mizerie...
mizerie...
1.asgjë nuk ndodhë rastësisht
2.çdo rast ka lidhje me një tjetër
3.asgjë nuk është ashtu siç duket
thx moderator per bashkimin e temes..
--
rd
--
Hetimi italian zbardh lidhjet e krerëve socialistë me bandën e Lushnjes dhe Hakmarrjes për Drejtësi
Rihapet në Itali nga Gjykata, dosja Rama-Bare dhe Dondollaku-Braçe
Në Gjykatën e Lartë pritet të dalin surpriza të reja rreth lidhjeve të bandave kriminale me drejtues të PS
Gjykata e Lartë në Itali ka rihapur dosjen e Bandës së Lushnjes dhe aktivitetit të saj kriminal, ku pjesë e kësaj dosjeje janë edhe përgjimet e bisedave telefonike mes krerëve të bandës Dondollaku dhe Aldo Bare. Në këto biseda bëhen të qarta lidhjet e bandës kriminale të Lushnjes dhe asaj të Hakmarrjes për Drejtësi me dy prej drejtuesve kryesorë të PS. Konkretisht, lidhjet e "hakmarrjes" me kreun e PS për lejet e ndërtimit, si dhe lidhjet e sekserit Braçe me bandën e Lushnjes për një sërë tenderash.
Gjykata e Lartë në Itali pritet të japë vendimin përfundimtar për krerët e bandës së Lushnjes, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e daljes së një sërë surprizash të tjera mbi aktivitetin kriminal të bandës dhe lidhjet me eksponentë të lartë të PS-së.
Dondollaku është dënuar nga Gjykata e Apelit të Italisë me 16 vjet e 6 muaj burg për trafik ndërkombëtar droge. Prokuroria italiane ka zbardhur një sërë bisedash të përgjuara tre vjet më parë mes Enver Dondollakut dhe kreut të bandës famëkeqe, Aldo Bare. Në këto përgjime figuron edhe emri i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht edhe kryetar i PS, Edi Rama, si dhe të nënkryetarit të Grupit parlamentar të PS, Erion Braçe. Telefonata ku shfaqet emri i Ramës është kryer në orën 13.08 të datës 22 shkurt 2003, në periudhën kur Kuvendi diskutonte ngritjen e një Komisioni parlamentar Hetimor ndaj kryebashkiakut, komision i cili drejtohej nga deputeti Sokol Olldashi. Në atë kohë në mjaft gazeta dhe media vizive, kreu i Bashkisë së Tiranës akuzohej publikisht për "ndërtimet e disa pallateve në qendër të Tiranës nga njerëzit e Hakmarrjes për Drejtësi". Edi Rama po kandidonte atëherë për një mandat të dytë në krye të Bashkisë dhe ky fakt ka zgjuar edhe vëmendjen e dy krerëve të bandës së Lushnjes, Aldo Bare dhe Enver Dondollaku, biseda telefonike të të cilëve janë përgjuar nga Prokuroria italiane.
Dondollaku, duke biseduar me Aldo Baren, është shprehur se: "Edi Rama rrezikon të humbë mandatin, sepse po ndihmon ata të Hakmarrjes". Hetuesit italianë kanë zbuluar se, "ata të Hakmarrjes" personifikonin anëtarët e organizatës kriminale "Hakmarrja shqiptare për Drejtësi". Kjo bandë kishte hyrë në konflikt me bandën e Lushnjes në këtë periudhë për tenderin e pastrimit të qytetit të Lushnjes, një konflikt që shkaktoi pesë viktima në të dyja krahët dhe pikërisht për këtë qëllim banda e Lushnjes ishte e vëmendshme ndaj lidhjeve që kishte Edi Rama me njerëzit e "Hakmarrjes".
Sipas dosjes së policisë italiane, citimi për Edi Ramën është kryer gjatë bisedës mes Enver Dondollakut me Aldo Baren që ndodhej në Turqi dhe fliste me celularin me numër 0090/5369646988. Fillimisht, Dondollaku ka sinjalizuar "Profesorin", nofka e Aldo Bares, për faktin se forcat speciale të policisë ishin nisur në Tropojë, një informacion që mund të thoshte se banda nuk do të kishte ndonjë shqetësim në bazën e saj. Më pas, Dondollaku shton edhe lajmin për Edi Ramën që rrezikonte të humbte mandatin. Kjo mund të ketë lidhje me faktin se, ngritja e komisionit hetimor Olldashi kishte për qëllim edhe verifikimin e shkeljeve të dyshuara të kryebashkiakut Rama, sidomos në ndërtimin e pallateve nga njerëzit e organizatës kriminale, "Hakmarrja për Drejtësi". Këtë konflikt interesi mes bandave duket se Enver Dondollaku e ka parë me interes t'ia transmetojë Aldo Bares.
Ndërsa nënkryetari i Grupit parlamentar të PS, Erion Braçe, konsiderohet si një nga njerëzit e besuar të bandës kriminale të Aldo Bares dhe si një sekser i kësaj bande në aferat ekonomike të ndërmarra prej saj deri tre vjet më parë. Gjithçka është zbardhur nga një sërë bisedash të përgjuara tre vjet më parë nga Prokuroria italiane mes anëtarëve të bandës famëkeqe të Aldo Bares. Në këto përgjime emri i njeriut të afërt të Ramës, Erion Braçe, citohet si garanti i tenderave që kjo bandë kërkonte të fitonte dhe si kompensim anëtarët e bandës i premtonin si përfitim një sërë pikash karburanti përgjatë autostradës.
Braçe ka dalë garant tek njëri prej anëtarëve të bandës së Aldo Bares për fitimin e tenderit të autostradës Lushnje-Fier, ndërsa vetë Erioni do të përfitonte në ndërtimin e pikave të karburantit përgjatë autostradës. Ky fakt është zbuluar nga Prokuroria italiane gjatë përgjimit të bisedave të anëtarëve të bandës së Lushnjes. Përgjimet e realizuara nga Prokuroria italiane për anëtarët e "Bandës së Lushnjes" kanë nxjerrë në dritë edhe përfshirjen e disa politikanëve të majtë, njëri ndër ta është edhe Erion Braçe.
Në një bisedë të përgjuar më 11 prill 2004, mes Alfred Shkurtit (Aldo Bare) dhe Alxhi Nallbanit, diskutohet mundësia e fitimit të tenderit për ndërtimin e rrugës Lushnje-Fier dhe marrja e ekskluzivitetit për vendosjen e disa pikave të karburantit përgjatë autostradës. Në diskutimet për tenderat, inkuadrohet dhe emri i Erion Braçes, deputet i Partisë Socialiste. Sipas kapitullit 18, faqe 398, të dosjes penale të Prokurorisë italiane, eksponenti socialist që në atë kohë drejtonte dhe gazetën "Zëri i Popullit", në komunikimin me pjestarë të organizatës së dyshuar kriminale, kishte deklaruar se gara e tenderit do të fitohej nga disa sipërmarrës të njohur nga ai. Prokurori italian, Dionixhi Tibone, ka përfshirë në dosjen për pjesëtarët e "Bandës së Lushnjes" edhe tekstin e zbardhur të bisedës së përgjuar. Biseda e regjistruar nga autoritetet italiane të drejtësisë, mban datën 11 prill të vitit 2004 dhe u kap në numrin e Alxhi Nallbanit. Ai kreu një bisedë telefonike me Aldo Baren, i njohur dhe si Alfred Shkurti, që posedonte një numër turk. Biseda përqendrohej në përpjekjet për të fituar tenderin për ndërtimin e autostradës Fier-Lushnje. Në lidhje me këtë argument, Nardi (Renardo Nallbani), vazhdonte me faktin se kishte folur me Erion Braçen. Ky i fundit i kishte treguar se gara e tenderit do të fitohej nga disa sipërmarrës italianë, të njohur nga ai. Biseda vijonte mbi projektin që kishte organizata kriminale "të bazuar në shtytjen nga deputeti socialist Braçe, me synimin për të fituar të drejtën ekskluzive të instalimit, mbi të gjithë rrjetin autostradal në diskutim, të disa distributorëve të benzinës të administruar direkt nga grupi kriminal".
Kreu i bandës së Lushnjes, Aldo Bare dhe krahu i djathtë i tij, Enver Dondollaku, për të kontrolluar të gjithë ekonominë e qytetit të Lushnjes përdornin të gjitha metodat, duke nisur me terrorin dhe duke bashkëpunuar me eksponentë të politikës së majtë që ishte në pushtet dhe nëpërmjet tyre fitonin tenderat publikë.
Rexhep POLISI
--
Ti qe ke hap temen ca nuk kupton ? Apo me mire ca po na tregon?
Korrieri Online
Orik Shyti, djali i akuzuar që adoleshent si drejtuesi i një prej organizatave kriminale më të mëdha në vend, prej vitesh kërkon të fitojë pafajësinë tek drejtësia shqiptare. Pak ditë më parë u bë I njohur fakti që Gjykata Kushtetuese ka kthyer në Gjykatën e Lartë çështjen e kësaj organizate të përmendur qindra herë publikisht nga politikani Berisha. Orik Shyti, ndërkohë, ia dalë mbanë të nis një jetë të re, në një qytet të Zvicrës. Është i mirinformuar për gjithçka ndodh në Shqipëri edhe pse ka vite që nuk i shkel këtu këmba. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Shyti, djali i ish-funksionarit të njohur të para ‘90-s, Aredin Shyti tregon…
Z.Shyti, çfarë jete bën një azilkërkues, ndërkohë që në vendin e tij është një nga personat më të kërkuar nga drejtësia?Periudha e azilkërkuesit zgjati disa muaj. Prej disa vitesh jam azilant, me statusin e të përndjekurit nga vendi im. Fakti që jam person shumë i kërkuar në Shqipëri nuk ka ndikim në jetën time të përditshme, në kuptimin që nuk pengohem të bëj çdo punë që më ofrohet dhe që jam i aftë ta bëj.
Në kabllogramet e ambasadës amerikane p.sh., thuhej se ju e shpenzonit atë pak kohë të lirë që keni duke bërë ski e duke i dhënë biçikletës. Çfarë shoqërish apo biznesi menaxhoni, apo aktivitet tjetër që ju mban kaq të impenjuar?
E lexova kabllogramin e z. Uidhers. Ai citonte në mënyrë korrekte fjalinë e fundit të një intervistës sime, botuar më 3 korrik 2008. Nuk arrij ta vlerësoj pse i kanë bërë përshtypje njëmbëdhjetë fjalët që përmend (“kur kam kohë merrem me pasionet e mia, biçikletën dhe skitë”) nga një intervistë me mbi njëmijë fjalë. Nuk e kuptoj dot humorin e ambasadorit, por kjo nuk do të thotë se jam penduar që iu përgjigja me sinqeritet pyetjes së gazetës. Në këto 7 vjet kam provuar të jetoj si i papunë për shkak se nuk gjeja dot punë, të ngre ndërmarrje (firmë, siç thuhet shpesh) dhe të provojë shijen e hidhur të dështimit, të provojë sërish dhe të gjej veten të vetëpunësuar. Vitet e fundit merrem me vëzhgimin e tregut për materialet plastike dhe të gurit, si dhe ndërmjetësoj për shitjen e tyre. Vështirësitë janë të zakonshme për të gjithë njerëzit, por ato janë edhe më të mëdha për emigrantët.
Si është e përditshmja juaj, në kuptimin me kë jetoni? Dhe si jetoni? Si ia dilni për të paguar qoftë edhe ato rrëshqitjet me ski kur keni kohë të lirë?
Kam rreth dy vjet që jetoj në një shtëpi më vete, kohët e fundit,bashkë me nënën. Skitë kanë sezonin e tyre që nuk mund ta shfrytëzoj çdo javë për shkak të punëve. Ashtu si shalimi i biçikletës edhe ato nuk kërkojnë “para droge” a “para krimi”, siç përrallis Sali Berisha.
Deklarata juaj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese pak ditë më parë, lë të kuptosh se ju jeni i mirinformuar për çfarë ndodh në Shqipëri. Z. Shyti përse ky interes?
Më ndodh shpesh që ndihem se nuk di asgjë për çfarë ndodh në Shqipëri. Por rrallë zihem në befasi për informacione që kanë të bëjnë me mua dhe familjen time.
Si informoheni?
Lajmet i shoh pothuajse rregullisht, një herë në ditë. Në internet rri gjatë, por rri për arsye pune dhe shumë pak për të ndjekur lajmet dhe shtypit të shkruar. Njerëzit e familjes, që kanë kohë më të lirë, më informojnë rregullisht për gjërat më të rëndësishme, duke përfshirë edhe shkrimet e gazetarëve që vrojtojnë politikën. Natyrisht që barra e përzgjedhjes së informacionit u bie atyre.
Në të gjitha deklaratat tuaja, përfshirë atë të pak ditëve më parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, theksoni se Berisha përdor emrin tuaj për interesat e tij politike. Çfarë keni parasysh konkretisht?
Sali Berisha e përdor emrin tonë për interesat e tij politike, jo vetëm sipas nesh, por sipas të gjithë atyre që kanë vullnet për të parë e dëgjuar dhe kujtesë për të kujtuar. Kujtoni dhe përpiquni të gjeni një fushatë të vetme elektorale që Saliu nuk ka përdorur emrin tonë, duke filluar që nga ajo e korrikut të vitit 1992, kur arrestoi babanë tonë e deri tek kjo e vitit 2011. Mund të gjeni disa ditë e deri pak muaj që nuk na ka përdoru publikisht, por nuk do gjeni fushatë elektorale që nuk na ka përdorur për qëllimet e tij. Të njëjtat përpjekje ka bërë edhe për të na ndëshkuar në të gjitha mënyrat për krimet e rënda që kanë ndodhur para e pas vitit 1996, deri tek më i fundit. Herë personalisht dhe herë duke nxitur bashkëpunëtorët e tij të afër, “pista” e parë për çdo krim të rëndë është “Hakmarrja për Drejtësi”. Lufta e tij nuk ka mbetur kurrë në kufijtë e “luftës” mediatike. Ajo ka pasur efekte të drejtpërdrejta mbi njerëzit e drejtësisë që janë marrë me çështjen tonë, që vazhdon të gjykohet. Ajo që bëjmë unë dhe im vëlla nuk i kalon kufijtë e një përgjigje modeste për akuzat e padrejta që na bëhen.
Z. Orik ç’ndjesi keni provuar kur në një moshë fare të vogël, 15 vjeç në mos gaboj, jeni akuzuar se ishit drejtuesi i një organizate kriminale me qëllime të pastra politike, siç është thënë?
Fillimisht jam çuditur, por isha shumë i ri dhe, për një kohë të shkurtër, vëmendja e tepruar e njerëzve, në një farë mase, ma përkëdhelte sedrën. Edhe kam qeshur shumë herë dhe për një kohë të gjatë. Shkak ka qenë përherë Gëzim Gjoni. Unë dhe Learti sa herë që komunikonim me Gëzimin qeshnim. Ai kishte mënyrën e vetë të talljes me “Hakmarrjen”, kishte zgjedhur dokrra nga ato që kishte botuar me shumicë gazeta “Albania”, dhe, me gjuhën e prefektit të komedisë së njohur, i përdorte befasisht gjatë bisedave. Por më vonë, pas muajt shkurt 2003, për ne u bë e qartë se “Hakmarrja” ishte rreziku ynë. Shpifjet, që dilnin si sokëllima nga goja e Saliut, ushqenin makinën e tmerrshme të propagandës që ende nuk është ndalur. Shpifës të shtatit të tij, shërbëtor shkurtabiq nga mendja dhe shpirti, por besnikë fanatikë, e deri teveqelë të korruptuar,të shpërblyer njëri me titullin akademik dhe tjetri me nofkën shkrimtar i madh që mëtojnë t’i përkasin bashkësisë së akademikëve, e kanë ushqyer pareshtur mitin e “Hakmarrjes” dhe njerëzit nuk kishin më kohë të arsyetonin mbi fakte reale dhe as për moshën 15 vjeçare të “themeluesit” të organizatë kriminale.
Tani që jeni 34 vjeç drejtoni ende organizatën?
Drejtoj biçikletën dhe rrallë makinën (druaj të bëj humor se keqkuptohem).
Para disa kohësh ju botuat një libër “Ne, ‘Hakmarrja për Drejtësi’ dhe …”. Keni harruar gjë në këtë libër që shumë shpejt u hoq nga qarkullimi?
E kemi thënë në libër se dorëshkrimi u kthye dy herë për t’u rishikuar. Kjo na dha kohë për të mos harruar ndonjë të vërtetë. Por sigurisht që kemi shmangur shumë fakte, të cilët nuk mund të përfshiheshin në një libër të vetëm. Më vjen keq që ka njerëz të interesuar për librin dhe nuk munden ta gjejnë. Mendoj se shkaku është tek vështirësitë në shpërndarje.
Ju keni insistuar se “Hakmarrja për Drejtësi” është një organizatë e sajuar nga Sali Berisha dhe strukturat e tij. Si ka mundësi që proceset gjyqësore janë realizuar dhe ju jeni shpallur fajtor kur në pushtet ishin socialistët?
Ne kemi insistuar se “Hakmarrja për Drejtësi” është sajuar nga Sali Berisha pasi u bindëm me fakte të pranuara nga gjykata. Qysh në fillim pamë se provat që iu dhanë publikut nëpërmjet televizionit nuk kishin të bënin me ne. Prandaj gjatë një viti kërkuam hetim nga prokuroria, pa i përjashtuar nga grupi hetimor prokurorët që e kishin nisur procesin. Kërkuam edhe hetim parlamentar për armët, kasafortën me një milion dollarë etj. Hetime nuk u kryen dhe as arsyet nuk u thanë. Çështja shkoi për gjykim. Para gjykatës u demaskua falsiteti i procesit. Në fund, prokuroria i deklaroi gjykatës se nuk kishte më prova për të paraqitur. Atëherë, gjykata i dha kohë të paraqiste pretencën.
Prokuroria nuk mbajti pretencë. Në kundërshtim me ligjin kërkoi tërheqjen e dosjes. Gjykata dëgjoi konkluzionet e mbrojtjes dhe vendosi pushimin e çështjes. Pas kësaj Saliu mori përsipër të prishte vendimin e gjykatës. Lexuesit tuaj dy ditë më parë u njohën me deklaratën tonë dhe i kanë të qarta ato që tha Saliu dhe ato që ndodhën. Pra, ne nuk u shpallëm fajtorë nga gjykata. Fajtorë na shpalli për të dytën herë Saliu. Qenia e socialistëve në pushtet nuk ka asnjë lidhje me vendimet e gjykatave. Shqiptarët nuk duhet të bëjnë sikur nuk e dinë që jetën politike në Shqipërinë e 21 viteve të fundit e ka sunduar një njeri i vetëm. Ky sundimtar është Sali Berisha. Ai i ka falur të gjithë ata që ka dashur të falë, pavarësisht nga përgjegjësitë që kanë pasur, si atëherë kur ka qenë në pushtet ashtu edhe kur ka qenë në opozitë.
Të njëjtin sukses ka pasur edhe për ata që ka dashur të dënojë, pavarësisht kanë qenë apo jo të fajshëm. Kjo është e verifikueshme. Nëse shqiptarët gënjejnë veten me ëndrrën e institucioneve të pavarura, në Evropë kjo shkakton të qeshura. Për shembull po jap vendimin që dha për çështjen tonë një treshe gjyqtarësh këtu në Zvicër. Me vendimin e tyre, të vitit 2004, shprehen: “Berisha ka në Shqipëri pushtet të konsiderueshëm…Edhe rrethana, që Sali Berisha nuk është i veshur përkohësisht me pushtet, nuk ndryshon gjë në këtë vlerësim”. Vendimi që citova është në dosjen gjyqësore.
Me gjithë këtë, Gjykata Kushtetuese ma kërkoi dhe unë ia dorëzova edhe asaj. Do ishte në interes të publikut që shtypi t’i botonte vendime të tilla. Kjo do t’u shërbente njerëzve. Me shërbim nuk duhet kuptuar dhënia e mundësisë për të zhvlerësuar propagandën që bëhet për të mbuluar dështimin e ekstradimit tonë, por për të kuptuar se azili mund të fitohet edhe pa shumë vështirësi, por kurrë nuk mund të fitojë azilin një person që akuzohet nga drejtësia e vendit të tij për akte terroriste, vrasje dhe vjedhje bankash. Për krime të tilla nuk pinë ujë zotësitë e avokatëve dhe të atyre që kërkojnë azil. Janë provat ato që vendosin. Dhe provat, e paraqitura nga shteti dhe kërkuesi, i nënshtrohen verifikimit. Me kapjen që Saliu u ka bërë institucioneve, filluar që nga qeverisja e tij e parë, ka gjasa që edhe kur të dalë nga politika do t’i ruaj mundësitë për të diktuar vullnetin e tij, veçanërisht në drejtësi.
Përgjatë këtyre viteve keni mësuar se si dhe pse u vra Enkeled Agaj. E mbani mend këtë djalë? Ka qenë dhe ai njëri prej 11 personave të akuzuar nga prokuroria, si anëtarë i organizatë së drejtuar nga ju?
Fatkeqësisht asgjë s’kam mësuar. Nuk kemi dëgjuar të bëhen hetime për të. Nuk kam fakte të them se hetimet për ngjarjen e tij janë penguar në mënyrë të qëllimshme, por sjellja e policisë dhe e prokurorisë dhe aludimet publike të Sali Berishës se vrasjen e tij e kishim bërë ne, më ndihmojnë të mendoj se ka munguar dëshira për hetime. Këto më bëjnë ta kujtoj edhe me më shumë dhimbje. Në libër u kemi kushtuar një kapitull njohjes me të dhe rrethanave në të cilat u vra.
Cila ka qenë marrëdhënia juaj me Dritan Haten, edhe ky një njeri i akuzuar dhe sot nuk jeton më?
Dritan Haten nuk e kam njohur. Më vjen keq që nuk jetuaka më. Ai ishte kunat me Nikolin Novruzajn, një nga të akuzuarit. Nikolini ka qenë shok gjimnazi i Altin (Arapit), kushëri yni. Me Nikolinin jam takuar disa herë, ndërsa me vëllanë e tij, Pashon, nuk kam pasur njohje. Për një kohë, kam menduar se mund ta kisha takuar në ndonjë rast, por kur kam parë fotografinë e tij në internet nuk më është dukur fytyrë e parë. Siç e kemi shpjeguar në libër, me vëllezërit Novruzaj ka arritur të komunikojë babai, disa ditë pasi ata kishin kërkuar azil në Holandë. Nga babai kemi mësuar për vështirësitë që kanë kaluar deri sa morën azilin dhe për jetën e tyre atje.
Disa prokurorë që kanë hetuar dosjen e “Hakmarrjes për Drejtësi”, kanë dhënë dorëheqjen. Po kështu asnjë prej personave që aso kohe, në vitet 92-96 kanë pasur dijeni për dosjen, sot nuk flasin. Përse kanë frikë njerëzit nga ju?
Kanë dhënë dorëheqjen? Kjo nuk duhet të jetë e vërtetë. E vërtetë është ikja fshehurazi nga Shqipëria e dy prokurorëve që kanë qenë nismëtarë të procesit. Dy muaj pasi iku i pari, u arratis edhe tjetri, pa dorëzuar detyrën. Rrethanat në të cilat ata janë larguarjanë dokumentuar në libër. Këta kanë për çfarë flasin dhe do ishte mirë të flisnin. Së paku, ata janë në dijeni se në apartamentin e marrë me qira nga shoku ynë, i ndjeri Enkeled Agaj, nuk ka pasur asnjë armë; se as çiftja ime, bashkë me lejen dhe as blloku i shënimeve dhe letrat e tjera nuk janë gjetur në apartament; se në kasafortën e Klement Kolanecit, e paraqitur si kasaforta e Aredin Shytit, nuk është gjetur asnjë dollar.
Ata nuk ishin leshko që të mos kërkonin gjurmë gishtash në armët, në minat dhe mbi objekte të tjera që ndodheshin në apartament, apo të mos kërkonin ekspertim për shkrimin e bllokut, që kishte përmbajtje antikushtetuese. Për rrjedhojë, nuk mund të mos kuptonin se njerëzit me pushtet po u jepnin atyre dhe opinionit prova false, si: magazina me armë ku nuk mungonin as kundërtanke, që dukeshin qartë se ishin filmuar brenda mjediseve ushtarake dhe jo në një apartament banimi; kasafortën me një milion dollarë brenda saj etj.
Shpresoj se ata do flasin një ditë dhe do sqarojnë edhe për atë që i urdhërojë, kundër vullnetit të tyre, të lirojnë të arrestuar për vrasje dhe për t’i transferuar akuzat tek ne. Dy prokurorët e larguar u zëvendësuan nga dy të tjerë. Këta, në fund të gjykimit (dhjetor 2002), në vend të pretencës, siç e përmenda më lart, i kërkuan gjykatës tërheqjen e dosjes se do t’i pushonin disa akuza dhe do pyesnin dy ish-oficerë që nuk kishin mundur t’i gjenin për t’i sjellë para saj (gjykatës). Janë këta të dy që e ridërguan çështjen për rigjykim dhe që e përfaqësuan akuzën deri në fund të procesit.
Nuk di nëse e kanë dhënë dorëheqjen pas përfundimit të gjykimit, por para se të dilte libri në qarkullim kam mësuar se të dy vazhdonin të punonin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Për sa u përket dy apo tre oficerëve të policisë gjyqësore që kanë lozur rolin e torturuesit në hetime, ata vazhdojnë të gëzojnë shëndet të plotë dhe grada të larta. Njërin prej tyre shefat e lartë e dëgjojnë si ekspert të “Hakmarrjes” dhe e ngarkojnë me detyra speciale. Këta kanë folur para Gjykatës gjatë gjykimit të dytë dhe nuk kanë pasur frikë për të gënjyer në dëmin tonë dhe as turp nga demaskimi që u kanë bërë me fakte avokatët dhe ndonjë nga anëtarët e trupit gjykues. Lexuesi le t’i përgjigjet vetë pyetjes: kur nuk na kanë frikë këta zullumqarë, përse duhet të kenë frikë të tjerët?
15. Z.Orik, megjithatë, sipas prokurorisë shqiptare, ju jeni lideri i një organizate të quajtur “Hakmarrja për Drejtësi”, në emër të së cilës u bashkëngjit edhe akuza e shpërthimit të një autobombe përballë ish-supermarketit Vefa, në Rrugën e Barrikadave si dhe përgjegjësia për 28 krime të kryera në Shqipëri nga vitet 92-96. Besoni se ndonjë ditë do të rrëzohen këto akuza?
Nuk e di me siguri shifrën, por afërsisht jam akuzuar për 17 vepra penale. Për mua nuk është i rëndësishëm numri, e rëndësishme është se provat, ku mbaheshin akuzat, janë rrëzuar. I kanë rrëzuar gjykatat. I ka rrëzuar gjykata e parë, i rrëzoi edhe gjykata e Krimeve të Rënda. Ndonjë lexuesi kjo mund t’i duket përçartje për të imituar Saliun e përçartur, por është e vërtetë. Është e shkruar e zezë mbi të bardhë në vendimet e gjykatave.
E thënë thjeshtë, në këto vendime shkruhet se armët që kanë kryer krimet nuk janë tonat, platforma e “Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë” nuk është shkruar nga ne, se oficerët e policisë që dëshmuan para gjykatës kanë gënjyer, se asnjë dëshmitarë, nga më shumë se 250 të pyetur, nuk ka thënë se ne jemi autorë të ndonjë krimi. Kush dyshon në këto që them le të lexojë vendimet e gjykatave. Si mund të ndodhë të dënohesh pa prova? Kjo ndodhë vetëm në Shqipëri, se në Shqipëri Sali Berisha ka trimërinë të bëjë shpifje të tilla si të shpërmendurat e të tjera dhe kur, gjatë hetimit gjyqësor, të gjitha këto dalin bllof, opinioni nuk informohet.
Nuk informohet ngaqë media nuk e bën detyrën e saj, prandaj Saliu i përsëritë me dhjetëra herë të njëjtat shpifje. Vetëm në Shqipëri ndodh që Sali Berisha të përsërisë me dhjetëra herë se Edi Rama prishi zonën historike të Tiranës për t’i dhënë shesh ndërtimi “Hakmarrjes”. Mediat shumëfishonin shpifjen, por asnjë punonjës i saj nuk shkonte në Bashki të kërkonte të shihte dokumentet për të parë dhe informuar se kush ishte ndërtuesi.
Ndodhi që në pallatet “e ndërtuara” nga “Hakmarrja” bleu apartamente vajza e tij. Të gjithë e mësuan këtë fakt, por askush nga shtypi nuk e pyeti Saliun: a ia fali “Hakmarrja” apartamentet të bijës, ia shiti apo ishte partnere me anëtarët e saj? Në asnjë vend evropian nuk do ndodhte kjo indiferencë-gjëmë. Në Shqipëri ndodh se mediat janë kapur prej tij, prandaj ai vazhdon të sundojë, të shpif e kërcënojë rrugaçërisht.
Po të ishit përballë një gjykate të pavarur, çfarë do t’u thoshit shqiptarëve që për 15 vjet emrin tuaj e lidhin me krimet më të rënda të ndodhura në këtë vend, duke filluar nga vjedhjet e bankave e deri tek vendosja e bombës tek VEFA apo edhe vrasja e shoferit të ish-kryeprokurorit të përgjithshëm, Theodhori Sollaku?
Po të isha përballë një gjykate të pavarur do thosha shumë pak nga këto që kam thënë në këtë intervistë, sepse provat flasin vetë. Këtë e kam përjetuar para gjykatave të huaja, që nuk duan t’ia dinë fare se çfarë them unë, por ç’thonë provat. Do kisha shumë për të thënë po të isha para gjyqtarëve që kanë frikë nga përdhosjet që u bën Saliu apo që kanë dëshirë për t’i shërbyer qëllimit të tij.
Për shembull, do thosha: dëshmitarët x, y, z etj. dhe rojat e objektit thonë se shkëmbimi i zjarrit midis rojave dhe vjedhësve ka zgjatur gati 30’, janë zbrazur me dhjetëra plumba nga të dy palët, njëri nga vjedhësit është plagosur, ka rënë në tokë dhe shokët e tij e kanë mbartur në krah deri tek makina e tyre, sipas procesverbalit të këqyrjes së vendit prokuroria ka marrë mostër nga gjaku i vjedhësit të plagosur etj. rrethana, për të dalë tek pyetjet: cili nga ne të akuzuarit është i plagosuri, kujt nga ne i përket gjaku i marrë në vendngjarje, cili laborator e ka bërë analizën e gjakut dhe ku është akti i ekspertimit të gjakut? Natyrisht që s’më mbetet merak, ngaqë këto,dhe shumë të tjera të ngjashme me to, i ka thënë shumë më mirë avokati, z. Mani dhe kolegët e tij. Argumentet dhe pyetjet e tyre kanë mbetur pa përgjigje. Prokurorët ulin kokën, gjyqtarët bëjnë sikur nuk dëgjojnë, por fatmirësisht sekretarja i ka fiksuar në procesverbalet e seancave.
Tashmë që gjykata Kushtetueseju dha të drejtë kërkesës suaj duke e rikthyer edhe një herë çështjen në Gjykatën e Lartë, a u është rikthyer besimi tek drejtësia shqiptare?
Në deklaratën tonë për mediat kemi shprehur pendesën tonë për bindjen e gabuar që na qe krijuar se Gjykata Kushtetuese nuk do ta gjykonte çështjen. Por doli ndryshe. Nuk na lejohet ta përsërisim gabimin e paragjykimit. Drejtësia jonë nuk vuan nga mungesa e profesionalizmit, por nga korrupsioni. Në rastin tonë nga korruptimi me natyrë politike dhe nënshtrimi prej presionit politik.
Sipas Orik Shytit, përveçse njerëz të një gjaku dhe miq, cila është e vërteta e anëtarëve të akuzuar si pjesëmarrës së organizatë “Hakmarrja për Drejtësi”?
Nuk kam pse të veçoj njeri. Si “hakmarrës” janë arrestuar më shumë se 120 persona, brenda 15 ditëve, nga Shkodra gjer në Vlorë. Nuk dihet sa do kishte shkuar numri i tyre në qoftë se piramidat financiare nuk do ta zinin Saliun nën vete. Numri i atyre që njihja ishte shumë i paktë. Kisha shoqëri me Gëzim Gjonin, Kreshnik Spahiun dhe të ndjerin Enkeled. Nuk kam ditur dhe nuk ma ka marrë mendja as më vonë se ndonjëri nga këta ka kryer krime.
Në përfundim, legjendë apo realitet, çfarë është sot “Hakmarrja” sipas atij që është akuzuar si drejtues?
Tashmë pyetja nuk ka nevojë për përgjigje. Por mund të them se legjenda “Hakmarrja” do vazhdojë të përdoret që nga njerëzit e rrugës, që duan të bëjnë ndonjë lekë, e deri tek Saliu që i duhet për të mbyllur gojët e atyre që i rrezikojnë pushtetin dhe i kujtojnë krimet
Ndryshuar për herë të fundit nga Duaje Siveten : 14-11-2011 më 10:12
RENEA arreston të kërkuarin e “Hakmarrjes për Drejtësi” Dritan Hate
Forcat e RENEA-s kanë arrestuar mbrëmjen e sotme Dritan Haten, një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Arrestimi është bërë në një lokal tek Medreseja, në bazë të një vendimi të drejtësisë, sipas të cilit Hate ka qenë i dënuar me 23 vite burg, si pjesë e organizatës kriminale “Hakmarrje për Drejtësi”.
Në momentin e arrestimit, Dritan Hate ka qenë i armatosur me një pistoletë dhe ka tentuar të largohej, ndërkohë që RENEA neutralizoi të kërkuarin dhe bllokoi armën e tij. Hate ka qenë i shoqëruar edhe nga një person tjetër po i armatosur. I shoqëruari Gentian.I pretendon se është polic privat dhe arma e tij është me leje.
Organizata “Hakmarrje për Drejtësi” pjesë e së cilës ishte dhe Hate akuzohet për 24 krime, mes të cilave edhe disa vrasje, ndërkohë që Hate ishte në kërkim që prej vitit 1996.
Policia: Dyshohet për një vrasje në Tiranë dhe për eksplozivin në banesën e zv.drejtorit të Policisë
Vjedhja e “Gjallicës” në 1994, RENEA vë në pranga Dritan Haten
Një personazh i njohur për Policinë e Tiranës u arrestua mbrëmë nga forcat speciale RENEA nën dyshimin se është autor i disa ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura muajt e fundit në kryeqytet.
Shtetasi Dritan Hate, i dënuar si anëtar i “Hakmarrjes për Drejtësi” dhe i njohur si mik i Emiljano Shullazit, ka rënë në pranga pas një aksioni të organizuar nga forcat speciale RENEA. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, arrestimi i Dritan Hates ka ndodhur mbrëmë në një lokal pranë Medresesë në Tiranë, ku i kërkuari ka qenë në shoqërinë e dy personave të tjerë. Pas ndalimit nga RENEA, i dyshuari Dritan Hate është përcjellë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për kryerjen e veprimeve procedurale hetimore. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës kanë thënë mbrëmë se i arrestuari, Dritan Hate, është i dyshuar për vendosjen e eksplozivit në banesën e zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, Dorian Muçës. Po kështu, Policia ia faturon shtetasit Dritan Hate edhe dyshimet për kryerjen e mundshme të vrasjes së shtetasit Sokol Doçi, jurist i Entit Kombëtar të Banesave dhe avokat në profesion. Zyrtarët e Drejtorisë së Policisë së Tiranës kanë thënë mbrëmë se veç këtyre dy vrasjeve, janë duke hetuar edhe implikimin e mundshëm të Dritan Hates në një sërë veprash penale në Tiranë. Hate njihet si person me precedentë penalë, ndërkohë pritet që hetimi të zbulojë të vërtetën për dyshimet që i adresohen. Më 16 qershor 2006, shtetasi Dritan Hate u dënua nga Gjykata e Tiranës me tetë muaj burg për akuzën e moskallëzimit të krimit. Dënimi i tij ndodhi pas arrestimit të Hates në një banesë me Emiljano Shullazin dhe Gilmando Danin, apartament në të cilin policia gjeti një sërë sendesh të paligjshme, duke nisur me një arsenal armësh e mandej duke vazhduar me maska, fenelina policie, radio komunikimi marrëse-dhënëse etj. Më 1 korrik 2008, Dritan Hate është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 23 vjet burg, me akuzën se ka qenë anëtar i “Hakmarrjes për Drejtësi”. Ai e ka marrë këtë dënim në mungesë me akuzën e “vjedhjes me pasojë vdekjen”, të firmës “Gjallica”, në shumën 2.4 milionë lekë, me pasojë vdekjen e shtetasit Pali Prendi më 13 dhjetor 1994. Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në korrik 2008, në lidhje me vjedhjen e firmës “Gjallica” me pasojë vdekjen e shtetasit Pali Prendi, më datë 13.12.1994, të ndodhur në Vlorë, janë akuzuar shtetasit Altin Arapi, Nikolin Novruzaj, Pasho Novruzaj dhe Dritan Hate. e.d
Vrasja
Shtetasi Dritan Hate dyshohet nga policia për implikim të mundshëm në vrasjen e avokatit Sokol Doçi, vrasje e cila ndodhi në korrik të vitit 2011 në Tiranë. Zyrtarisht, Policia tha mbrëmë se Dritan Hate është i dyshuar në lidhje me atentatin e ndodhur pranë shkollës 9-vjeçare “9 Maji”, në rrugën “Shyqyri Ishmi” në Tiranë. Viktima ishte jurist i Entit Kombëtar të Banesave e gjithashtu edhe avokat i njohur në Tiranë.
Eksplozivi
Shtetasi Dritan Hate, sipas Policisë, është person i dyshuar për vendosjen e eksplozivit në banesën e zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, Dorian Muça, më 8 dhjetor 2011. Sipas burimeve nga hetimi, vendosja e eksplozivit në banesën e zyrtarit të rendit ka ndodhur pas arrestimit të Emiljano Shullazit me akuzën e armëmbajtjes pa leje. Dyshohet se Dritan Hate, si mik i tij, është “hakmarrë” për arrestimin.
Panorama
I dënuari i “Hakmarrjes” u kap bashkë me një punonjës policie
21-01-2012
Hetimet
Shenjat e gishtave të Dritan Hates dhe armët e kapura në vendngjarje dërgohen për ekspertizë
Dritan Hate, i dënuar si anëtar i “Hakmarrjes për Drejtësi”, u arrestua dy net më parë, teksa ishte në shoqërinë e një punonjësi policie. Arrestimi i tij u krye në zonën e Medresesë, në Tiranë, ndërkohë që me vete iu gjet një sasi tritoli dhe disa armë. Burimet policore të kryeqytetit thanë se arrestimi i tij u realizua nga forcat speciale RENEA, pasi është anëtar i organizatës kriminale “Hakmarrje për Drejtësi”, organizatë e cila akuzohet për një sërë krimesh të rënda si vrasje, vendosje të lëndëve eksplozive dhe shumë krime të tjera të rënda. Madje, ai është dënuar me 23 vjet burg për vrasje që në prill të vitit 2009. Por, gjatë momenteve të kapjes së të shumëkërkuarit, ai ka qenë i shoqëruar edhe me Ermal Sali Mustafarajn, 34 vjeç, banues në Mëzes, Tiranë, me detyrë punonjës police pranë Institutit të Qenve dhe Gentjan Tush Kaci, 32 vjeç, banues në Tiranë. Dritan Hate ka qenë i shpallur në kërkim që prej vitit 1996, dhe falë operacionit të organizuar u arrit dhe kapja e tij në zonën e Medresesë në kryeqytet. Në momentin e kapjes së shtetasve të lartpërmendur, atyre iu gjetën tri pistoleta të tipave ‘TT’ dhe ‘Zastava’. Gjithashtu, u sekuestrua edhe një sasi lënde eksplozive tritol. Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës së Hates u gjetën dhe sekuestruan një automjet “BMV”, një motoçikletë, maska, doreza lëkure si dhe një sasi e konsiderueshme parash e eurosh. Policia tha se në ngarkim të dy shoqëruesve të Hates do të vijojnë hetimet. Sipas të dhënave, menjëherë pas sekuestrimeve të kryera, policia ka dërguar për ekspertizë armët dhe tritolin, pasi dyshohet se mund të jenë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale. Veç kësaj, policia ka marrë edhe gjurmët e gishtave të Hates, pasi ka dyshime se ai mund të ketë qenë në atentatin ndaj zëvendësdrejtorit të policisë së Tiranës, Dorian Muça. Madje, në kohën e atentatit u tha se ishin gjetur gjurmë gishtash, kështu që do të bëhen krahasimet e nevojshme. Po kështu, policia shprehet se Dritan Hate dyshohet edhe për kryerjen e mundshme të vrasjes së shtetasit Sokol Doçi, jurist i Entit Kombëtar të Banesave dhe avokat në profesion.
shqip
Ndryshuar për herë të fundit nga DYDRINAS : 21-01-2012 më 08:15
Krijoni Kontakt