-
5 Maji është edhe dita e dëshmorit Artin Basha
OPINION
5 Maji është edhe dita e dëshmorit Artin Basha
05-05-2010 / Nga Feti Zeneli
Sot është 5 maj, Dita e Dëshmorëve. Vitet e pluralizimit e pasuruan këtë ditë të veçantë edhe me emra të rinj heronjësh e dëshmorësh, që dhanë jetën për Liri-Demokraci, duke filluar nga ngjarjet e 2 korrikut 1990 e deri më sot. E bënë këtë ditë më gjithpërfshirëse, më njerëzore e më të bukur për t’u kujtuar. Kujtohen në këtë ditë heronjtë dhe dëshmorët e luftës por edhe ata të 2 korrikut 1990, të 2 prillit 1991, të 12 shtatorit 1998 e kështu me radhë. Një ndër këto emra është dhe ai i të riut Artin Përparim Basha, nxënës në shkollën e mesme Teknologjike në fund të viteve ’80. Ja motivacioni i shpalljes “Dëshmor i Atdheut” i tij nga Këshilli Bashkiak i Tiranës me Vendimin nr. 136, datë 28/04.1994: “Artin Përparim Basha, lindur në Tiranë në Lagjen nr. 6 rritur dhe edukuar nga prindërit e tij punëtorë me ndjenjën e urrejtjes ndaj diktaturës komuniste. Ai merr pjesë aktivisht në Lëvizjen e Rinisë për Demokraci. Duke mos duruar shtypjen e egër të pushtetit monist-komunist dhe në gjëndje të revoltuar tenton të futet në Ambasadën Gjermane. Aty goditet me armë zjarri nga forcat e Sigurimit të Shtetit diktatorial dhe më vonë vdes…”
“Ishte vetëm 17 vjeç në atë kohë, por gjykonte si i rritur”, tregon nëna e tij Qerenca, e cila shkrihet në lotë sa herë e kujton. “Unë jam nënë, dhe si e tillë do të vazhdojë ta kujtojë tërë jetë, -thotë ajo më tej në rrëfimin e saj, -por aktin heroik të Artinit është e detyruar ta kujtojë gjithë shteti dhe shoqëria jonë demokratike. Më përjashtim të Berishës asnjë personalitet tjetër i lartë nuk e ka vizituar shtëpinë time. Nga këta, deputetë e drejtues lokalë të zonës së Kombinatit kanë qënë vazhdimisht, por kjo s’mjafton…”
Nëna e Artinit e kujton Berishën edhe për debatin që ai ka bërë me Ramiz Alinë në takimin që Sekretari i Parë i KQPPSH-së dhe kreu i shtetit të asaj kohe zhvilloi me përfaqësues të inteligjencës krijuese të kryeqytetit në gusht të vitit 1990. “Unë mendojë që, para së gjithash, - thotë Berisha në këtë takim, -informacioni duhet të jetë i vërtetë, gjë që çalon shumë. Unë po jap një shembull. U dha komunikata për ngjarjen e 2 korrikut dhe u tha që pati plagosje të lehtë nga të dyja palët, kur në fakt një 16-vjeçar ishte duke vdekur në spitalin 2, dhe, siç dihet, ai vdiq. Atij i bënë rojë tek koka për dy ditë rresht diplomatët e ambasadës gjermane. Thuaji sa të duash ti pesonalit të klinikës sime që pati vetëm plagosje të lehta, ai nuk e beson. Mirëpo janë 600 veta aty, që nesër thonë të kundërtën”.
Fshehja e së vërtetës për vdekjen e Artinit, që regjimi i Alisë e quan “aksidentale” është një nga pengjet e tjera të nënë Qerencës. Por këtë pohim Ramiz Alia e bënë vetëm pas dy vitesh; pra në 1992-shin, kur thotë: “Nuk mund të lë pa përmendur në këtë rast edhe humbjen e jetës së një djali të ri, i cili i godit aksidentalisht me armë (në 2 korrik 1990) dhe, megjithë përpjekjet e mjekëve nuk qe e mundur për ta shpëtuar”. Por nënë e Artinit tregon se, “djalin ia vrau me koshiencë të plotë Sigurimi i Shtetit” dhe se, “përpjekja e mjekëve nuk ishte për të shpërtuar po për ta helmuar (!?)”. Ajo thotë se, “…djali u godit me armë teksa ishte duke kaluar murin e Ambasadës Gjermane. Madje kur ai u rrëzua për tokë ka patur një tentativë të forcave speciale të rregjimit komunist për t’u marrë djalin nga duartë përfaqësueve të ambasadës gjermane, por nuk ia arritën dot. Ka qënë vetë ambasadori gjermani që e shoqëroi menjëherë Artinin për në spital dhe jo siç thotë Ramiz Alia që, “djali u mbajt për 4 ditë i plagosur në ambasadë”, duke i qëndroi atje për 3 ditë tek koka, deri sa mjekët i kërkuan atij të largohet, pasi “Artini nuk është gjerman, por shqiptar”. Ambasadori gjerman u kërkoi autoriteteve tona spitalore që ta dërgonte Artinin në Gjermani për kurim të mëtejshëm, pasi djali doli jashtë rrezikut për jetën, por ato nuk pranuan. Djali, vazhdon rrëfimin nënë Qerenca, jetoi edhe 5-6 ditë të tjera në spital, pas largimit të ambasadorit gjerman, pastaj vdiq. Artini pavarësisht plagosjes së rëndë që kishte marrë nuk ishte për të vdekur. Unë jam e bindur që Artinin ma kanë helmuar. Por komunistët të vrasin natën e të qajnë ditën(!)…”
Në vitin 1996, në Gjykatën e Tiranës u zhvillua edhe një proces gjyqësor ndaj një ish polici që akuzohej për vrasjen e Artin Bashës, i cili përfundoi me “pafajësinë” e personit në fjalë. Normalisht fajtorët e vërtetë nuk ishin në rangun e një polici apo oficeri kufiri, por në nivelin e lartë të eprorëve të tyre. Për vrasjet e 2 korrikut 1990, ku përfshihet edhe vrasja e Artin Bashës u morën si të pandehur drejtuesit lokal të asaj kohe si Pirro Kondi, ish-sekretar i Parë i Komitetit të Partisë Tiranë dhe ish-kryetari i Degës së Brendshme, Dilaver Bengasi, por edhe këta dolën “pa lagur”. Shteti demokratik nuk arriti t’u kërkojë llogari siç duhet “krimineleve të komunizmit me në krye Ramis Alinë”, siç thotë nëna e Artinit, “që i vranë djemtë e nënave për të vetmin “faj” se donin demokraci”. Nënë Arenca tregon më tej se, “…në vend që ata të na sqaronin apo të jepnin llogari për krimet e komunizmit, na kërkonin neve llogari edhe në demokraci. U kam kërkuar takim sqarues si Pirro Kondit ashtu dhe Dilaver Bengasit, rrëfen më tej nëna e Artinit, por që të dy bënin të “paditurin” dhe “njerëzorin”. Kur unë këmbëngula në kërkresën time të drejtë prej nëne ata më treguan dhëmbët e hakmarrjes së mëtejshme dhe nuk më pritën më…”
Në këto kushte, 5 maj nuk është vetëm një ditë për të kujtuar, por edhe për të reflektuar njerëzisht nga gjithësecili. Natyrisht askush nuk prêt që mëkatarët të tregojnë mëkatin e tyre, por çështja shtrohet që të mos vazhdojnë të lëndojnë më tej zëmrat e nënave për bijë e tyre, duke u justifikuar sikur “bënin detyrën sipas ligjeve të kohës” dhe ca më keq, duke u hequr si “engjëj”. Po kështu një xhest reflektimi është edhe nderimi apo përkujtimi i të gjithë të rënëve pa dallim partiak apo politik për vetinë e tyre të përbashkët që e dhanë jetën për të mirën e Shqipërisë, demokracisë dhe ardhmërisëë tonë të përbashkët. Parë në këtë këndvështrim, Qemal Stafa apo Nimete Progonati për shembull, nuk mund të përkujtohet për kontributin dhe heroizmin e tij më shumë se, fjala vjen; Spiro Bakllameni, Abaz Kupi, Azem Hajdari, Arben Brocin e kështu me radhë, deri tek Artin Basha
55
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt