Për faqe të zezë
Sot (9 prill 2010) në ditën e dyvjetorit të Kushtetutës së Kosovës, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! organizuan një aksion simbolik përmes së cilit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj Kushtetutës së imponuar të Kosovës si dhe vendimeve antikombëtare të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo e fundit u ngjyros me ngjyrë të zezë, ashtu siç është e zezë fytyra e saj e vërtetë.
Më poshtë janë të paraqitura arsyet se pse u hodhën qese me ngjyrë të zezë në muret e objektit të Gjykatës Kushtetuese.
Gjithashtu, më poshtë mund t’i gjeni edhe 5 arsyet të cilat u vendosën në rrethinën e objektit të Gjykatës dhe që i shpjegojnë në mënyrë më të përmbledhur arsyet e aksionit të sotëm.
Gjykata Kushtetuese është gjykata më e lartë e Planit të Ahtisaarit.
Me vendimet e saj të para ajo na ka treguar se sa e etur është që t’i shkojë zbatimit të këtij plani antishqiptar deri në fund.
Fatin e stemës së Kuvendit Komunal të Prizrenit do ta kenë edhe ato pak institucionet të mbetura me simbolikë kombëtare shqiptare.
Mision i kësaj gjykate është që Kosova të bëhet joshqiptare.
Kjo gjykatë me vendimet e veta po e sulmon dhe fyen popullin shumicë të Kosovës.
Kjo gjykatë po na e përdhos identitetin dhe historinë.
Vendimet e saj gjykata po i arsyeton me “interpretimin dhe zbatimin e Kushtetutës”.
Kushtetutë Kosova ka pasur edhe në kohën e Rankoviçit, por ajo nuk ka qenë jona.
Ligj ka pasur edhe në kohën e Rrahman Morinës, por ai ka qenë i huaj.
Në çastin që gjithçka arsyetohet me “zbatim të ligjit”, njerëzit bëhen robotë.
Ligji duhet të jetë yni, jo i Ahtisaarit.
Gjykata Kushtetuese nuk është marrë asnjëherë me veprimet e përditshme antikushtetuese të strukturave paralele të Serbisë.
Kjo do të thotë që ose gjykata i konsideron këto struktura të drejta, ose vetë e shkel Kushtetutën të cilën e zbaton vetëm kur është nevoja kundër shqiptarëve.
Gjykata Kushtetuese nuk është marrë as me postet e dyfishta antikushtetuese të Kryeministrit e të Presidentit.
Drejtësia selektive është padrejtësi.
Padrejtësia është ekskluzivisht antishqiptare.
Kjo gjykatë, ashku sikurse edhe të gjitha gjykatat tjera të EULEX-it dhe Planit të Ahtisaarit, janë për faqe të zezë.
Ato na e qitën faqen e zezë.
ARSYET QË U VENDOSËN NË RRETHOJAT E GJYKATËS:
1. Gjykata Kushtetuese është e Kushtetutës së Ahtisaarit, jo e qytetarëve.
2. Kjo gjykatë merr vendime kundër popullit shumicë të Kosovës.
3. Ajo merr vendime antikombëtare, kundër identitetit dhe historisë sonë.
4. Nuk i shpall antikushtetuese strukturat paralele të Serbisë, por Lidhjen e Prizrenit.
5. Nuk i shpall antikushtetuese postet e dyfishta të udhëheqësve politikë, por shqiponjën dykrenare.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Prishtinë, 9 prill 2010
![]()
Krijoni Kontakt