Këshilli Drejtues i PDK’së mbështet Limajn
Nga Express më 12.05.2010 në ora 19:45
Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka vlerësuar lart punën që po bën Fatmir Limaj si ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, duke i dhënë mbështetjen e vet të pa rezervë, ndërsa nga EULEX-i kërkon të ushtrojë përgjegjësitë e kompetencat që ka me Kushtetutë dhe Ligje për vendosjen e rendit e të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Në një deklaratë për media të lëshuar të mërkurën pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së theksohet se ministri Limaj ka bërë punë të mëdha jo vetëm në infrastrukturën rrugore, për çka është mbështetur nga opinioni i gjerë.
“PDK-ja dhe qytetarët e Kosovës kanë pasur besim në pastërtinë e tij, dje në Hagë, e po ashtu edhe sot besojmë plotësisht dhe e mbështesim Fatmir Limajn. Të njëjtën besojmë që do ta vërtetojë edhe drejtësia, e cila duhet të lirohet nga çdo ndikim e ndërhyrje politike. Ne jemi për sundimin e ligjit, por nuk jemi për ndjekje politike e as për politizim të këtij procesi”, thuhet në deklaratë.
KD i PDK-së vlerëson se Qeveria e Kosovës, udhëhequr nga PDK-ja gjatë viteve të pavarësisë ka treguar lidership dhe përkushtim në qeverisjen e vendit, ndërsa shprehet e bindur se gjatë kësaj legjislature ka qeverisur me legjitimitet të plotë, duke hapur perspektiva të reja për Kosovën dhe qytetarët e saj.
“Partia Demokratike e Kosovës që nga fillimi ka qenë e përkushtuar për të forcuar shtetin ligjor, me qëllim që të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh pozitën shoqërore, politike dhe institucionale, nuk mund të jenë mbi ligjin as kundër sundimit të ligjit”, përfundon deklarata e KD të PDK-së.
Krijoni Kontakt