Kur Brukseli është në prag të marrjes së vendimit për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në hapësirën Shengen, Edi Rama përforcon fushatën e anti-liberalizimit të vizave, duke i përcjellë Komisionit trillin e radhës, atë të azilantëve shqiptarë. Pas orvatjeve të përmuajshme kundër lëvizjes së lirë të shqiptarëve, Rama jo më larg se dje nxorri emisarët e tij për të lobuar drejt marrjes së një vendimi negativ për qytetarët shqiptarë. Deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj e cila i shërben kryetarit të Bashkisë Tiranë më shumë se sa si kryetar partie për shkak të lejeve të ndërtimit që djali i saj përfiton, doli përpara qytetarëve, e më shumë përpara Brukselit për t'i dhënë atij mesazhin se nëse liberalizon vizat për shqiptarët, do të ndodhë e njëjta situatë si me Maqedoninë dhe Serbinë, ku qytetarët u vërshuan drejt vendeve të BE-së si azilkërkues. Gjatë konferencës mbi politikat e Bashkimit Europian për migracionin, deputetja socialiste dhe ish-kryetarja e Grupit parlamentar socialist, Leskaj ka dhënë pseudoargumentet e saj se përse Bashkimi Europian nuk duhet t'i heqë vizat për shqiptarët. "Pamundësia për të gjetur një vend pune në atdheun e tyre i shtyn shqiptarët që të emigrojnë në vendet e Bashkimit Europian". Me këto fjalë, deputetja e Partisë Socialiste tentoi të intimidojë Komisionin Europian, i cili është në momentet finale të marrjes së vendimit për heqjen e vizave për shqiptarët, duke përhapur panikun e rremë se dhënia e një vendimi pozitiv do të shkaktojë vërshimin e pakontrolluar të shqiptarëve në vendet e BE-së. Krahas lobimit nga Tirana, Rama po lobon fuqishëm edhe në selinë e Komisionit Europian, në Bruksel me emisarin e tij të devotshëm, Ditmir Bushatin. Mësohet se këto ditë, Bushati u ka dërguar një letër autoriteteve të Brukselit, përmes të cilës i kërkohet që të mos liberalizojë në asnjë mënyrë vizat me shqiptarët nën mashtrimin se qytetarët ende nuk janë informuar mbi afatet e qëndrimit në zonën Shengen. Ndërkohë që vet Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë sensibilizimi lidhur me shmangien e çdo keqkuptimi mbi këtë proces. Qëndrimin e antiliberalizimit të vizave, Rama e ka demonstruar me sjelljet e tij frenetike përgjatë gjithë këtyre muajve, duke mos dhënë asnjë kontribut të vetëm në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi. E sikur të mos mjaftonte kjo, i tërbuar nga dështimi i tij, Rama po përdor të gjitha mjetet antishqiptare dhe antikombëtarë deri në momentin e fundit të dhënies së verdiktit nga Brukseli. Por, kjo nuk është hera e parë që deputetë të Partisë Socialiste të urdhëruar nga Rama, ndërmarrin akte të turpshme që kanë si synim të vetëm bllokimin e proceseve jetike të qytetarëve. Burime brenda Partisë Socialiste pohojnë se deputetët socialistë janë urdhëruar nga Rama që të hedhin baltë mbi proceset integruese të Shqipërisë sa herë që të ketë një sinjal pozitiv nga Brukseli. Këto vendime skandaloze të Ramës vijnë pasi dështoi me prishjen e imazhit të Shqipërisë dhe bllokimin e këtij procesi me bojkot parlamentar.
Krijoni Kontakt