Elsa Lila hyn në grevën e urisë: Do të jem e 203
Aristir Lumezi
Këngëtarja e njohur Elsa Lila iu bashkua dje grevës së urisë së 200 deputetëve dhe mbështetësve socialistë. E ardhur enkas nga Italia, Elsa pasi përshëndeti të gjithë protestuesit në mitingun e djeshëm, bëri me dije vendimin e saj, për t'iu bashkuar dhe grave dhe vajzave të tjera që ndodhen prej 10 ditësh në çadrën e ngujimit. Këngëtarja e njohur tha se vendimin për të hyrë në grevën e urisë e kishte marrë me dëshirën e saj të plotë. "Sot ka ardhur ora e qytetarit. Vëllezër dhe motra, unë tani do të shkoj të bashkohem me Shegën, Florën, Oltën, Mozën, Ermonelën, Fatmirin dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm. Që në këtë moment, po hyj në grevë urie me dëshirën time të lirë", tha në miting, këngëtarja Elsa Lila. Duke folur në mitingun e protestës, Elsa kërkoi më shumë liri dhe demokraci në vend. "Si bijë, si motër dhe si nënë nesër, sot dua t'i drejtohem burrave të fortë të këtij vendi. Bëni çfarë të bëni, por kujdes se çfarë bëni. Liria dhe demokracia nuk janë një plaçkë që tregtohen me tollonë nga zyrat qeveritare. Liria dhe demokracia është e drejta natyrore e një populli që ka të drejtë të jetojë në liri dhe nuk mund të qëndrojë përjetësisht e mbyllur në kuti të kyçura me çelësa pushteti", u shpreh këngëtarja e njohur. Sipas saj, kjo sakrificë po bëhet në ditën e Evropës dhe në emër të saj.
"Edhe kjo sakrificë mbinjerëzore, që po ndodh këtu në këtë bulevard nga qytetarë të lirë të Evropës, është një gur më shumë në themelet e vetë Evropës së lirë dhe demokratike.
Sot më lejoni motra dhe vëllezër të jem një shpirt më shumë në barrikadën njerëzore përballë shurdhërisë. Sot dua të jem një zë më shumë në korrin e madh të lirisë, që nuk ka veshë të mos e dëgjojë, që nuk ka sy që të mos e shikojë, që nuk ka trup, mendje dhe shpirt të mos e ndjejë. Se sot ka ardhur ora e qytetarit", u shpreh Elsa Lila.
Grevistët
Edhe dje gjendja e grevistë ka qenë e rënduar, ndërsa tre prej tyre kanë lënë grevën për t'u dërguar me urgjencë në spital. Ervin Bushi, nga Fieri, doli dje pas mesnate nga greva dhe në mesditë, gjatë kohës që zhvillohej mitingu i protestës, u detyrua të linte çadrën e grevës edhe kryetarja e FRESSH-it, Elisa Spiropali, gjendja shëndetësore e së cilës ishte rënduar shumë ditët e fundit. Ajo kishte humbur nga pesha e saj gjatë tetë ditësh greve urie, 6 kg.
Numri i të larguarve nga greva e urisë, për shkak të komplikacioneve me shëndetin në ditën e nëntë të saj, ka shkuar në 15. Kujdesim Basha, 40 vjeç, nga Kukësi, vuante nga tensioni, ndërkohë që ditën e sotme ka pasur edhe komplikacione në stomak. Mjekët që ndjekin nga afër gjendjen e grevistëve, shprehen se në orët në vijim më shumë persona do të kenë nevojë t'i drejtohen spitalit për të marrë mjekimin e nevojshëm dhe për të filluar trajtimin me medikamente dhe ushqim.
Panorama
Krijoni Kontakt