Australia ka paralajmëruar se nga korriku i vitit 2012, secili prodhues i cigareve obligohet që nga paketimi të heqë ngjyrat karakteristike të kompanisë së vet, përfshirë edhe logon, dhe do të jenë të obliguar po ashtu që të vendosin fotografi të sëmundjeve që shkaktohen nga pirja e duhanit.
Me ligjin e ri të gjitha kompanitë e duhanit do të obligohen që pakot e cigareve t’i prodhojnë me ngjyrë dhe dizajn të njëjtë. Pos kësaj mase, Australia ka paralajmëruar edhe ngritjen e tatimit në cigare prej 25 për qind.
“Cigaret vrasin njerëzit. Ky është vendimi më radikal prej se bëhet fjalë për paketimin e cigareve”, ka thënë të enjten kryeministri i Australisë Kevin Rudd.
Zyrtarë të kompanisë “Tobaco Australia” kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë masat e qeverisë, pasi që në këtë mënyrë, sipas tyre, konsumatorët nuk do të kenë mundësi të dallojnë brendin e cigareve të kësaj kompanie nga cigaret e kompanive tjera.
Vendimi i qeverisë vlerësohet të jetë vazhdim i fushatës me të cilën është kufizuar reklamimi i prodhimeve të duhanit, gjë që ka sjellë deri te rënia e numrit të duhanpirësve të moshës mbi 14-vjeç, nga 30.5 për qind në vitin 1988, në 16.6 për qind në vitin 2007.
Miratimi i ligji është paralajmëruar të bëhet një ditë pasi Qeveria e Zelandës së Re njoftoi se në tri vjetët e ardhshëm do të ngritet tatimi prej 30 për qind.
Si pasojë e pirjes së duhanit në Australi, në vit vdesin 15.000 njerëz, që në këtë vend paraqet shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga sëmundje të cilat mund të parandalohen. Shteti planifikon që deri në vitin 2018 të ulet vdekshmëria si pasojë e pirjes së duhanit për 10 për qind.
Express më 29.04.2010 në ora 20:35
Krijoni Kontakt