Policia zapton pikat e ish-UÇK-së

09/05/2010


Përkundër të gjitha pohimeve se situata e sigurisë në Maqedoni është e qetë dhe nën kontroll, policia maqedonase vazhdon të stacionohet në vendet e konsideruara si të rrezikshme.

Nga rajoni i Karadakut të Shkupit, në malet që ndajnë Shkupin me Kumanovën dhe Kosovën, policia e Maqedonisë ka dërguar forca shtesë. Banorë të këtyre vendbanimeve kanë rrëfyer për “Lajm” se policia i ka urdhëruar që ta zvogëlojnë intensitetin e qarkullimit në këtë rajon. Në vendin e quajtur “Bashinec”, ku banorët e fshatit Lubeten të Shkupit i mbajnë bagëtitë, policia ka dhënë urdhër që terreni të pastrohet dhe barinjtë të tërhiqen. “Para rreth dhjetë ditëve policia na tha që t’i largojmë dhentë nga bjeshka. Ne nuk u tërhoqëm, por para dy ditëve erdhën sërish dhe na urdhëruan që të largohemi. Tani s’dimë ku të shkojmë”, tha një banor i Lubetenit që deshi të mbetet anonim.

Gjithashtu, banorët kanë pohuar se ditëve të fundit janë shtuar dukshëm forcat e policisë që janë stacionuar në këtë rajon.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) nuk mohojnë se ka pasur lëvizje të policisë, por thonë se kjo mund të bëhet për shkak të stërvitjeve.

“Ndoshta kanë pasur stërvitje, ndaj dhe u kanë thënë barinjve që t’i largojnë delet, pasi nëse rastësisht ndodh ndonjë incident, përgjegjësia bie mbi MPB-në”, tha Ivo Kotevski, zëdhënësi i policisë. Ai sqaroi se policia nuk e ka për obligim t’iu tregojë banorëve se kur ka stërvitje. “Situata atje është e qetë dhe nuk ka asnjë informatë se mund të ketë ndodhur ndonjë incident”, tha Kotevski.

Jozyrtarisht banorë e fshatrave të Karadakut të Shkupit theksojnë se policia po pozicionohet në pikat që në vitin 2001 i kontrollonte UÇK-ja.

Rikujtojmë se në gusht të vitit 2001 te stanet e Lubetenit në vendin e quajtur “Bashinec” ishin vrarë tetë polic maqedonas, të cilët me kamionin e tyre kishin rënë në një minë për të cilën akuzohej UÇK-ja.

http://lajmpress.com/lajme/maqedoni/4437.html