Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e mujoislam
    Anëtarësuar
    22-01-2010
    Postime
    246

    Bujaria, mëshira dhe durimi janë virtyte të njeriut të edukuar mirë

    Të lutem bekoje robin dhe pejgamberin Tënd të zgjedhur me të cilin
    je i kënaqur, Muhammedin, familjen dhe shokët e tij! Ndërsa mua
    më ruaj nga e gjithë ajo që më bën të brengosur dhe prej meje
    largoje pikëllimin tim. O më i Miri, prej të cilit kërkohet çdo e mirë
    dhe më i Ndershmi, në të cilin shpresojmë, O më i Mëshirshmi,
    mëshira e të cilit kërkohet, ma jep të mirën të cilën vetëm Ti je i
    denjë ta dhurosh! O më i Mëshirshmi! “Më mjafton All-llahu! Sa
    sundues i mrekullueshëm është Ai!”

    O Ti që Jakubit a.s. ia ke kthyer të parit dhe dëshpërimin e tij e
    ke shndërruar në gëzim!
    O Ti që e ke mëshiruar lotin e Davudit dhe i cili e ke larguar
    sëmundjen e Ejjubit!
    O Ti që e pranon lutjen e të vobekëtit kur të lutet dhe që e
    nxjerr nga mjerimi atë që të lutet dhe shpreson në Ty!
    O Ti që je i vetmi Krijues i vërtetë dhe Zot të cilit i shërbehet!

    Besimtari gjithnjë mbetet i njëjtë, pa marrë parasysh kohën
    apo situatën. Ai mbetet i pathyeshëm në besim, me një fytyrë të
    njëjtë dhe në të njëjtën rrugë. Ndërsa dyfytyrëshi ndryshon sipas
    kohës dhe rastit, duke e shikuar vetëm dobinë e vet duke mos çarë
    kokën për askë tjetër.

    Bëhu fqi i mirë, do të jeshë besimtar! Dëshiroju njerëzve atë që
    e dëshiron për vete, do të bëhesh i drejtë! Mos qesh shumë sepse
    kjo ta dëmton zemrën dhe tërë trupin!

    Ruaju nga ndalimet e All-llahut xh.sh., do të jeshë i devotshëm!
    Bëhu i kënaqur me atë që ta ka dhënë All-llahu xh.sh., do të jeshë i
    pasur!

    Njerëz, ose do të stoliseni me durim, ose do të shkatërroheni!
    Nuk je në besimin e vërtetë përderisa ua zbulon të metat
    të tjerëve, ndërsa vetë nuk je pa to. Andaj së pari largoi të metat tua,
    e lëri të tjerët dhe të metat e tyre. Por, dije se kurrë nuk do të mund
    t’i largosh të gjitha të metat tua, andaj është më me rëndësi t’u
    përkushtohesh dhe të merresh me to.
    Nëse dëshiron të jeshë i drejtë, atëherë mos i hulumto të metat e të tjerëve, kështu që edhe
    për All-llahun xh.sh. do të jeshë i dashur dhe i këndshëm.

    Njeri! Sa i dobët dhe i pakujdesshëm që je! Të tjerëve ua
    zbulon mëkatet, ndërsa mëkatet tua i lë pas dore dhe i harron. Në
    sytë e vëllait e sheh edhe të metën më të vogël, e në syrin tënd nuk
    e sheh a trarin. Sa e vogël është drejtësia yte, ndërsa sa e madhe
    padrejtësia!

    I dërguari i All-llahut, s.a.v.s., ka thënë: “Bamirësit e kësaj bote
    do të jenë bamirës edhe në botën tjetër, sepse atyre All-llahu xh.sh.
    do t’ua falë gabimet për të mirat që ua kanë bërë krijesave të Tij. Në
    Ditën e Gjykimit do t’u thuhet: “Veprat tuaja të mira dhurojani kujt
    të dëshironi, sepse ua kemi falër veprat tuaja të këqija”. Dhe ata do
    t’i dhurojnë të mirat e veta dhe ashtu përsëri do të bëhen bamirës”.

    Fisnikëria dhe sinqeriteti janë vetitë më të mira.
    Xhihadi më i mirë është ai që zhvillohet kundër epsheve
    (lakmive) personale.
    I mbaj mend njerëzit të cilët në dinarin dhe dirhemin e vet nuk
    i kanë dhënë vetes më shumë të drejtë se vëllait në fe. Po ç’është
    me ju, o njerëz; bëni koprraci në atë për çka modeomos do të jepni
    llogari!?

    Dituria është më e mirë se trashëgimi, edukata është fytyra më
    e pastër; devotshmëria është furnizimi më i sigurt; ibadeti është
    fitimi më i mirë¸ mendja është udhërrëfyesi më i mirë; sjellja e mirë
    është shoku më i mirë¸ butësia është ndihmësi më i mirë; kënaqësia
    është pasuria më e madhe; ndihma e All-llahut është ndihma më e
    mirë; ndërsa përkujtimi i vdekjes është predikuesi më i mirë.
    Mos u bën si ai që e grumbullon diturinë e të diturve dhe
    mençurinë e të mençurve, ndërsa ndaj të Vërtetës sillet si i marrë.

    Kush ka edukatë të keqe, e ka dënuar veten.
    Kush ka pasuri të madhe, ka mëkate të mëdha.
    Kush flet shumë, shpesh gabon.
    Po të mos ishte dituria, njerëzit do të ishin si kafshët.

    Paraardhësit tuaj janë shembull për ju në edukatën e mirë.
    Merrni këshillë, All-llahu ju mëshiroftë!

    Te njeriu i mençur gjuha është pas zemrës dhe kur dëshiron të
    thotë diçka, së pari mendon mirë. Nëse thënia e tij do të jetë e
    dobishme, atëherë e thotë, në të kundërtën heshtë. Ndërkaq te i
    padituri zemra është pas gjuhës. Ai flet sa herë që do duke mos
    menduar fare.
    Besimtari në mesin e njerëzve është dinjitoz, kurse në vetmi
    është falënderues ndaj All-llahut. Është i kënaqur me fatin i cili i
    është dhënë. Gjithnjë falënderon për komoditetin dhe duron në
    vështirësi.

    Nëse gjendet në shoqërinë e atyre që e kanë harruar Allllahun,
    ai e kujton All-llahun, kurse kur gjendet në shoqërinë e atyre
    të cilët e kujtojnë All-llahun, kërkon falje për mëkatet e veta. Ja, të
    tillë kanë qenë shokët e Të dërguarit të All-llahut, s.a.v.s., gjatë tërë
    jetës së tyre. Të tillë kanë qenë edhe të parët tuaj të mirë. Gjendja
    juaj është ndryshuar ngase ju e keni ndryshuar veprimin tuaj ndaj
    All-llahut xh.sh.

    O Krijuesi ynë, tregoja mëshirën tënde udhëheqësit tonë
    Muhammedit a.s. dhe familjes të tij fisnike, as’habëve të tij dhe të
    gjithë besimtarëve! Ndërsa, neve na dhuro siç u ke dhuruar robërve
    të sinqertë dhe të dashurve Tu të devotshëm. Ti je i Gjithëfuqishëm
    dhe Ndihmës në të mira. Neve na mjafton All-llahu, Ai është Zot i
    mrekullueshëm! Falënderimi qoftë vetëm për All-llahun, Krijuesin
    dhe Sunduesin e botëve!

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e mujoislam
    Anëtarësuar
    22-01-2010
    Postime
    246
    Nena


    1 vjeç kur ishit me duart e saja ju lau dhe ju ushqeu;
    E falenderuat duke qarë tërë natën dhe duke e lënë pa gjumë.

    2 vjeç kur ishit ju mësoi të ecnit;
    E falenderuat duke ikur nga dhoma kur ju thërrsite.

    3 vjeç kur ishit, u përgatiti gjellërat tuaja më të preferuara;
    E falenderuat duke e derdhur pjatën nën tavolinë.

    4 vjeç kur ishit u mësoi të mbanit në dorë lapsa me ngjyra të ndryshme;
    E falenderuat duke bërë vizatime të ndryshme nëpër muret e shtëpisë.

    5 vjeç kur ishit ju zbukuroi me rroba tërheqëse;
    E falenderuat duke u rrëzuar në gropën e parë me baltë që e vërejtët.

    6 vjeç kur ishit erdhi së bashku me juve në shkollë;
    E falenderuat duke i thënë:
    “Nuk shkoj rrugëve të “lagjes”.

    7 vjeç kur ishit ua dha një top dhuratë;
    E falenderuat duke e thyer xhamin e fqiut matanë.

    9 vjeç kur ishit ua gjeti një mësues të pianos;
    E falenderuat, duke mos mësuar notat të paktën vetëm një ditë.

    10 vjeç kur ishit me automobilë ju dërgoi nëpër ditëlindje e deri tek mësimet për vallëzim dhe në çdo vend tjetër;
    E falenderuat duke zbrit me vrap nga vetura dhe duke mos e shikuar aspak.

    11 vjeç kur ishit me shokun tuaj ju dërgoi në kinema;
    E falenderuat duke i thënë:
    “Ti mos u ul së bashku me ne”.

    12 vjeç kur ishit nuk dëshiroi të shikoni programet degjeneruese dhe të dëmshme në televizion;
    E falenderuat, duke i shiquar tërë ato programe gjersa nuk ishte ajo në shtëpi.

    15 vjeç kur ishit ju dërgoi për pushime verore në shtetet e jashtme;
    E falenderuat duke mos ia shkruar të paktën asnjë rresht letër.

    17 vjeç kur ishit ju lejoi që të shkoni në parti më shokun (shoqen) tuaj;
    E falenderuat duke mos ia bërë asnjë telefon dhe duke u kthyer në shtëpi në të gdhirë të agimit.

    19 vjeç kur ishit ua pagoi shpenzimet e shkollës, me veturë ju dërgoi në konvikt dhe ua barti rrobat e juaja;
    E falenderuat duke u përshëndetur te dera e konviktit që të mos tallen shokët tuaj.

    21 vjeç kur ishit dëshiroi t’ju japë udhëzime për jetën dhe karierën tuaj;
    E falenderuat duke i thënë “Unë nuk bëhem sikur ti”.

    22 vjeç kur ishit ju përqafoi me krenari në ceremoninë e diplomës universitare;
    E falenderuat duke kërkuar para që të shëtisni nëpër Europë.

    24 vjeç kur ishit dëshiroi të takonte djalin që ju më një kohë të gjatë po takoheshit;
    E falenderuat duke i thënë: “Kohën kur duhet ta takosh atë e di unë”.

    25 vjeç kur ishit ua pagoi shpenzimet e dasmës, për juve shumë u gëzua dhe njëkohësisht u emocionua;
    E falenderuat duke u shpërngulur në një qoshe të botës.

    30 vjeç kur ishit dëshiroi t’ju këshillojë rreth mbikqyrjes së foshnjes Suaj;
    E falenderuat duke i thënë: “Leji ma këto udhëzime të kahmotshme”.

    40 vjeç kur ishit ju përkujtoi për ditëlindjen e një të afërmi tuaj;
    E falenderuat duke i thënë:“Nënë kam shumë punë”.

    50 vjeç kur ishit, ajo u sëmurë shumë, kur shkuat ta vizitonit gjatë vikendit të fundjavës, ajo u gëzua;
    E falenderuat duke i treguar se pleqtë bëhen nazelinj sikur fëmijët.

    Duke thënë kështu e ashtu një ditë…

    Ajo, vdiq…

    Atë që nuk mund ta bënit për të deri në këtë ditë, Në atë moment ju ra sikur një vetëtimë në zemrat e juaja…
    NËSE ËSHTË GJALË, EDHE MË TEJ SË BASHKU JETON ME JU,

    KËTË HERË ATË DUANE MË SHUMË SE KURDOHERË…

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e mujoislam
    Anëtarësuar
    22-01-2010
    Postime
    246
    Dynjaja
    Kjo botë, ka marrë emrin dynja (në arabisht) për shkak se është e pavlerë dhe përfundon shumë shpejt.

    Për të krijuar një nocion më të qartë rreth kësaj bote, dynjasë, Profeti alejhisselam e përshkruan me fjalët:”Shembulli i kësaj bote në krahasim me botën tjetër, është si të fusësh gishtin në oqean dhe të shohësh sa ujë ke marrë.” Nëse gishtin do e zhysnim një një pellg me ujë, vallë sa do e reduktonte ujin e pellgut?! Nëse uji që i ngjitet gishtit nga një pellg është i pakrahasueshëm me atë të pellgut, vallë çfarë do të mendonim për detin dhe oqeanin?!

    Me këtë hadith, Profeti alejhisselam kërkon që ne t’a trajtojmë dynjanë ashtu siç e meriton, sipas vlerës së saj reale. Duke qenë të ndërgjegjshëm që kjo botë i ngjan një pike uji të një oqeani të pafund, atëherë e kuptojmë sa e pavlerë është konkurrenca dhe rivaliteti i pamëshirshëm mes nesh. Prandaj, nëse humbasim diçka nga kjo botë, nuk ka përse të zemërohemi dhe trishtohemi.

    Secili prej nesh, kemi lexuar shumë literaturë islame dhe kemi dëgjuar ligjërata dhe hytbe të shumta, mbi zhvlerësimin e kësaj bote.

    Në fakt, hadithi i mësipërm dhe shumë tekste të tilla, flasin mbi realitetin e jetës së kësaj bote dhe nuk kanë si qëllim zhvlerësimin total të saj. Dhe dallimi mes realitetit dhe zhvlerësimit është i madh. Një fakt të tillë e gjejmë dhe në Kuranin famëlartë. Zoti në Kuran, ka folur mbi realitetin e kësaj bote dhe nuk është synuar zhvlerësimi i saj.

    Për këtë, ne bëmë një studim të vogël dhe gjetëm se dynjaja është përmendur në Kuran njëqind e pesëmbëdhjetë herë. Po aq është përmendur dhe ahireti, bota tjetër. Kjo na bën të kuptojmë që Kurani ashtu siç flet për dynjanë, flet dhe për ahiretin, pa i hyrë në hak asnjërës prej tyre.

    Madje, unë do të shkoj pak më tutje dhe do të përmend një ajet Kurani ku Zoti i madhëruar na mëson dhe një lutje të rëndësishme ku thotë:“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)” (Bekare 201)

    Në këtë ajet, ne shohim që Zoti i madhëruar ka përmendur fillimisht të mirat e kësaj bote para atyre të botës tjetër. Kjo, pasi njeriu është i lidhur me këtë botë, mendja dhe zemra e tij punojnë fillimisht për këtë botë.

    Nëse do të edukonim një brez që e urrente këtë botë dhe jepej tërësisht pas botës tjetër, ky do të ishte një edukim i gabuar.

    Ajo që duhet të bëjmë, është që t’ju veshim syze te duhura për t’a parë dynjanë në realitetin e saj, ashtu siç është. Vetë Zoti i madhëruar aq herë sa ka përmendur dynjanë, ka përmendur ahiretin në Kuranin famëlartë. Kështu, ne duhet t’i balancojmë kërkesat e kësaj bote me ato të botës tjetër.

    Një fëmijë që edukohet me urrejtjen për këtë botë, do e neglizhojë tërësisht jetën, nuk i kushton asnjë rëndësi punës, suksesit dhe zhvillimit.

    Ne si muslimanë, na kërkohet që të jemi liderë të kësaj bote, të ndërtojmë civilizime, të zhvillojmë teknologjinë dhe të gjithë fushat e jetës. Kjo botë, nuk ka përse të ndahet nga bota tjetër.

    Imam Buhariu tregon:”Kur do të flisja mbi këtë botë, e filloja bisedën me përkujtimin e Zotit të madhëruar, pastaj flisja mbi dynjanë.”

    Tregohet se dikush e pyeti profetin Nuh alejhisselam, i cili jetoi mbi një mijë vite:”Si të është dukur jeta e kësaj bote?”

    Nuhu alejhisselam iu përgjigj:”Më është dukur si një godinë me dy dyer, ku unë kam hyrë nga njëra derë dhe kam dalë nga tjetra.”

    Kështu, jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër veçse një urë dhe shteg për të kaluar në botën tjetër.

    Ebu Dher El-gafarij, na jep një përkufizim interesant mbi zuhdin në këtë botë. Ai thotë:”Zuhdi, nuk është të privosh veten tënde nga hallalli dhe as në shpenzimin e të gjithë pasurisë, duke mos mbajtur për vete as një qindarkë. Por zuhdi është duke e gjetur qetësinë tek shpërblimi i Zotit më shumë se tek shpërblimi i njerëzve.”

    Kështu, zuhdi në këtë botë është duke e shpresuar shpërblimin nga Zoti i njerëzve dhe jo nga njerëzit.

    Dijetari dhe zahidi i njohur Abdul Kadir Kilanij, i tha një ditë njërit prej nxënësve të tij:”O biri im! Mos jetë preokupimi yt më i madh si të vishesh, çfarë të hash, ku të banosh, si të martohesh etj... Preokupimi yt më i madh të jetë në format me të cilat fiton kënaqësinë dhe shpërblimin e Zotit të madhëruar.”

    Gjë e bukur është që njeriu të shëtisë në lulishte dhe kopshte të bukur, por gjatë kësaj kohe, le të sjellë ndërmend kopshtet dhe lulishtet e xhenetit. Gjë e bukur është që ai të merret me bujqësi, të mbjellë zarzavate dhe perime. Por më e bukur është kur këto e ndihmojnë të lidhet me Zotin e madhëruar.

    Njerëzit e mirë dhe muslimanët e mëparshëm, ecnin me parimin:”Jeto në këtë botë si një i huaj, ose si një kalimtar.”

    Në një hadith, Profeti alejhisselam e përshkruan jetën e muslimanit në këtë botë, si një kalorës në udhëtim, është ndalur të pushojë nën hijen e një peme, të cilën më pas e braktis për të vazhduar udhëtimin. Kjo botë nuk është gjë tjetër veçse një shteg për të kaluar në botën tjetër. Secili prej nesh mund të jetojë gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetë vite, të cilat kalojnë si në ëndërr dhe pa u ndjerë.

    Thotë Profeti alejhisselam në një hadith tjetër:”Jeto në këtë botë si një i huaj, ose si një kalimtar.”

    Një i huaj, përpiqet të mos jetë agresor ndaj vendasve, tregohet i qetë, me kulturë, pyet dhe kërkon vetëm gjënë e nevojshme.

    Ndërkohë që një kalimtar dhe udhëtar, ka vetëm një synim të qartë: Të arrijë sa më shpejt në objektivin e tij.

    Ebu Bekri, Uthman ibnu Affani dhe Abdurrahman ibnu Auf, ishin pasanikët më të mëdhenj mes kurejshëve. Këta ishin njerëzit më të afërt të Profetit alejhisselam, megjithatë, hadithet e mësipërme nuk i kuptuan si ftesë për të braktisur pasurinë, jetën e mirë dhe luksoze në këtë botë.

    Ebu Bekri, para se të bëhet Halifeja i gjithë muslimanëve, ishte tregtari më i suksesshëm i pëlhurave në Medine. Ai bënte tregëti në të gjithë Gadishullin Arabik.

    Pasi u bë Halife, paria e sahabeve u mblodhën dhe i thanë:”O Prijës i besimtarëve! Ose mbaj Kalifatin, ose tregtinë!”

    Ai u tha:”Po si do e përballoj jetesën unë me familjen?!”

    Umer ibnul Hattabi i tha:”Do të caktojmë një shumë të hollash për ty dhe familjen tënde.”

    Kështu, Ebu Bekri e la tregtinë dhe iu përkushtua çështjeve administrative të Kalifatit. Më vonë ai kërkoi që t’i shtohej rroga pasi nuk i mjaftonte dhe kjo iu realizua. E kush do e besonte sot, se Ebu Bekri, Halifeja i muslimanëve kërkonte t’i shtohej rroga pasi nuk i mjafton?!

    Një herë, dëgjova një hytbe nga një imam, i cili foli mbi këtë botë, se ajo është e pavlerë dhe e urryer, prandaj duhet braktisur, nëpërkëmbur, shpërfillur etj...

    Pasi përfunduam namazin e xhumasë, unë iu afrova imamit dhe i thashë:”Përse fole në atë mënyrë mbi jetën e kësaj bote?!”

    Ai u përgjigj:”Doja që njerëzit të ndjekin Librin e Zotit dhe traditën e Profetit alejhisselam”

    Unë i thashë:”Libri i Zotit dhe tradita e Profetit alejhisselam, i kemi shumë të shtrenjta dhe i respektojmë. Por ata na urdhërojnë me gjëra që bien ndesh me ato që përmendët ju në hytbe. Zoti në Kuran dhe Profeti alejhisselam në hadithe, na këshillojnë që dynjanë t’a trajtojmë siç duhet, të jemi të suksesshëm, të jemi ne ata që e udhëheqin, të përkrahim biznesmenët e ndershëm, të përkrahim zhvillimin teknologjik etj... dhe njëkohësisht të jemi të suksesshëm në këtë botë.

    Nëse do të dinim si t’a trajtojmë siç duhet dynjanë, umeti ynë nuk do të ishte në gjendjen që e shohim sot. Të gjithë këto vuajtje dhe kriza që po kalon umeti ynë, janë për shkak se ne nuk kemi ditur t’a trajtojmë dynjanë siç duhet.

    Një burrë vajti tek Hasen El-Basrij dhe i tha:”O Hasen! Komshiu im nuk e han bakllavanë1”

    Imam Haseni e pyeti:”Po përse nuk e han bakllavanë?!”

    Burri iu përgjigj:”Ai thotë se nuk e falënderon dot Zotin për këtë mirësi.”

    Imam Haseni i tha:”Paske komshi një xhahil. Po për ujin e ftohtë, a arrin t’a falënderojë siç duhet Zotin?!”

    Dijetarët muslimanë, i vlerësonin mirësitë dhe begatitë e Zotit dhe ishin mirënjohës për këtë.

    Një histori e veçantë dhe e dobishme për mënyrën si t’a trajtojmë dynjanë është dhe historia e Ademit alejhisselam në xhenet. Zoti e sprovoi Ademin alejhisselam me ngrënien nga pema e ndaluar. Disa dijetarë mendojnë se pema nga e cila hëngri Ademi alejhisselam ishte ajo e mollës, por diçka e tillë nuk është konfirmuar në tekstet e shenjta.

    Para se t’a zbresë në këtë botë, Zoti e trajnoi Ademin alejhisselam në xhenet, për të qenë i përgatitur për sfidat që e presin. Ai e trajnoi në një betejë ku ka fitore dhe humbje, pendim, pikëllim dhe vetëkritikë për shkarjet dhe gabimet e bëra. Në këtë trajnim, Ademit alejhisselam do i duhet të debatojë me të shoqen e tij, të shkëmbejë mendime dhe ide dhe gjithashtu, i duhet të përballet dhe të debatojë dhe me armikun e tij legjendar, shejtanin.

    Pas këtij trajnimi, Zoti e zbriti Ademin alejhisselam në planetin të cilin ne e quajmë tokë, pasi ai ishte krijuar dhe përshtatur për këtë planet. Ai nuk ishte krijuar të qëndrojë në xhenet. Kështu, shohim që historia e pemës së ndaluar, ishte për t’a parapregatitur Ademin alejhisselam mbi sfidat që do e prisnin në tokë.

    Vetë i dërguari i Zotit alejhisselam e përshkruan këtë botë si tërheqëse dhe të dashur. Ajo që na duhet neve, është mënyra si t’a trajtojmë këtë botë.

    Një herë, më erdhi një nënë dhe më tha:”Kam një vajzë një vjeç e gjysmë dhe dua t’a edukoj me moralet dhe vlerat më të mira. Çfarë më këshillon të bëj?”

    Unë i thashë:”A pranon që t’a diskutojmë më shtruar këtë çështje?”

    Nëna më tha:”Po, dakort.”

    Unë e pyeta:”A mundesh t’a imagjinon se si do të jetë vajza jote pas njëzet vitesh?”

    Ajo më pyeti me habi:”E si mund të ndodhë kjo?!”

    Unë i thashë:”Çfarë dëshiron që të bëhet vajza jote?”

    Ajo u përgjigj:”Dua që të falet, të agjërojë, të mësojë Kuranin dhe të fitojë kënaqësinë e Zotit.”

    Unë e pyeta:”Atëherë ti dëshiron të fitojë kënaqësinë e Zotit. Kështu, duhet të gjesh mënyrën e duhur për t’a arritur këtë.”

    Teksa shohim madhështinë, bukurinë dhe hijeshinë që na rrethon, na lind pyetja:”Vallë Çfarë kërkon Zoti prej nesh? A kërkon që të jemi të pasur dhe të zhvilluar, apo kërkon të jetojmë në fukarallëk?”

    Duke lexuar Kuranin, ne zbulojmë shumë fakte mahnitëse:

    Shohim që një ndër mbretërit më të suksesshëm, Dhul Karnejni, ishte tejet i pasur.

    Daudi alejhisselam, merrej me përpunimin e hekurit dhe sundonte botën.

    Sulejmani alejhisselam, ishte sunduesi i gjithë botës. Musai alejhisselam u rrit në shtëpinë dhe përkujdesjen e familjes së Faraonit.

    Vallë si duhet t’i kuptojmë këto tekste që përmenden në Kuran?

    Padyshim që duhet t’i kuptojmë që forca ekonomike, fisnikëria, zhvillimi industrial, rritja e prodhimit etj... janë parimet dhe vlerat e një shoqërie muslimane.

    Por, kjo mund të shtrojë një pyetje tjetër të rëndësishme: Përse jetoi profeti Muhamed alejhisselam i varfër?

    Një herë, Profeti alejhisselam u takua me Ebu Bekrin dhe Umerin dhe i pyeti:”Çfarë u ka nxjerrë në këtë zheg?!”

    Ata iu përgjigjën:”Nuk na ka nxjerrë gjë tjetër përveç urisë.”

    Profeti alejhisselam u tha:”Edhe mua ajo më ka nxjerrë.”

    Kurse gruaja e tij Aisheja thotë:”Kalonin muaj pas muaji dhe në shtëpinë tonë nuk ndizej zjarr për të gatuar.”

    Atëherë përse jetonte i varfër i dërguari i Zotit alejhisselam?

    Në përgjigjen e kësaj pyetjeje, themi se kjo gjendje e të dërguarit të Zotit alejhisselam, ishte se ai vetë e kishte zgjedhur një jetesë të tillë. Nëse ai do të kishte zgjedhur jetesën e luksit, do të kishte jetuar i tillë. Vetë Zoti e kishte vënë para dy zgjidhjeve: Mes asaj që të jetojë si mbret i gjithë tokës dhe mes jetesës si profet i varfër. Duke zgjedhur jetesën e varfër, ai do të ishte model i të varfërve dhe i të pasurve njëkohësisht.

    Profeti alejhisselam ka shumë thënie të tjera, ku ai nxit për të shtuar pasurinë dhe përmirësimin e jetesës.

    Thotë Profeti alejhisselam në disa hadithe:”Me të vërtetë që Zoti e don një rob të devotshëm dhe të pasur.”

    “Dora që jep është më e mirë se dora që merr.”

    Dhe një dorë që jep, padyshim është një dorë që punon, fiton, pasurohet dhe përkrah dhe të tjerët.

    Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e mujoislam
    Anëtarësuar
    22-01-2010
    Postime
    246
    Në kërkim të Çelësave të Suksesit
    Kohë e vështirë. Në prag të shenjave të mëdha të çastit të përfundimit të ekzistencës!

    (Shkëputje prej pjesës së tretë të edicionit “Zgjohu”, Libri III)

    Kohë e vështirë. Në prag të shenjave të mëdha të çastit të përfundimit të ekzistencës! Po, sa njerëz respektojnë kohën, sa njerëz e mbajnë fjalën kur atë e japin, sa njerëz kur u nëpërkëmbet nderi e dinjiteti kundërveprojnë?! Po sa pak njerëz me turp në fytyrë kanë mbetur. Po sa pak njerëz kanë respekt për Zotin e qiejve e të tokës, e sa shumë respektojnë ata e ato që kanë në shoqërim! Si ka mundësi që njeriu të harrojë fillesën e krijimtarisë. Si ka mundësi që njeriu të zgjohet prej gjumit, e të mos jetë falënderues që për të filloi një ditë e re. Çudi! Dikur njerëzit që deklaronin dëshminë, flijonin gjithçka e jo vetëm për veten, e sot, nuk janë në gjendje as për veten.

    Koha e tradhtisë, e pabesisë, e dyfaqësisë, e rrenës, e mashtrimit, e dobësisë, e paditurisë, e zemrave të sëmura, e mendjeve të liga. Del në rrugë, rrethohesh, jo nga njerëz që forcojnë krahun, por që ta thyejnë atë. Rri në shoqëri, humb kohën duke folur, nevrikosesh e mërzitesh, dobësohesh e dëshpërohesh. Ah, sa afër është çasti i Krismës Madhështore! Kur njerëzit janë të nxënë me barkun e tyre. Kur njerëzit janë të nxënë me gjëra të kota. Kur njerëzit shtëpive të Zotit ua kthejnë shpinat. Krisma! Shpërthimi i ujit! Mjerim e dëshpërim! Dhembje e trishtim!

    Koha e fundit! Nga të shkojnë?! Nga t’ia mbathin?! Jo, harruan Zotin, harruan ditën e Gjykimit! O sa gjyq madhështor që është! Si fillimi, krijimi ashtu edhe ringjallja, sikur një shpirt, sikur një qenie e vetme, do dalin para Zotit, Sundimtarit të ditës së Llogarisë. Ah, sa mashtrues qenka dexhali! Sa të mjerë qenkan ushtarët e Dexhalit! Sa të pabesë u bëkan njerëzit. Sa të pa vendosur u bëkan njerëzit e kohës së fundit! O ç’sukses kërkon! O çfarë çelësi dëshiron! S’e sheh se njerëzit i ka rrëmbyer lakmia e jetës, kur shkatërrimi i jetës është në fundet e saj?!

    * * *

    Po, pikërisht pse për shumë muslimanë të sotshëm Islami u fillon me namaz dhe përfundon me të, kanë ngecur, ngecje në mjerim, të hutuar në mes të fushës! Për çfarë bëhet fjalë, vallë?! Bëhet fjalë për Islamin e njerëzve, që përderisa thërriten në emër të Islamit, fjalët dhe veprat e tyre mohojnë, kundërshtojnë, nënvlerësojnë, degradojnë, poshtërojnë, kë veçse vlerat, në të cilat ata mendojnë se i mbajnë.

    Ky lloj njerëzish është i çuditshëm! A thua vallë, vetëm kur veshët e tyre dëgjojnë tingujt që thërrasin në besim e përkushtim, në adhurim e në shpëtim, e në madhërim të Zotit të tyre, u bie ndërmend t’i kthejnë fytyrat e tyre nga Zoti i qiejve dhe tokës?!

    Jo, edhe kur thërriten, edhe pse përgjigjen, përgjigja e tyre është e gjymtë. Nuk mund të përgjigjet zemra, e aq shpejt të harrojë, saqë ende pa përfunduar koha e kryerjes së këtij riti, t’ia kthejnë shpinën asaj thirrjeje. Jo, zemrat e tyre nuk janë përgjigjur. Jo, kurrë përderisa zemrat nuk përgjigjen, nuk mund të pretendohet se ka mbettë ndonjë kokërr besim në zemrat e këtyre njerëzve.

    Përgjegjësia! Nuk është vetëm në kohë të caktuara. Ai që i përgjigjet të drejtës dhe të pastrës vetëm në një kohë e në kohë tjetër s’i përgjigjet, është sikur shembulli i atyre njerëzve, që një pjesë të librit “e besojnë”, ndërsa pjesën tjetër e mohojnë. Mbase e besojnë një pjesë, por pjesën ku flitet për të drejtat e tyre, ndërsa mohojnë të drejtat e të tjerëve; besojnë në përgjegjësitë e të tjerëve, ndërsa mohojnë ku prej tyre përgjegjësi kërkohet.

    Këta “besimtarë”, ama të reduktuar; përgjegjës me reduktime. Në Islam s’ka vend për reduktim përgjegjësish e të drejtash. Në çdo gjendje, vend dhe kohë, përgjegjësitë dhe të drejtat duhet të jenë të plota dhe të përmbushura. Jo vetëm atëherë kur ato përgjegjësi a të drejta i përshtaten unit, dëshirës, hamendjes.

    Jo, ky lloj besimi nuk është besim, por lojë e tradhti! Nuk është fe e Zotit, por e shpikur për ta luftuar fenë e Zotit!

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •