Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 12 prej 12
  1. #11
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443

    Burgosja e Halim Spahisë dhe e patriotëve të tjerë shqiptarë

    Burgosja e Halim Spahisë dhe e patriotëve të tjerë shqiptarë
    Shkruan: Prof.dr. Nuri Bashota
    E vërteta objektive për Kosovën shqiptare si vazhdimësi e Dardanisë së lashtë ilire(8)
    Si mund të shihet nga të dhënat relevante arkivore dhe deklaratat e pjesëmarrësve në këtë Delegacion, martiri Halim Spahia bashkë me disa pjesëmarrës të këtij Delegacioni, i parashtroi J.B.Titos dhe Qeverisë Jugosllave “Memorandumin” nga Mbledhja e cekur më lartë e Këshillave të Rretheve të Kosovë-Metohisë të datës 19-24 mars 1945, me të cilin parashtrohej kërkesa e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, ndalimi i kthimit të kolonistëve serbomalazez në Kosovë etj. Jo vetëm që anëtarët e udhëheqjes së Kosovë-Metohisë nuk i përkrahen këto kërkesa legjitime të Delegacionit të Shqiptarëve të Kosovës para J.B.Titos, por para se të behej kjo tradhti e madhe ndaj Kosovës në Prizren më 6-10 korrik, ata urdhëruan burgosjen e Halim Sphisë dhe të atyre anëtarëve të Delegacionit zyrtar që ishin të J.B.Titoja, të cilët duke u thirrur në “Rezolutën e Bujanit” dhe Kartën e Atlantikut” kërkuan respektimin e të drejtës së vetëvendosjes së popullit shqiptar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, çka ishte premtuar me “Rezolutën e Bujanit”.

    Tradhtia e vasalëve komunistë

    Në këto akte tradhtie e gënjeshtrash të fabrikuara nga Serbia dhe vasalët e tyre komunist shqipfolës në Prizrenin më 9-10 korrik 1945, mu në kohën kur patriotët e devotshëm shqiptarë të LNDSH-së e të “Besës Kombëtare” zhvillonin luftime të rrepta në malet e Kosovës kreshnike kundër riokupimit serbosllav, Udhëheqësi i lartë të Kosovë-Metohisë Xhavit Nimani (Ministër i Punëve të Brendshme) në Referatin e tij të parashtruar në “Kuvend të Kosmetit” më 19 korrik 1945 jo vetëm që nuk parashtroi kërkesat për respektimin e “Rezolutës së Bujanit” për të cilen kishte votuar më 1 janar1944 në “Kuvendin e Bunjajt”, por deklaroi të kundërtën: ”Në mbledhjen e fundit të ASNO të Serbisë, delegatët e KNÇL-së të Kosmetit, të cilët kanë qenë të pranishëm si mysafirë në atë mbledhje ( fjala është për renegatin Mehmet Hoxha.-vërejtje e autorit), kanë shprehur dëshirën që Kosova e Metohia të hyjnë në suaza të Serbisë Federale. Prej atëherë e këndej ajo dëshirë u përhap me shpejtësi të jashtëzakonshme nëpër Kosovë e Metohi. Na mendojmë se jemi të ftuem me e ba sot këtë gja…Për këtë arsye asht dëshira e turmave ma të gjana popullore të Kosovë Metohisë që të bashkohemi me Serbinë Federale” 30) Arkivi i Kosovës,Vjetari, Nr. Jubilar, Prishtinë 1983, faqe 185.

    Mirëpo, si është fare mirë e njohur, ata delegat të cilët në takimin me Titon më 4 prill 1945 në Beograd parashtruan kërkesë decidive,që në bazë të së drejtës për vetëvendosjes së shqiptarëve të fituar edhe me Luftën kundër fashizmit, e cila premtohej në “Rezolutën e Bujanit” të garantuar edhe me Kartën e Atlantikut, të realizohen premtimet për bashkimin e Kosovës me Shtetin Amë- Shqipërinë, u burgosën dhe nuk arritën te dalin gjallë nga kazamatet jugosllave. Njëherësh, Halim Spahia edhe pse ishte nënshtetas i Shqipërisë dhe deputet të ish Parlamentit të Mbretërisë Shqiptare, u burgos nga Sigurimi shqiptarë dhe u ekstradua nga Enver Hoxha OZN-ës jugosllave në vendbanimin e tij në Kukës, edhe pse ishte nënshtetas i Shqipërisë. Ky patriot i ndritur dhe luftëtar i patrembur që sakrifikoi me plotë vetëdije diturinë, pasurinë, familjen dhe jetën e tij të shtrenjtë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin kombëtar në Shqipërinë Etnike demokratike properëndimore, u dënua me vdekje – pushkatim bashkë me 5 bashkëpunëtor të tij në Procesin antishqiptarë të Prizrenit më 27.IX.1945 nga Gjyqi “Popullor” i udhëhequr nga eksponenti i krimeve të komunizmit jugosllav Hivzi Sulejmani – kryetar i Gjykimit, dhe i gjykatësve Kolë Shiroka e Qamil Brovina, si dhe Ali Shykria (prokuror krahinor), ndërsa 20 patriotë të tjerë po në këtë proces u dënuan me burg të rëndë, nga të cilat kazamate shumica prej tyre nuk dolën gjallë. Prandaj, martiri Halim Spahija ish-Deputet i Parlamentit të Mbretërisë Shqiptare, themelues i “Lëvizjes Irredentiste Antifashiste Shqiptare”, kryetar i Komitetit Qendror të LNDSH-së dhe kryetar i Këshillit të Rrethit të Prizrenit, për shkak se nuk u pajtua me mbetjen e Kosovës në Jugosllavi dhe as me aneksimin e Kosovës nga Republika e Serbisë, por kërkoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duke u mbështetur edhe në “Rezolutën e Bujanit”, u pushkatua bashkë me 5 bashkëpunëtorët e tij në “Strelishte” të Prishtinës më 16 shkurt 1946, në të cilin pushkatim inspektoi vetë Hivzi Sulejmani, si kryetar i gjykimit bashkë me prokurorin publik Ali Shukriun dhe me një mjek serb. Mirëpo të indinjon dhe të revolton fakti se Hivzi Sulejmanit, i cili përveç tjerash në Procesin antishqiptar të Prizrenit, më 27 shtator 1945, gjykoi 26 patriotë shqiptarë, prej të cilëve 6 anëtarë të KQ të LNDSH-së i dënoi me vdekje, ndërsa 20 patriotë të tjerë me burg të rëndë, iu ngritën përmendore dhe me emrin e këtij eksponenti të krimeve të komunizmit jugosllav u emërtuan institucione arsimore-kulturore, të cilat ende i mbajnë këto institucione tona. Ajo që është edhe më frapante, qëndron në faktin se edhe pas çlirimit të Kosovës nga okupimi serbosllav, vazhdoi të glorifikohet emri i këtij eksponenti të krimeve të komunizmit, duke organizuar “Manifestime letrare për nderë të Hivzi Sulejmanit”.

    Në një manifestim të mbajtur më 30 gusht 2005, një akademik shqiptar në referatin e tij kryesor me plot entuziazëm e madhështi lartësoi këtë eksponent të krimit të komunizmit jugosllav duke theksuar përveç tjerash sa vijon: “Hivzi Sulejmani, guximtar letrar që krijoi letërsi kryngritëse etj.”.

    Ky glorifikim i Hivzi Sulejmanit, kryetarit të Gjykimit në Procesin antishqiptar të Prizrenit, i cili gjykoi dhe dënoi me pushkatim 6 patriotë shqiptarë, kurse patriotët e tjerë me dënime drakonike, po ndodh mu në kohën kur kërkohet nga Republika e Kosovës që krahas hapjes së dosjeve sekrete, të dënojë krimet e komunizmit (denoncuesve, gjykuesve dhe ekzekutuesve) si kusht për hyrjen e Kosovës në Procesin e Asoscim-Stabilizimit për integrim në Unionin Evropian, si dhe për arritjen e pajtimit kombëtar midis shqiptarëve në Kosovë.

    Demistifikimi i miteve serbe mbi Betejën e Kosovës

    Si është e njohur nga historiani Franz Babinger dhe autorët e tjerë objektivë, popujt e krishterë të Ballkanit, duke parë rrezikun nga invadimi turk, hynë në aleanca të njëpasnjëhme për luftë të përbashkët kundër turqve osmanlinj, ndër të cilat luftëra vendimtare ishte Beteja e Maricës më1371, Beteja e Kosovës më 1398 dhe Beteja e Varnës më 1444, në të cilat ushtritë e dobëta të feudalëve të krishterë pësuan humbje të njëpasnjëshme. Pas fitores së turqve në këto tri luftëra kundër aleancave të vendeve të krishtera të Ballkanit e më gjerë, invadimi osman nuk pati më pengesa për pushtimin e vendeve ballkanike dhe të Evropës Juglindore. Këto fitore të osmanlinjve, u kurorëzuan edhe me pushtimin e Konstantinopojës nga Sulltan Mehmet Fatiu, duke e mbajtur Ballkanin për afro 500 vjet nën sundimin e tyre, gjithnjë deri në Kryengritjen e madhe shqiptare 1910-1912, krahas “Luftërave ballkanike” 1912-1913 në të cilën Aleancë qëllimisht nuk ishin ftuar edhe shqiptarët.

    Mirëpo, ndër këto tri luftërat vendimtare të popujve të krishterë të Ballkanit kundër turqve osmanlinj, Beteja e Kosovës më 1389 mbetet e mbuluar me një nebulozë mitesh e gojëdhënash të paverifikuara të popujve të Ballkanit në përgjithësi dhe të popullit serb në veçanti. Prandaj historiografia serbe, nën ndikimin e këtyre miteve të Kishës së tyre Ortodokse e cila po dominon që nga mesjeta e deri më sot, ende nuk arriti që në bazë të së vërtetës objektive të lirohet nga këto mite dhe të shndërrohet në shkencë të mirëfilltë, ashtu që nga shumë aspekte t’i demistifikojë këto mite.

  2. #12
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443
    Sabile Keçmezi-Basha: Edhe gratë shqiptare në burgjet jugosllave
    E Diel, 24-10-2010, 08:00pm (GMT+1)


    EDHE GRATË SHQIPTARE NË BURGJET JUGOSLLAVE


    Nga Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha


    Në procesin gjyqësor që u organizua kundër Halim Spahisë me shokë prej 25 (njëzetepesë) vetave, në këtë proces dolën edhe 9 (nëntë) gra, që ishin anëtare të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare.
    Por, frika nga masa e tubuar që ishte mbledhur para sallës së kulturës në Prizren, me 27 shtator 1945, i detyroi pushtetarët dhe gjykatësit, që këtë proces makabër gjyqësor ta ndajnë në dyshë. Me 27 shtator u mbajt seanca e fundit e Halim Spahisë me shokë, ndërsa me 22-23 tetor u mbajt seanca përfundimtare kundër grupit të grave që e përbënin nëntë veta.


    Në emër të popullit të Jugosllavisë


    Gjykata Popullore e Krahinës, në Prizren, e formuar prej kryetarit të Gjyqit- Hivzi Sylejmani, kryetar i kolegjiumit, me gjyqtarët e popullit: Predrag Ajtiq, e Ahmet Nallbanin si anëtar të kolegjiumit. Ndërsa në seancë asistonte edhe sekretari Mustafa Biçoku, në çështjen penale kundra të akuzuarave Laura Shmani e të tjerave nga Prizreni. Në bazë të aktakuzës të Prokurorit Publikë për Kosovë K. Nr. 202/45, dt. 12. X. 1945, për faje të parapara me nenin 6 të Ligjit mbi fajet kundër popullit dhe shtetit. Mbasi ishte mbajtur seanca kryesore publike në Prizren me dt. 22-23 tetor 1945, në prezencën e të akuzuarave dhe të Zëvendës Prokurorit Publik për “Kosmet”, Radoja Vukqeviq, dhe mbasi ishte dëgjuar aktakuza përfundimtare e zëvendës Prokurorit Publik, që kërkohej me këmbëngulje që të arrestuarat të shpallen fajtore dhe të dënohen sa më rëndë.
    Pas shumë ditëve të kaluara në hetuesi, pas shumë torturave që ishin përdor ndaj tyre dhe pas shumë shantazheve që iu kishin bërë, më në fund të dënuarave iu shqiptua dënimi nga gjykatësi.


    Të dënuarat e këtij procesi gjyqësor


    Pasi se grupi i Halim Spahisë ishte dënuar me vite të mëdha dënimi, një gjë e tillë pritej edhe për atdhetaret e devotshme të Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar.
    1. E dënuara e parë ishte Laura Shmani, e cila ishte e lindur në Parma, provinca Emilija- Itali. Babai i saj quhej Ugo dhe nëna Luçije e lindur Furije. Kur u arrestua ishte e moshës 25 vjeçare. Ishte e martuar për Ali Rizën dhe së bashku me burrin jetonte në Prizren. Me profesion ishte shtëpiake, me kombësi italiane. I takonte besimit katolik. Ishte nënë e një fëmije. Gjendjen ekonomike e kishin të vështirë. Deri në ditën që u arrestua ishte e pa dënuar.
    2. Nesibe Zhuri, ishte një aktiviste e madhe e cila ishte angazhuar me shpirt për çështjen e pazgjidhur kombëtare. Në kohën kur u arrestua ishte 17 vjeçe, nga babai Hysen dhe nëna Fatime. Ishte e lindur në qytetin e Prizrenit dhe aty jetonte e punonte. Me kombësi shqiptare e besimit mysliman. Në kohën kur u arrestua ishte nxënëse e gjimnazit të qytetit. Ishte e pa martuar dhe e pa dënuar.
    3. Gjyljana Mateja, kishte lindur në Prizren, 18 vjet më parë. Ishte e bija e Tomës dhe nënës Paulinë, e lindur Kola. Me profesion ishte rrobaqepëse, shqiptare me besimin katolik. Ishte e pamartuar, dhe kishte një gjendje të rëndë ekonomike. Deri sa organet e ndjekjes e arrestuan më parë nuk kishte qenë e dënuar.
    4. Luqije Bashota në kohën kur u arrestua ishte në moshën 17 vjeçare. E lindur në Prizren, nga babai Luz dhe nëna Mrika e lindur Luzi. Ishte nxënëse e gjimnazit në qytet dhe ishte shqiptare e besimit katolik. Ishte e pa martuar. Familja e saj kishte një gjendje të mesme ekonomike. Ishte e pamartuar dhe e pa dënuar më parë.
    5. Roza Mjeda, ishte e lindur në Prizren nga babai Kristë dhe nëna Çiçile e lindur Jaku. Në kohën kur u arrestua ishte 18 vjeçe. Merrej me rrobaqepësi. Ishte shqiptare e besimit katolik. Ishte e pa martuar dhe e pa dënuar. Familja e saj kishte një gjendje të mesme ekonomike.
    6. Roza Cuki, ishte lindur në qytetin e Prizrenit, nga babai Ndreka dhe nëna Çeçilie e lindur Shahuni. Ishte e moshës 21 vjeçare kur u arrestua. Kryente punët e shtëpisë dhe ishte angazhuar në Komitetin Nacional-Demokratik Shqiptar. Ishte shqiptare dhe kishte besimin katolik. Ishte e pa martuar dhe e pa dënuar. Vinte nga një familje mesatare e kamur.
    7. Mane Shyti, e lindur në Katundin e Ri, komuna e Gjakovës nga babai Shyti dhe nëna Gjyle. Në kohën kur iu shqiptua dënimi ajo jetonte në Prizren. Në kohën kur u arrestua Manja ishte 15 vjeçare. Merrej me punë të shtëpisë. Ishte shqiptare e besimit katolik. E pa martuar dhe e pa dënuar deri në ditën e arrestimit. Vinte nga një familje me gjendje të dobët ekonomike.
    8. Çeçilija Krasniqi, ishte e lindur në Prizren nga babai Kolë dhe nëna Rozë. Në kohën kur u arrestua ishte 23 vjeçare. Shqiptare e besimit katolik. Me profesion ishte shtëpiake. Ishte e pa martuar dhe e pa dënuar. Familja e Çeçiljes kishte gjendje të rëndë ekonomike.
    9. Mrika Gjoka ishte nga Prizreni nga babai Prenga dhe nëna Marije e lindur Marku. Kur u arrestua i kishte 19 vjeç. Merrej me punë të shtëpisë. Ishte shqiptare e besimit katolik. E pa martuar dhe e pa dënuar më parë.
    Gjykata Popullore Krahinore me 23 tetor 1945 të gjitha këto i shpalli fajtore duke i akuzuar se në muajin maj 1945, ato në bashkëpunim me grupin e Halim Spahisë dhe me atdhetarët e tjerë që ndodheshin në arrati, fillimisht ishin anëtarësuar në radhët e NDSH-së, duke dhënë betimin para anëtareve të Komitetit Qendrorë të NDSH-së, në Prizren, e më vonë kishin formuar Komitetin e femrave të NDSH-së, po në këtë qytet.
    Aktiviteti i tyre gjatë këtyre muajve kryesisht ishte përqendruar në atë se ato ishin aktive në mbledhjen e informatave për lëvizjen dhe aktivitetin e Ushtrisë Jugosllave, duke iu mundësuar atdhetarëve se në çfarë drejtimi dhe në cilat rajone munden me u strehua dhe ku mund të zhvillonin më sigurt aktivitetin ilegal të tyre. Bile dallohet aktiviteti i pamohueshëm i Laura Shmanit e, i Nesibe Zhurit, të cilat në mënyrën më të mençur, kanë ditur dhe kanë gjetur rrugët më të përshtatshme për tu takuar me ilegalen jashtë qytetit, vetëm e vetëm për të përcjellë informatat që i kishin mbledhë në terren.
    Gratë shqiptare që ishin të angazhuara në ilegale në përgjithësi, e në veçanti dalloheshin Laura Shmani, Nesibe Zhuri, Gjuljana Mateja, Luçija Bashota, Roza Mjeda, Roza Cuku dhe shumë të tjera që ishin të organizuara për mbledhjen dhe grumbullimin e ndihmave materiale, po ashtu edhe në sigurimin e armatimit të nevojshëm për ta. Sipas të dhënave që na i ofron aktgjykimi i tyre, thuhej se gjatë kësaj periudhe, ato për Komitetin Qendror të NDSH-së, kishin arritur që të blinin dhe nëpër mes korrierëve t’iu dërgonin tri revole me municion, pesë bomba, një makinë shkrimi, një sasi të madhe sapunë, veshmbathje dhe gjëra të tjera që ishin të domosdoshme për të arratisurit në male.


    Formimi i Komitetit të grave në Prizren


    Grupi i grave të akuzuara, sipas aktgjykimit, thuhej se ato gjatë muajit maj dhe qershor kishin rënë në kontakt me grupet e arratisura në mal të cilët nuk ishin pajtuar me një status të Kosovës që të ngel nën okupimin serbë. Ato, me një vetëdije të lart kishin marr detyra dhe i kishin kryer ato me përpikëri duke iu ndihmuar atyre me informata të rëndësishme që kishin mbledh në terren dhe nëpër mes korrierëve i kishin përcjell atyre në mal, por, herë pas here ato edhe vet kishin shkuar për t’iu dërguar materiale të ndryshme.
    Duhet cekur se Laura Shmani, Nesibe Zhuri, Gjyljana Mateja, Luçije Bashota, Roza Mjeda dhe Roza Cuki, në fillim të muajit maj të vitit 1945, ishin takuar me Sefedin Hajredinin, i cili në atë kohë jetonte legalisht në Prizren, por vazhdimisht kishte qenë si lidhje e besueshme e të arratisurve me qendrën dhe me ndihmën e tij ishte formuar Komitetin i grave të NDSH-së në Prizren. Pas formimit të komitetit nga lidhje të caktuara merr vesh se ishte zbuluar për aktivitetin e bërë. Nga qendra merret qëndrimi që ai urgjentisht duhej të largohej nga qyteti dhe të fillojë një jetë ilegale. Megjithëse kishte ikur Sefedin Hajredini, gratë e angazhuar në komitet nuk e ndërprenë punën, por përkundrazi aktiviteti i komitetit çdo ditë e më tepër shtonte aktivitetin. Ato, gjatë veprimtarisë së komitetit mbajtën shumë mbledhje, në të cilat u diskutonte gjatë e shtruar për situatën politike në Kosovë dhe për okupimin e ri që po e aplikonte Serbia mbi Kosovën.
    Në një mbledhje, që ishte e një rëndësie të veçantë, Laura Shmani dhe Nesibe Zhuri kishin folur për organizimin, rendësin dhe detyrat e komitetit të grave. Po në këtë takim të gjitha anëtarët e pranishme kishin bërë betimin për besnikëri ndaj komitetit dhe ndaj idealeve të tyre.
    Betimi i dhënë para anëtareve kishte këtë tekst “Betohem në flamurin tonë shqiptarë që do të punojmë për lirinë tonë dhe që do të luftojmë ne të gjitha anët kundër partizanëve dhe kurrë nuk do e tradhtojmë idenë tonë”. Pasi se të gjitha në mënyrë solemne japin betimin, po ashtu në këtë mbledhje zgjidhet Këshilli i Komitetit, i cili kishte për detyrë të jepte direktivat për punën e mëtejshme të komitetit dhe të angazhohej për të mbledh dhe marr informata për situatën në terren.
    Për kryetare të komitetit ishte zgjedhë Gjulijana Mateja, për sekretare ishte propozuar dhe zgjedhur Luçije Bashota, për arkëtare të komitetit ishte zgjedhur Nesibe Zhuri. Ndërsa Laura Shmani ishte angazhuar që me anën e korrierëve ti dërgoi materialet e mbledhura të arratisurve në male. Roza Mjeda dhe Roza Cuki ishin angazhuar që në mënyrën më konspirative të grumbullonin informata dhe ndihma të tjera për t’iu dorëzuar Laura Shmanit.
    Sipas të dhënave që kemi, konstatohej se Nesibe Zhuri, Gjulijana Mateja, Luçije Bashota dhe Roza qysh në pranverën e vitit 1944 kishin rënë në kontakt me nacionalistët shqiptar dhe kishin pranua të punojnë në Organizatën ilegale, ngase për grumbullimin, shpërndarjen dhe organizimin në kushte në çfarë vepronte organizata, më të përshtatshmet ishin gratë, andaj edhe në një mbledhje që kishte mbajtur Prof. Ymer Berisha para ilegales, kishte kërkua që sa më shumë gra të angazhohen në ilegale. Ato me punën e tyre kishin dëshmuar se janë atdhetare të devotshme, dhe se me konsekuencë kryejnë të gjitha punët në të cilat angazhohen. Gjatë kësaj periudhe ato pa u trembur fare nga rreziku që iu kanosej në çdo hap, kishin bërë shumëzimin e materialit propagandistikë, kishin qëndisur flamuj kombëtar shqiptarë dhe rreth vetës kishin grumbulluar një numër të konsideruar vajzash të cilat ishin të gatshme që të punonin për organizatën.


    Dënimet e shqiptuara


    Gjykata Popullore, me 23 tetor 1945, të gjitha të lartpërmendurat i akuzonte në bazë të nenit 6 të Ligjit mbi Fajet kundra popullit dhe shtetit në lidhje me nenin 1 pika 10 e 9 dhe nenit 8, alineja 1 të Ligjit mbi llojin e dënimeve dhe Ligjit mbi konfiskimin e pasurisë dhe ekzekutimin e konfiskimit.
    1. Laura Shmanit iu shqiptua dënimi me humbje lirie prej 5 vitesh burg të rëndë dhe me punë të detyrueshme në vazhdim prej pesë vjetësh. Dënohej me humbjen e të drejtave politike e disa qytetare me përjashtim të tyre prindërore ne vazhdim prej 5 vjetësh aq sa iu kishte llogarit mbas vuajtjes së dënimit dhe me dënim të konfiskimit te një shtëpie në rrugën Marrshall Tita në Prizren.
    2. E dënuara e dytë ishte Gjulijana Mateja, e cila u dënua me 2 vite burg, me punim të detyrueshëm në vazhdim prej dy vitesh, me kusht që dënimi ti llogaritet nga dita e arrestimit, me humbjen e të drejtave politike dhe disa qytetare përveç të asaj prindërore në vazhdim prej tri vitesh, që do ti llogaritet mbas vuajtjes së ndëshkimit.
    3. Luçije Bashotës, Gjykata Popullore i shqiptoi dënimin prej një viti burg me punë të detyrueshme me vazhdim prej një viti që do ti llogaritet prej ditës së arrestimit.
    4. Edhe Roza Mjedës gjykata i shqiptoi dënimin prej një vitit burg me punë të detyrueshme.
    5. Nesibe Zhuri, poashtu u dënua me një vit burg të rëndë, dhe me punë të detyrueshme.
    6. Roza Cukit iu shqiptua dënimi prej një vitit burg dhe ishte e obligueshme për punë të detyrueshme sa i zgjatë koha e burgosjes.
    Ndërsa, nga aktakuza u liruan: Mane Shyti, Çeçilija Krasniqi, dhe Mrika Gjoka.
    Edhe pse u dënuan dhe vuajtën burgun, të gjitha të dënuarat asnjëherë nuk u penduan dhe nuk i treguan shokët me të cilët vepruan ilegalisht. Bile edhe pas daljes nga burgu disa nga ato kishin vazhduar me veprimtari ilegale, siç ishte rasti i Nesibe Zhurit, e cila më vonë u angazhua në organizatën ilegale “Lidhja e Prizrenit” që veproi në Prizren.





    --------------------------------------------------------------------------------
    Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •