Serbia ka propozuar biseda për ndarjen e Kosovës
Në Bruksel dhe në qendrat e vendeve të Quintit janë alarmuar me propozimin e Serbisë për ndarje të Kosovës.
Gazeta Koha Ditore shkruan se përderisa në Kosovë dhe në Serbi flitet ndryshe se çfarë bisedash do të mund të zhvilloheshin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pasi të nxirret mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Bruksel dhe në qendrat e vendeve të Quintit janë alarmuar me propozimin, kësaj radhe të pakamufluar, të Serbisë për ndarje të Kosovës.
“Kohës Ditore”, nga disa burime diplomatike të vendeve perëndimore, i është thënë se në biseda private atyre u është thënë nga “niveli më i lartë në Serbi” se Serbia dëshiron ndarje të Kosovës. Këto burime i kanë thënë gazetës se këtë e kanë dëgjuar hiç më pak se nga ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, por edhe nga kabineti i presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, që për ta ka qenë ndoshta dëshmia më e mirë se, ndonëse ka dallim në paraqitjet publike ku Jeremiq duket më radikal se Tadiq, sa i përket politikës ndaj Kosovës, Tadiq dhe Jeremiq janë unikë.
Në pyetjen e përsëritur disa herë se a kanë thënë udhëheqësit dhe diplomatët serbë se “nuk përjashtohet ndarja”, burimet diplomatike perëndimore janë përgjigjur negativisht duke thënë: “Jo, e kanë thënë shumë qartë, ata duan ndarjen e Kosovës”. /koha/
Krijoni Kontakt