Përkujtohen 88 viktimat e masakrës së Rezallës

Skenderaj, 5 prill – Janë përkujtuar viktimat e masakrës së Rezallës e cila është masakra e dytë për nga numri i viktimave në komunën e Skenderajt, kurse e para për numrin e madh të kufomave të pagjetura dhe pa identifikuara.
Muhamet Rukolli, përfaqësues i fshatit, para të pranishmeve ka thënë se atë ditë të kobshme para 11 vitesh ishin ekzekutuar 88 civilë, 42 prej të cilëve ishin hedhur në një gropë, por që më 16 maj, ishin zhvarrosur kufomat e tyre dhe ishin dërguar në drejtim të panjohur, për të mos ditur fatin e tyre deri në ditën e sotshme.
“Përgjigjen në pyetjen ku janë, saktësisht e di Serbia, pasi kemi të dhëna të sakta, se këtu në atë kohë ka vepruar Garnizoni i 3-të i Çaçakut, që udhëhiqej nga komandanti serb M. Jokiq”, ka thënë Rukolli.
Abdyl Ymeri, zëvendëskryetari i komunës, ka thënë se kthimi i mbetjeve mortore të të pagjeturve është një prej obligimeve të institucioneve të vendit, që duhet kryer.
Familjarët e kësaj masakre janë ngushëlluar edhe nga motra dhe vëllai (Mirvetja dhe Afrimi) të Ukshin Hotit, si dhe Murat Jashari, përfaqësues i familjes Jashari nga Prekazi. /koha/