Zyra e Auditorit Gjeneral të Republikës së Kosovës e ka nxjerrë të pastër Ministrinë e (MTPT)
Auditimi OK!
Gazeta “Epoka e re” e ka siguruar të plotë Raportin e Auditorit Gjeneral të Republikës së Kosovës për Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit për vitin 2009. Auditor i Përgjithshëm është z. Lars Lage Olofsson, i emëruar nga ICO-ja, Pieter Feith
Nga Express më 11.06.2010 në ora 11:47
Zyra e Auditorit Gjeneral të Republikës së Kosovës e ka nxjerrë të pastër Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit (MTPT). Sipas këtij raporti, MTPT gjatë vitit 2009 ka implementuar gjashtë nga shtatë rekomandimet e marra një vit më herët nga ky institucion, thuhet në artikullin e gazetës "Epoka e Re".
“Raporti ynë i auditimit të Pasqyrave Financiare për vitin 2008 kishte dhënë 7 rekomandime. Gjashtë nga këto janë implementuar, ndërsa një ka mbetur pa implementuar”, është thënë në këtë raport, i cili së shpejti do të bëhet publik për opinionin.
Sipas Raportit të Auditimit, “Pasqyrat Financiare të MTPT-së prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, pozitën financiare të MTPT-së për vitin 2009 si dhe rezultatet e aktiviteteve të saj për vitin në fjalë, në pajtim me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik (SNKSP), Raportimin Financiar, në bazë të kontabilitetit të parasë së gatshme”.
Ky raport i Auditorit Gjeneral tregon edhe për përparim dhe implementim të rekomandimeve të tij, veçanërisht në Sektorin e Prokurimit.
“Rekomandimi nr.4 sa i përket fushës së prokurimit është implementuar.
Plani përfundimtar i prokurimit për vitin 2009 është dorëzuar me kohë dhe procedurat e vlerësimit të ofertave zhvillohen në përputhje me ligjin në fuqi”, thuhet në vazhdim të Raportit të Auditorit Gjeneral.
Edhe sa u përket investimeve kapitale, Auditori i Përgjithshëm ka vlerësuar performancën e Sektorit të Prokurimit.
Edhe këtu vlerësohet se të gjitha procedurat e prokurimit janë zhvilluar konform ligjit në fuqi.
“Nga mostrat e audituara për investime kapitale, procedurat e prokurimit kanë qenë konform Ligjit të Prokurimit. Ndërsa punët kanë qenë në proces dhe pagesat nuk janë bërë, ndërsa mbeten të testohen në fazën tjetër audituese”, përmendet në raport.
Auditori Gjeneral ka vlerësuar edhe sistemin e kontrollit të brendshëm në MTPT.
Sipas këtij raporti, kjo ministri ka një ndarje të qartë të detyrave.
“MTPT ka skemën e tanishme organizative. Gjatë punës sonë ne kemi vërejtur një ndarje të qartë të detyrave, bëhet autorizimi i shpenzimeve nga personat e autorizuar nga menaxhmenti si dhe kontabiliteti mbahet nga personi që i njeh mirë regjistrimet kontabël”, është thënë në raport.
Konkluzioni i përgjithshëm mbi menaxhmentin e ministrisë
Auditori Gjeneral ka dhënë një konkluzion lidhur me menaxhmentin e ministrisë. Në këtë konkluzion vlerësohet se ky menaxhment ka bërë përmirësime menaxheriale në fushat të cilat ka rekomanduar më herët.
“Vlerësojmë se menaxhmenti i MTPT-së ka bërë përmirësime menaxheriale, veçanërisht në fushat sipas rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm, pastaj në përgatitjen e pasqyrave financiare dhe rregullsinë e proceseve administrative krahasuar me vitin paraprak të audituar”, thuhet në konkluzionin e Auditorit Gjeneral.
Auditori Gjeneral i ka dhënë MTPT-së një numër rekomandimesh për ta ngritur efikasitetin dhe transparencën e punës.
Krijoni Kontakt