Qeveria dhe Banka Botërore ndryshojnë projektin e "Bregdetit të Jugut" duke shtuar edhe pastrimin e tokave të ndotura të Fazlliç në Porto Romano. Projekti u Drejtua nga Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i Argita Berishës
TIRANË- Banka Botërore dhe qeveria shqiptare do të pastrojnë nëpërmjet dhëndrit të kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezit, tokat e ndotura që Damir Fazlliç ka blerë në Porto Romano të Durrësit. Vetëm pak ditë më parë bordi i BB ka miratuar ndryshimet në projektin e menaxhuar nga Jamarbër Malltezi duke shtuar një pikë të vetme, pastrimin e tokave të Fazlliç. Projekti i Malltezit u bë i njohur në të gjithë botën pas prishjes së shtëpive të fshatarëve të Jalit dhe skandalit që përfshiu Bankën Botërore për këtë çështje. Ndërkohë tokat e Fazlliç në Porto Romano u bënë të njohura në të gjithë Shqipërinë për faktin që për blerjen e tyre ndërmjetësoi vajza e kryeministrit Berisha, Argita Malltezi, e cila është e shoqja e Jamarbërit që drejton projektin. Në fund të vitit të kaluar Malltezi krijoi një firmë, e cila përfitonte direkt nga ky projekt dhe në mes të janarit dha dorëheqjen nga projekti me arsyetimin që të mos ndikonte në të. Tashmë projekti i ri i Bankës Botërore pritet që të rrisë ndjeshëm vlerën e truallit të blerë me një çmim shumë të ulët nga miku i familjes Berisha për faktin se toka cilësohej si e helmuar dhe e papërdorshme.
Projekti
"Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore miratoi në 22 mars ristrukturimin e Projektit të Menaxhimit të Integruar të Bregdetit dhe Pastrimit (ICZMCP). Për ristrukturimin e këtij projekti u diskutua dhe u ra dakord me qeverinë shqiptare",- thuhet në njoftimin zyrtar të bankës botërore në lidhje me këtë çështje. Sipas tij, projekti i ristrukturuar do të mbështesë infrastrukturën më të nevojshme që lidhet me përmirësimin e kushteve të mjedisit dhe higjienës, të cilat janë shumë të rëndësishme për një zhvillim afatgjatë të bregdetit dhe turizmit. Ky ristrukturim pasqyron ndryshimet e ndodhura në mjedisin ekonomik, financiar dhe teknik që nga projekti fillestar dhe i jep zgjidhje çështjeve të hartimit dhe zbatimit të projektit që u ngritën nga Raporti i Investigimit të Panelit të Inspektimit. "Objektivi i rishikuar i projektit është të ndihmojë qeverinë shqiptare në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Bregdetin e Jugut duke përmirësuar infrastrukturën kryesore publike mjedisore dhe shërbimet e pushtetit vendor", -thuhet në njoftim.
Ndryshimet
Por ndryshimet e bëra në të hedhin dyshime të forta për qëllimin e vërtetë. Pas skandalit të parë kur u prishën pa asnjë shkak qindra shtëpi të banorëve të Jalit, tashmë Banka Botërore rrezikon të përfshihet në një tjetër skandal edhe më të madh që në rastin më të mirë e vendos atë në rolin e institucionit që është shfrytëzuar nga familja kryeministrore për aferat e saj të dyshimta. "Në mënyrë më specifike, Projekti do të vazhdojë të mbështesë investimet për: (i) pastrimin e mbetjeve të rrezikshme në Porto Romano; (ii) ndërtimin e një hapësire për mbetjet e ngurta për bashkinë e Sarandës dhe një stacioni transferimi në Himarë në mbështetje të menaxhimit të përmirësuar të mbetjeve të ngurta; (iii) rikonstruksionin e portit të Sarandës për të mundësuar hyrjen e trageteve për pasagjerë në Bregdetin e Jugut; (iv) sistemin e ujësjellës-kanalizimeve në qytetin e Sarandës; (v) investimet me bazë komunitetin në fshatrat e Bregdetit; dhe (vi) menaxhimin e zonave të mbrojtura të Parkut Kombëtar të Butrintit",- thuhet në njoftimin e BB-së. I vetmi ndryshim që është bërë është pika e parë ku është vendosur pastrimi i mbetjeve të rrezikshme në Porto Romano. Edhe pse projekti synon pastrimin e bregdetit të Jugut, është shtuar zona e ndotur e Porto Romanos që ndodhet në veri të qytetit të Durrësit dhe që është në pronësi të mikut të familjes Berisha, Damir Fazlliç.
Financimi i projektit
Projekti i Menaxhimit të Integruar të Bregdetit dhe Pastrimit do të financohet i tëri nga paratë e donatorëve të huaj. Sipas shifrave zyrtare, kostoja fillestare e projektit ishte 38.5 milionë dollarë dhe ai do të zbatohet nën përgjegjësinë direkte të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Projekti përfshin, 17.5 milionë dollarë nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), 2.23 milionë dollarë nga një grant i qeverisë japoneze, 3.11 milionë dollarë nga një grant i qeverisë hollandeze, 2.6 milionë dollarë nga një grant qeverisë austriake, 0.95 milionë dollarë nga Fondi Global për Mjedisin (GEF), 5.7 milionë dollarë nga qeveria shqiptare 1.26 milionë nga kontribute të komunitetit lokal. Afërsisht 23 përqind të fondeve totale të projektit të financuara nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) janë disbursuar deri tani. Një grant i Komisionit Evropian, me një disbursim total prej 1.8 milionë dollarësh, u mbyll në 30 qershor 2009.
Argita negocioi Parkun Energjetik
Në maj të vitit të kaluar u zbulua një tjetër skandal i vajzës së kryeministrit Berisha me tokat e Damir Fazlliç në Porto Romano. Vajza e kryeministrit Berisha, Argita Malltezi, ka ndërhyrë në institucionet shtetërore për miratimin e lejes së ndërtimit të një parku energjetik në tokat që kishte blerë pak kohë më parë miku i familjes, Damir Fazlliç. Veprimet e vajzës së kryeministrit janë tradhtuar nga e-mailet që ajo ka shkëmbyer me biznesmenin arab. I gjithë komunikimi është kryer nëpërmjet adresave "Argita Malltezi" am@malltezi-associates.com; argita_malltezi@yahoo.com; "Zafar Ansar" zafaransar@yahoo.com dhe Flutura Tafaj f.kola@kola-associates.com.
Si bleu Fazlliç tokën në Porto Romano
Damir Fazlliç, ka blerë tokën në zonën e Porto Romanos në vitin 2007, pak kohë përpara se ajo të bëhej me vlerë për shkak të një projekti për ngritjen e një parku energjetik. Avokatët e tij kanë zbritur në fshat ku kanë blerë tokën e fshatarëve por kjo nuk i ka mjaftuar. Përveç tokës së fshatarëve ai ka marrë edhe tokë shtetërore dhe e paprivatizuar. Bëhet fjalë për rreth 16 hektarë që i janë blerë fshatarëve të kësaj zone, të cilët e kanë përfituar truallin nga shpërndarja e tokës në bazë të ligjit 7501. Sipas shkresës së Hipotekës, përveç fshatarëve, një sipërfaqe e caktuar e truallit i është blerë komunës së Porto Romanos nga përfaqësuesit ligjorë të Damir Fazliç. Arsyeja e shitjes së tokës, sipas fshatarëve, ka qenë se i është cilësuar trualli si tokë e helmuar dhe e pa shfrytëzueshme.
Tashmë dy projektet e qeverisë, si ai i parkut energjetik, ashtu edhe ai i patrimit të zonës bregdetare pritet që tia rrisin në mënyrë të konsiderueshme vlerën tokës së Damir Fazlliç.
Pjesë nga intervista e dhënë në tetor të vitit 2008 nga Damir Fazlliç për lidhjet me familjen kryeministrore
Në tetor të vitit 2008, në kulmin e hetimit të prokurorisë për skandalet e Damir Fazlliç, ky i fundit u shfaq shumë i qetë në Tiranë dhe nga studio e emisionit "Opinion" në TV KLAN shpjegoi miqësinë e tij me kryeministrin Berisha dhe vajzën e tij, Argita. Më poshtë po paraqesim vetëm pyetjet që kanë lidhje me kryeministrin Berisha, familjen e tij dhe bizneset e Fazlliç.
Cila është pasuria juaj në Shqipëri?
Shpresoj që bizneset e mia në Shqipëri të vlerësohen në më shumë së 50 milionë euro. Veçanërisht në pasuri të patundshme. Mbasi të zhvillohet shpresoj se do të ketë një vlerë më të lartë.
Jeni ndihmuar nga administrata shqiptare dhe kryeministri i Shqipërisë në këtë pasuri zoti Fazlliç?
Ndihmuar? Besoj se administrata dhe qeveria shqiptare ndihmon çdo investitor të huaj që vjen këtu me...
Zoti Berisha tha në Parlament që ai mund t'u sjellë ose... ai tha që unë mund ta sjell zotin Fazlliç këtu për të folur me ju...
Oh, do të më pëlqente shumë kjo.
Pas incidentit në Sarajevë, po e quaj incident, a keni folur me zotin Berisha?
Kam folur me atë një herë.
Një biznesmen që lë gjithçka për të ndihmuar Partinë Demokratike në Shqipëri?
Së pari, unë besoja në atë kohë që kjo Parti e drejtuar nga Zoti Berisha do ta ndryshonte vendin në mënyrë të ndjeshme e përsëri e besoj se kjo ndodhi.
Zoti Fazlliç, ju thatë se zoti Basha ishte mik i juaji...
Është, është.
Është shok i mirë. Por pse kunati i tij, zoti Isufi ishte administrator i katër kompanive që ju keni në Shqipëri?
Unë bëj biznes bazuar mbi besimin. Një pjesë e madhe e biznesit tim është e bazuar mbi besimin. E takova Erionin më 2005-n dhe i kërkova....
Përmes zotit Basha?
Nuk e mbaj mend. A e takova përmes zotit Basha? Natyrisht. Direkt apo indirekt nuk di. Por ai është një djalë i ri shumë i zoti dhe i zgjuar. I kërkova nëse mund të më ndihmonte me disa nga bizneset. Ai më ndihmoi. Punuam së bashku. Ai nuk qe asnjëherë partner në biznes. Ai ishte administrator i një kompanie. U përpoqëm të bënim disa gjëra me atë kompani, por mori më shumë seç e kisha menduar në fillim.
A e njihni zonjën Argita Berisha?
Po e njoh. Argita Malltezin.
Çfarë lidhjesh keni?
Kemi miqësi dhe ajo gjithashtu si avokate trajton një pjesë të punëve të mia ligjore në Shqipëri.
Është kjo e vetmja marrëdhënie që keni?
Dhe jemi miq.
Do vazhdoni të jeni mik i zotit Berisha?
Sigurisht.
Do të vazhdoni të këshilloheni nga Argita Malltezi Berisha?
Sigurisht.
Do të vazhdoni të jeni mik i zotit Basha?
Po.
Dorëheqja e Malltezit
Në mes të janarit të këtij viti koordinatori i "Planit të Jugut", Jamarbër Malltezi, deklaroi dorëheqjen nga pozicioni i punës. Ai ka pohuar se është shkëputur nga pozicioni i koordinatorit, për arsye personale që lidhen me biznesin e tij por ka paralajmëruar se në projekt do të ketë ndryshime strukturore. Në atë kohë Banka Botërore e kishte ngrirë projektin pasi kishte zbuluar pasaktësi të shumta në të si dhe për faktin që duhej bërë dëmshpërblimi i banorëve të Jalit për dëmin e pësuar në mënyrë të padrejtë.
//marr nga shekulli//
Krijoni Kontakt