Drejtësi për djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
MË 30 MARS - TË GJITHË NË MBËSHTETJE TË
LUFTËTARËVE TË LIRISË
Shkruan: Petrit Bajraktari - Prishtinë, 26. 03. 2010
Me fillimin e luftës së UÇK-së dhe pas rënies së komandantit legjendar, Adem Jashari, së bashku me familjen e tij, kudo në Kosovë, me organizime të ndryshme, doli ajo parulla e famshme: “UÇK, UÇK” dhe “Drenicë jemi me ty”, kjo e fundit, në shenjë përkrahjeje për vazhdimin e luftës që sapo kishte nisur. Duke parë që me pritje nuk bëhet asgjë dhe duke ditur që Liria nuk fitohet pa gjak, lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kjo ushtri e dalë nga gjiri i popullit, përkrah së cilës u rreshtuan djemtë dhe vashat me të mira të kombit shqiptar.
E nisur për çlirim dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, e asnjëherë për pavarësi, e sidomos jo për një pavarësi çfarë është sot, populli shqiptar i Kosovës, tashmë i ka dëshmorët e lirisë. Pa u ndalur fare nëse edhe pas kësaj lufte është arritur qëllimi ose jo, dua të dal aty për çka edhe vendosa të shkruaj.
· Çka ndodh sot me ata luftëtarë, që dje derdhën gjakun për të qenë ne të lirë?
· Ku jane sot ata luftëtarë, të cilet nuk patën fatin e mirë të binin dëshmorë?
· Si jetojnë sot ata, sa respektohet dhe vlerësohet angazhimi i tyre në luftën për çlirim, e bashkim kombëtar?
Mbase përgjigjet për këto janë të njohura. Shumica e veteranëve të luftës së UÇK-së janë të papunë, jetojnë në varfëri, të lanun anash dhe, por, ajo që është më e keqja e mundshme, dhe tepër e padurushme, është fakti se shumë nga këta çlirimtarë, gjenden sot nëpër burgje, me akuza të pabaza, për kinse “krime lufte” dhe “përfshirje në disa vrasje” të pasluftës, që kishin ndodhur në Kosovë?!?
Rasti me vëllezërit Burim dhe Arsim Ramadani, si dhe Arben e Blerim Kiçina, tregon më së miri se si ishte, dhe si është e ndërtuar “drejtësia” në Kosovë. Burim dhe Arsim Ramadani, Florim, Arben dhe Zeqir Kicina, Skender Halilaj dhe gjashtë të tjerë, më 7 prill të vitit 2005, u denuan me 185 vjet burg, nën akuzën për “vrasjen” e ish bashkëpunëtorit të Serbisë, Hamzë Hajra dhe katër anëtarëve të familjës së tij, më 20 gusht të vitit 2001.
Policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i, më 2002 arrestuan 12 persona, përfshirë të lartpërmendurit dhe gjatë arrestimit përdorën dhunë fizike, dhe psikike ndaj të arrestuarve dhe familjeve të tyre. Akuza e përbashkët kundër Skender Halilajt, si i dyshuari kryesor dhe njëmbëdhjetë të akuzuarve tjerë ishte ngritur më 16 shtator të vitit 2003. Procedura në shkallën e parë në Gjykatën e Qarkut në Gjilan zgjati nga 04.11.2003 deri më 07.04.2005, ku pas 105 seancave gjyqësore, Gjykata shpalli vendimin me 185 vjet heqje lirie për këta djem të UÇK’së!!!
Pavarësisht se trupi gjykues ndërkombëtar, nën udhëheqjen e gjyqtarit anglez, Vinod Bolello, nuk arriti të dëshmonte se këta djem ishin “vrasësit” e vërtetë të familjes Hajra, megjithatë verdikti ishte shpallur. Gjykata Supreme, pas ankesës së palës mbrojtëse i liroi në gusht të vitit 2008 tre nga të akuzuarit, mes tyre të akuzuarin kryesor, Skender Halilaj, ndërsa i dënoi me nga 30 vjet burg Arben Kiçinën, Burim e Arsim Ramadanin, ndërsa Blerim Kiçina u dënua me 10 vjet burg. Lënda e tyre tash është në duar të gjyqtarëve të EULEX’it.
Institucionet vendore, sikur në asnjë rast më parë, nuk e kanë ngritur zërin kundër këtyre padrejtësive të shumta, dhe të papara në histori të drejtësisë. Ata gjithmonë ishin, dhe u treguan të pafuqishëm kundrejt misioneve të padrejta, dhe sunduese në vendin tonë, siç ishte UNMIK’u më parë, dhe sot EULEX’i. E duke parë që nënshtrimi i këtyre politikanëve, në raport me EULEX’in nuk ka të ndalur, na mbetet neve qytetarëve që të reagojmë, ateherë kur konsiderojmë se kemi arsye për një gjë të tillë. Mbase sot kemi arsye që te ngrihemi sepse, mos ta harrojmë vetëm një gjë, Burimi, Arsimi dhe Arbeni, kanë qenë dhe janë Luftëtarë të Lirisë. Ata dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë, qëllim të vetëm e kishin që popullin e tyre ta shihnin një herë e përgjithmonë të lirë nga sundimi serb, dhe Shqipëria të jetë ashtu si do të duhej të ishte.
Për të mos e zgjatur, në fund të këtij muaji, më 30 mars, ditë e Marte në ora 12:00, tek Sheshi “Skenderbeu” në Prishtinë organizohet një protestë me kërkesat “Drejtësi dhe Liri për Luftëtarët e Lirisë, Burim dhe Arsim Ramadani, Arben dhe Jeton Kiçina”, ish’luftëtarë të UÇK’së dhe oficerë të lartë të ish’TMK’së, gjykim i drejtë dhe i paanshëm nga EULEX-i, rihetim i rastit të vrasjes së Hajrës dhe riadministrim i provave.
Pra, të martën në ora 12:00, të gjithë në Prishtinë, studentë, arsimtarë e profesorë, pensionistë e të papunë, organizata e individë të shoqërisë civile - të marrim pjesë në protestë. Burim dhe Arsim Ramadani, Arben e Jeton Kiçina, por jo vetëm këta, janë tanët, siç ishim ne të tyre. Ne duhet të jemi në mbrojtje të tyre, siç na mbronin ata dikur.
Në të kundërtën, duhet të përgatitemi që të përballemi me gjykimin që neve popullit shqiptar, do të na bëjë historia. Për fund uroj që mos të marrim mësimin e keq nga politikanët e korruptuar, e të shantazhuar vendorë, të cilët nuk reaguan asnjëherë, madje në asnjë rast, kundër padrejtësive të shumta. Ndërsa misioneve ndërkombëtare u themi që këso “drejtësie” shkoni dhe bëni në vendet e juaja, ose atje ku jeni mësuar.
Pra të martën më 30 mars, në ora 12:00 është rasti për ta konfirmuar atë përkrahjen e madhe qytetare, me ato brohoritjet e zjarrta, që thirrnin “UÇK, UÇK” dhe “Drenicë jemi me ty”.
Drejtësi për djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Liri për Burimin, Arsimin, Arbenin dhe shumë luftëtarë tjerë.
Liri për të gjithë ne.
* Autori është aktivist i Lëvizjës VETËVENDOSJE! Kontakti:
petrit_1euro@hotmail.com
Krijoni Kontakt