mirësi.
Mos poho dhe mos këmbëngul në gjëra të kota. Kërko të vërtetën dhe adhuroje atë. Dashuria ndaj së vërtetës është dashuria më e lartë për njeriun.
Vetë vëreji mangësitë, ashtu që të kesh mundësi përmirësimi.
Mos u bën mendjemadh për shkak të suksesit tënd. Dije që mendjemadhësia është armiku më i madh i suksesit në të ardhmen.
Bëhu guximtar në jetë, por ki kujdes, guximi nuk është hedhje në rrezik me sy të mbyllur.
Shpreh respekt ndaj mendimit dhe besimit të të tjerëve, që edhe të tjerët ta respektojnë mendimin dhe besimin tënd.
Mos i bën tjetërkujt asgjë që nuk dëshiron të të bëhet ty, ashtu që edhe të tjerët të mos veprojnë ashtu ndaj teje.
Nëse dëshiron të të bëjnë mirë, atëherë edhe vetë bën mirë.
E mira e bërë përballë një të mire është drejtësi. E keqja përballë një të mire është krim. E mira përballë të keqes është virtyt e bukuri dhe është shkalla më e lartë e humanitetit.
Ndihmoje njeriun e shtypur, që të ndihmohesh nëse edhe vetë shtypesh.
Fjalët tua le të jenë të ëmbla ndërsa sjelljet tërheqëse. Njeriu i vrazhdë është si qeni i hutuar të cilin e gjuan me gurë çdokush.
Veprat e këqija të bëra ndaj teje nga ana e dikujt, assesi mos të të largojnë nga veprat e mira. Mirësia është dhunti, kurse veprat e këqija janë dëm për njeriun.
Mos u bën kryelartë. Kryelarti i ngjason gojës që i vjen era hudhrës. Secili largohet prej tij.
Bëhu modest. Modestia i ngjason degës plot fryte. Lëshimi i degës me fryte deri në tokë bëhet për shkak të fryteve të shumta.
Bëhu me vlerë si margaritari të cilin çdokush e lakmon. Mos u friko, nuk mbetesh përtokë.
Shikoi njerëzit që janë më poshtë se ti e jo ata që janë më lart se ti, do të jesh i qetë.
Assesi mos u largo nga drejtësia në punët dhe fjalët tua. All-llahu është ndihmësi i të vërtetave.
Puno, gjithnjë puno, por qëndro larg pangopësisë, për arsye se pangopësia është armik i punës frytdhënëse, shëndetit dhe lumturisë.
Puno, por mos u bën i pangopur. I pangopuri i ngjason maces e cila e lëpinë brinjën me pak mushkëri. Ajo njëkohësisht lëpinë edhe gjakun e gjuhës së vet te prerë, por nuk është e vetëdijshme për këtë.
Zgjedhe në mënyrë të vetëdijshme njeriun me të cilin do të konsultohesh për çështjet problematike në jetën tënde. Mendo mirë, për shkak të një vendimi të gabuar të cilin do ta zbatosh në një moment, mund të vuash gjatë tërë jetës. Por, drita të cilën do ta fitosh prej një ideje me vend, do të të bëjë dritë gjatë tërë jetës.
Shoku im i ri, këto këshilla që t’i dhashë më sipër, nuk t’i dhashë që t’i harrosh. T’i theksova që t’i kesh si vathë në vesh dhe të më përkujtosh në ardhmëri. Prej teje pres që të më përkujtosh për të mirë!
Irfan Salihu – Ligjërata rreth diturisë
Krijoni Kontakt