Kryeministri ka deklaruar dje se do të negociojë me të gjitha forcat, por, sipas tij, Nano duhet ta harrojë
“I kemi 84 votat për të zgjedhur presidentin me një ansambël deputetësh”
Shkruan: Nevila Perndoj
TIRANË - Maxhoranca e djathtë i ka votat për zgjedhjen pas një viti të presidentit të ardhshëm të Republikës së Shqipërisë. Garancia vjen nga vetë kryeministri Sali Berisha i pyetur në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në “Vizion Plus”. Kreu i ekzekutivit ka konfirmuar mbrëmë se qeveria që ai drejton është e hapur për negociata me të gjitha forcat politike, përfshi këtu Partinë Socialiste. Ai ka ftuar për negociata edhe kryetarin e opozitës, Edi Rama. Megjithatë, Berisha ka konfirmuar në të njëjtën kohë se i ka 84 votat për president, përmes një ansambli deputetësh dhe jo përmes aleancave me ndonjë parti të opozitës, përfshi LSI-në. Ai theksoi gjithashtu se ish-kryeministri Fatos Nano nuk mund të jetë presidenti i ardhshëm i vendit.
Deklarata
“Unë kam thënë që jam i hapur më të gjitha forcat politike. Unë në rast se shpreh keqardhjen për situatën që është katandisur sot forca kryesore e opozitës, pra që ndodhet de-fakto pa platformë, pa alternativë, (sepse ajo që u paraqit u rrëzua në kongres), kjo nuk më pengon mua që të negocioj me të gjithë opozitën, sikundër theksoj se votat janë të sigurta për të zgjedhur presidentin me 84 vota. I përket atyre që të vendosin, të ulen apo mos të ulen në negociata. Unë i qëndroj deklaratave të mia, që nuk mund të pengoj aspak në zgjedhjen e Presidentit”, - tha Berisha.
I pyetur se a përfshihen votat e LSI-së, në këtë kuorum, ai u përgjigj: “Tani llogaria shkon tek përgjegjësia e parlamentarëve shqiptare për të mos e futur vendin në spirale luftërash elektorale për pushtet. Kështu që, mund të them se ka ujdi në Kuvend për 84 vota. Nuk them se është midis forcave politike, por deputetëve në tërësi. Pra ekziston ansambli për të zgjedhur Presidentin. Është i krijuar kuorumi”.
Me insistimin e gazetarit Babaramo se kandidatura për President, a mund t’i përkasë LSI-së, kryeministri Sali Berisha u përgjigj se një pak i tillë nuk ekziston. “Jo. Nuk ekziston në mënyrë absolute asnjë marrëveshje me ndonjë forcë tjetër politike, përveç këtyre që kemi në koalicion. Por ka deputetë të tjerë të cilët shprehen të vendosur. Pavarësisht nga kriza që janë zhytur, edhe z. Rama (është i ftuar) të ulet në tavolinë nëse është i gatshëm”, - tha ai.
Nano president?
Pak kohë më parë në të njëjtin emision, sekretari i përgjithshëm i PS-së, Pandeli Majko, nuk përjashtoi edhe mundësinë e kandidimit të Fatos Nanos nga PS-ja për president. Rreth kësaj deklarate, është pyetur dje edhe kryeministri Sali Berisha, i cili ka mohuar çdo mundësi zgjedhje të Nanos në këtë post
“Pas kësaj deklarate Majko ka rënë në fatkeqësi. Ka filluar protesta në parti. Majko nuk e përsërit dot me atë. Natyrisht, harroje se Fatos Nano mund të bëhet president i këtij vendi. Nanos ia shua ëndrra në vitin 2002. Tani probleme ka më të vetët sepse ata po i bëjnë tani një persekutim politik të paparë. Ka rrezik që ngjet si me qenë i internuar. Pse? Kjo është çështje e tyre. Po fakti është fakt. Që e kanë futur në kafaz”,- tha Berisha. Kryeministri njoftoi gjithashtu se ai nuk do të ndërhynte në rast konflikti që mund të lindte mes kryetarit aktual të PS-së, Edi Rama, dhe paraardhësit të tij, Fatos Nano.
“Unë nuk përzihem. Nuk me takon mua. PS-ja është partia kryesore opozitare. Ajo ka forcat brenda vetes”, - shtoi ai.
Krijoni Kontakt