TIRANË - Presidenca sqaron rrethanat e faljes së 367 të dënuarve me burgim me anë të dekretit të dy ditëve më parë të Predidentit Bamir Topi. E ndikuar edhe nga reagimi publik pasi në listën e të falurve ishin edhe emra të njohur të botës së krimit, Drejtoria Juridike e Presidencës sqaron se falja është kryer bazuar mbi një serë kriteresh që përdoren në këto raste.
Sipas saj, për gjatë këtij procesi janë marrë në konsideratë rrethana të tilla si qenia i mitur në kohën e kryerjes së veprës penale; gjendja e rënduar shëndetësore dhe mosha e thyer, e cila nuk justifikonte vazhdimin e mëtejshëm të vuajtjes së dënimit si dhe fakti se disa të dënuar, sidomos gra ishin nëna të fëmijëve të mitur, një pjesë e të cilëve kishin mbetur pa kujdesin prindëror të asnjërit prind.
Gjithashtu sipas Drejtorisë Juridike të Presidencës falja e të dënurve është bërë duke marrë parasysh që vuajtja e dënimit për këta persona ia kishte arritur qëllimit duke i edukuar ata.
"Duke marrë parasysh se sipas referimit të bërë nga ana e institucioneve përgjegjëse mbi edukimin dhe rehabilitimin social të të dënuarve e pasi u bë e qartë se këta persona me sjelljen, punën dhe veprimet e tyre kishin provuar se me vuajtjen e dënimit e kishin përmbushur qëllimin për edukimin dhe rehabilitimin shoqëror, ndaj tyre u aplikua falje tërësisht / ose pjesërisht e dënimit të mbetur për të vuajtur", -citon presidenca.
Në listën e të falurve ishin edhe dy emra të njohur të piramidave të vitit 1997 Vehbi Alimuçaj ish-presidenti i VEFA-s dhe Fitim Kërxhalliu administrator i firmës "Gjallica".
Pavarësisht faljes së disa viteve burg, këta persona vazhdojnë të vuajnë pjesën e mbetur të dënimit. Dekreti i dy ditëve më parë i Presidentit Topi mund të cilësohet si më zemërgjëri ndër vite pas atij të ish-presidentit Berisha në vitin 1997.
Amnistia, Topi 'fal' 367 kriminelë
TIRANË- Presidenti i Republikës ka dekretuar mëngjesin e djeshëm amnistinë më të madhe të kryer ndonjë herë në Shqipëri, përjashto këtu atë të vitit 1997 të president Sali Berishës. Por mes 367 emrave të "hallexhinjve" që ka ndihmuar dje presidenti Bamir Topi ndodhen edhe gra që kanë vrarë burrat, njerëz që kanë trafikuar fëmijë, anëtarë të bandave kriminale si dhe bosët e skemave piramidale. Për këta persona presidenti ka firmosur për t'ú liruar nga burgu apo për t'i ulur dënimin.
Kështu bie në sy falja që i bëhet bosëve të firmave piramidale si Vehbi Alimuça apo edhe Fitim Gërxhalliu. Mëshirën e presidentit e kanë fituar dhe anëtarë të bandave të Emiliano Shullazit apo edhe ato të operacionit të zhvilluar në disa shtete si ai i njohur me emrin "Cikloni".
Asnjëherë si dje Presidenti i Republikës së Shqipërisë nuk ka qenë aq i mëshirshëm ndaj personave që kanë kryer veprimtari penale. Firma e presidentit ka bërë që një pjesë e mirë e njerëzve të botës së krimit jo vetëm të përfitojnë uljen e dënimit por edhe lirinë.
Bëhet fjalë për njerëz që jo vetëm kanë kryer vepra të rënda penale por edhe anëtarë të bandave kriminale apo edhe njerëz të politikës, siç është lirimi i ish-deputetit të Partisë Demokratike, Arben Lika. Në ndryshim me rastet e tjera, ku faljen e presidentit e kanë përfituar njerëz që ishin në përfundim të dënimit të tyre apo dhe gra të moshuara, me dekretin e djeshëm bie në sy se numri më i madh i të falurve rezultojnë të kenë kryer vepra të rënda penale. Kreu i shtetit ka dekretuar faljen kryesisht të një deri tre viteve burg të mbetura nga personat që kanë kryer vepra penale të ndryshme.
Por në listën e gjatë dallohen edhe raste kur një të dënuari i janë falur jo pak por një dekadë vite burgu. Në disa raste falja është disi e çuditshme pasi bëhet fjalë për njerëz që janë dënuar me gjoba dhe atyre u është falur dënimi, pikërisht gjoba që ata duhet t'i paguajnë shtetit shqiptar.
Listës së çuditshme të amnistisë i shtohen vepra penale nga më të frikshmet.
Vrasje personi, trafik fëmijësh, trafik femrash, trafik dhe shpërndarje droge, trafik raketash, pengmarrje, vjedhje, pjesëmarrje në organizata kriminale dhe si përfundim bosët e dy formave më të mëdha piramidale në Shqipëri, VEFA dhe Gjallica.
Amnistia, 140 të dënuar fituan dje lirinë
TIRANË - Falja e dënimit të mbetur apo edhe e disa viteve burg ka shkaktuar festë pothuajse në të gjitha institucionet e riedukimit në Shqipëri. Më shumë se 140 të dënuar për krime nga më të ndryshmet kanë fituar menjëherë lirinë ditën e djeshme.
Familjarët e tyre duket se ishin në dijeni të këtij fakti që për çudi ka qëndruar i fshehtë nga sytë e medias deri në momentin final. Të afërmit e të dënuarve kishin dalë në pritje të njerëzve të tyre ndërsa vetë të burgosurit kishin bërë gati plaçkat për të lënë qelitë.
Amnistia e djeshme është e rrallë për historinë e të burgosurve shqiptarë pasi bëhet fjalë për jo pak por 367 emra. Dje kanë lënë qelinë e burgut të dënuar si Xhevdet Troplini, i cili është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda si anëtar i bandave kriminale dhe trafikut ndërkombëtar të drogës. Dënimi është dhënë nga ajo gjykatë që dënon vetëm persona shumë të rrezikshëm ndërsa lirimi i menjëhershëm nga kryetari i KLD-së që kontrollon të gjitha gjykatat.
Zyra për shtyp e Presidentit bëri të ditur se kreu i shtetit dekretoi dënimin numër 6516 me propozim të organeve të pushtetit lokal dhe të institucioneve të tjera dhe duke u mbështetur në disa pika ligji. "Në mbështetje të nenit 92, pika "b" dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenit 70 të Kodi Penal të Republikës së Shqipërisë, nenit 1 të ligjit nr. 6299, datë 27.03.1981 "Për faljen", të ndryshuar me ligjin Nr. 7682, datë 09.03.1993 "Për disa ndryshime në ligje", citon zyra për shtyp e Presidentit. Po sipas zyrës së shtypit, bëhet e ditur se propozimi për falje për sa i përket grave të dënuara, ka ardhur në presidencë nga shoqatat e ndryshme në mbrojtjen të grave ndërsa për meshkujt është bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Argumentimi për amnistinë ndaj grave është se pasi kanë vrarë burrat e tyre, u kanë mbetur fëmijët jetimë dhe nuk kush ti rrisë.
Disa nga perfituesit e amnistise:
Davë Preng Nikolli
E dënuar me 15 vjet heqje lirie pasi më vitin 2003 ka vrarë për motive të dobëta Ilir Nikollin.
Aishe Sali Pojana
Aishe Sali Pojana, 45 vjeçe, banuese në Baldushk-Tiranë, më datë 11.03.2007, ka vrarë me sende të forta bashkëshortin, shtetasin Hasan Haxhi Pojana, 52 vjeç.
Pranvera Manjani
Pranvera Qemal Manjani, 48 vjeçe dhe Sonila Murat Manjani, 18 vjeçe, kane vrarë me mjete të forta bashkëshortin dhe babanë Murat Vesel Manjani, 55 vjeç.
Valmora Mahmutaj
Është dënuar me 15 vjet heqje lirie për trafik të të miturve. Ndërsa në mars të vitit 2009 Interpol Tirana ka kryer ekstradimin e saj nga Spanja.
Vasilika Mazniku
Vasilika Mazniku, nënë e dy fëmijëve, është dënuar për vrasje me dashje të vjehrrës së saj.
Vezire Sul Sina
Ka vrarë babanë në vitin 2003 në Lushnje.
Violeta Qazim Danieli
E dënuar me 18 vjet heqje lirie sepse gjykata e rrethit Kruje, e ka dënuar me 18 vjet burg, për veprën penale të vrasjes në bashkëpunim.
Bosët e skemave piramidale
Fitim Gërxhalliu
I dënuar me 11 vjet burg me akuzën e ndërtimit të firmës piramidale "Gjallica".
Vehbi Alimuça
Ish-bosi i VEFA-s, Vehbi Alimuça, është dënuar me 17 vjet burgim.
Anëtare të bandave kriminale
Bledar Petref Balliu
Është dënuar me 12 vjet heqje lirie nga Gjykata e Krimeve të Rënda si koka e grupit kriminal të njohur me emrin "Poter-Al". Fajtor për akuzat e "Trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim", "Falsifikimit të pasaportave", "Falsifikimit të akteve të gjendjes civile" më shumë se një herë, etj
Durim Kadri Tafa
Arrestohet në maj të vitit 2003 si pjesë e një grupi kriminal italo-shqiptar që merrej me trafikun e femrave
Erges Fadil Ymeraj
I arrestuar në korrik të vitit 2006 në kuadër të operacionit të quajtur "Identikit" për veprën penale të organizimit dhe drejtimit të organizatave kriminale.
Gjergj Cukali
I arrestuar në korrik të vitit 2004 për pengmarrjen e Fatjon Demirlikës. Cukalli ka qenë i dënuar më parë me 7 vjet heqje lirie për plagosjen e një shtetasi, grabitjen e një motori në Lushnjë, falsifikim dokumentesh, si dhe shpërndarje droge si dhe i dyshuar si anëtar i një bande kriminale.
Mustafa Xheka
Është dënuar në vitin 2007 me 5 vjet burg, i njohur si anëtar i bandës së "Niklës".
Neada Kota
E njohur si anëtare e një grupi kriminal të koduar me emrin "Debatik". Neada Kota, u arrestua më 9 dhjetor 2008 në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ku po tentonte kalimin drejt Greqisë me 700 gramë heroinë të fshehura në trup.
Selfo Driza
I njohur si anëtar i bandës së Emiliano Shullazit, mbi të cilin rëndojnë akuzat për kryerjen e krimit të "trafikimit të narkotikëve", në kuadër të organizatës kriminale.
Sokol Mujaj
I dënuar si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte rakete tokë -ajër.
Sokol Uxhi
I arrestuar në kuadër të operacionit të koduar "Harem 2005", si pjesëmarrës në një organizatë kriminale në fushën e trafikut të drogës, armëve, si dhe të trafikimit të femrave.
Xhevdet Troplini,
I arrestuar për përfshirje në një grup kriminal, në qendër të të cilit ishte trafiku ndërkombëtar i drogës.
Ymer Bakaj
I dënuar 13 vjet heqje lirie me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike, trafikimit të armëve e municioneve dhe falsifikimit të letërnjoftimeve apo vizave.
Dejvis Luan Koleci
Është dënuar me 12 vjet heqje lirie, në akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. U kap me 10 kg heroinë.
Të dënuar me vepra të ndryshme kriminale
Arben Lika
I dënuar me 6 vjet burg, për veprën penale të mashtrimit kryer më shumë se njëherë.
Besnik Gani Keta
I dënuar për vrasjen e vëllait të "të fortit të Tiranës", Gaz Muçës, Rolandit më 31 korrik të vitit 1998
Fatmir Mulgeci
I dënuar me 13 vjet heqje lirie për veprën penale "të torturës me pasoje vdekjen".
Nasar Meli
I dënuar me 12 vjet heqje lirie me akuzën e pengmarrjes në bashkëpunim për qëllime fitimi.
Nulifer Elezi
I dënuar vetëm një muaj më parë nga gjykata e krimeve të rënda me 21 vjet heqje lirie.
Skënder Kulla
Autorë i vrasjes me lëndë plasëse të Liljana Beqos.
Ketu lista e plote e personave qe kane perfituar nga Amnistia e fundit.
Krijoni Kontakt