Me gjithë miratimin në parim nga Sekretariati i OKI-t se një delegacion i Kosovës nga Ministria e Punëve të Jashtme mund të marrë pjesë në Konferencën e dytë të ministrave të jashtëm të vendeve të Konferencës Islamike, në Kajro, më 24 dhe 25 nëntor, Republika Arabe e Egjiptit ka bllokuar pjesëmarrjen e kosovarëve për arsye politike, bën të ditur e përditshmja Koha Ditore.
Sipas kësaj të përditshmeje, kërkesa për pjesëmarrjen e një delegacioni nga MPJ e Kosovës si mysafir është bërë nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Riad të Sekretariati i OKI-t në Xhedah, e cila më pas i ka përcjellë këtë notë verbale Përfaqësisë së Republikës Arabe të Egjiptit në po të njëjtin vend. Mirëpo thuhet se pala egjiptiane ka lënë të kuptohet se përgjigjja do të jetë negative dhe atë për arsye politike.
Zyrtarë të MPJ-së kanë konfirmuar se një delegacion i Kosovës ka pasur të udhëtojë për të marrë pjesë në këtë konferencë, i kryesuar nga zv/ministrja e Jashtme, Vlora Çitaku, por pas marrjes së lajmit për qëndrimin negativ të Egjiptit ka anuluar një udhëtim të tillë. /Telegrafi/
Krijoni Kontakt