Braun: Do të iki nga kreu i partisë
Kryeministri në detyrë do të largohet në konferencën e shtatorit
Pas disa ditësh nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare në Britaninë e Madhe, kreu i Partisë Laburiste dhe njëherazi Kryeministri ende në detyrë në vend ka deklaruar se do të dorëhiqet nga posti i tij partiak. Braun, i cili është në krye të qeverisë që në vitin 2007, kur e mori nga Toni Bler, i cili qëndroi për dy mandate e gjysmë, tha se ai kërkonte që në postin e kryetarit të partisë të vendosej një tjetër person në konferencën e ardhshme që do të zhvillohet në muajin shtator. Planin për t’u larguar nga kreu i partisë, Braun e njoftoi përmes një deklarate për shtyp. Ndër të tjera në këtë deklaratë ai u shpreh se donte që partia e tij të niste bisedimet formale për krijimin e një qeverie të mundshme të përbashkët me liberal-demokratët. Konservatorët dolën fitimtarë në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Britaninë e Madhe, por nuk fituan atë sasi votash që do t’u jepte të drejtën për të krijuar një qeveri pa ndihmën e një partie tjetër koalicioni. Varianti i vetëm për ta është një koalicion me liberal-demokratët, të cilët për herë të parë në historinë e dhjetëvjeçarëve të fundit të vendit kanë fituar një numër të konsiderueshëm vendesh në Parlament, duke u renditur partia e tretë më e madhe dhe më me influencë në vend. Ndërkohë që konservatorët synojnë që të arrijnë një marrëveshje me liberal-demokratët, këta të fundit ka shumë mundësi që të fillojnë bisedime edhe me laburistët, në rast se nuk do të kënaqeshin nga ofertat e konservatorëve. Në një rast të tillë, laburistët, edhe pse kanë humbur në zgjedhje, do të fitonin duke qenë se do të paraqiteshin në një koalicion me laburistët. Për sa i përket postit të kryetarit të partisë, Braun deklaroi se nuk kishte më dëshirë që të qëndronte më gjatë në pozicionin e kryetarit, por do të donte që më parë të formonte një qeveri stabël për vendin. Në këtë kuadër, ai i kërkoi Partisë Laburiste që të niste procesin e përzgjedhjes së liderit të ardhshëm të partisë. Sipas tij do të ishte shumë interesante edhe ideja e krijimit të një qeverie “progresive” me liberal-demokratët. Sipas disa lajmeve, liberal-demokratët të cilët që prej disa ditësh po negociojnë haptazi me konservatorët, në mënyrë jo shumë zyrtare po zhvillojë bisedime edhe me laburistët.
gazeta shqip
Krijoni Kontakt