Prishtinë, 25 prill – Instituti Albanologjik i Prishtinës ia ka mësyrë që veprat e akademik Rexhep Qosjes t’i botojë në një komplet luksoz dhe i cili parashihet të kushtojë 198 mijë euro. Ndryshe, IAP-i për realizimin e këtij projekti ka kërkuar 220 mijë euro, por kaq i janë ndarë nga MASHT-i.
Shumën prej 198 mijë eurosh Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tashmë e ka bartur në xhirollogarinë e IAP-it, i cili për botimin e kompletit në 500 kopje ka hapur tender. Vetëm për shtypjen e kompletit, sipas projektit, janë paraparë 67 mijë e 500 euro, përderisa honorari për autorin kap shumën prej 136 mijë eurosh.
“Kompleti i veprave të akademik Rexhep Qosjes parashihet që t’i ketë 27 vëllime (me nga 300 deri në 400 faqe për vëllim v.j.) duke e përfshirë pjesën më të madhe të veprimtarisë së shumanshme shkrimore të këtij personaliteti të shquar të botës shqiptare. Kompleti i Rexhep Qosjes do të përbëhej nga katër njësi tematike: dhjetë sosh do të jenë vepra të fushës historiko-letrare, shtatë prej tyre vepra historike e historiko-dokumentare, pesë vepra letrare-artistike dhe gjashtë vëllime do të përmblidhnin veprimtarinë e begatë shkrimore të Qosjes nga fusha e publicistikës”, është përshkrimi që i është bërë projektit për botimin e kompletit, i hartuar nga drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi.
Ndonëse vepra e Qosjes botohet për herë të parë e plotë, akademiku ka refuzuar të flasë.
“Do të flas pas botimit...”, është shprehur Qosja.
Miratimit të projektit të botimit të këtij kompleti i ka paraprirë nënshkrimi i një memorandumi mirëkuptimi midis MASHT-it dhe IAP-it sipas të cilit “...Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë merr për obligim financimin e projektit të Institutit Albanologjik të Prishtinës për botimin e kompletit të veprave të akademik Rexhep Qosjes në shumën prej 198 mijë eurove”. Më tej Matoshi ka thënë se kompleti i veprave të akademik Qosjes deri tash është më i madhi i botuar nga IAP-i. Për shumën prej afro 200 mijë eurosh me të cilën do të konkretizohet botimi ai thotë se “është përcaktuar mbi bazën e mendimeve ekzistuese të çmimeve të shtypit dhe të cilësisë që do të ketë projekti”.
“Natyrisht një komplet nuk mund të botohet në çfarëdo cilësie. Në shumë gjithashtu do të përfshihen edhe honorari i autorit, dizajni, punët e ndryshme teknike, siç janë redaktura, lektura e të gjitha”, ka thënë Matoshi. Për shumën e projektit nuk ka komentuar fort Murteza Osdautaj, drejtor i Departamentit Shkencor të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila e ka miratuar projektin.
“Kjo është një kërkesë që e ka bërë IAP-i, të cilën ne e kemi aprovuar. A është shumë e madhe apo e vogël, për këtë mund të pyesni IAP-in, sepse ata e kanë bërë kërkesën”, ka thënë ai.
Rezultatet konkrete të projektit kreu i IAP-it ka siguruar se do të shihen së shpejti.
“Besoj që shtypshkronja do të përzgjidhet shumë shpejt dhe rezultatet e projektit do të shihen edhe më shpejt se si është përcaktuar me memorandum”, ka thënë Matoshi. Në anën tjetër, Murteza Osdutaj ka thënë se për botimin e kompletit ka një afat të cilin e ka vënë MASHT-i.
“Ndonëse nuk e di se sa do të jetë i hapur tenderi, sepse ende nuk e kam parë, mund të them se MASHT-i ka auditor në kuadër të Departamentit Shkencor, e që në bazë të memorandumit të mirëkuptimit me IAP-në, toleron 16 muaj për botimin e kompletit”, ka thënë Osdautaj.
Ky projekt, sipas kreut të IAP-it, nuk do të jetë i vetmi kësisoj. Ai ka bërë të ditur se në të ardhmen ky Institut ka në plan të botojë kompletet e veprave të Bajram Krasniqit, Zekeria Canës, Ymer Jakës…duke përfshirë edhe një komplet të trashëgimisë folklorike shqiptare në 30 vëllime.