Tiranë, 29 Shtator - Specialistë të restaurimit pranë Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë në Tiranë, kanë restauruar plotësisht një diademë të shek. VII para Krishtit të zbuluar në tumën prehistorike të Kamenicës (Korçë) dhe kanë ndërtuar edhe një bazament të tejdukshëm për të mundësuar ekspozimin e saj.
Shefi i këtij laboratori, më i madhi i këtij lloji në Shqipëri, Prof.Ass. Frederik Stamati, tregon se puna për restaurimin e diademës, e nisur gati tre muaj më parë, konsiderohet e përfunduar formalisht, me montimin e këtij bazamenti.
Zbulimi në vitin 2000 i diademës që mendohet të jetë përdorur nga një vajzë rreth moshës 12 vjeçare, është për arkeologët, etnografët e studiues të tjerë, një zbulim me plot risi. Sipas Stamatit, diadema u zbulua në një varr të pasur me inventar në tumën prehistorike të Kamenicës, nga arkeologu Dr.Lorenc Bejko.
Diadema prej bronzi, e zbuluar në Kamenicë, rreth 10 km larg qytetit juglindor të Korçës, e përbërë nga bakri dhe kallaji pa praninë e arsenikut që e bën bronzin të thyeshëm, ka 23 sumbulla dhe një tokëz bronzi. Sumbullat kanë një diametër prej 14 mm dhe janë të larta 4 mm. Në të u gjetën 4 kunja që mbërtheheshin me një lëkurë në bojë të kuqe, e analizuar edhe në një institut të rëndësishëm në Greqi dhe në Institutin e Fizikës Bërthamore krahas Laboratorit të Konservimit në Tiranë.
Specialistët mendojnë se ajo mbahej në kokë nga një 12 vjeçare, pasi në skeletin e saj u gjetën vetëm 22 dhëmbë dhe dhëmballat ende të padala me nr. 6. "Vetëm një vajzë e moshës 12 vjeçare mund të ketë kaq dhëmbë në gojë", sqaron Stamati.
Detaj tjetër është fakti që vajza (sipas analizave antropologjike) kishte vdekur gjatë stinës së dimrit, pasi në varrin e saj u gjetën krahas zbukurimeve të tjera edhe mbetje të një veshjeje të trashë prej lëkure. Në këtë varr u gjetën edhe një fibul gjyslykore, e rrallë sepse teli që e formon është i prerë në formë katërkëndëshi, një gjerdan me spirale, një karficë, etj.
Diadema ka një rrip lëkure të ngjyrosur, ku montoheshin sumbullat. Sipas etnografëve ngjyrimet më të hershme në Shqipëri, i takojnë shekullit të 19-të, ndërsa diadema tregoi se ka ngjyrime të tilla edhe 2700 vjeçare. Në tumën e Kamenicës janë zbuluar gjatë tre viteve të fundit rreth 385 varre, skeletet e të cilave për herë të parë në një ekspeditë arkeologjike shqiptare, u grumbulluan të plota për t'u analizuar në një qendër në Britaninë e Madhe.
K.E/AT
Krijoni Kontakt