Isa dhe Hysen Çela, 79 dhe 76 vjeç, shkëmbyen zjarr me pistoleta pas debateve për tokën
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dje pasdite në një fshat të thellë malor të rrethit të Shkodrës, ku dy vëllezër të moshuar kanë shkëmbyer zjarr me njëri-tjetrin. Të dy kanë gjetur vdekjen në spitalin rajonal të Shkodrës, ku u dërguan me shumë vonesë, për shkak të largësisë së zonës dhe mungesës së mjeteve të komunikimit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17.30 të së hënës në fshatin Domën të Komunës Postribë të rrethit të Shkodrës. Dy vëllezërit Isa Çela 79 vjeç, dhe Hysen Çela 76 vjeç, të cilët banonin fare pranë njëri-tjetrit, kanë nisur të debatonin për pronësinë e një sipërfaqeje toke që ndodhet mes dy shtëpive. Pas fyerjeve dhe sharjeve reciproke, konflikti mes tyre ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Të dy vëllezërit kanë qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit me pistoleta. Pas një shkëmbimi zjarri që ka zgjatur disa minuta në prezencë edhe të familjarëve të tjerë, dy vëllezërit e moshuar kanë mbetur të plagosur.
Fshati ku ka ndodhur ngjarja është një zonë e thellë malore, në të cilën mungojnë totalisht mjetet e komunikimit. Për të lajmëruar policinë dhe ambulancën familjarëve u është dashur të ecin rreth 40 minuta në këmbë që të dilnin në një zonë ku ka valë telefoni.
Menjëherë pasi është marrë informacioni, në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, e cila ka bërë dhe transportimin e dy të plagosurve për në spitalin rajonal të Shkodrës. Por, për shkak të kohës së gjatë pa ndihmë mjekësore, dy pleqtë kanë humbur shumë gjak dhe kanë ndërruar jetë sapo kanë mbërritur në spital.
Në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar dy pistoletat dhe 11 gëzhoja në cilësinë e provës materiale. Policia ka marrë në pyetje familjarët e autorëve të ngjarjes dhe ka arritur në përfundimin se shkak i kësaj ngjarjeje është bërë konflikti për pronën dhe se dy vëllezërit e moshuar kanë qëlluar njëri-tjetrin.
Megjithatë, policia ka mbajtur në komisariat disa familjarë të dy viktimave, të cilët do të duhet të sqarojnë më shumë detaje të ngjarjes së rëndë.
Krijoni Kontakt