Nga romantiku Sezar Luis Menoti te kozmopoliti Helenio Herrera. Rinus Mishels, babai i futbollit total. Arigo Saki, “këpucari” kampion. Hoze Murinjo, arroganti fitues. Bobi robson, profesori i epokës moderne. Rehagel, befasuesi i madh. Skolari kënaqet me fitoret e shëmtuara
Dash Frasheri - Janë të gjithë të mëdhenj. Nëse në fushë shohim një Lionel Mesi të interpretojë në mënyrë magjike te Barclona, apo dikur një lojtari inteligjent polivalent si Johan Krujfi te Ajaksi e Holanda, përpara se ai të krijonte “Dream Team” te Barcelona, pas lojtarëve të mëdhenj si Pele apo Diego Maradona, Zinedin Zidan apo Mishel Platini, Roberto Baxhio apo Gerd Myler, Franc Bekebanbuer apo Marko van Basten, janë të ulur në bankinë “gjeneralët” e mëdhenj të trajningut, taktikës dhe evoulimit të sistemeve futbollistike, nga holandezi Rinus Mishels, babai i “futbollit total” e deri te italiani Nereo Roko, krijuesi i “katenaçios” së famshme italiane.
Në panteonin e 50 trajnerëve më influencë në botë të përzgjedhur nga revista prestigjioze sportive “World Soccer” (sipas renditjes se germes se pare te mbiemrit), janë ata që kanë lënë gjurmë. Kanë fituar tituj të rëndësishëm si lojtarë apo dhe trajnerë, ata që kanë bërë historinë moderne të futbollit.
Trajneri italian i Çelsit, Karlo Ançeloti thotë: “Kam qenë me fat të punoj me klube të cilët më dhanë mua kohën e duhur”, ndërkohë që bashkatdhetari i tij, Enzo Beraxoti, i famshëm për çibukun e tij, thekson: “Krijuan modën në futboll, stilin e një lojë të gjerë”.
Bosi i Interit, portugezi Hoze Murinjo, i cili konsiderohet si një nga motivuesit më të mëdhenj të lojtarëve, për të t’u nxjerrë atyre maksimumin: “Unë nuk mendoj se jam arrogant. Kam ardhur të bëj filmin tim dhe jo tuajin”.
Tekniku i “tri luanëve” të Anglisë, Fabio Kapelo, njihet për disiplinën e tij të hekurt, aq sa u ka ndaluar përdorimin e Facebook-ut dhe lojtarëve të tij.
Holandezi “fluturues”, Johan Krujf krijoi “Dream Team”-in te Barcelona, duke deklaruar: “Presidentët e klubeve janë juristë, bankierë, biznesmenë dhe ekspertë në fushat e tyre. Por unë nuk besoj se ndonjë prej tyre ka diçka për të më mësuar mua rreth lojës”.
Të gjithë të mëdhenjtë kanë diçka për të thënë, për t’iu transmetuar të tjerëve.
“Për mua, ekipi që ka vetëm një stil loje nuk është i mirë. Ata duhet të njohin si të bëjnë markimin zonal, ose me një stoper, ose markim të kombinuar. Lojtarët duhet të përshtaten me rrethanat e lojës”, - thekson trajneri pragmatist argjentinas, Karlos Bilardo, një version i kundërt i bashkatdhetarit të tij romantik Sezar Luis Menoti.
Renditja është bërë sipas alfabetit (germës së parë të mbiemrave).
1. KARLO ANÇELOTI (Italian)
Trajneri aktual i Çelsit ka qenë dy herë fitues i Ligës së Kampioneve me Milanin në vitin 2003 dhe 2007, duke ia shtuar këtë trofe fitoreve të tij si lojtar po me këtë klub në vitin 1989 dhe 1990. Ançeloti në vitin 2007: “Unë kam qenë me fat të punoj me klube të cilët më dhanë mua kohën e duhur, si Parma, Juventusi dhe Milani. Por dhe rezultatet të ndihmojnë gjithashtu”.
2. ALBERT BATË (Francez)
Trajneri më i suksesshëm në historinë e futbollit francez, i cili fitoi nëntë kampionate në Ligën 1 me Reimsin dhe St.Etienin. Batë e çoi gjithashtu Reimsin në dy finale të Ligës së Kampioneve, përfshirë atë në finalen e parë në vitin 1956 dhe drejtoi Francën drejt vendit të tretë në Kupën e Botës në vitin 1958. Batë në vitin 1969: “Britanikët nuk u kushtojnë shumë vëmendje analizës së situatave të ndeshjeve, kështu që lojtarët nuk e kuptojnë atë që do të ndodhë”.
3. ENZO BEARXOT (Italian)
Njeriu që triumfoi me Italinë në Kampionatin Botëror në vitin 1982, duke triumfuar me një stil loje të gjerë, ndryshe nga ajo që praktikojnë italianët. Bearxot në vitin 1977: “Krijuan modën në futboll. Katenaçio nuk ishte modeli për atë vit dhe ne nuk do t’i kthehemi kurrë më asaj”.
4. FRANC BEKENBAUER (Gjerman)
I vetmi njeri që e ka fituar Kupën e Botës si kapiten ekipi dhe trajner, në vitin 1974 dhe 1990. Ishte trajneri i Gjermanisë Perëndimore në finalet e Botërorit të vitit 1986 dhe 1990, përpara se merrte në ngarkim Marsejën dhe Bajernin e Munihut. Bekenbauer në maj të vitit 1990: “Ne kemi tani në një ekip të ri dhe shumë premtues. Gjatë Kampionatit Europian ne kishim një skuadër me moshë mesatare 24.5 vjeç, shumë të re për një ekip kombëtar. Mesatarja më e mirë është 27 vjeç, kur dhe lojtarët kanë më shumë eksperiencë”.
5. RAFALEL BENITEZ (Spanjoll)
Një fitues i Ligës së Spanjës me Valencian dhe fitues i Ligës së Kampioneve me Liverpulin. Dëmtimi i dha fund ambicieve të tij si lojtar kur ai ishte vetëm 20 vjeç, por e ndihmoi atë të bëhej një trajner i suksesshëm me Tenerifen përpara se të shkonte te Valencia. Benitez në vitin 2003: “Ju do të përballeni gjithmonë me kritikat, kështu që ju keni nevojë t’i bëni të tjerët të ndihen të sigurt për vendin e tyre, e më pas të vendosni rregulla të forta. Pak nga pak lojtarët do të njohin se çfarë ata duhet të bëjnë dhe ju do të fitoni autoritet si trajner”.
6. KARLOS BILARDO (Argjentinas)
Një figurë kyçe formacionit të Estudiantes të viteve 1960, e më pas një trajner i Kombëtares së Argjentinës në vitin 1986, e cila fitoi edhe Kupën e Botës. Ishte një trajner pragmatist, ndryshe nga romantizmi i Sesar Luis Menotit, edhe ky një fitues i Kampionatit Botëror në vitin 1978: “Për mua, ekipi që ka vetëm një stil loje nuk është i mirë. Ata duhet të njohin si të bëjnë markimin zonal, ose me një stoper, ose markim të kombinuar. Lojtarët duhet të përshtaten me rrethanat e lojës”.
7. SËR MAT BËSBI (Skocez)
Skocezi ishte i vetmi që ndërtoi një Mançester Junaitid të fortë pas shkatërrimit të ekipit në katastrofën e Munihut në vitin 1958 dhe pati një ndikim të fortë në “Old Traford” përpara mbërritjes së Sër Aleks Fergusonit në vitin 1986.
8. FABIO KAPELO (Italian)
Ish-lojtari i Kombëtares italiane kishte shumë pak eksperiencë si trajner kur pasoi Arigo Sakin te Milani në vitin 1991, por ai la shenjën e tij me kulmin e fitores 4-0 kundër Barcelonës në finalen e Ligës së Kampioneve në vitin 1994. Ka fituar tituj kampionë me Milanin, Juventusin, Romën dhe Realin e Madridit, duke fituar nëntë kampionate në 16 vjet. Është një njeri i kulturuar i fushës, - ka një koleksion impresionues të artit, modern - por trajneri aktual i Anglisë është i njohur për disiplinën e hekurt në menaxhimin e futbollit.
9. LUIS KARNILJA (Argjentinas)
Teknikisht, arritjet e tij të mëdha në fitimin e Ligës së Kampioneve me Realin e Madridit në vitin 1958 dhe 1959, por influenca e tij kaloi edhe përtej viteve 1960, kur ai mori drejtimin e Milanit në vitin 163 në fitimin e Kupës Interkontinentale kundër Santosit te Peles.
10. BRAJËN KLOF (Anglez)
I ashpër dhe “kokë-madh”, por i shkëlqyer si trajner, një fitues i denjë i Ligës së Kampioneve me Nontigem Forestin në vitin 1970 dhe 1980. Klof në vitin 1975: “Unë isha emocionalisht shumë i përfshirë me lojtarët dhe në tjera gjëra të këtij lloji, por sigurisht ata ishin futbollistë specialë dhe unë isha i lumtur të kisha të tilla marrëdhënie”.
11. JOHAN KRUJF (Holandez)
Një prej lojtarëve më të mëdhenj, i cili u bë trajneri i parë i Barcelonës që fitoi Ligën e Kampioneve, në vitin 1992, por dhe që fitoi katër tituj kampionë rresht në Spanjë, duke krijuar të ashtuquajturin “Dream Team” (ekipi i ëndrrave). Krujf në vitin 1992: “Futbolli është profesioni dhe jeta ime. Presidentët e klubeve janë juristë, bankierë, biznesmenë dhe ekspertë në fushat e tyre. Por unë nuk besoj se ndonjë prej tyre ka diçka për të më mësuar mua rreth lojës”.
12.KENI DAGLLISH (Anglez)
Trajneri-lojtar më i suksesshëm i të gjitha kohërave, duke udhëhequr Liverpulin në fitoren e dyfishtë në kampionat dhe Kupën e Anglisë, në vitin 1986, por u largua si pasojë e katastrofës së Hilsborufit.
13. VINSENTE FEOLA (Brazilian)
E ktheu Brazilin nga humbës të Kupës së Botës në fitimin për herë ta parë të Kampionatit Botëror në vitin 1958. Ishte njeriu që lançoi Pelen dhe Garinçën në lojën me globale në botë.
14. ALEKS FERGUSONI (Skocez)
A do të ndalojë ndonjëherë ai? Bosi i Mançester Junaitid dhe një prej menaxherëve më të stolisur të futbollit britanik, ka fituar tre tituj kampionë në Skoci, 11 kampionate në Angli, dy Liga të kampioneve dhe dy Kupa të Kupave.
15. RAJMOND GOETALS (Belg)
Për shumë vite trajneri dominues belg me Anderlehtin dhe Standard Liezhin, dhe më pas një fitues i diskutuar i Ligës së Kampioneve me Marsejën në vitin 1993 në moshën “rekord”, 71 vjeç.
16. BELA GUTMAN (Hungarez)
Pionieri hungarez, i cili i dha rrugë debutimit të Eusebios me Benfikën dhe udhëhoqi formacionin e Benfikës të frymëzuar nga Eusebio në fitimin e Ligës së Kampioneve në vitin 1961 dhe 1962. E pazakonshme për një trajner europian, ai gjithashtu punoi në Amerikën e Jugut, te Sao Paolo dhe Penjarolin.
17. ERNST HAPEL (Austriak)
Austiaku, që vdiq në vitin 1992, ishte një nga trajnerët më të suksesshëm të të gjitha kohërave. Pasi kishte fituar kampionate në katër vende të ndryshme (Holandë, Belgjikë, Gjermani dhe Austri), ai udhëhoqi Holandën në finalen e Kupës së Botës në vitin 1978 dhe fitoi Ligën e Kampioneve me ekipet e pallogaritshme Fejenord dhe Hamburg.
18. SEP HERBERGER (Gjerman)
Trajneri i Kombëtares gjermane deri në vitin 1964, ai është realizuesi i “Mrekullisë së Bernës” në vitin 1954, kur Gjermania fitoi Kampionatin e parë Botëror. Influenca e tij u shtri përtej viteve 1960 dhe 1970, teksa ai drejtoi fondacionin për trajnerët profesionistë, ku prej tyre shkëlqeu Helmut Shëni.
19. HELENIO HERRERA (Argjentinas)
Trajneri kozmopolit i fundit: i lindur në Marok, i rritur në Argjentinë, më pas lojtar i Kombëtares së Francës, përpara se të bëhej një trajner i suksesshëm në Spanjë, Portugali dhe Itali. I njohur me simbolet “HH”, ai ishte një miksim unik i disiplinës taktike lidhjes teknike, duke shndërruar në lojtarë të mëdhenj të tillë si Ladislav Kubala te Barcelona dhe Antonio Valentin Anxhelilo te Interi. Katenaçio e tij ishte perfekte dhe ndikoi në “krijimin” e yjeve të tillë si Luis Suarez, Xhaçinto Faketi dhe Sandro Macola. Udhëhoqi Interi në dominimin europian dhe botëror në mesin e viteve 1960.
20. GUS HIDINK (Holandez)
Holandezi i shumë-udhëtuar, i cili është specializuar për të ndihmuar kombëtaret e dorës së dytë mbi peshën e tyre reale. Provoi përshtatshmërinë e tij te Çelsi, duke i dhuruar klubit londinez Kupën e Anglisë sezonin e kaluar. Hidink në vitin 2002: “Në Perëndim, veçanërisht në Holandë, lojtarët e rinj mund të jenë më kokëfortë se sa duhet. Kjo mund të jetë një cilësi e mirë, por kryesisht është një gjë negative”.
21. OTMAR HITCFELD (Gjerman)
Përkrah Ernst Hapelit, trajneri aktual i Zvicrës, Otmar Hitcfeld, është i vetmi trajner që ka fituar Ligën e Kampioneve me dy klube të ndryshme: Borusian e Dortmundit në vitin 1977 dhe Bajernin e Munihut në vitin 2001. Është mbiquajtur “Gjenerali”. Ka fituar në total 18 tituj kampionë. Aktualisht drejton Kombëtaren zvicerane të futbollit. Ka aftësi në mësimin e gjuhëve të huaja. Është përzgjedhur dy herë si trajneri më i mirë në botë për vitin 1997 dhe 2001. I votuar si trajneri më i madh që ka pasur ndonjëherë Bajerni i Munihut.
22. EME ZHAKE (Francez)
Trajneri i Francës në fitimin e Kupës së Botës në vitin 1988, i cili bëri të pavlefshme kritikat e shumta të medias me triumfin e “Les Bleus” (Bluve). Fitoi tre kampionate me Bordonë në vitet 1980, përpara se të bëhej ndihmës i Zherard Hulierit, duke e pasuar atë më pas në vitin 1994.
23. UDO LATEK (Gjerman)
Një nga trajnerët më të sukseshëm gjermanë, i cili përkrah me Xhovanin Trapatonin, tre titujt e mëdhëenj europianë të klubeve me tre ekipe të ndryshme: Bajernin e Munihut (1974, Ligën e Kampioneve), Borusian e Mënshengladbahut (1979, Kupën UEFA) dhe Barcelonën (1982, Kupën e Kupave). Fitoi edhe tri tituj të tjerë kampinë me Bajernin në vitet 1980. Latek në vitin 1983: “Nëse lojtari flet pa lejë, ai është jashtë ekipit. Është thjesht kështu. Unë duhet të ruaj autoritetin”.
24. MARCELO LIPI (Italian)
Trajneri fitues i Kampionatit Botëror në vitin 2006 ka një prejardhje të fuqishme si fitues, duke fituar Ligën e Kampioneve në vitin 1996 dhe pesë kampionate italiane në dy periudha të ndryshme me Juventusin. Lipi në vitin 2007: “Të qenit i pushuar nuk është vetëm pjesë e punës së trajnerit, por dhe e dobishme, pasi ju lë ju të shtendosur, por dhe ju freskon”.
25.VALERI LOBANOVSKI (Rus)
I lidhur shumë afër me Dinamon e Kievit nga viti 1970 deri në viten 1990 ai gjithashtu drejtoi Bashkimin Sovjetik në Kampionatin Europian në vitin 1988. Një figurë e fortë që kërkon shumë sakrifica nga lojtarët e tij, por megjithatë ai mbetet një figurë atërore për lojtarë të tillë si Andrij Shevçenko.
26. VIKTOR MASLOV (Rus)
Trajneri rus i Dinamos së Kievit në vitet 1960 ishte i pari që aplikoi sistemin modern 4-4-2 me anësorët e tërhequr dhe presingun e fortë.
27. SEZAR LUIS MENOTI (Argjentinas)
“El Flaco’ (njeriu i dobët) fitoi pak si trajner klubesh, por fitorja e Kampionatit Botëror 1978 me Argjentinën i siguroi atij një reputacion gati mistik në botën spanjishtfolëse të futbollit. Preferenca e tij për një stil loje më romantik ofroi në kombëtare lojtarë të tillë si Mario Kempes dhe Osvaldo Ardiles. Menoti renditet te trajnerë të tillë të fuqishëm si Huan Karlos Lorenco dhe Karlos Bilardo. Eksperiencën e tij, Menoti u përpoq ta transmetonte te klubet e mëdha spanjolle si Barcelona dhe Atletiko Madrid. Menoti në vitin 1979: “Unë vazhdoj të favorizoj çdo lojtar të talentuar, por dhe më pak të tillë, por që janë të gatshëm të punojnë për ekipin”.
28. RINUS MISHELS (Holandez)
Qendërsulmuesi i Ajaksit dhe Holandës fitoi një famë të jashtëzakonshme si trajner midis viteve 1960 dhe 1975. I konsideruar si “babai i futbollit total”, ekipi i tij ishte super-fit me lojtarë teknikisht të fortë të aftë për të ndryshuar pozicionet në fushë gjatë zhvillimit të ndeshjeve nën udhëheqjen e të riut të talentuar Johan Krujf. Ajaksi fitoi tre Liga të Kampioneve rresht në fillim të viteve 1970, përpara se Mishels të shkonte te Barcelona. Ai udhëhoqi Holandën në finalet e Kampionatit Botëror të vitit 1974 dhe në fitoren e Kampionatit Europian të vitit 1988. Mishels në vitin 1981: “Lojtarët mendojnë se për shkak se ata kanë një dhuratë natyrale për të luajtur futboll ata mund të bëhen të mirëpaguar për hobin e tyre. Unë duhet t’i bind ata se ata mund të fitojnë para të madh vetëm duke përmirësuar të gjitha aftësitë e tyre”.
29. MILJAN MILJANIÇ (Serb)
Trajneri i “Yllit të Kuq” të Beogradit (Crvenza Zvezdës) dhe Realit të Madridit e mori përsipër Jugosllavinë në Kampionatet Botërore të vitit 1974 dhe 1982, duke pasur më vonë një influencë të madhe në Federatën e Futbollit të Jugosllavisë.
30. HOZE MURINJO (Portugez)
Pasi siguroi vendin e tij në histori, falë fitimit të Ligës së Kampioneve dhe Kupës UEFA me Porton, dhe kampionateve në Angli e Itali me Çelsin e Interin, Hoze Murinjo kërkon të triumfojë në Ligën e Kampioneve me Interin, çka do t’i siguronte atij një status special midis trajnerëve më të mirë në botë. Murinjo në vitin 2004: “Unë nuk mendoj se jam arrogant. Unë nuk jam këtu të jem çfarë ju doni që unë të bëhem, unë nuk jam këtu për t’u bërë pjesë e filmit tuaj”.
31. MIGEL MUNJOZ (Spanjoll)
I pari trajner që arriti të fitojë Ligën e Kampioneve si lojtar dhe trajner. Fitoi tri herë Ligën e Kampioneve kur ishte trajner i Realit të Madridit gjatë 14 viteve të tij në drejtimin e gjigantëvë spanjollë, duke qenë më “jetëgjati” në historinë e klubit madrilen. Munjoz drejtoi Spanjën në Kampionatin Botëror në vitin1982 dhe 1986.
32. BOB PAISLEJ (Anglez)
Trajneri më i suksesshëm britanik në kompeticionet europiane të klubeve, duke udhëhequr Livepulin në fitimin e tre Liga të Kampioneve (1977, 1978 dhe 1981) dhe Kupën UEFA.
33. KARLOS ALBERTO PARREIRA (Brazilian)
Trajneri fitues i Kampionatit Botëror të vitit 1994 me Brazilin, Karlos Alberto Parriera, ka drejtuar katër ekipe të ndryshme në finalet e Botërorëve: Kuvajtin (1982), Emiratet e Bashkuara Arabe (1990), Brazilin (1994 dhe 2006), Arabinë Saudite (1998) dhe tani Afrikën e Jugut (2010).
34. SËR ALF RAMSEJ (Anglez)
U bë i pari trajner anglez që fitoi titullin “Sër”, pasi i dha të vetmin Kampionat Botëror të fituar në vitin 1966 në “Uembli” nga shpikësit e futbollit. Një takticien pragmatik, ai luajti një rol të rëndësishëm në futbollin anglez, përpara se të shkarkohej për dështimin e tij duke mos e çuar Anglinë në finalet e Kupës së Botës në vitin 1974, por gjithsesi, mbeti një figurë popullore për publik deri në vdekjen e tij në vitin 1999.
35. OTO REHAGEL (Gjerman)
Kryevepra e tij në triumfin e paparashikuar të Greqisë në Kampionatin Europian të vitit 2004, falë taktikave mbrojtëse dhe vrapimeve të pafund në fushë, i siguroi atij një vend të përjetshëm në futbollin europian dhe pagëzimin “Mbreti Oto” në Greqi. Rehagel drejtoi për 14 vjet Verder Bremenin, ku arriti disa herë vendin e dytë në Gjermani, por dështoi te Bajerni, përpara se të merrte Kaiserlauternin nga kategoria e dytë drejt titullit kampion në sezonin e ardhshëm. Rehagel në vitin 2004: “Nuk është çështje nëse je trajner i vjetër në moshë apo i ri, por i suksesshëm apo jo i suksesshëm”.
36. BOBI ROBSON (Anglez)
Trajneri më i suksesshëm anglez në erën e futobollit modern në termat e titujve të fituar në mbarë Europën. Pas tetë vitesh si trajner i Anglisë, karriera e tij përfundoi kur ai humbi gjysmëfinalen në Kampionatin Botëror të vitit 1990. Robson drejtoi me sukses një numër të madh klubesh në Europë dhe fitoi trofe në Portugali, Spanjë dhe Holandë. Robson në vitin 1996: “Në vende si Spanja dhe Portugalia, trajneri nuk përfshihet në të gjitha punët e drejtimit të klubit, kurse në Angli ju bëni gjithçka. Te Barcelona unë bëja vetëm punën e trajnerit të skuadrës”.
37. NEREO ROKO (Italian)
Trajneri italian që udhëhoqi Milanin në sukseset e vitit 1963 dhe 1969 në finalet e Ligës së Kampioneve dhe në fitimin Kupës së Fituesve të Kupave në vitin 1697, por ai mbetet në panteonin e trajnerëve më të mirë, pasi zhvilloi sistemin e famshëm “Katenaçio” me klubin e qytetit të tij, Triestina në vitin 1950.
38. ARRIGO SAKI (Italian)
Trajneri që u bë i suksesshëm, edhe pse nuk ishte thuajse askush si lojtar. Ai tërhoqi vëmendjen e Milanit kur fitoi befasisht me Monzën e tij të Serisë B Kupën e Italisë. Pronari i ri i Milanit, Silvio Berluskoni, bëri ndoshta lëvizjen e tij më të mirë kur caktoi në bordin e skuadrës, Arrigo Sakin. Ai krijoi një stil tërheqës loje duke ndëtuar një skuadrër mikse midis yjeve italianë dhe holandezë. Udhëhoqi Kombëtaren italiane në finalen e Kupës së Botës në vitin 1994. Saki në vitin 1992: “Njëzet vjet më parë futbolli ishte bazuar në frikën e kundërshtarëve. Disa ekipe luanin kështu, por tani ka skuadra që dëshirojnë të argëtojnë tifozët duke fituar me aftësi dhe lojë sulmuese”.
39. TELE SANTANA (Brazil)
Trajneri i Brazilit në Kampionatin Botëror 1982 dhe 1986, Tele Santana ishte i njohur për stilin e tij sulmues, por dështoi në fitimin e trofeve. Gjithsesi, me këtë stil loje ai fitoi me Sao Paolon Ligën e Kampioneve të Amerikës së Jugut dhe Veriut dhe Botërorin e Klubeve. Santana në vitin 1989: “Në Brazil, mënyra se si ju fitoni nuk ka rëndësi. Unë jam pak i ndryshëm, unë nuk dëshiroj të fitoj në mënyrë çfarëdo dhe nuk dëshiroj që gjyqtarët të më ndihmojnë. Ata flasin shumë për mua, pas humbjes së Kupës së Botës, por unë jam i kënaqur pasi Brazili u vlerësua si ekipi më i mirë në Kupën e Botës nga çdokush”.
40. HELMUT SHËN (Gjerman)
Trajneri i vetëm që ka fituar Kampionatin Europian dhe Botëror, duke triumfuar me Gjermaninë Perëndimore në vitin 1972 dhe 1974. Shën në vitin 1975: “Këtu nuk ka gjëra të tilla si ‘Futbolli total’. Është një frazë e shpikur nga pseudo-ekspertët. Natyrisht, ne dëshirojmë një sistem gjithëfunksionësh në të cilën lojtarët të shprehin veten e tyre. Por, nuk do të jetë kurrë një ekip në të cilin dhjetë lojtarë të ndryshojnë rolet e tyre në mënyrë konstante brenda kornizës së përgjithshme të lojës. Ne duhet të kemi lojtarë të specializuar. A mund të luajë rolin e një mbrojtësi një golashënues race si Gerd Myler?”.
41. LUIZ FELIPE SKOLARI (Brazilian)
Trajneri fitues me Brazilin në Kampionatin Botëror të vitit 2002 kishte fituar famë të keqe si një trajner shumë i ashpër me lojtarët te Gremio dhe Palmeiras, kur fitonte Kupën Libertadores me të dyja skuadrat përpara se të merrte në dorëzim “Seleçaon”. Rrezikoi jo pak në fushatën kualifikuese, por ndërtoi një skuadër të fuqishme rreth Ronaldos së rilindur. Skolari në vitin 2002: “Nëse ne duhet të luajmë keq për të arritur objektivat, atëherë në do të luajmë në mënyrë të shëmtuar. Ekipi kombëtar duhet të jetë si familje. Gjithsecili duhet të ndihmojë njëri-tjetrin kur ka nevojë dhe të jetë për të përgatitur tjetrin kur ka nevojë”.
42. BILL SHANKLI (Skocez)
Skocezi “gjuhë-therës” udhëhoqi krijimin e Liverpulit modern, duke krijuar bazën e një gjenerate të suksesshme lojtarësh si në si në Angli ashtu dhe në Europë.
43. XHOK STEIN (Skocez)
Trajneri skocez që udhëhoqi Sëlltikun në rekordin e tij me nëntë kampionate të fituara rresht, dhe gjithashtu në triumfin e historik në fitimin e Ligës së Kampioneve në vitin 1967.
44. GIJ TIS (Belg)
Trajneri i Kombëtares së Belgjikës për një periudhë shumë të gjatë, gati për tre dekada, përfshirë edhe vendin e katërt në Kupën e Botës së vitit 1986, por dhe nënkampion i Europës në vitin 1980.
45. XHOVANI TRAPATONI (Italian)
I vetmi trajner që i ka fituar të tre kompeticionet europiane të klubeve dhe Botërorin e Klubeve, dhe të gjitha me Juventusin, gjatë dy kontratave të tij me klubin torinez. Xhovani Trapatoni fitoi gjithashtu kampionatin italian me Interin dhe tituj në Austri dhe Portugali.
46. LUIS VAN GAL (Holandez)
Trajneri holandez që fitoi Ligën e Kampioneve në vitin 1995 me një ekip të rinjsh shumë argëtues të Ajaksit, përpara se të transferohej te një skuadër e nivelit të lartë si Barcelona, ku fitoi dy tituj kampionë. Gjithsesi, ai dështoi me Holandën. Aktualisht më Bajernin është në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.
47. HOZE VILALONGA (Spanjoll)
Trajneri më i ri në moshë që ka fituar Ligën e Kampioneve, kur ishte vetëm 36 vjeç dhe 185 ditë, kur Reali i Madridit fitoi finalen e parë në vitin 1956. Ai drejtoi Atletikon e Madridit, duke fituar në vitin 1962 Kupën e Fituesve të Kupave, përpara se udhëhiqte Spanjën në Kampionatin Europian të vitit 1964.
48. ARSEN VENGER (Francez)
“Profesori”, i cili revolucionarizoi qëndrimin e klubeve angleze ndaj dietës dhe fitnesit dhe hapi sytë e zbuluesve për të ndjekura adoleshentët e talentuar në të gjithë botën. Venger në vitin 1996: “Në ditët tona yll është ekipi. Lojtarët që nuk i përshtaten kësaj mbesin vetë mënjanë skuadrës”.
49. MARIO ZAGALLO (Brazilian) I vetmi njeri që është i përfshirë në katër triumfe të Kupës së Botës. Një lojtar fitues në vitin 1958 dhe 1962, ai promovoi një sërë lojtarësh të talentuar, përfshirë dhe Pelen, si trajner në triumfin e skuadrës së tij në Meksikë në vitin 1970. Ishte ndihmëstrajner kur Karlos Albeto Parriera fitoi në vitin 1994. Ishte gjithashtu në finalet e vitit 1998.
50. OSVALDO ZUBELDIA (Argjentinas)
Bosi argjentinas i Estudiantesit të viteve 1960 fitoi një famë të keqe për fitimin me çdo kusht të përplasjeve të mëdha në Kupën e Botës së Klubeve kundër rivalëve europianë: Sëlltik, Mançester Junaitid, Fejenord dhe Milan.
Krijoni Kontakt