Ligj, jo linç
Kryeministri Thaçi, më në fund, foli për bastisjen e Ministrisë së Transportit dhe pronave të Ministrit Limaj. Tentoi të ishte i matur, por nuk ia doli plotësisht. Me mllef foli për Shefin e ICO’së dhe Kryeprokurorin e EULEX’it. Tha se bastisja ishte e panevojshme, jo profesionale dhe tendencë për linçim.
Nga Express më 06.05.2010 në ora 8:15
Një javë pasi Policia e EULEX’it ka bastisur Ministrinë e Transportit të cilën e udhëheq Fatmir Limaj, për rastin ka folur edhe Kryeministri Hashim Thaçi.
Në një intervistë për mediat vizive në vend, kreu i Qeverisë së Kosovës ka kritikuar mënyrën se si Misioni EULEX ka intervenuar në një institucion të shtetit.
Fillimisht Thaçi ka treguar se nuk ka qenë në dijeni se një aksion i tillë do të ndodhë.
“I gjithë procesi ka ndodhur, e them me përgjegjësi të plotë edhe shtetërore edhe personale edhe kryeministrore, pa asnjë paralajmërim, as për Qeverinë, as për Kryeministrin, as për Ministrinë dhe as për asnjë institucion të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Duke u arsyetuar për heshtjen njëjavore në lidhje me bastisjen në MTPT, Thaçi ka thënë se Qeveria e tij ka folur pikërisht ditën e bastisjes përmes Fatmir Limajt.
“Në këtë drejtim mendoj se vet z. Limaj ka prezantuar edhe qëndrimin e tij personal, por në të njëjtën kohë ka qenë edhe një qëndrim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i harmonizuar dhe i konsultuar edhe me mua personalisht, por edhe me bartës tjerë të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Kreu i Qeverisë e ka përjashtuar si mundësi dorëheqjen e Ministrit Limaj.
“Nuk është çështje e dorëheqjes apo mos dorëheqjes. Çështja është tek respektimi i standardeve në procesin që jemi duke kaluar. Unë nuk dëshiroj ta personalizoj. Ky procesi është i depersonalizuar”, ka thënë Thaçi.
“z. Limaj do të vazhdojë ti kryej angazhimet që i ka pasur…”, ka shtuar ai.
Thaçi ka mbështetur edhe deklarimet të Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, i cili në një intervistë për Express, e quajti politikë bastisjen e EULEX’it në MTPT.
“Nuk kam çka t’i shtojë deklaratave të z. Limaj dhe z. Krasniqi”, tha Thaçi.
Më pas, ai e quajti të paarsyeshëm ndërhyrjen e EULEX’it.
“Kontrolli mund të ndodhte edhe me tre katër hetues apo edhe me një procedurë civile dhe assesi me një angazhim marketingu të panevojshëm dhe në këtë drejtim ne kemi prezantuar qëndrimet tona në raport me institucionet ndërkombëtare, në raport me EULEX’in, sepse të gjithë kemi qenë për sundim të ligjit”, ka thënë ai.
Thaçi ka theksuar se aksioni policor ka qenë një përpjekje për linçim, duke kërkuar që rasti të ndriçohet shpejt.
“Ky proces duhet të mbyllet shpejt, me një procedurë të hapur, transparente, legale, jashtë çdo ndikimi politik prej kujtdo qoftë dhe të mbyllet shpejt. Nuk lejoj si Kryeministër që askush të linçohet apo me obstruksione të motivuara të ndodhin gjëra që nuk duhet të ndodhin”, tha ai.
Kryeministri Thaçi ka porositur prokurorin e EULEX’it që të mos bëjë deklarata politike por të merret me punën e tij ndërsa ka treguar se Limaj tashmë ka angazhuar një ekip të avokatëve me renome për këtë rast.
Numri një i Qeverisë më së shumti për këtë aksion ka fajësuar Shefin e ICO’së, Pieter Feith, të cilin e ka akuzuar për ndërhyrje në organe të drejtësisë. Ndërsa deklarimet e holandezit një ditë para aksionit policor, i ka quajtur prejudikuese.
“Ka qenë deklaratë e nxituar dhe e dëmshme për imazhin e Kosovës. Çdokush duhet t’i ikë pretendimit për të ndikuar tek organet e drejtësisë. Unë dua të potencoj se nuk është as në mandatin e z. Feith, e as të askujt - pos organeve kompetenete - të kryejë punën e organeve të drejtësisë dhe ligjit. Ka mundur të jetë prejudikuese”, ka thënë ai.
Më pas Thaçi ka kritikuar Feith që nuk është angazhuar për të luftuar krimin dhe kontrabandën në Veri të Kosovës, ndërsa për veten ka thënë se është ai që ka nisur betejën politike kundër korrupsionit.
“Askush nuk duhet të pret nga unë që të jem polic, prokuror apo gjykatës. Unë në mandatin tim do të respektoj atë mandat që ma jep Kushtetuta dhe legjitimiteti qytetar”, ka thënë ai.
Krijoni Kontakt