PD kundërshton ashpër zgjedhjet serbe në Kosovë

Në konferencën e sotme të Partisë së Drejtësisë, para gazetarëve foli nënkryetari Mr. Amir Ahmeti, i cili deklaroi se Partia e Drejtësisë kundërshton ashpër shpalljen dhe përpjekjen për mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës, respektivisht në Mitrovicë dhe Artanë, në kundërshtim të plotë me dispozitat e Kushtetutës së vendit. Përkundër faktit se Përfaqësuesi Civil ndërkombëtar dhe përfaqësuesi i Bashkësisë Europiane në Kosovë, Feith ka deklaruar se nuk do të njeh rezultatin e zgjedhjeve lokale në Mitrovicë të organizuara nga Serbia, Partia e Drejtësisë konsideron se kjo nuk është e mjaftueshme dhe se këto zgjedhje duhet të ndalohen në tërësi dhe të mos mbahen fare. Me këtë rast Partia e Drejtësisë kërkon nga institucionet e vendit si dhe nga zyrtarët e lartë ndërkombëtar Piter Feith dhe Yves de Kermabo që në mënyrë strikte të respektojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e vendit, që përndryshe në vazhdimësi kërkohet nga organet më të larta të Bashkësisë Europiane dhe ato ndërkombëtare.

“Instalimi i standardeve të dyfishta në skenën juridike dhe politike të vendit nuk i kontribuon qëllimit për të cilin në Kosovë ka ardhë misioni EULEX sundimit të rendit dhe ligjit, përkundrazi i hap rrugë anarkisë ligjore dhe ndërhyrjes së fuqishme të politikës në drejtësinë e vendit nga të gjitha anët varësisht nga interesat e politikës ditore. Me lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të një shteti fqinjë brenda territorit të shtetit tonë, institucionet e vendit do të dëshmojnë mosgatishmëri të plotë për zbatimin e Kushtetutës së vendit ndërkaq misioni Eulex dhe Grupi mbështetës ndërkombëtar i Kosovës ambivalentë të palejueshme që afatgjatë mund të cenojë stabilitetin e vendit me përpjekjet e vazhdueshme të shtetit Serb për federalizimin dhe ndarjen e Kosovës, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e vendit”, deklaroi nënkryetari Ahmeti.

Partia e Drejtësisë po ashtu shprehu pakënaqësinë e thellë për situatën e krijuar rreth realizimit të të drejtave pensionale të punëtorëve kosovar që me vite kanë punuar në shtetin e Zvicrës. Në këtë drejtim PD kërkon që menjëherë të ngriten komisionet e përbashkëta të ekspertëve shëndetësor dhe të politikave sociale të Kosovës dhe të Zvicrës me qëllim të procedimit të lëndëve kontestuese brenda Kosovës.

Pika e fundit e konferencës për media iu dedikua shëndetësisë kosovare, për të cilën PD kërkon reforma substanciale në këtë sektor, të propozuara disa herë nga zyrtarët e sajë të lartë, në mënyrë që të ndalohet derdhja e dhjetëra miliona Eurove të qytetarëve të Kosovës në shtetet e rajonit përkundër faktit se Kosova disponon me kuadrin e nevojshëm profesional për ofrimin e këtyre shërbimeve. /mesazhi/