Sekretari për Çështjet Elektorale në PS, Kastriot Islami në një intervistë ekskluzive për “Panorama” shpreh qëndrimin e tij rreth grevës së urisë, darkës së Strasburgut dhe arritjes për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore.
Që prej nisjes së grevës së urisë ju keni heshtur dhe pse keni qenë kundër saj në mbledhjen e grupit parlamentar. Përse kjo heshtje kur shumë personalitete u pozicionuan?
Për të qenë i saktë e i sinqertë më duhet ta sqaroj se kam votuar në mbledhjen e grupit parlamentar kundër grevës së urisë si një mjet ekstrem i papërshtatshëm, i dëmshëm për vendin dhe Partinë Socialiste dhe që në mënyrë racionale më rezultonte aspak efikas. E dija që Rama nuk do të arrinte asgjë duke kërkuar sakrificën e të gjithëve, por duke mos sakrifikuar aspak vetë. Se nuk kërkonte zgjedhje të parakohshme, por vetëm rritjen e temperaturës politike, e mbajtur gjallë tensionin deri në zgjedhjet e ardhshme vendore ku do të jetë vetë kandidat për Bashkinë e Tiranës. Se e dinte shumë mirë se nuk do të kishte rinumërim të fletëve të votimit dhe se kutitë e fletëve të votimit nuk do të hapeshin, por mjaftonte të shpenzonte edhe këtë shkallë të fundit të veprimeve radikale. Nuk do të mund të fitonte asgjë më shumë se sa të “hapte kutitë e materialeve zgjedhore” që ia kam propozuar prej disa muajsh konfidencialisht dhe publikisht. Se kodi elektoral do të zbatohet dhe marrëveshja që do të mbyllet nuk do të jetë as mbi ligjin dhe as kundër ligjit, pra fletët e votimit do të trajtohen sipas neneve të kodit zgjedhor. Por nuk kam folur gjatë ditëve të grevës thjesht për të respektuar sakrificën e grevistëve të urisë, por njëkohësisht duke mos mirëkuptuar vendimmarrjen e tyre politike, në mënyrë të veçantë të të gjithë atyre që kanë një kontribut dhe eksperiencë politike të gjatë në PS. Tani që mbaroi greva dhe për më tepër po shikoj se Rama po tenton ta paraqesë atë si një “veprim heroik dhe mekanizëm suksesi” është e nevojshme të ndriçohen socialistët e thjeshtë përse edhe ky veprim radikal i keqmenduar, përbën dështimin e radhës dhe talljen e radhës me sakrificat e tyre, pjesë e strategjisë së gabuar të Ramës pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Strategji që vazhdon të dobësojë e çajë PS e përçajë të majtën. Për më tepër të largojnë të gjithë ata që mendojnë ndryshe e gjykojnë racionalisht.
Sot që flasim greva ka mbaruar dhe mund të bëjmë një analizë të saj dhe arsyeve që çuan 202 deputetë dhe simpatizantë në këtë vendim. Si do ta cilësonit grevën e urisë?
Greva filloi, vazhdoi dhe u mbyll pothuajse njëlloj si në Gjeorgji dhe për mua ky ishte një film me “metrazh 19-ditor” tanimë i parë e stërparë. Deputetët dhe militantët shoqërues u futën në grevë në vijim të një vendimi politik të grupit parlamentar që përbën, ndoshta jo vetëm në historinë shqiptare, por edhe atë botërore, rastin e parë kur një vendim për një sakrificë ekstreme nuk është individual por politik e kolektiv. Ky është një aspekt negativ i kësaj “greve politike politikanësh me synime politike të qarta përmes një beteje politike për pushtet”. Në këtë kuptim ky është një mesazh i gabuar për votuesit nga të zgjedhurit e popullit, të cilët në vend që të veprojnë politikisht e në mënyrë konstruktive në Kuvend, i drejtohen radikalizmit e veprimeve ekstreme. Ky është po ashtu një rast ekstrem që tregon indirekt se në grupin më të madh opozitar, është instaluar një filozofi autoritare ekstreme dhe vepron rregulli antidemokratik i “mandatit detyrues” (mandatit imperativ) deri në atë shkallë sa partia vendos, jo vetëm çfarë duhet “të thuash dhe ç’duhet të bësh” me mandatin e deputetit (që nuk është më as në duart e të gjithë votuesve dhe as të vetë individit të zgjedhur siç përcaktohet nga kushtetuta), por me vendim partiak “mund të detyrojnë të futesh deri në grevë urie”; dhe nëse nuk e respekton këtë lloj vendimi, trajtohesh a konsiderohesh “armik apo mikroborgjez”. Po ashtu si çdo veprim tjetër radikal, edhe kjo grevë e keqmenduar ishte pa asnjë strategji daljeje; të gjithë grevistët e familjarët e tyre nuk e dinin së çfarë do të sillte greva, si do të arriheshin sloganet e egra revolucionare të folësve të përditshëm, si dhe kur do të mbyllej dhe me çfarë arsyetimi do të dilej prej saj. Po ashtu, numri shumë i madh i grevistëve e bëri grevën të pabesueshme. Kurse vendimi për ta bërë atë me turne e bëri edhe qesharake. Futja në grevë e individëve të sëmurë ishte i pajustifikueshëm dhe i rrezikshëm e ndoshta në ndonjë rast me pasoja të pamirëmenduara për të ardhmen e shëndetit të grevistëve. “Skenari mediatik” krijoi për shumicën e publikut më shumë perceptimin e një “show big brother” sesa të një realiteti. Mendoj se aplikimi i grevës së urisë nga politikanët kolektivisht e për qëllime politike është antidemokratik, i pajustifikuar dhe i pabesueshëm në kushtet e një vendi anëtar të NATO dhe kandidat për në BE.
Cili ka qenë qëndrimi i ndërkombëtarëve për këtë akt të opozitës?
Shqiptarët duhet të jenë të qartë se kancelaritë e NATO dhe BE si dhe të vendeve anëtare të tyre e njohin shumë mirë situatën zgjedhore, paszgjedhore dhe të gjitha sjelljet e qëndrimet e opozitës e të Qeverisë gjatë këtyre nëntë muajve. Askush nuk duhet të mendojë se ata nuk dinë se ç’bëhet në Shqipëri dhe për të tërhequr vëmendjen e tyre duhet të kryhen veprime radikale. Është gabim i rëndë sepse është krejtësisht e kundërta. Qëndrimi parimor i tyre është kundër grevës; ata nuk mund të pranojnë në një vend si Shqipëria të arrihen qëllimet politike me veprimet ekstreme e radikale të tilla si bojkoti dhe greva e urisë. Pavarësisht se çfarë mund t’u thuhet militantëve nën rrogoz apo në mitingje nga Rama, duhet të jetë e qartë për çdo shqiptar se asnjë ndërkombëtar nuk ka simpati për këto veprime ekstreme radikale dhe jo vetëm nuk i mbështet, por të gjithë pa përjashtim i kanë dënuar.
Konkretisht për grevën e urisë cili është opinioni i tyre, pasi u krijua përshtypje shumë herë nga fjalimet në mitingje se ndërkombëtarët u sensibilizuan nga greva dhe mbështetën PS?
Qëndrimet e tyre për grevën e urisë kanë qenë publike ndonëse kanë deklaruar se “kjo situatë duhet të zgjidhet nga vetë klasa politike shqiptare dhe pa ndërhyrjen e tyre”. E thënë më shkoqur, haptas apo heshturazi ndërkombëtarët e kanë dënuar grevën e urisë. Dhe për tepër nuk pranojnë në asnjë rast të ulen në bisedime me grevistë apo nga presioni përmes të tillave veprimeve radikale; dhe kjo është parimore për të gjithë ata pa përjashtim. Po ashtu ka qenë dhe është mashtrim ordiner tu thuhet militantëve se ky apo ai diplomat apo përfaqësues ndërkombëtar mbështet heshturazi opozitën për veprimet e saj radikale. Të gjithë ndërkombëtarët e kanë konsideruar të gabuar e të dëmshme grevën e urisë, si në veprim me kauzë të pajustifikuar dhe kanë qenë të prirur të besojnë se greva ka qenë një mekanizëm i përdorur nga opozita për arritjen e qëllimeve politike të Ramës aq sa një ambasador i rëndësishëm e vendosi atë në kontekstin e “luftës për pushtet” që në realitet stigmatizonte vetëm Ramën se Berisha e kishte pushtetin. Kjo grevë u cilësua po ashtu nga një funksionar i lartë i një prej partnerëve tanë më të rëndësishëm strategjikë “e dëmshme”. Komisioneri i KE e përcaktoi Ramën “përgjegjësin kryesor të kësaj greve”. Eurodeputetët e konsideruan grevën e urisë element të “krizës individuale të Ramës”. Greva ishte gabuar jo vetëm se i mungonte kauza apo ajo nuk ishte bindëse, por ishte gjithashtu një veprim radikal ekstrem në vendin dhe kohën e gabuar pavarësisht se këto mund të jenë në një plan të dytë rëndësie. Ndërkombëtarët e vlerësuan po ashtu grevën si një veprim të gabuar që po dëmtonte liberalizimin e vizave dhe proceset integruese.
Gjatë e pas grevës, Rama e ka cilësuar atë si një mjet që ndikoi në arritjen e kauzës së hapjes së kutive; cili është në këndvështrimin tuaj suksesi dhe efikasiteti i kësaj greve?
Suksesi nëse besohet, është vetëm iluzion dhe nëse insistohet t’i shitet militantëve dhe publikut është mashtrim i pastër. Greva e urisë është dështimi i radhës i Ramës dhe fatkeqësisht edhe i opozitës. Përfaqësuesit e NATO dhe BE e të vendeve të tyre do të qeshnin me të madhe nëse do të dëgjonin se ndërkombëtarët u zmbrapsën dhe u ulën në “darkën e punës” nga presioni i një greve urie që ishte në prag të dështimit me turp dhe organizatorët e saj u deklaronin se “donin ta mbyllnin, por nuk dinin si ta përfundonin duke ruajtur paksa faqen”. Po ashtu analistët e NATO dhe BE, duke vlerësuar dimensionin e mbështetjes nga publiku dhe degradimin e saj çdo ditë, e kishin shumë të qartë që ky veprim radikal nuk kishte asnjë mundësi të prekte stabilitetin apo sigurinë e vendit, pra për të ishte një “fortunë në gotë” apo “një big brother mediatik” me jetëgjatësi rreth dyjavore.
Ndërkohë lideri i PS Rama ngul këmbë se greva i detyroi përfaqësuesit e lartë të Brukselit të ulnin Ramën dhe Berishën në tavolinë dhe kjo mund të konsiderohet si sukses i grevës. Ka ndodhur kjo?
Tani kërkohet të shitet “hapja e kutive të materialeve zgjedhore” sukses i grevës apo i darkës; ky është thjesht mashtrimi i radhës, sepse asnjëherë “hapja e kutive të materialeve zgjedhore nuk ka qenë temë tabu”, por një standard i legalizuar qartë prej 20 vjetësh në kodin zgjedhor. Një formulim pa asnjë ekuivok që nuk ka nevojë as për interpretim të Gjykatës Kushtetuese dhe as të Komisionit të Venecias dhe as për lejen apo tolerancën e Berishës apo mirëkuptimin e Ramës. Hapjen e kutive të materialeve zgjedhore e kam propozuar publikisht që në 15 shkurt të vitit 2010 (konfidencialisht shumë më parë) dhe mbi këtë bazë miqtë ndërkombëtarë të PS janë përpjekur të bindin së koti Ramën për këtë opsion. Rama jo vetëm ka qenë kundër, por edhe ka nxitur njerëz pranë tij ta konsiderojnë këtë një opsion të “sponsorizuar nga Berisha”. Aktualisht Rama e konsideron “hapjen e kutive të materialeve zgjedhore sukses ndaj thyerjes së një teme tabu”, ndërkohë që vetëm disa muaj më parë, po të njëjtën gjë e konsideronte të papranueshme. Të konsiderosh “hapjen e kutive të materialeve zgjedhore sukses dhe fitore mbi një temë tabu”, është mashtrim i pastër dhe dështim i plotë. Hapjen e kutive të materialeve zgjedhore nuk mundet të pengohej as nga Berisha dhe as nga Rama përderisa parashikohet qartas në nenin 178.6 të Kodit Zgjedhor dhe askush nuk mund ta pengojë. Dhe dështimi i radhës do të lidhej më faktin që kauza e “hapjes së kutive të materialeve zgjedhore” së pari, nuk është kauzë, por një veprim i thjeshtë juridik, por edhe nëse do të quhej i tillë kjo do të ishte një arsye shumë e dobët për të bojkotuar 6 muaj Kuvendin, futur në greve urie deputetë e militantë, bllokuar rrugët e vendit apo torturuar për të ardhur në manifestime të përditshme punonjësit e administratave publike vendore ku drejton PS”. E vërteta është se “kjo kauzë” e “hapjes së kutive të materialeve zgjedhore” do të ishte realizuar për pesë minuta, duke vajtur në Kuvend vetëm një seancë.
Po cila do të mund të ishte zgjidhja e këtij ngërçi politik?
E kam thënë shumë muaj më parë se fillimisht duhet të kuptohet se ngërçi politik ka ardhur pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, për shkak të “përplasjes” midis qasjes kushtetuese-ligjore me qasjen politiko –morale. Dhe kjo situatë ka ndodhur shpesh në Shqipëri kur qëndrimi legal “sulmohet” nga qëndrimi partiak i transformuar në qëndrim politiko-moral. Në mënyrë figurative mund të thuhet se “treni ka dalë nga shinat e shtetit ligjor” dhe prandaj nuk ecën normalisht. Klasa politike shqiptare është angazhuar dhe njëkohësisht i kërkohet në kuadër të proceseve integruese, të ndërtojë shtetin ligjor. E thënë ndryshe, klasa politike duhet “ta rivendosë trenin në shinat e shteti ligjor” për t’u kthyer në normalitet. Përndryshe ai do të mbetet në vend por edhe po u nis, shumë shpejt do të bllokohet përsëri. Në këtë kuptim zgjidhja e këtij ngërçi politik mund dhe duhet të vijë vetëm në kuadër të respektimit të Kushtetutës, të gjithë legjislacionit në fuqi dhe të vendimeve të gjykatave.
Si duhet të kuptojmë hapjen e materialeve, çdo të thotë “hapje e kutive të materialeve zgjedhore” dhe si mund të veprohet me “kutitë e fletëve të votimit”?
Edhe kësaj pyetjeje i jam përgjigjur si më poshtë disa muaj më parë (po e përsëris përgjigjen). Po t’i referohemi përsëri vetëm qasjes ligjore, zgjidhja jepet në nenin 178 të Kodit Zgjedhor 178.6, ku thuhet që 1) më hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, materialet zgjedhore (Librin e Protokollit; Fletore e vendimeve tip të KQV-së; Regjistër i posaçëm i zgjedhësve; lista e zgjedhësve) dërgohen në Arkivën Qendrore të Shtetit për t’u administruar sipas rregullave të përcaktuara me ligj, kurse 2) me hapjen e kutive te fletëve të votimit, fletët e votimit dhe kundrafletët shkatërrohen. Pra sipas standardeve të të gjitha vendeve demokratike dhe me miratimin konsensual të Kuvendit, legjislacioni shqiptar ka vendosur që “fletët e votimit dhe kundrafletët” të shkatërrohen dhe kjo ka logjikën e saj për çështjet zgjedhore për çdo rast, pra sido që te jetë rezultati zgjedhor dhe cilido qoftë reagimi i partive politike ndaj këtij rezultati, “nuk ka dhe nuk mund të ketë rinumërim të fletëve të votimit”. Në këtë kuptim “çdo metodë” për të “qasur trajtimin e kutive të fletëve te votimit” siç artikulon Rama pas darkës së punës, nuk mund të nënkuptojë apo arrijë në asnjë rast në “rinumërimin e fletëve të votimit” që në mënyrë indirekte do të thotë se nuk mund të arrihet “hapja e kutive të fletëve të votimit”, slogan që shoqëroi prej nëntë muajsh bojkotin, protestat, bllokimin e rrugëve dhe grevën e urisë e deri bezdisjen e ndërkombëtarëve në formën “hap kutitë ose largohu”...
Aristir Lumezi - Panorama
Krijoni Kontakt