-
Pika Kulmore E Dobësisë
PIKA KULMORE E DOBËSISË
Me vullnet të fortë i dobëti arrin fuqi, i padituri mëson atë për të cilën ka më shumë nevojë dhe prej një gjëje shumë të thjeshtë mund të shpiket diçka e madhe. Mirëpo, nëse humb vullneti, nuk do të na mbetet asgjë. Paramendoni një njeri, i cili vuan nga një sëmundje kronike, ndërsa afër shtëpisë së tij gjendet spitali më i mirë dhe me shërbime më moderne mjekësore falas, mirëpo ai për ndonjë arsye refuzon të shkojë në spital dhe gjithë ato mundësi shërimi për të bëhen të pakuptimta, ngase nuk zotëron vullnetin për t’u shëruar.
SHKRUAN: ABDULKERIM BEKKAR
Për t’u bërë një punë nevojiten dy gjëra: vullneti dhe forca. Nëse pyetni se cila prej tyre është më e rëndësishme, atëherë pa kurrfarë mëdyshje deklaroj se vullneti është më thelbësori. Përse? Për arsye se njeriu, kur dëshiron të arrijë diçka, është vullneti ai që e shtyn në rrugën e duhur për të gjetur mjetet dhe mënyrat e duhura, ashtu siç vepron ai që është i uritur dhe nuk ka as kafshatën e gojës. Preokupimi thelbësor i tij është ushqimi, ndërsa vullneti i tij i lartë për ta gjetur atë do t’i dhurojë energji dhe do ta shtyjë drejt kërkimit të shpejtë të ushqimit, duke gjetur një mijë mënyra dhe hile për ta siguruar. Me vullnet të fortë i dobëti arrin fuqi, i padituri mëson atë për të cilën ka më shumë nevojë dhe prej një gjëje shumë të thjeshtë mund të shpiket diçka e madhe. Mirëpo, nëse humb vullneti, nuk do të na mbetet asgjë. Paramendoni një njeri, i cili vuan nga një sëmundje kronike, ndërsa afër shtëpisë së tij gjendet spitali më i mirë dhe me shërbime më moderne mjekësore falas, mirëpo ai për ndonjë arsye refuzon të shkojë në spital dhe gjithë ato mundësi shërimi për të bëhen të pakuptimta, ngase nuk zotëron vullnetin për t’u shëruar. Dëshiroj të theksoj tri pika të rëndësishme:
• Nëse meditoni rreth dallimit mes njerëzve në aspektin fetar, suksesit dhe arritjeve, do të vëreni se ai në mënyrë qenësore lind nga dallimi në vullnet dhe vendosmëri e jo nga dallimi në mundësi dhe fuqi. Një i ri i shëndetshëm është në gjendje të lexojë një orë në ditë, të shkojë për pesë kohët e namazit në xhami, të përshëndesë me selam ata që takon në rrugë, mirëpo nuk bën asnjërën prej tyre. Ndërsa një i ri tjetër i bën këto veprime çdo ditë, sepse zotëron vullnetin, vendosmërinë, potencialin e kështu me radhë.
• Nga mëshira e Zotit ndaj nesh është edhe fakti, se forcimi i vullnetit, i cili përbën faktorin themelor të përparimit tonë është i mundur për të gjithë njerëzit. Kjo është dhurata e Mëshiruesit për ne në përgjithësi, ndërsa për fukarenjtë dhe të mjerët në veçanti. Për shumë njerëz avancimi i aftësive dhe i potencialit nuk është i mundur për shkak të kushteve dhe rrethanave të këqija të tyre. Për këtë shkak kundërshtimi i shumë të rinjve dhe ndalimi për të mos kërkuar më të çmueshmen konsiderohet i pajustifikueshëm.
• Në shumicën e rasteve ne e ngatërrojmë fuqinë dhe vullnetin dhe deklarojmë se nuk kemi mundësi të bëjmë këtë apo atë, mirëpo realiteti është se ne nuk dëshirojmë ta bëjmë një gjë të tillë, mirëpo ngurrojmë të themi “nuk dëshirojmë” dhe themi “nuk mundemi”. Kur munafikët nuk shkuan në luftën e Tebukut u arsyetuan, se ata nuk patën mundësi, ndërsa Allahu i Madhëruar na njofton saktësisht për gjendjen e tyre: “Dhe ata do të betohen në Allahun: “Sikur të kishim mundur, me siguri do të dilnim bashkë me ju” dhe kështu ata e shkatërrojnë vetveten; Allahu e di se ata janë gënjeshtarë.” Më pas tregoi se nuk ishte çështje mundësie dhe force, mirëpo mungesë vullneti, prandaj ajeti thotë: “Sikur ata të kishin dashur të dilnin me ty, do të ishin përgatitur.” Le të meditojë secili prej nesh për punët, statusin dhe çështjet e tij e pastaj le të shohë se problemi i neglizhencës së tij kthehet te vullneti i dobët, apo te mundësia e vogël. Unë jam i bindur se pas një shikimi objektiv dhe të thellë do të rezultojë bindja, se neglizhenca jonë më e madhe shkaktohet nga mosekzistimi i vullnetit.
Pyetja që me të drejtë do të mund të shtroni është: Cila është rruga për të forcuar vullnetin? Përgjigjja mund të përkufizohet në pikat vijuese:
1. Ne kemi shumë nevojë për ndihmën e Allahut Fuqiplotë, që të triumfojmë ndaj unit, epsheve dhe zakoneve tona të këqija. Ndoshta ndihma më e madhe do të ishte luftimi i unit (egos). Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Ata që luftojnë për çështjen tonë, sigurisht Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona.” Ndërsa në suren Sexhde në ajetin 24 thotë: “Ne zgjodhëm prej tyre prijës, të cilët udhëzonin me urdhrat Tanë, për sa kohë që ishin të durueshëm.” Të gjitha opsionet e tjera, përveç luftimit të unit janë të padobishme dhe të pavlera.
2. Le të përsërisim fjalët që sugjerojnë vullnetin e fortë: “Unë ia dëshiroj të mirën filanit, unë jam i vendosur t’i fal namazet e detyruara në xhami, unë zotëroj vullnet të fortë, kjo do të bëhet me lejen e Zotit.”
3. Forcimi i vullnetit kërkon një proces të ngadalshëm dhe gradual, duke e detyruar veten me kryerjen e disa detyrave të vogla. Ndërkohë që kjo bëhet pjesë e sjelljes sonë, atëherë shtojmë detyrime të tjera të vogla. P.sh., nëse ndonjëri prej jush nuk lexon në ditë asgjë, le ta detyrojë veten gjatë vitit të parë me 20 minuta lexim në ditë, vitin tjetër me dyzet minuta në ditë e kështu me radhë.
4. Mundohu ta privosh veten nga disa gjëra, që i ke shumë për zemër, vetëm që t’i dëshmosh unit tënd, se kush është ai që drejton. Nëse uni të cyt që të pish një gotë çaj ose lëng apo të bisedosh me një shok për diçka të parëndësishme, atëherë shtyje kërkesën edhe për një orë. Nëse uni të cyt që të dalësh nga xhamia menjëherë pas namazit për të blerë diçka jo të domosdoshme, refuzoje kërkesën në mënyrë kategorike, derisa të ndjesh se ke mundësi vërtet ta dirigjosh veten.
5. Përpiqu pa ndërprerje që të flakësh një shprehi të keqe dhe të krijosh në vend të saj një shprehi të mirë dhe të dobishme. Nëse vazhdimisht ankohesh te të tjerët, çlirohu prej kësaj shprehie dhe vendos në vend të saj falënderimin ndaj Allahut haptazi dhe fshehurazi. Ai që fle më tepër se ç’ka nevojë, le ta braktisë këtë ves dhe le ta shfrytëzojë kohën me diçka të vlefshme.
6. Shoqërohu me njerëz, të cilët njihen për vendosmëri, forcë dhe vullnet të hekurt. Për një kohë të shkurtër do të arrish të përfitosh nga shpirti i tyre i vendosur pa e hetuar fare.
7. Këshillohuni me njerëz të ditur dhe me përvojë, pasi sugjerimi i një eksperti mund t’u kursejë të rinjve pa përvojë mundimet, vite të tëra projektimesh, planifikimesh dhe pasimit të shtigjeve pa rrugëdalje.
8. Shpërblejeni veten për çdo arritje, duke u kënaqur me diçka që e vlerësoni shumë, mirëpo duke qenë gjithmonë brenda kufijve të së lejuarës.
9. Mundohuni të përvetësoni shprehi të reja të mira, të cilat ju ngjajnë me penjtë e artë përmes të cilëve do të thurni sjelljet tuaja.
10. Zelli, ngulmi, durimi dhe përqendrimi janë veçori dhe etikë për të cilat ai që dëshiron të arrijë suksese të jashtëzakonshme, nuk mund të thotë se nuk ka nevojë. Bëjini ato mjetet që do t’i përdorni, si në mirëqenie edhe në vështirësi.
11. Mbështetja tek Allahu dhe përkrahja e Tij janë kriteret bazë të suksesit. Ato mund t’i arrijmë vetëm me sinqeritet dhe moral të lartë.
Burimi: http://albislam.org/zgjodhem_per_ju/theksi/3210.html
Revista Albislam nr. 80
Përktheu: Agron Terziqi
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt