SHTOJCA IV
Habitati pas Konstantinit
Pas shekullit të tretë një version shumë i korruptuar i komunitetit të besimtarëve u vazhdua nga murgjit nëpër shkretëtira dhe male të izoluara. Atje ata ndoqën Perëndinë dhe e quajtën jetën e korporuar, të izoluar dhe pa marrëdhënie seksuale mënyrën më të mirë për të ndjekur Perëndinë. Kur ky mentalitet mbijetoi, natyra e vërtetë e eklesisë dukej se ishte zhdukur nga faqet e shkruara të historisë.
Është një sipërmarrje titanike të përpiqesh të shpjegosh se ky korporativitet origjinal është një përbërës i domosdoshëm për të “jetuar jetën e krishterë”. Sa titanike? Hamendja ime është se do të kalojnë nja dyqind vjet të tjera para se një përvojë vërtet funksionale, praktike, e korporuar e eklesisë të gjejë rrugën e vet të shprehjes në jetën e shumicës së ungjillorëve. Ose mbase treqind apo katërqind vjet. Dhe unë jam një optimist! Dhe nëse ju mendoni se kjo është një pikëpamje pesimiste, atëhere merrni parasysh se sa pak ka ndryshuar zbatimi i besimit tonë qysh nga koha e Reformimit. Shumë pak dhe Reformimi ndodhi afro katërqind vjet më parë.
Ku është sot mendja ungjillore sa i përket lidhjes ndërmjet një ecjeje më të thellë me Krishtin dhe nevojës për eklesinë? Të gjithë ne e kemi lexuar apo dëgjuar historinë e klasikut të pavdekshëm të Xhon Bunjanit “Rruga e Shtegëtarit”. Por Bunjani nuk i shërbeu mirë mbretërisë së Perëndisë kur ai na dha një herë e mirë stereotipin e kërkuesit të krishterë. Ja Shtegëtari, besimtari ungjillor, i patrembur dhe vetëm, që ka dalë për të zbuluar pasuritë e Krishtit krejt i vetmuar. Ai ka qenë “i patrembur” dhe “i vetë” qysh atëhere.
Që të njohim Krishtin në thellësitë na është paraqitur virtualisht gjithmonë si një ndjekje individuale. Kjo është një pamje e pakorporuar, pothuajse heremite e kërkuesit. Nuk është për t’u çuditur që të gjitha formulat tona nuk funksionojnë. Si besimtari i madh individualist ungjillor që jeton jashtë një shprehjeje të korporuar të eklesisë, kërkuesi do të mbesë një kërkues deri në ditën e gjykimit. Veç në rast se, ndërsa ndodhet aty në një shkretëtirë pa shenja dalluese, ai aksidentalisht has habitatin e tij natyror.
Ju lutem më kuptoni. Një ndërtesë me kullë që hap dyert e veta në orën 11:00 fiks mëngjesin e së dielës (një orë absolutisht e tmerrshme e zgjedhur për një takim religjioz) dhe që i mbyll ato dyer në orën 12:05 thjesht nuk është koncepti i besimtarëve të shekullit të parë i habitatit të species sonë.
Për më tepër, dëgjoni me vëmendje atë çfarë thuhet në atë ndërtesë dhe do të vini re se edhe pse mesazhi i drejtohet një publiku, ai i drejtohet individit. Dëgjoni!
Mesazhi nuk i drejtohet një komuniteti të korporuar. Sa shpesh keni dëgjuar një mesazh në një kërkim korporal për të njohur dhe përjetuar Jezus Krishtin në thellësitë? Mesazhi që ju dëgjoni mund të jepet në një dhomë të mbushur me shumë njerëz, por përmbajtja synohet tërësisht tek ty, shpirti i izoluar. Asgjë e ngjashme nuk ndodhi në shekullin e parë. “Individualja” është këndvështrimi mendor i yni sot. “Korporalja” ishte këndvështrimi i tyre atëhere.
Vëzhgimi im vetjak, i dashur lexues, është se ne kemi një rrugë të gjatë për të bërë para se eklesia të ketë për ne ungjillorët po atë kuptim, përvoje, që kishte për themeluesit e besimit tonë.
Dhe prit që theksi tek individualizmi të rritet, ndërsa psikologjia futet gjithnjë e më shumë në shërbesën e mëngjesit të së Dielës.
Po, nga pozicioni ku jemi tani mund të duhen dyqind vjet para se ungjillorët të mbërrijnë natyrën e korporuar të besimit tonë. Dhe nëse psikologjia populiste vazhdon futjen e saj me hapin e kohës, nevojat tona individuale mund të shndërrohen në mesazhin e vetëm që do të dëgjojmë përherë. Nëse kjo ndodh, harrojini dyqind vjetët dhe bëjini shtatëqind vjet!
Një prej gjërave më të pabesueshme që mund të vemë re në kohën që jetojmë është që të kuptojmë se sa larg mund të zhvendoset trupi i Krishtit nga themeli i tij; nga të qenit një habitat, një qytet, një shtëpi, një komb, ku besimtarët janë vazhdimisht në kontakt me njëri tjetrin, ditën dhe natën. Kaq larg jemi nga kjo, megjithatë sa prej nesh janë mbushur me një dëshirë të zjarrtë për të pasur shumë më tepër nga sa kemi—çdo qelizë në trupat tanë thërret për realitet frymor, për një shtëpi, për habitatin e species sonë.
Por duhet një besimtar i guximshëm që të dalë për një rrugë të tillë të papiketuar. Kush nga ne nuk është trembur ndërsa kemi dëgjuar të na thonë me ton solemn, “Mos e braktisni të mbledhurit së bashku.” (Pse ndodh që sapo e dëgjojmë këtë pohim, ora 11:00 e mëngjesit të së dielës na vetëtin ndër mendje?) Një gjë është e sigurtë, kur i krishteri kërkues fillon të zhvillojë idenë se ritualet tradicionale të së Dielës thjesht mund të mos jenë të mjaftueshme për të kënaqur besimtarin, ai do të paralajmërohet që “mos ta braktisë të mbledhurit së bashku.” Me këtë varg ne trembemi dhe qëndrojmë aty ku jemi.
Të takon ty, lexues i dashur, që të vendosësh vetë, nëse që të rrish ulur në karrige në një sallë të madhe dëgjuesish në orën 11:00 të Dielën është apo nuk është habitati natyror i species tënde.
SHTOJCA V
Gabimi Themelor i Legalizmit
E mira nuk është çështja me të cilën duhet të luftoni. “Të jesh i mirë” sigurisht që nuk është matja e Perëndisë. Morali nuk është çështja. Vrapimi pas të qenit i/e shkëlqyer, rregullave, të drejtave, moralitetit, modestisë, ndershmërisë dhe jetesës së drejtë….deri sa të mos jeni bërë gjysëm i çmendur nga zemërimi, megjithëkëtë ti nuk do ta kënaqësh synimin brenda teje “për të qenë i/e mirë”. Kurrësesi! Dhe panvarësisht nga përpjekjet e tua më të mëdha, ti nuk do të shikosh kurrë të tjerët, të cilëve iu kërkon “ji i/e mirë”, që të bëjnë tjetër gjë veçse të dështojnë. Ata, duke jetuar nën rregullat e tua, nuk do t’i arrijnë që t’i jetojnë kërkesat që ti ke kundrejt atyre. Po ta përplasësh kokën tënde pas një guri jep më shumë shpresë për të përmbushur diçka pozitive se sa kërkesa jote për sjellje të drejtë. Nuk ka rëndësi se sa i/e moralshëm je, ti nuk do ta bësh kurrë të heshtë atë zë brenda teje që thërret, “Vepro më mirë! Nuk ke bërë aq sa duhet!” Ose, “Vepro më mirë! Kjo nuk është në lartësinë e duhur!”
Unë të rekomandoj që të veprosh ashtu siç veproi legalisti më i madh i të gjitha kohërave. Vepro si Shën Simoni. Ngjitu mbi një kollonë 50 këmbë të lartë, ulur aty lart në një sipërfaqe prej tri këmbësh një racion ditor që përbëhet nga tre fiq. Vepro kështu gjatë gjithë jetës tënde të moshës madhore. Dhe megjithëkëtë diçka brenda teje do të thërrasë, “Bëje hapësirën e jetesës dy këmbë. Ha dy fiq në ditë! Dhe të kesh turp për atë që ëndërrove natën e kaluar. Dhe mendo se sa i tmerrshëm ishte mendimi që kishe sot në mëngjes. Duket qartë se ti je më se i/e pavlerë. Përpiqu më shumë!”
Vepro në gjithçka ashtu si Shën Simoni dhe ti po jeton ende në biosferën e pemës dhe frutit të saj të dijes, që është e mira dhe e keqja. Kërkesa për të qenë i/e mirë rrjedh nga pema e tiranisë, rregullave, legalizmit, shfaqes, të keqes dhe të mirës. Nga Pema e Vdekjes!
Jeta dhe liria rrjedhin nga një pemë krejtësisht e ndryshme. Fitorja gjendet tek jeta, jo tek e mira. Triumfi ndodhet në lirinë jo në standartet.
Pema nga e cila Adami nuk hëngri nuk quhej Pema e së Mirës. Ajo quhej Jetë.
Krijoni Kontakt