Thaçi shkarkon kryeshefat edhe të tri agjencive
Prishtinë, 13 prill - Kryeministri Hashim Thaçi, duke u mbështetur në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjet përkatëse, ka vendosur të suspendojë nga detyra e Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Pyjore të Kosovës Muzafer Lumën.
Vendimi për suspendimin e Lumës është marrë pas konstatimit të përgjithshëm se në APK është treguar nuk janë realizuar detyrat dhe përgjegjësitë e kërkuara. Arsyet e vendimit ndërlidhen edhe me të dhënat e ofruara nga raporti i Auditorit të Përgjithshëm e që konsistojnë me vërejtje për aktivitete të prokurimit në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, si dhe dhënie në shfrytëzim të tokës pyjore në kundërshtim me ligjin.
Në kuadër të APK-së janë vërejtur edhe mungesa e mbikëqyrjes dhe menaxhimit efikas të stafit të agjencisë, mospërfillje të vendimeve të Inspektoratit të Pylltarisë, mungesë efikasiteti në mbrojtjen dhe kontrollin e pyjeve, mosrealizim i planeve të ripyllëzimit dhe të rrallimeve parakomerciale të pyjeve, si dhe dështim në parandalimin e prerjeve ilegale të pyjeve dhe mosraportim real për prerjet ilegale.
Kryeministri Thaçi ka vendosur të mos i vazhdohet kontrata Kryeshefit Ekzekutiv të Entit të Statistikave të Kosovës Avni Kastratit. Vlerësimi negativ për punën e Kastratit ndërlidhet me shkeljet e vazhdueshme që janë evidentuar edhe në raportet e Auditorit të Përgjithshëm, përfshirë vërejtjet për aktivitete të dyshimta të prokurimit, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Në përgjithësi, thuhet në komunikatën e Zyrës për komunikim me publikun, Kastrati ka dështuar në menaxhimin efikas të Entit të Statistikave të Kosovës dhe nuk ka arritur rezultatet e kërkuara.
Gjithashtu, Kryeministri ka vendosur që të shkarkojë nga detyra edhe kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Hamit Bashollin, si pasojë e rezultateve të dobëta në punën e kësaj agjencie, si dhe mosmenaxhimit efikas të saj.
Si theksohet më tutje në këtë komunikatë, këto vendime janë pjesë e angazhimeve në kuadër të rritjes së efikasitet në punën e këtyre agjencive, me qëllim të fuqizimit të qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, rritjes së transparencës, si dhe në frymën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. /koha/
Krijoni Kontakt