Close
Faqja 10 prej 11 FillimFillim ... 891011 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 91 deri 100 prej 104
  1. #91

    Ramaland apo Ramarmallatë?

    Ramaland apo Ramarmallatë?

    » Vendosur: 16/05/2010 - 12:40

    Edmond Tupja

    Të gjithë ose thuajse të gjithë e dimë se ç’është Disneyland-i: një vend një botë ku janë konkretizuar gjithë mrekullitë e veprës artistike së Walt Disney-it. Me qindra mijëra njerëz shkojnë atje vit për vit, e vizitojnë dhe nuk ngopen së mahnituri. Nga ana tjetër, shkrimtari frëng Gilles Plazy ka shkruar një libër me titull “Udhëtim në Gracqoland”, në të cilin i bën një analizë veprës së shkrimtarit bashkëkombës Julien Gracq; në këtë vazhdë, edhe unë, përkthyes në frëngjishte i tërë romaneve të shkrimtarit Fatos Kongoli, që nga 1992 e këtej, me shumë modesti, kam dëshirë të shkruaj një ditë, pasi të më nxjerrin në pension, një libër të quajtur “Shtegtim nëpër Kongoland”.
    Mirëpo ja që zhvillimet politike të këtyre kohëve të fundit në vendin tim më tundojnë që të ndërmarr sot një udhëtim në... Ramaland. Këtu, e shoh lexuesin tim të vëmendshëm e të paanshëm të ndërhyjë për të më pyetur: “Ç’kuptoni ju me Ramaland, zoti Tupja?”. Ja, pra, përgjigjja ime:
    Për mua, Ramaland-i nuk ka të bëjë fare me ndonjë tërësi veprash artistike, në pikturë apo në letërsi, të zotit Edi Rama, sepse ai nuk është më as piktor, as shkrimtar e as krijues artistik (nëse ka qenë ndonjëherë) për shkak, natyrisht, të cilësisë së tij të trefishtë si Kryetar i Partisë Socialiste, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe si Kryetar i bllokuesve të rrugëve e të shesheve të Shqipërisë. Janë pikërisht këto tri pika që përbëjnë Shën-Triadhën e Ramaland-it, në to duhet të ketë mrekullira nga më të pabesueshmet që prej atyre më tragjikeve deri tek ato më komiket, shkallëzime e nuanca që shkojnë nga mynxyra te gallata. Prandaj më duket më me vend të flas për një shën-Triadhë tragjikomike ose, më saktë, mjerano-gallateske. Dhe, meqë fjala “gallatë” rimon me fjalën “marmallatë”, propozoj, tashmë që në titullin e këtij shkrimi, variantin “Ramarmallatë” në vend të termit “Ramaland”, ndryshe do të kisha zhvelftësuar botën e mrekullueshme të Walt Disney-it, të Gilles Plazy-së e të Fatos Kongolit, para të cilëve zoti Edi Rama më ngjan si hije liliputi. Në Ramarmallatë, pra, një mendje zhbiruese do të mund të nuhaste lloj-lloj misteresh e intrigash, pazaresh, pasionesh e epshesh politike në shërbim të luftës për pushtet që po zhvillon zoti Edi Rama, duke mbajtur peng me dhunë partinë e vet, vendin e vet, të tashmen dhe të ardhmen e tij.
    Sidoqoftë, do ta këshilloja zotin Edi Rama të dilte një çast nga Ramarmallata e tij ku po e verbon, tërbon e shkallon lakmia, babëzia e makutëria për pushtet, dhe të vinte të më takonte para kamerave të mediave elektronike për të më shpjeguar, duke më vështruar drejt e në sy, mua, njërit prej qindra nënshkruesve të letrës së drejtuar vetë atij që të mbledhë mendjen dhe të mos e lodhë më njeriun shqiptar duke iu imponuar me madhështinë e rreme të një mbinjeriu pseudoniçean të kohëve moderne, përse qenkam “sazexhi apo daullexhi i haremit mediatik të Berishës”, në ç’trajtë “u kapardiskam në këtë harem”, në ç’mënyrë kryeministri “më ushqeka me fondet e oborrit të tij, përse qenkam fytyra e pushtetit të korrupsionit dhe të gënjeshtrës” etj, etj, siç u shpreh ai para më se një jave. Por unë e di që ai nuk ka për të dalë nga Ramarmallata e neveritshme, ku sazexhinjtë dhe daullexhinjtë e haremit të tij të mbrapshtë i këndojnë hosana pa fund duke u shtirë si martirë të demokracisë më të virgjër, ku tifozët e tij androidë, të bashkuar në një kor kastratësh, i binden atij verbërisht, servilisht e prostitutivisht.
    Nga ana tjetër, ndonëse i ngujuar mendërisht në Ramarmallatën e tij, zoti Edi Rama nuk duhet të harrojë se historia njeh jo pak raste e shembuj figurash që, duke hipur me dhunën e rrugës në pushtet, u kanë shkaktuar gjëma popujve të tyre; zoti Edi Rama e di fort mirë që figura të tilla të urryeshme si Adolf Hitleri e Josif Stalini kanë disa tipare të përbashkëta me vetë atë: ata u shfaqën në kohë krize, pasi kishin dështuar në profesionin dhe në jetën e tyre familjare; ata ishin vullnetaristë makiavelikë të përbindshëm dhe i përdornin turmat për të arritur qëllimet e tyre e për t’u bërë të gjithëpushtetshëm. Por ekziston një figurë historike që u paraprin këtyre dy diktatorëve dhe që, sipas meje, na jep një ide sesi do të evoluonte me gjasë zoti Edi Rama sikur të vinte në pushtet: bëhet fjalë për Neronin, i cili i vuri zjarrin Romës dhe, ndërsa ajo digjej, ai vetë i binte ëmbël violinës.

    panorama

  2. #92
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    10-08-2008
    Postime
    1,280
    Greva e gabuar


    » Vendosur: 16/05/2010 - 12:39



    • Aurel Plasari

    Dy janë gjatë këtij muaji “eventet” (e kam nga gazetarët këtë term) për spektatorët e kryeqytetit: premiera me titull “Darka e gabuar” në skenën e Teatrit Kombëtar, dhe greva e gabuar që ka improvizuar për skenë shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”. Para se e quajtura grevë urie, e një partie politike parlamentare, të përfundojë si kujtim famëkeq në historinë politike shqiptare – përkundër lavdidashjes së vënësve të saj në skenë – ndiej detyrë ta cilësoj atë të gabuar.
    Në parantezë dua edhe të sqaroj bashkëqytetarë që më kanë pyetur se përse nënshkrimi im nuk po ndodhet në thirrjen-kërkesë, që një numër ende në rritje intelektualësh ia kanë drejtuar – dhe vijojnë t’ia drejtojnë – kryetarit të PS. Pikësëpari, ngase e kam ditur paraprakisht, që Edi Rama nuk ua vë veshin atyre: madje ai e lëshoi gojën dhe guxoi t’i quajë “ahengxhinj”, “sazexhinj”, “daullexhinj” etj., në kohë e sipër, që asnjëri syresh nuk e quajti dhe nuk po e quan “bojaxhi”: me gjasë, për të mos fyer komunitetin e nderuar të bojaxhinjve të Tiranës. Po njësoj nuk do ma vinte veshin as mua, – nuk i intereson mendimi im, – për aventurën që ka iniciuar, ndaj edhe nuk e shpenzoj mundin tim t’i drejtohem atij.
    Nga ana tjetër, në thirrjen-kërkesë të intelektualëve, nuk jam i një mendjeje me diçka parimore: me faktin që ata ia bëjnë këtë thirrje-kërkesë një kryetari partie politike parlamentare, për të ndaluar grevën e urisë për pushtet, ngase interesi i kombit në këtë moment kërkuakësh që..., ngase Shqipëria qenkësh në prag të liberalizimit të..., ngase proceset e integrimit evropian do t’u dëmtuakëshin nga ... etj. Padashje, ndoshta, e gjitha kjo lë të nënkuptosh se greva pa-vënë-gjë-në-gojë e një partie politike parlamentare qenkësh “pa vend”, vetëm e vetëm ngase u bëkësh në këtë moment, pra në momentin jo të duhur dhe në vendin jo të duhur. Si me thënë: i nderuar z. Rama – aman! – po patët mundësi mos e bëni këtë grevë tani në behar, bëjeni së paku në vjeshtë. Ose, edhe më mirë, gjatë pushimeve të Vitit të Ri. Jo.
    Futja e PS në një aventurë si kjo e fundit, duhet ta ketë një shkak shumë të fortë, tejmase shtrëngues, madje – guxoj të them – fatal: ai do të shpaloset në një të ardhme të afërt, kur të bëhen analizat e distancuara të ditës së “kthesës” së kryetarit të PS ndaj zgjedhjeve, si edhe të një vargu treguesish të tjerë, në krye të të cilëve nuk mund të mos jenë veçse ato ekonomiko-financiarë. E pohoj shprehur këtë indicie bazë ekonomiko-financiare sepse një grevë urie e një partie politike parlamentare, si PS, nuk përkon me kurrfarë parimi dhe praktikë të socializmit evropian.
    Një grevë urie e një partie politike – aq më shumë e një partie parlamentare – nuk mund të jetë veçse e gabuar: për teorinë dhe praktikën e socializmit evropian, ajo përbën një nonsens dhe, si e tillë, funksionon vetëm si provokim për jetën politike shqiptare, deri për jetën sociale të Tiranës e të Shqipërisë. Meqë për këtë pohim, lexuesit kanë të drejtë të më kërkojnë argumentet përkatëse, do t’i jap ato, por me selektim: 1) në qoftë fjala për socialistë, nga ata që ua vënë veshin vetëm fjalimeve përndezëse të Udhëheqësit, nuk ua kanë nevojën argumenteve të mia, ata të vijojnë të brohorasin “Edi! Edi!” dhe të presin happy end-in që Udhëheqësi u ka premtuar; 2) nëse janë socialistë me-tërë-mend, mund të pyesnin për argumentet në fjalë profesorë si Servet Pëllumbi, Rexhep Mejdani etj., që i dinë disa të vërteta të teorisë dhe të praktikës së socializmit evropian (ndoshta) më mirë nga unë; 2) nëse nuk janë socialistë dhe u interesojnë argumentet e mia, po ua jap si më poshtë vijon.
    Si në teorinë, ashtu edhe në praktikën e socializmit evropian, së paku nga mesi i shek. XIX, rekurse të skajshme kundërshtimi ndaj pushteteve si grevat e urisë nuk bëjnë më pjesë në mjetet dhe metodat e konkurrimit të partive socialiste në orvatjet për ardhjen në pushtet. Në veçanti kur parti të tilla ia kanë dalë tanimë të jenë pjesë e parlamenteve, madje pjesë konsistuese e tyre, grevat e urisë si rekurs politik janë vetiu të përjashtuara dhe nuk i përligj më as teoria, as praktika e socializmit evropian. Ato u mbeten, tanimë qysh prej një shekulli e gjysmë, individëve dhe/ose grupeve të padrejtësuar dhe/ose të papërfaqësuar politikisht.
    Njerëz të brezit tim, që kemi pasur virtytin e kërshërisë – ose vesin e kërshërisë – dhe ua vinim mendjen mirë sa teksteve që na shërbenin nëpër shkollat e “socializmit real”, aq edhe atyre që po aty na i censuronin prej teoricienëve evropianë të socializmit, e kemi të qartë dallimin që vendosi Engelsi mes tezave të Marksit dhe realitetit të ri, që kishte ardhur duke u përftuar në Evropë mbas vdekjes së këtij. Në parathënien e botimit të ri (1895) që i bënte esesë politike – me vlerë të veçantë historike – të Marksit “Lufta civile në Francë” Englesi vërente se kishte mbërritur koha kur e drejta e sufrazhit universal (votimit të përgjithshëm) do t’i jepte gjithnjë më shumë hapësira drejt pushtetit së Majtës. Si koha, ashtu edhe numrat, për Engelsin, punonin tanimë në të mirë të socialistëve: “Nëse ajo [rritja e votës socialiste] vazhdon në këtë mënyrë, nga fundi i këtij shekulli [XIX] ne [socialistët] do të fitojmë pjesën më të madhe të shtresave të mesme të shoqërisë, borgjezisë së vogël dhe fshatarësisë, dhe do të shkojmë drejt pushtetit përfundimtar në vend”. Ndryshimi që konstatoi Engelsi mes rrethanave që përshkruante Marksi te “Lufta civile në Francë” dhe realitetit të ri, që kishte ardhur duke u përftuar në Evropë përkonte tanimë me këtë realitet. Madje parashikimi i Engelsit nisi përnjëmend të konfirmohej prej ngjarjeve historike, ndonëse jo aq shpejt sa Engelsi e parashikoi: jo në fund të shek. XIX, por së paku në fillim të shek. XX.
    Nëse mbahet në sy kjo e vërtetë historiko-politike, që një parti politike – po e përsëris: parti parlamentare – të ndërmarrë një grevë, makar edhe grevë urie, do të duhen dhënë shpjegime, të cilat mund të jenë të larmishme, por nuk do të kenë të bëjnë as me teorinë, as me praktikën e socializmit evropian, së paku nga mesi i shek. XIX e këndej, siç e tregova. Shembull: mund të jetë e përligjur një grevë e tillë nga ana e z. Erion Veliaj, i cili nuk ka përqafuar, së paku hapur, as kauzën mirëfilli socialiste, jo më ndonjë kauzë të djathtë. Duke mos qenë ende politikan parlamentar dhe duke u mbajtur në lojcakërinë e tij politike, – të mbajtur mbi fjalë të vendosura mbas fjalësh simbas manualeve të huaja, të cilat sigurisht prodhojnë fjali të bashkërenditura edhe të nënrenditura, por jo më shumë, – mund të quhet i përligjur në ndërmarrjen e një kësi veprimi të skajshëm. (Afërmendsh me një saktësim: duke llogaritur në këtë mes se fakti që ai vetë nuk është realizuar si anëtar i Kuvendit të Shqipërisë nuk ndryshohet dot jo me një grevë pa-vënë-gjë-në-gojë, por as me një varg të atillash.) Ose, edhe më thjesht, një grevë e tillë vete e vjen kur ndërmerret prej këngëtares Elsa Lila, e cila mund ta marrë atë edhe me këngë: dihet që ajo ia thotë, kishte për të thënë vetë Udhëheqësi i saj në slengun e vet. Duke mos qenë anëtare e asnjë partie politike – me sa dihet – dhe duke mos gjetur mbështetje për problemet e veta civile (ndoshta edhe politike, pse jo), asaj i mirëkuptohet një ndërmarrje e tillë. (Fundja, artistët anekënd botës spikasin për aktet e skajshme: nga grevat pa-vënë gjë-në gojë te vetëvrasjet.) Ndërkaq, e përsëris: për një parti politike, parti socialiste – posaçërisht parti parlamentare që ka zënë gati gjysmën e Kuvendit të Shqipërisë – greva nuk rezulton në kurrfarë lidhjeje me teoritë dhe as me praktikat e socializmit evropian. Prandaj edhe viktimat e një greve të tillë të mos befasohen, që në Evropë askush nuk ua kupton flijimin: të djathtë jo që jo, por as të majtë.
    Por – sepse edhe kjo histori e rrejshme e ka një “por” – në historinë politike të Shqipërisë ka një burim ideor prej nga është çkallur përdorimi i një rekursi si greva e urisë. Atij brezi të padijshëm, pra që nuk e di këtë burim, po ia rekomandoj se ku mund ta gjejë e ta lexojë: në librin “Imperializmi dhe Revolucioni” të shokut Enver. Nuk po e citoj gjatë e gjerë, edhe ngase nuk e kam këtu për duarsh: e ruaj në një mjedis të veçantë të shtëpisë, që nuk më duket e hijshme ta përmend në një shkrim serioz. Por po kujtoj thelbin, siç na e mësonin dhe stërmësonin në shkollë: shoku Enver i denonconte partitë e majta evropiane, që konkurronin për pushtet nëpërmjet pjesëmarrjes legale në parlamente, duke i cilësuar “parti revizioniste”, “parti tradhtare” të ideve të marksizëm-leninizmit. Shumë-shumë shoku Enver pranonte ndonjë pjesëmarrje të partive të majta në parlamente, vetëm sa për sy e faqe, d.m.th. vetëm si një truk që dëshmonte inteligjencën e pazakonshme të marksistë-leninistëve të vërtetë: mbrapa pjesëmarrjes fiktive parlamentare ai rekomandonte sabotimin e parlamenteve, bojkotimin e institucioneve, deri edhe minimin e pushteteve të dala prej parlamenteve në fjalë dhe, përkatësisht, futjet në dorë të pushtetit jo me rrugë parlamentare, por me çdo mjet tjetër, pa përjashtim. Kështu ato do t’ua “hidhnin” demokracive borgjeze. Ky rekomandim qëndron në thelb të të ashtuquajturës “teori” të shokut Enver: e pafshehur, përkundrazi e trumbetuar sheshit në veprën e tij “Imperializmi dhe revolucioni”, si edhe në një turrë shkrimesh të tjera të tij, përfshi “Eurokomunizmi është antikomunizëm” etj. Shkurt fjala: një batakçillëk tipik marksist-leninist në politikë.
    Lexojini këto tekste, që jua rekomandoj, të shokut Enver dhe dilni e mbani vesh fjalimet e Udhëheqësit të sotëm të PS. Udhëheqësi i sotëm i PS-së flet në emër të “të gjithëve”, ndërsa hapur kërcënon – kërcënon me mikrofon dhe i amplifikuar me altoparlantë – me gjyqe dhe ndëshkime “të ardhshme” ata që mendojnë dhe/ose veprojnë ndryshe. E dëgjuat edhe më 14 maj 2010 këtë Udhëheqës të PS-së se si me zë të stërlartë foli në emër “edhe të të majtëve edhe të të djathtëve”, ndërkohë që fill paskëtaj e çeli përsëri zemrën: kanosi për së dyti herësh – gjithnjë para mikrofonit dhe amplifikuar me altoparlantë – ata që mendojnë dhe/ose veprojnë përkundër ideve të Udhëheqësit. Dhe a e dini se me ç’argument? Do ta keni dëgjuar me veshët tuaj: sepse ai me të tijtë qenkëshin “bota e re”! Kurse të tjerët, që kanë qëlluar të mendojnë ndryshe, qenkëshin “bota e vjetër”! A bon entendeur, salut! Shqip: kush ka mend, le ta parashikojë vetë të ardhmen me këtë Udhëheqës. Ta parashikojnë të ardhmen me të edhe ata që po sharrojnë – urie, fjala vjen – në kampingun e Bulevardit. E them këtë si njeri që për idetë socialiste kam vlerësim mjaft më të madh se Udhëheqësi i PS-së, i cili ka turp të pohojë: “jam socialist”.
    Ndërkaq, po qe puna për të fyerje mikrofonash të amplifikuar me altoparlantë, nëse i bie të jem “botë e vjetër”, simbas stilit edhe më “të vjetër” konician i bëj publikisht një ofertë “botës së re” që rreket të imponojë Udhëheqësi: a më lëpini një herë këpucët, t’ju jap nga një 10.000-lekëshe? (Të vjetra, afërmendsh, si i “botës së vjetër” që i bie të jem.) Kam edhe oferta të tjera, por për në shkrime në vijim. Kaq për fyerjet.
    Ma do mendja që një pjesë e drejtuesve të Partisë Socialiste, si edhe e personaliteteve të dalluara të saj, e dinë dallimin politiko-historik që kujtova këtu, ndaj edhe i rrinë larg kësaj greve të gabuar: të gabuar si grevë e një partie politike tanimë prej kohësh parlamentare. Ata e dinë mirë ndryshimin mes mishit të gjahut me majonezë e shampanjë në akull, që premtohet, dhe sallamit me hudhra e ujë Boville, tek i cili me këtë rekurs përfundohet. E ardhmja e një partie të majtë, vetëkuptohet edhe e çdo partie të djathtë, nuk ka për të qenë më kurrë te grevat, as të urisë, as të etjes, as të frymëmarrje, siç i numëroi një koleg yni shkrimtar shqiptaro-frëng: kjo përbën tanimë ligjësi historike, d.m.th. është si një e një që bëjnë dy, edhe për politikën shqiptare. (Nuk po përmend faktin, i cili mund të tingëllojë fyes, që vetë Engelsi i quante mjete të tilla të skajshme, të përdorura prej ndonjë partie me mëtime të majta, “kreshma politike”.) Po kaq edhe jam i bindur që grevat e urisë nuk bën të bëhen pis, duke ua rrëmbyer ato atyre që u takojnë si mjet lufte: të burgosurve, të internuarve, të përndjekurve, të përdhunuarve, të padrejtësuarve në përgjithësi, për t’u shpërdorur si rekurse politikanësh të qenun – zotërinj hesapi! – me mandate parlamentare nëpër xhepat plot.
    Së fundi, duke qenë i zhgënjyer nga cilësia e spektaklit të “Grevës së gabuar”, më lejoni të rekomandoj për spektatorët se ajo çfarë na mbetet është të parapëlqejmë cilësinë e premtuar të spektaklit premierë “Darka e gabuar” në skenën e Teatrit Kombëtar: në rolet kryesore Ndriçim Xhepa, Bujar Asqeriu, Artan Imami, Naum Shundi, Erjona Kakeli, Mehdi Malkaj, Ahmet Pasha, Marjana Kondi etj. Dhe dalsha unë i gabuar.

  3. #93
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Thx Gur per kte shkrim te Plasarit.

    Megjithse tangencial ne analizen qe i ben shtabit Edvinist dhe arsyeve pse ata luajn keshtu si luajn.. shkrimi ka vlera.. e mir eshte ta lexojne te gjithe.

  4. #94
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    684
    Edwin Rama po i paguan grevistet, per mendimin tim duhet ti perkrahemi por jo ti japim te drejt.

  5. #95
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    30-03-2010
    Postime
    520
    Citim Postuar më parë nga Brari Lexo Postimin
    Thx Gur per kte shkrim te Plasarit.

    Megjithse tangencial ne analizen qe i ben shtabit Edvinist dhe arsyeve pse ata luajn keshtu si luajn.. shkrimi ka vlera.. e mir eshte ta lexojne te gjithe.


    mos eshte ky aromuni mor brar qe ka shkruar kete artikullin me poshte ,,ky delenxhiu ku nen terezen na e benka vllahe ,,hiqu ketije komunisti internacionalist ky eshte gjarper dhe delenxhi,,,me mire nje socialiste dhe shqiptare se sa racen e ketije hibriti ketij koxi xoxes se sotem,,

    ja se c ka shkruar dikur per nen terezen ky sahan lepirese ,tipa si ky jan kale troje ku duan te perfitojne nga c do situat,,,,,hajt shnet


    Origjina e nene Terezes

    Me poshte do te sjell nje artikull te Aurel Plasarit, drejtor i Bibliotekes Kombetare, i cili mbeshtet mendimin se Nene Tereza kishte te emen katolike shqiptare, kurse te atin shqiptar-vllah nga familja vllahe e Bojaxhinjve.
    Me pas do sjell kundershtimet dhe reagimet e skandalizuara te disa gazetareve shqiptare.

    Bojaxhitë e nënë Terezës


    nga dr. Aurel PLASARI


    “Travestí elitash” e quante para do kohe në shtyp një kolegu ynë fushatën kinse-nacionaliste për mbrojen me çdo kusht të “shqiptarësisë” së të misionares së madhe të krishterë Nënë Tereza. Përfytyroni tani se ç’mund të ndodhë kur ta dojë rasti që në këtë spektakël e sipër të kesh për duarsh një punim ende të papërfunduar për familjet e mëdha voskopojare dhe “voskopjarët e mëdhenj”: Kavaliotët, Sinat, Shagunat, Dumbat, Gondut, Bellot, Qopekat, Ballaurët/Vallaurët, Fundot etj.; ndër to edhe familja Bojaxhi.
    Bojaxhitë qenë dhe janë një familje në zë aromane (angl. Aromanians), e përhapur në disa vise të Ballkanit, si dhe përtej tij, në degë të ndryshme. Përfaqësuesi më në zë i Bojaxhive mbahet historikisht Mihail G. Bojaxhi (Boiagi), me të cilin llogaritet të fillojë historia moderne e aromanëve. Së toku me tjetrin filolog aroman Gjorgje Kosta Roza, me të cilin vepruan në dy dhjetëvjeçarët e parë të shek. XIX, ai u bë bashkëthemelues i teorisë së “latinitetit” të aromanëve në Ballkan. Që të dy punuan në qytetet e Perandorisë së Habsburgëve, por qenë me prejardhje voskopojare. Sa i përket vendlindjes së Mihail G. Bojaxhiut, opinionet ndahen dysh: Max Peyfuss-i mendon që ai të ishte lindur në Budë më 1780 (Die Druckerei von Moschopolis, 26), ndërsa Candroveanu e shënon Bojaxhiun të lindur në Voskopojë më 1770 (Antologie de proza aromana, 195).
    Duke vijuar traditën e shkollës filologjike të Voskopojës, përuruar në gjysmën e dytë të shek. XVIII, Mihail G. Bojaxhiu botoi të parën gramatikë të aromanishtes (Gramatica romana sau macedo-romana, 1818) të shoqëruar edhe me përkthimet greqishte dhe rumanishte. Ai hartoi edhe një gramatikë të bullgarishtes dhe një të serbishtes, si dhe një libër mësimi të greqishtes, duke dhënë pjesën e vet të ndihmës në standardizimin e këtyre gjuhëve. Bindja e tij prej poligloti në pluralitetin gjuhësor e shtynte të nënvizonte: “Çdo gjuhë është një hipostazë e shpirtit njerëzor; sa më shumë gjuhë të nxëjë një njeri, aq më shumë gjëra ai di. Njeriu nuk mund t’i fitojë të gjitha dijet vetëm nga një gjuhë e vetme, edhe sikur ajo gjuhë të jetë më e përkryera në botë. Të këmbëngulësh mbi një gjuhë të vetme është njëherësh kotësi dhe marrëzi nga pikëpamja praktike” (Gramatica, X).
    Degë të ndryshme të familjes Bojaxhi u përhapën jo vetëm në qytetet e mëdha habsburgjike (Vjenë, Budë, Pest etj.), por edhe në qytete të Ballkanit, kështu edhe në Shkup. Në periudhën e Perandorisë osmane Shkupi paraqitej si qytet etnikisht i përzier: bashkëjetonin aty shqiptarë, aromanë (vllehë), maqedonë dhe një bashkësi e vogël familjesh hebreje. Këtë situatë përzierjeje e pati ndeshur qysh në shek. XIII rabini udhëtar nga Spanja Benjamin i Tudelës; po këtë regjistronte në shek. XIX Ami Bué-ja; dhe po kjo situatë, me ndryshimet e kuptueshme në të mirë të bashkësive maqedone e shqiptare, rezulton aty edhe sot e gjithë ditën. Në Shkup aromanët jetonin në një lagje veçan, sikurse ishte traditë për qytetet orientale, që quhej “Lagjja e vllehëve”: “Vlaškoj mahala”. Në këtë lagje jetonte edhe familja Bojaxhi në të cilën u lind më 27 gusht 1910 Gonxhe Bojaxhiu, e ardhshmja Nënë Terezë. Në ditën e sotme lagjja në fjalë është shpërbërë në një masë të madhe: aty tek ishte shtëpia e Bojaxhive është tani një autorrugë pranë një qendre tregtare ngjitur me “Sheshin Maqedonia”. Nuk ka ndonjë dëshmi që të dëftojë se ku Gonxhe Bojaxhiu është pagëzuar, por është e besueshme që ajo të jetë pagëzuar në kishën e lagjes ku u lind: në “kishën e vllehëve”. Për mësimet fillore ka ndjekur një shkollë jokatolike: këtë e tregon edhe vetë në kujtimet e saj. Po t’i lexohen me vëmendje kujtimet dhe t’i ndiqen prononcimet, le të vihet re: ishte shqipja apo maqedonishtja ndër gjuhët që ajo njihte? Apo ishte “the aromanian”? Aromanishtja/vllahishtja nuk është ndonjë gjuhë qarkullimi të gjerë, gjuhë kulture moderne, nga ato që mësohen nëpër kolegjet e Anglisë apo universitetet e SHBA-së. Të diturit e aromanishtes/ vllahishtes nga një njeri i rritur shpjegohet vetëm nëpërmjet një fakti: dhe dihet se cili është ai fakt.
    Në moshën dhjetëvjeçare Gonxhes i vdiq i ati, Nikollë Bojaxhiu dhe, me vdekjen e tij, është e kuptueshme të vinte duke u zbehur edhe identiteti i të parëve nga linja e gjakut. Nën përkujdesjen e s’ëmës Drane, që ishte katolike nga rrethinat e Gjakovës, Gonxhja nisi të shpihej rregullisht tanimë në kishën katolike të qytetit, të këndonte në kor, derisa rreth të dymbëdhjetave, sikurse ka treguar vetë, t’i lindte dëshira për t’u bërë “motër e shenjtë”.
    Pinjoj të familjes së Bojaxhive të Maqedonisë ndeshen aty-këtu, nëpër regjistrat e shpëtuar rastësisht të shkollave aromane, qysh me themelimin e tyre në gjysmën e dytë të shek. XIX aty. Në shkollën aromane të Gopeshit, për shembull, themeluar më 1867, ndër regjistrimet e vitit shkollor 1889-90 del Jani Bojaxhi, ndërsa në shkollën aromane të Krushovës, themeluar më 1868, ndër regjistrimet e vitit 1889-90 dalin Ana N. Bojaxhi, Taku Bojaxhi etj. Bojaxhi të tjerë të mbetur në Maqedoni dhe të lidhur mbas kishës ortodokse (pravosllave), me dhjetra emra në kulturë, politikë, shkencë, sport (Aleksandër Bojaxhi, Jani Bojaxhi, Dhimitri Bojaxhi) etj., mbahen tanimë të “maqedonizuar”, ndryshe prej fatit të Gonxhes që u zhvendos në mjedisin shqiptar katolik të s’ëmës, në Shqipëri.
    Pavarësisht ndonjë mëtimi joserioz të FYROM-it zyrtar, Kryetari i Unionit për Kulturën të Aromanëve në Maqedoni Dimo Dimcev e ka përshkruar me korrektësi prejardhjen e familjes së Gonxhe Bojaxhiut në një intervistë për NIN-in. Si kujton se dikur “Jerusalemi” i aromanëve pati qenë Voskopoja dhe se, me prishjen e saj, shumë familje voskopojare u hapërdanë në qytete në ndryshme të Ballkanit, si dhe të Perandorisë austro-hungare, ai përshkruan edhe kalimin e pjesëve të ndryshme të familjes Bojaxhi në Shkup, Prizren etj. Ai ka vërejtur se i ati i Gonxhes, Nikolla, ishte përfaqësues i vllehëve (vlasi) në kuvendin e qytetit të Shkupit; për këtë ekziston edhe dokumenti përkatës bërë i njohur prej Stojan Tren?evskit (“Mutter Teresa, Gondje Boiagi, ist von ihrem Vater Nikola Boiagi her wlachischer Abstammung; wir berufen uns auf das von dem Autor Stojan Trencevski entdeckte Dokument, das belegt, dass Nikola Boiagi in den Fuhrungsorganen der wlachischen Gemeinschaft in Skopje tatig gewesen war”). Nga një anë tjetër, as akademiku maqedon Tome Serafimovski nuk e ka pasur të vështirë ta pranojë këtë prejardhje: “Askush në Maqedoni nuk ka mëtuar ndonjëherë që Nënë Tereza të ketë qenë maqedone, kurse në Shkup dihet që ati i saj Nikolla Bojaxhi ka qenë jo shqiptar, por vllah” (“Niko nikada u Makedoniji nije tvrdio da je Majka Tereza bila Makedonka, ali u Skoplju se zna da joj otac Nikola Bojadzi bio ne Albanac, vec Cincar”).
    Që të gjitha këto orvatje për të depërtuar në prejardhjen e një figure si Nënë Tereza, këto tërheqje litari me jo “është jona”, jo “nuk është juaja”, mund të jenë në thelb absurde: me këtë jam një mendjeje edhe unë. E Krishtera e Madhe e Kalkutës është një figurë tanimë e shenjtë që i përkiste/ i përket humanizmit të krishterë mbarëkombëtar, madje jokombëtar ose mbikombëtar. E para që do të neveritej prej tërheqjesh të tilla litari do të ishte ajo vetë, e cila refuzoi me ngul të merrej ndonjëherë me përkatësinë e saj etnike apo me prejardhjen e saj. Por atëherë përse këta burra shteti ose minishteti, presidentë, kryebashkiakas etj., marrin përsipër të caktojnë a të mbrojnë prejardhjen e njërit apo të tjetrit pa pasur haber as nga gjenealogjia, as nga filologjia, as nga historia? Madje, më së shumti, pa e ditur as ku bien me shtëpi këto dije? Dhe çfarë argumentesh shtien në punë në këtë spektakël kinse-nacionalist që kolegu ynë me të drejtë e quante “travestí elitash”?
    Ja ndonjë prej argumenteve, qëmtuar nëpër mediat shqiptare prej niveleve të bulevardit deri tek ato të profesionistëve të ATSh-së, madje nga ato që u shërbehen të huajve në anglishte të Tiranës: “Her real name is Agnes Bojaxhi. “Bojaxhi” in the Albanian language means “painter”!” Ose: “Mother Teresa was Albanian - her real name was Agnes Gonxhe Bojaxhiu. In the Albanian language Gonxhe means “bud” and Bojaxhi means “painter”!” Me një fjalë: një logjikë infantile, simbas të cilës Blend Gonxhja (më doli pikërisht ky përpara për shoqërim idesh) do të qitej anglez, sepse: “His real name is Blend Gonxhe and the English Blend means “përzierje”!” As u shkon mendja këtyre farë filologëve gjenelogjistë të shpjegojnë se fjalë si bojë (në shqip ngjyrë) dhe bojaxhi janë huazime nga turqishtja dhe si të tilla kanë hyrë në më shumë se një gjuhë të Ballkanit. Sepse: si vallë i thonë bojaxhiut në aromanishte? Në aromanishte bojaxhiut i thonë bojaxhi. (Të ma falë lexuesi, por m’u desh të merrem këtu me një këso shpjegimi ordiner.)
    Përtej spektaklit të “travestisë së elitave” kthjellimi i këtij të sjelluri ka rëndësi në kulturën shqiptare edhe për diç tjetër: sepse me emërtime si “aroman”, apo më keq “vllah”, “kucovllah”, deri edhe “çoban” është abuzuar tradicionalisht (ndonjëherë vijon të abuzohet) për të detraktuar personazhe në zë të kulturës shqiptare kur kanë qenë “të padëshirueshëm” për dikë apo për diçka. Ky abuzim ka qenë (në mos vijon të jetë) një mjet rëndomqar në luftën e ideve: atëherë kur njëra prej palëve “ndërluftuese” nuk ka kundër tjetrës kurrfarë argumenti të fushës së mendimit. Mandej? Mandej, si të jenë marrë në vitet ‘20-30 tridhjetë me qitjen e Konicës “kucovllah të konvertuar”, si ta kenë zbuluar Fan. S. Nolin “aroman” dhe “joshqiptar” (mjerisht edhe ky vetë e kishte bërë dikur të atillë Konicën), si ta kenë përgojuar Lasgushin për “vllah Pogradeci” etj., një ditë prej ditësh i shpallin ata “shqiptarë të mëdhenj”. Po si kështu, me këta shqiptaromëdhenj? Atëherë, nëse të qëllon që në këtë spektakël e sipër të kesh për duarsh punimin për familjet e mëdha voskopojare dhe “voskopjarët e mëdhenj”, nga njëri prej gjenalogjistëve bashkëkohorë nuk mund të mos nënvizosh këtë vërejtje: “Në ekogjenetikën e kohës së sotme bihet një mendjeje nga të gjithë shkencëtarët se problemi më therës për botën e gjallë është ai i erozionit të gjeneve, që në gjenetikën humane përkon me erozionin e gjeneve njerëzore. Erozioni gjenetik i njeriut në skakierën sociale kryhet edhe nga persekutimi i njeriut prej njeriut”. Vërejtje që të bën të mendosh në thellësi: “nga persekutimi i njeriut prej njeriut”, çfarë të kujton mënyrën se si u sollën për një kohë të gjatë në Shqipëri me mëmën e Gonxhe Bojaxhiut, me të motrën dhe me vetë Gonxhen tanimë Nënë Terezë.




    Bota Shqiptare nr. 93, 2-16 tetor 2003
    Botuar njëkohësisht edhe në të përditshmen shqiptare "Shekulli"

  6. #96
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    kush na sjell debatet e ktyre ditve mes atyre pro greves se bllokqenve dhe atyre anti greves..

    qosja paska shkruar dicka..
    silleni po mundet te shohim cka shkruar vegla deri ne ngordhje e bllokqenve te selis roze..
    sic duket e tremb qorrsokaku ku ka hyre selimrozi..
    do ket shpresuar se grushti shtetit edrucist do ishte me i shpejt e me i sukses-shem se ai i 97 tes ku qosja ishte caush nga me kryesoret bashk me namikun dokleviq.


    ..

    edhe ardian klosin slleni po mundet se dhe ai kulish bllokqen.. ka qendisur nje trakt te gjat kunder plasarit e pro greves se bllokqenve gjerperinj me zile..


    ..
    Ndryshuar për herë të fundit nga Brari : 18-05-2010 më 10:47

  7. #97
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    10-08-2008
    Postime
    1,280
    OPINION


    /Braktisni dështakun dhe mashtruesin Rama

    19-05-2010 / Nga Bujar Llapaj


    Kur përmenden grevat e urisë, kujtoj me respekt sakrificën e grevistëve: Fatos Jahos, Besnik Doshlanit, Alban Zadesë, Ilir Mërtirit, Dionis Delisë, Besim Mesitit; organizatorëve Edmond Tullumani, Vangjush Furxhi, Kastriot Çipi; mbështetësve të shumtë si Pjetër Arbnori, Limos Dizdari, Ylli Vejsiu, Xhevahir Spahiu, Mirush Kabashi, Ibrahim Madhi, Zhani Ciko, Kastriot Çaushi, Petrit Malaj, Kiço Londo, Zana Shuteriqi, Nora Çashku, Agim Qiriaqi, Irini Qiriako, Rexhep Çeliku, Isak Shehu e mijëra artistëve dhe qytetarëve nga e gjithë Shqipëria.
    Greva u quajt e “paligjshme” nga zoti Rama, na shkëputën telefonin, boshatisën dhe errësuan gjithë sheshin ‘Skënderbej”, u thyen dyert nga policia në orën 2 pas mesnate, na futën në një autoambulancë-furgon dhe nuk na thoshnin asgjë se ku po na çonin. Ke dijeni për të gjitha këto ndodhi zoti Edvin Rama? Po juve zoti Ngjela, ju kujtohet diçka? Kur ne shpresonim mbështetjen tuaj si njeri i dënuar nga regjimi komunist, ju dolët në krah të Ramës sepse ishit “në mbështetje të publikut që humbi një shfaqje në opera” (intervista tek Klan) dhe sot dilni po në krah të Ramës për të bllokuar hapësirat publike. Avokat sinqerisht dyshoj në sinqeritetin tënd. Rama të vodhi votat në 2003 dhe ti shkon pas një hajduti për të mbrojtur “votën”, ëëë?
    Në grevën tonë u quajtëm të manipuluar nga opozita, por koha tregoi që kjo s’ishte e vërtetë. Kërkesa jonë ishte e qartë: Të ndryshohej përmbajtja e projektligjit për Teatrin, dhe këtë ne e arritëm jo nëpërmet dhunës (gjë të cilën ti zoti Rama e dëshiroje dhe e provokoje nëpërmjet hafijeve) por ne ishim aq të mençur dhe patriotë për ta shmangur dhunën sepse idealet tona qenë dhe janë më fisnike sesa etja jote për pushtet dhe lavdi. Kur ish-kryeministri Meta na ftoi për dialog, ne i ndërpremë protestat dhe u ulëm të bisedojmë. Preç Zogaj mund të dëshmojë për këtë. Kur ti zoti Rama nuk pranoje asnjë negociatë, ne e vazhduam përpjekjen tonë në Parlament dhe arritëm të ndryshonim thelbin hileqar e grabitqar të projektligjit tënd. Ne fituam, edhe pse mbetëm pa punë për shumë kohë, sepse ti jepje porosi që të mos na zinin këmbët dhé në vendin tonë.
    Në fund të vitit 1999 dhe fillimvitin 2000 varfëria ishte e tejskajshme, por ne nuk e shfrytëzuam këtë për “kryengritje”, gjë të cilën ti po e bën edhe pse nuk mund të krahasohet niveli i jetesës së shqiptarëve me atë para 10 vjetëve. Kush vend nuk është në krizë sot, “përveç Kubës”.
    Bashkëatdhetarë të nderuar, të vuajtur, të persekutuar nga mashtuesit, mos u gënjeni nga demagogjia e Edi Ramës, gjykoni me gjakftohtësi dhe në interes të familjes tuaj, të së nesërmes. Shqipëria ka vuajtur dhunshëm nga revolucionet e tipit Lenin-Stalin/Enver-Edvin. Edhe pse shoqëria shqiptare ka shume probleme për të zgjidhur, a mund të besoni se Edi Rama është personi i duhur për t’u sakrifikuar për të ardhmen. Unë, ashtu si shumica juaj, që e kam ndërtuar çdo gjë mbi punën, pasionin, ndershmërinë dhe përkushtimin ndaj profesionit dhe vendit tim, mbi respektin ndaj vlerave morale, kulturore dhe intelektuale, dyshoj në qëllimin dhe mënyrën si ka vepruar dhe vepron “udhëheqësi shpirtëror” dhe frymëzuesi i anarkisë. Dyshoj sepse e njoh mirë se kush është. Për të gjykuar për një lider nuk mjafton vetëm të dëgjosh se sa bukur flet, shiko se çfarë ka bërë dhe si. A mundet një trafikant vizash të jetë pro liberalizimit të tyre për qytetarët. Kurrë jo, e pra në kohën që ishte ministër Kulture, Edi Rama ka firmosur me dhjetëra lista për vizë në ambasadat e ndryshme, por kryesisht italiane, me dhjetëra grupe “artistike” që shkonin gjoja “Për koncerte” dhe pjesa e luanit shkonte direkt në xhepin e tij. A mundet të besohet frymëzuesi i korupsionit si “kalorës i luftës ndaj korrupsionit”? Zot na ruaj!
    Të nderuar kolegë, bashkëqytetarë, Ruajuni nga dështakët, braktisini sa s’është vonë! Duke respektuar këdo që proteston për padrejtësitë mendoj se rruga më e mirë për zhvillimin dhe begatimin e shoqërisë shqiptare duhet të jetë evolucioni, përmirësimi i vazhdueshëm i sistemit, qeverisjes dhe vetëdijes qytetare. Sakrifikimi për interesa madhore vlerësohet nga shoqëria, por kur këto lëvizje inspirohen dhe udhëhiqen nga një mashtrues, dyshoj shumë dhe nuk do të dëshiroja kurrë që të përsëritej refreni i këngës “Me 200 petrita, komunista lule”.
    Një plak i mënçur në fshatin tim thoshte: “Bindja në ligj sjell qytetërimin në botë”.
    Braktiseni dështakun dhe mashtruesin Rama.
    Me nderime,
    Bujar Llapaj, Dirigjent, Vankuver (Kanada)

  8. #98
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Thx Guri per postimin e letres se dirigjentit Bujar Llapa..
    Artistet e njohin mire gjarperin me zile Edvin.

    -

    RD

    Nga fitorja në fitorje


    Bledi KASMI


    Perdja ra, shfaqja u mbyll. Aktorët e grevës 19 ditore përpara selisë së Kryeministrisë u shfaqën para publikut pas një loje teatrore që përfundoi ashtu sikurse edhe filloi. Aktorët dhe regjisori ngritën duart lart para spektatorëve të lodhur nga stërzgjatja e shfaqjes dhe thanë se kishin arritur një fitore të madhe. Më pas, të tjerë njerëz të komanduar hodhën fishekzjarrë si për të kurorëzuar fundin e shfaqjes.

    Regjisori kruante vazhdimisht kokën, ndërsa fliste fjalë që nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën. Buzëqeshja e tij karakteristike, ku cepat e gojës mbërrijnë deri pranë veshëve dhe dhëmbët dalin shumë përpara, fliste shumë për mënyrën se si po e përjetonte regjisori suksesin e shfaqjes. Shikuesit e pakët në bulevard që shikonin për të 19 herë të njëjtën skenë u ndjenë të papërgatitur që fundi kishte ardhur aq shpejt, pasi kishin dëgjuar se në skenë do të vihej edhe akti i dytë, ku 200 aktorë të tjerë do të përsëritnin të njëjtën shfaqje.

    "Si përfundoi kështu?", ishte pyetja e shumicës së spektatorëve që nuk e fshihnin habinë. "Ne fituam dhe arritëm sukses", ishte përgjigjja e regjisorit që urdhëroi edhe ndërprerjen e dhënies së honorarëve për ata, që do të merrnin bileta të reja për të parë aktin e dytë të shfaqjes. Se çfarë u fitua nga ato çadra dhe përse u festua, njerëzit normalë, mund t'a kërkojnë përgjigjen jo nga regjisori i shfaqjes së këtyre 19 ditëve, por nga Shvejku, i cili e përkufizon më mirë një shfaqje të ngjashme me atë të çadrave.

    "Në çmendinë mund të thërrisni, të ulërini, të këndoni, të rrokulliseni, të ecni me të katra, të kërceni me një këmbë, të vraponi përreth, të vallëzoni, të hidheni, të qëndroni tërë ditën në bisht dhe të hipni mbi mure. Askush s'do t'iu afrohet që t'iu thotë: "Këtë gjë s'duhet t'a bëni. Kjo zotëri, s'ju ka hije, të keni turp, ama qenkeni edhe njeri me kulturë". Me të vërtetë çuditem se përse zemërohen të çmendurit kur i mbajnë të mbyllur atje. Njeriu në çmendinë mund të zvarritet lakuriq mbi dysheme, mund të ulërijë si çakall, bile edhe mund të kafshojë. Sikur t'i bënte njeriu këto në shëtitjen e mbrëmjes, të gjithë do të habiteshin. Kurse atje një gjë e tillë është krejt e zakonshme. Atje nganjëherë tregonin përralla, pastaj ziheshin me grushte, kur përfundonte keq historia e ndonjë princeshe. Më i egër ishte një zotëri që thoshte se ishte vëllimi i gjashtëmbëdhjetë i fjalorit shkencor të Otos".

    Njerëzit që festuan fitoren mbrëmë duhen respektuar në gëzimin e tyre. Janë të njëjtët që kanë festuar në mënyra të ngjashme fitoret jo prej muajsh, as prej vitesh, por prej dekadash dhe asnjëherë nuk i kemi kuptuar se çfarë kanë fituar dhe përse festonin. Kështu na detyronin të festonim edhe kur i sëmuri që drejtoi vendin për gjysmë shekulli diktaturë na thoshte se "po shkonim nga fitorja në fitorje" në një kohë kur në dyqane ushqimet merreshin me tollona. Festonim në këtë mënyrë kur na thonin se "kauza jonë e socializmit kishte mundur kapitalizmin dhe revizionizmin".

    E gjithë jeta jonë ka qenë një festë dhe fitore e përhershme kundër askujt dhe kundër asgjëje. Një festë që dirigjohej për të mbuluar dështimet dhe që regjizori i atëhershëm e vinte në skenë sipas oreksit, sa herë që pakënaqësia rrezikonte të shndërrohej në revoltë duke i rrezikuar pushtetin absolut.

    Në atë parti është ringjallur fantazma e asaj kohe dhe ka rilindur e njëjta mënyrë e konceptimit të fitoreve dhe festimeve. Kjo është një shfaqje e paimagjinueshme për të cilën bileta nuk ka çmim. Nëse më parë mund të përfundonim në burg nëse nuk i bashkëngjiteshim atyre lloj festimeve dhe fitoreve, sot mund të qeshim pafundësisht, kur shohim se regjisori i këtyre shfaqjeve deklaron se ka mundur në një betejë të paparë dhe të padëgjuar në garën për kreun e PS-së, Maqo Lakrorin. Nuk mund të qëndrosh i heshtur kur tragjikomedia vazhdon për çdo ditë ndërsa dëgjon deklaratat e një njeriu që 11 muaj pas ditës së zgjedhjeve thotë se i ka fituar ato zgjedhje. Le të festojnë sipas traditëës edhe fitoren e fundit të grevës së çadrave, që nuk hapën as kutitë dhe as i dhanë jetë "kauzës" të marrjes së pushtetit me dhunë.





    Kur ke idealin


    Enton Doci



    Më kujtohet kur, diku andej nga mesi i viteve '80 zhvillonim lëndën e Leximit (equivalenti i letërsisë së sotme). Ishte një tregim që sa herë e lexoja mbushesha me frymëzim. Quhej "Korrieri" dhe tregonte ashtu si dhe titulli për një korrier partizan që çonte një letër në shtab tek shokët e udhëheqjes. Por, i duhej të kalonte malin të mbuluar me borë. Ai e çoi letrën, por i ngrinë duart dhe që të shpëtonte duhet ta priste njërën. Doktori parizan nuk kishte as çadër, as narkozë e as bisturi ose mjete kirurgjike, ndaj vendosi që t'ia presë dorën me të cilën ai solli letrën me një sharrë druri; po, po me një sharrë druri. Dhe filloi operacionin… Korrieri teksa i prisnin dorën me sharrë druri pa narkozë jo vetëm që nuk vdiq, por as nuk qau e as nuk bërtiti nga dhembjet. Përkundrazi; ai filloi të këndojë. Sharra e drurit i priste krahun e ai këndonte. Këtij tregimi, ne të gjithë si 12 apo 13-vjeçarë i bënim analizë ose transparencë me gjuhën e sotme të demokracisë. Ndoshta nuk dinim të gjithë idenë kryesore, vitin e ngjarjes apo atë ç'ka dashur të thoshte autori. Ama dinim të gjithë e ishim unanimisht dakord se korrieri i devotshëm mund të këndonde këngë patriotike kur po i prisnin dorën me sharrë druri. Pse??? Sepse ai kishte me vete IDEALIN, më të fortë se dhimbja, se kocka, se mishi edhe mund të përçmonte sharrën e drurit që kujtonte se mund të shkaktonte dhimbje, se sharra e drurit, siç e kam kuptuar tani, nuk ka ideal.

    Më vinte turp nga vetja e më vjen dhe më shumë sot, kur më e pakta mendoj që kam frikë të shkoj te dentisti, sepse e di që nuk kam një ideal, i cili mund të më lejojë të shkul dhëmbë, dhëmballë e nerva së paku duke kënduar. E turpi im transformohej në përçmim për veten teksa shihja grevën e urisë të 200 personave në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Ndjehem i vogël që nuk kam një IDEAL ashtu si ata pasardhës të "korrierit me dorë të prerë, me sharrë druri duke kënduar", të cilët kishin 20 ditë pa ngrënë. Por mund të rrinë dhe 30 ditë, 40 netë e më shumë se kanë një ideal e një kauzë. "Kauza" është transparenca. Para tre ditësh shikoja në një televizion dy deputetë të ngujuar në grevë urie që flisnin për kauzën e tyre dhe për transparencën. Të palëkundur, me të njëjtat parime, të bashkuar nga "kauza" edhe pse njëri deputet i Elbasanit e tjetri i Gjirokastrës. Në sfond, në ditën e 16 të grevës dalloheshin katër vetë që loznin një lojë me letra, besoj se të quajtur pesë-katësh. Isha kurioz t'i pyesja, jo se ku e gjenin fuqinë për të luajtur me letra pas 16 ditësh pa ngrënë, se e dija se këtë mund ta bënin se kishin një ideal, po se si mund të ishte një lojë me letra në një çadër, e cila synimin kryesor ka transparencën e zgjedhjeve të para një viti. Besoj se ata lozin me letra të hapura, transparente; unë e kam, ti e sheh e të jap derrin maç, ti e ke, të erdhi, por mos ia hidh atij çupën kupë etj, etj.

    E më vjen keq për veten që nuk e kam emrin Ilir, Erjon, Fatmir, Arben. Do pranoja ta kisha dhe në gjininë e kundërt Shegushe, Felmonela ose Olta, boll që të isha i fortë si ata e të kisha një ideal. Po të kërkoja më shumë, ëndrra ime është të quhesha Blendi e të isha jo grevist, jo idealist, jo transparentist, e as kutist. Të isha MISIONAR. Por këtë nuk e zgjedh dot vetë. Misionarët i zgjedh Mesia, i vë një aureolë në kokë dhe i bën të sfidojnë diabetin, drobitjen, insulinën, Sabit Brokajn e serumet. Blendi Klosi i sfidoi të gjitha... më vjen turp nga vetja që kam uri e kam frikë dentistin...

    Unë e pranoj dështimin tim pa transparencë. Si shqiptar i mirë që nuk dua ta kem fajin vetë, po të kisha mundësi do tw doja të merrja të gjithë ata dietetistë e nutricionistë e t'i sillja para Kryeministrisë të shikonin grevistët e urisë. Pastaj le të flisnin për teoritë e tyre se gjoja po të zvogëlosh porcionet e ushqimit mund të dobësohesh në mënyrë të arsyeshme deri në tre kilogram në muaj. Le ta pranojnë gabimin e të pohojnë se kjo formulë ndodh vetëm për njerëzit e vdektarët e thjeshtë, jo për ata që kanë një ideal. IDEALI nuk të lë të dobësohesh; maksimumi të rrit mjekrën e të forcon zërin e revoltës. Në ditën e 20 të grevës së urisë një deputet vazhdonte të qëndronte më i fortë se kurrë. Problem të vetëm kishte vetëm dhimbjen e muskujve dhe diarenë. Me diare, por krenar...dhe të gjithë duan të jenë si ai.

    Tani shoh në televizion se doli nga ngreva e urisë një greviste me mbiemrin Batalli. Me siguri duhet të jetë ndonje lojë e Kryeministrit që t'i lërë batall grevistët. Por, ata dhe pllakat para zyrës së tij mund t'i hanë dhe parimet nuk i shkelin.

    Ndjehem shumë shumë i vogël teksa shoh në një të përditshme që një këngëtare shqiptare me pasaportë italiane, pra me dy shtetësi dhe e lirë të lëvizë pa viza ngado, teksa deklaron se: "brishtësia e trupit duket se nuk përballon më forcën e zemrës së saj". Përveç dietologëve e nutricionistëve, ftoj të gjithë kardiologët të më tregojnë se ç'do të thotë kjo shprehje. E iu betohem se po më thatë një zgjidhje të arsyeshme pa më përmendur idealin, iu betohem se do të gjej edhe unë një kauzë...





    rd

  9. #99
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    P A N O R A M A, 20/05/2010

    Ligori:
    Matrioshkat e PD lëvizin gjuhën siç do Saliu

    Në ditën e fundit të grevës, deputetet e PS-së dhe të PD-së janë përplasur në konferenca për shtyp mes tyre. Fillimisht deputetja e selisë blu, Albana Vokshi përshëndeti dje daljen nga greva të deputeteve Shega Ligori dhe Olta Xhaçka. “Në emër të grupit parlamentar të PD, dua të përshëndes vendimin e kolegeve të mia, deputete të PS, për t’u larguar, më në fund, nga çadra aspak dinjitoze, e ngritur në mes të bulevardit të Tiranës nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës njëkohësisht Kryetari i PS, Edi Rama”, tha Vokshi.

    Por i menjëhershëm ishte reagimi i grave socialiste. Ligori replikoi duke thënë se “I themi të gjithë matrioshkave ruse, që të vetmen meritë kanë të lëvizin gjuhën siç Saliu dëshiron, që ne në atë çadër kemi hyrë për hir të fëmijëve tanë. Por ato zonja duhet që për hir të fëmijëve tanë, të heshtin”. Ndërsa sipas Xhaçkës “dua t’i rikujtoj koleges sime, se titulli njeri vlen më shumë se çdo hidrocentral edhe në këto kushte”.

  10. #100
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    10-08-2008
    Postime
    1,280
    OPINION

    Ëndrrat e Qosjes për ri-izolimin e Shqipërisë, si program politik i neokomunistëve

    23-05-2010 / Kostaq Xoxa


    Rexhep Qosja e ka përgjigjen tek artisti Saimir Kumbaro

    Në të vërtetë Rexhep Qosja, një majtist i skajshëm nihilist e ka botuar shkrimin e tij, “Berisha sillet si stalinist”, më 18 maj të 1910-s. Shkrimi i Saimir Kumbaros është botuar më 13 maj të këtij viti, 5 ditë më parë. Prandaj duket paksa i çuditshëm titulli që regjisori dhe aktori i talentuar S. Kumbaro u përgjigjet, në një shqyrtim polemik të argumentuar, denigrimit që Qosja u bën intelektualëve shqiptarë. Ndërkaq ky është drejtvizor, gjithmonë në krehje bishti, ndaj së majtës sonë të indoktrinuar.
    Me atë cilësorin në fund të fjalisë dua të them se e kam fjalën për të majtën fanatike, jo për PS-në në përgjithësi. Përndryshe ky politikan, i rreshtuar tashmë, si propagandist nostalgjik i së kaluarës së zymtë, nuk do të shfaqej ashiqare kundër së majtës së I. Metës, me tipare integriste, properëndimore.
    Mbase shumë nga shqiptarët e kanë parasysh atë nismë me protagonist R. Qosen, qysh në fillimet e proceseve demokratike, kur ai mori përsipër të bënte Pajtimin Kombëtar në Shqipëri. Ai farë pajtimi, me nder jush, përfundoi në një flluskë sapuni. Për faj të Qosjes, sigurisht. Sepse ky u pajtua tërësisht me të majtën ekstremiste, që në tryezën e parë të “Pajtimit”. Ish-të përndjekurit mëtuan në tryezë që të kërkohej ndjesë për krimet në masë të komunizmit. Natyrisht ish-të përndjekurit politikë në tryezë, nuk ranë në këtë kurth të shëmtuar. Qosja ishte në zë të njëjtë me këtë mujshi të mëkatarëve. A mund të bëhej Pajtim Kombëtar, duke qenë ish-të përndjekurit në bisht të tavolinës? Por, - ajo që ka rëndësi thelbësore, - si mund të bëhej ky pajtim pa dënuar paraprakisht shfarosjen e qindramijëve të pafajshëm nga një totalitarizëm i pashoq i cili, përpjesëtimisht, nuk kishte arritur në përmasa të tilla në krejt Lindjen Europiane? A mund të bashkëjetonte një demokraci e shëndoshë me enverizmin? Kjo zgjoi dyshime për prapamendimet e së majtës. Njerëzit me një nuhatje sado të paktë politike, kuptuan se e majta jonë do të ishte thikë prapa shpine në zvarritjen e shtetit të ri shqiptar. Një e majtë sui generis, krejt e pangjashme me të majtën europiane, e cila kishte denoncuar krimet e Stalinit qysh në vitin 1956. I shkoi huq mundi Qosjes, që ishte pritur me salltanete e me nderime të mëdha nga e majta jonë e skajshme. Kjo i trashi fort lidhjet me të ardhurin nga Kosova. Berisha mbajti qëndrim të prerë kundër këtij turpi, që kishte të bënte me shpërfilljen e vuajtjes së shqiptarëve në atë diktaturë të padurueshme, që i katandisi njerëzit të ngriheshin në mes të natës për të marrë pak qumësht për fëmijët, duke mos ia arritur shpeshherë as kësaj, se qëndrimi në radhë merrte fund, mbarim të qumështit! Pra, është i hershëm mllefi i Qosjes kundër Berishës. Dhe gazetat ku shkruan ky puthador i së majtës sonë ekstreme e zbrazin helmin e tij të përqendruar, në faqe të parë, ku me shkronja pankarte, shkruhet: “R. Qosja shprehet se Berisha kërkon të varrosë Metën”. Duke qenë edhe intrigant, ai e përgojon LSI-në, e cila ka në emblemën e flamurit të saj Integrimin. Pra, është i natyrshëm bashkëveprimi në vendin tonë i së djathtës me të majtën integruese, në dobi të Shqipërisë. Akademiku-politikan kërkon ende izolimin e Shqipërisë, si në kohë të E. Hoxhës. Dhe nxjerr vrerin e tij kundër bashkëpunimit të sinqertë të dy partive që vënë interesat e atdheut mbi ato partiake, duke mbajtur anën e atij që ka vënë interesat e un-it të vet, përmbi interesat e Integrimit.
    ***
    Kur themi se Saimir Kumbaro i përgjigjet R. Qosjes a posteriori, kjo nuk do të thotë se shkrimi i S. Kumboros “Si shumë po i lodh njerëzit, shoku Rama” është një replikë ndaj artikullit të R. Qoses (Madje Qosja nuk përmendet në shkrimin e artistit tonë). Ndonëse ky shkrim kundër “shokut Rama” është botuar pesë ditë më parë se ai me titullin e brendshëm të gazetës që përmendëm, “R. Qosja: Kuvend demokratik, apo politbyro politike?” (f. 20 e Gazetës), afërmendsh që nuk po i japim Saimirit fuqi profetike. Veçse dihet mirë qëndrimi politik i Qoses kundër PD-së, alergjia e tij përkundrejt kryetarit të saj, dashuria e tij morboze ndaj së majtës gjynahqare. Kjo dëshmon se ai hoqi dorë nga veprimtaria letrare dhe nga analizat e veprave të letërsisë. E zvetënoi dhe nuk pati respekt për emrin e akademikut, për t’u futur në spiralet e një politike meskine, që e bëri të pavotuar në Kosovë dhe të dëmshëm për ecurinë e një demokracie të shëndoshë në Shqipëri. Si një person i etur për trajtime ledhatare e për konsiderata false, - për të cilat majtizmi ynë enverist është mjeshtër, - ra plluq! në kënetën dhe në llumin e saj, duke u bërë nihilist ndaj kulturës së re demokratike shqiptare. Në gojën e Rexhepit, ajo fjala “Politbyro”, në titull të gazetës, që u vishet kundërshtarëve të tij politikë, tingëllon groteske. Sepse syzet opake të “akademikut” nuk dallojnë dot prozën nga poezia, siç tallej Molieri me Borgjezin Fisnik. Nuk shquan dot se çdo të thotë i biri i persekutorit Sulejman Bushati, - sot deputet i E. Ramës, - kur shprehet se është krenar për babanë! Nuk e lënë gjyslyket e errëta të shohë se ç’bëhet më 16 shtator në Pezë, me nismën e Ramës, me fotot e Enverit dhe me ditirambet ndaj “mprehjes së tij të shpatës kundër armiqve”; bën sikur nuk di çka ndodhur me ndotjen e mureve të ministrisë së Jashtme të Milos, duke varur portretet e E. Hoxhës nëpër muret e ministrisë së Jashtme! Regjisori dhe artisti i talentuar Saimir Kumbaro, ka përgjigje për të gjitha prapësitë e Rexhep Qoses, të cilin e sheh të përlotur nga dëshpërimi, siç e shoh edhe unë, me sytë e mendjes, kur I. Kadareja do të marrë çmimin Nobel!
    ***
    Le të shohim, konkretisht, disa nga kundërvëniet e z. Saimir Kumbaro. Do të jetë e pamundur, për arsye vendi, t’i trajtojmë të gjitha, një për një. Qëndrimi ndaj intelektualëve dhe artistëve shqiptarë: Si e shihni peticionin e këtyre?- është një pyetje e goditur e intervistueses, drejtuar R.Q-s: “E konsideroj të gabuar. E konsideroj si fatkeqësi intelektuale (...)Peticioni flet shumë keq për gjendjen e inteligjencies sonë. (...)Mos të flasë (ky peticion) për regjimin e kryeministrit të sotëm, një regjim që s’lë gjë pa bërë, duke i përdorur edhe intelektualët. Çfarë çudie! (Si monsieur Zhurdeni!) (...) Të gjithë këta nënshkrues të mosbindjes qytetare, si do të thoshte Noli i madh, nuk kanë harruar çka krejt do të kishin harruar dhe nuk kanë mësuar çka krejt do të kishin mësuar. Shumë prej tyre ishin dikur këngëtarë, artistë, shkrimtarë, shkencëtarë, që i shërbenin të heshtur diktaturës ose glorifikonin diktaturën... Do të duhej të shprehnin pendesë (Cili prej kriminelëve të diktaturës shprehu pendesë në tryezën tënde të “Pajtimit”?). Keqardhje për sjelljen intelektuale në të kaluarën e jo të vihen prapë në shërbim të të një despoti stalinist, që s’ka karizmin e as autoritetin e të parit(...). Të mbahesh me këtë regjim do të thotë të tradhtosh jo vetëm misionin, por edhe detyrën elementare intelektuale. Kolegët e mi në Shqipëri bënë zgjedhjen tmerrësisht të gabuar”.
    Ja mendimi i z. Saimir Kumbaro, duke iu drejtuar shokut Rama: “Në vitin 2000 u zgjodhët kryetar i bashkisë së Tiranës. Komuniteti i artistëve dhe i shkrimtarëve shpresoi se do të shndërroheshit në një promotor në dobi të jetës kulturore e artistike të kryeqytetit(...) Kam pas besuar se do t’i jepnit jetë iniciativave private artistike, duke vepruar si të gjithë kolegët tuaj perëndimorë, që u ofrojnë artistëve hapësira publike dhe mjete për të realizuar krijime bashkëkohore. Kam pas besuar se do të përpiqeshit ta shtrinit më tej emancipimin e popullit. Mirëpo ajo çfarë ke bërë ti në fushën e kulturës dhe të lëvizjes artistike, rezulton të jetë një masakër e vërtetë. Ti jo vetëm që nuk ndërtove institucione të reja, siç mund të ishin Galeria dhe Muzeu i Bashkisë, Teatri për të rinjtë; jo vetëm që nuk përkrahe iniciativat për organizimin e aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare, por iu sule atyre pak institucioneve artistike dhe i shkatërrove. Kujtoj inaugurimin e Kinema “Republikës” që ti e quajte “Milenium 1”. Ku është? E rrafshove nga faqja e dheut. Rrafshove Kinema “17 Nëntorin”, kinema “Ali Demin”, kinematë në Kombinat e në Laprakë, kinema “Partizanin” dhe i dhe dërrmën kinema “Dajtit”. Nga të buron e gjithë kjo urrejtje për artin shqiptar? Ti Shkatërrove Estradën e Tiranës. Deshe të shkatërroje edhe Teatrin Kombëtar, por nuk të eci. Mban të mbyllur kinema “Agimin”.
    Më kujtohet mirë një mbledhje në Teatrin Kombëtar, kur talle e përbuze artisten e popullit, Violeta Manushin. Ti nuk ke respekt për asnjë lloj zhanri dhe artisti që krijon art kombëtar. Shan dhe etiketon me gjithfarë epitetesh artistët dhe e krijuesit që nuk janë pro teje. I quan ahengxhinj e dajrexhinj, kalemxhinj e bojaxhinj. Epiteti i fundit do t’ju përshtatej më së miri, se e ke treguar veten që në këtë fushë s’ta kalon njeri. Mbete një piktor ambalazhesh. Kryeveprat tuaja janë pallatet me shigjeta në Unazën e Tiranës dhe fasadat pa shije të godinave socrealiste. “Bunkerin” tënd në Die të Francës, të mbuluar me rrecka, ti e deklarove para publikut francez si “një copë Shqipëri” (...). Ty të përkrahin ata artistë që financohen me paratë e taksapaguesve shqiptarë. (Je edhe ti, o Qosje, një nga ata?). (...) Dil e shih si e ke katandisur Kryeqytetin. Të zë tmerri kur mendon të dalësh nga shtëpia me makinë: gjithandej stres, zhurmë e pluhur (...) Të fortët, që ti i ke shumë frikë, i kompensove në toka në zona parqesh. Ti je frikacak dhe oportunist! Të njoh mirë dhe e di që nuk je trim. Përkundrazi. Shkrimet e tua nuk janë gjë tjetër veçse fletë-rrufé të stilit të revolucionit kulturor kinez. Prano një këshillë, si koleg. Mos ofendo ata që dikur të kanë mbështetur, të kanë dalë krah dhe të kanë votuar. E kuptoj që barra që ke marrë përsipër është shumë e rëndë. Por harron se gjunjët e tu nuk e mbajnë dot këtë ngarkesë. Nuk merret pushteti me dhunë, o njeri. Në një emision të Adi Krastës dëgjova kryetarin e G 99-s, E. Veliajn, që na quajti krunde. Ata pak artistë që të mbështesin i quajti miell (si “mielli” Qosja!- shënim). Sa qesharak m’u duk mullixhiu yt, ky pionier i Ramiz Alisë. Na quajti krunde se nuk jemi dakord me rrugën tënde. Ky djalë që të imiton, është ende i njomë që të fyejë me banalitete ordinere armatën e artistëve. (Por ka edhe pleq që bëjnë të njëjtën gjë, si R.Q-ja.-shënim). Është tepër i vogël që të cilësojë si krunde zonjat Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Irini Qiriako, Lili Cingu, Jera Kruja, Edi Luarasi, si edhe zotërinjtë Agron Aliaj, Mirush Kabashi, Rexhep Çeliku,, Edmond Zhulali,, Zhani Ciko,, Mihal Luarasi, Halim Kosova, Dhori Kule, Shezaí Rokaj, Marenglen Spiro... Asistenti yt, E. Veliaj, është ende i vogël të përbuzë e të përgojojë në emisionet televizive emra të tillë që janë nderi i kombit.
    Vijmë prapë të R.Q. që pyetet nga intervistuesja: “A duhet të ndërhyjë komuniteti ndërkombëtar i cili, deri tani, nuk ka legjitimuar grevën e urisë, mosbindjen civile, por edhe nuk ka ndërhyrë për zgjidhjen e situatës? “. Përgjigjja e R.Q-s: “Të them të drejtën sjellja e faktorëve ndërkombëtarë në këtë situatë po më duket e çuditshme. Dhe, e pakuptueshme. Nuk e di pse po presin dhe çka po presin! Kosova ka shumë përvojë për protesta, për demonstrata, për mosbindje qytetare, për greva të urisë. Të gjitha këto janë institucione demokratike, të luftës për liri, për të drejta, për demokraci; i ka shpallur filozofia e Evropës dhe e SHBA-ve. Ne, në Kosovë e në Shqipëri, kemi luftuar për të drejta, për liri dhe për demokraci duke respektuar standardet politike dhe demokratike evropiane, për t’i bërë ato ligje në jetën tonë. Institucionet evropiane dhe amerikane prandaj (nënvijimi ynë) nuk mund të mos i pranojnë ato protesta, grevën e urisë, mosbindjen qytetare në Shqipëri sot: nuk do të mund të mos e kërkojnë hapjen e kutive të votimeve, domethënë transparencën në Shqipëri, si njëri (duhet:njëra, mbase gabim shtypi) prej përbërëseve themelore të demokracisë. Kot zonja Doris Pak e kërkon ndërprerjen e grevës së urisë dhe të mosbindjes qytetare në Shqipëri sot...[Pastaj R.Q. zgjatet me problermatikën e Gjeorgjisë dhe me veprimtarinë e Shakashvilit, me përkushtimin e tij që është fare i pangjashëm me absurditetet e E. Ramës].
    Ja edhe mendimi i z. Saimir Kumbaro për grevat e Ramës (të cilit i flet në mënyrë të drejtpërdrejtë) dhe pa eufemizmat e R.Q-s të mosbindjes qytetare, që intervistuesja, me hak, e ka quajtur mosbindje civile: “Si njëri prej firmëtarëve të asaj letre që aq shumë të ka acaruar, të pyes: “Përse bëhesh pengesë e njerëzve, të cilët duhet t’i bashkojë me botën integrimi? Nxitësit e së keqes janë kategoria më negative e shoqërisë. Përse u dashka të na ngresh një çadër-pritë dhe të bllokosh rrugët? Po ndalon qarkullimin e njerëzve dhe ky veprim ndalohet nga ligji. Edhe në Paris ka greva e demonstrata. Por askush nuk guxon të bllokojë sheshin e Bastijës ose ShanzElizenë. Njerëzit protestojnë, édhe me dele e lopë , por janë në lëvizje dhe jo më shumë se tri-katër orë në ditë . Ti organizon anarkinë, se ky tipar është pjesë e karakterit tënd.. Për ty edhe ata që kanë hyrë në grevë, kjo protestë është e drejtë; por ajo shkel parimin bazë të demokracisë. Greva jote, në mes të Tiranës, shkel të drejtat e anës tjetër, që nuk është dakord me ty. Do të qé e udhës që të zgjidhje një tjetër vend që të mos pengohej qarkullimi i njerëzve. Rruga është e udhëtarit dhe e Zotit dhe jo e pasuesve të tu. Përse kërkon të na kthesh në shekullin e kaluar, kur nxitësit e ’97-s dogjën e vranë mbi 4500 njerëz? Me nxitjen e tyre dhe etjen për pushtet shkatërruan shtetin e brishtë, që nuk kishte më shumë se katër-pesë vjet jetë. Disa nga ata që sot të rrethojnë, nxitën njerëzit dhe dogjën vendin, duke penguar ecjen e shqiptarëve drejt së ardhmes. Fjala “luftë” që ti ke qejf ta përdorësh shpesh, ngjit shumë në masën e njerëzve të paditur. Në 1997-n u sajua një luftë absurde, një luftë ku shqiptarët, të nxitur nga partia që ti përfaqëson dhe aleatët tuaj, që sot mbajnë fjalime patetike, nuk bëjnë gjë tjetër, veç nxitjes drejt së keqes. Hidh sytë pas e kujto se ç’gjëmë ra mbi popullin e pafajshëm në 1997-n. Fjalori fyes që ti përdor kundër atyre që nuk mbajnë anën tënde, nuk i shërben askujt. Fjalori yt nxit urrejtjen. Gjej, mor burrë, një mënyrë dhe zgjidhe këtë nyje gordiane që ke gatuar vetë”.
    Dhunën e 1997-s për zhvatjen e pushtetit, R.Q. e quan Revolucion i vonuar. Por populli i ka vënë edhe një mbiemër: bolshevik! Në këtë intervistën e tij të fundit, i pavotuari në Kosovë del, me një mujshí të shfrenuar, kundër intelektualëve shqiptarë, kundër faktorit ndërkombëtar (D. Pakut, etj.), me krahasime të pamundshme, si ato të antiligjorit që kërkon rrëmbimin e pushtetit brenda një kohe që e cakton ai vetë, duke rënë në blofe të njëpasnjëshme. Janë “demokratë” të dhunës si R. Qosja, ashtu edhe anarkisti i çartur S. Ngjela. Edhe ky, në Shqipëri, është po aq i pavotuar sa Qosja, në Kosovë. I pari bën krahasime me zezakët e Amerikës të kohës që përshkruan Heriet Biçer Stoue. I dyti bën krahasime të Gjeorgjisë me Rusinë, apo të Serbisë me Kosovën. Dhe, të dy së bashku, kujtojnë se marrëdhëniet ndërmjet pushtuesve dhe të të pushtuarve janë si ato të pozitës me opozitën, në një shtet demokratik! Vetëm e vetëm që të përligjin paligjshmëritë e Ramës, në synimin që ky i fundit t’ia bëjë edhe të gjithë popullit, atë që i punoi Lëvizjes për Mendimin Ndryshe!
    Më vjen keq që nuk i ballafaqoj dot të gjitha kundërvëniet që u bën mendimeve nostalgjike - ndaj diktaturës që na la shëndenë, - të Rexhep Qosjes, regjisori ynë i talentuar, Saimir Kumbaro. Por faqet e gazetave janë të kufizuara.

Faqja 10 prej 11 FillimFillim ... 891011 FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •