SHQIP. 25/03/2010
Informacioni “Top secret” i NATO-s, Shqipëria nuk i plotëson standardet
Drejtori i Autoritetit të Sigurisë, Degavelli: Nuk ka filluar ende ta dërgojë këtë lloj informacioni
Shqipëria mund të jetë anëtare e Aleancës së Atlantikut, por ajo qëndron ende larg standardeve specifike të kërkuara lidhur me shkëmbimin dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Të paktën për sa i përket kategorisë “Top secret”, ekuivalenti NATO i të cilit është “Cosmic top secret”, vendi ynë ende nuk ka përfituar statusin e një partneri të vërtetë, për shkak të infrastrukturës së papërshtatshme që ka të bëjë me legjislacionin, certifikimin e personave që kanë të drejtën e njohjes dhe shfrytëzimit të tij, por edhe rrjeteve të komunikimit. Në një intervistë për seksionin shqip të “Deutsche Welle” (DW), drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë, pranë Këshillit të Ministrave, Shqyqyri Dekavelli, u shpreh se lidhur me përftimin e së drejtës për t’u njohur me informacionin më sekret, Shqipëria ka ende punë për të bërë. “NATO nuk ka filluar ende ta dërgojë këtë lloj informacioni në Shqipëri. Jemi ende në procesin e përmbushjes së standardeve për të mbrojtur këtë lloj informacioni, që është i pakët dhe i rrallë, por që nëse bie në duar të gabuara, dëmton rëndë NATO-n dhe vendet e tij anëtare”, deklaroi Dekavelli.
Një nga arsyet që kushtëzon këtë status të Shqipërisë në marrëdhëniet me NATO është edhe ndryshimi periodik i standardeve të cilat kombinojnë në vetvete rregullimet ligjore me protokollet e komunikimit dypalësh. Sipas Dekavellit standardi i parë dhe me më shumë rëndësi është certifikimi i personave që vihen në njohje të informacionit të klasifikuar dhe shfrytëzimin e tij. Kjo realizohet me ndihmën e shërbimeve sekrete dhe Prokurorisë që dokumentojnë “pastërtinë e personit”, pa neglizhuar edhe ndërtimin e ambienteve të përshtatshme për ruajtjen fizike të informacionit. Së dyti vjen ndryshimi i rrjetit të komunikimit mes Shqipërisë dhe NATO-s, që konsiston në zëvendësimin e sistemit kriptografik me atë me fibra optike, natyrisht jashtë operimit ‘on-line’ në internet. Instalimi i tij është drejt përfundimit dhe do të jetë shumë shpejt në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Jashtme.
Pavarësisht se këto stade kryesisht janë arritur nga ana e Shqipërisë, sërish mbetet fakt i pamohueshëm se përparimi teknologjik që përcakton edhe standarde të reja në një farë mënyre “e penalizon” vendin tonë në të drejtën e njohjes me informacionin “Top secret”. “Standardet janë në ndryshim e sipër pasi edhe direktivat e NATO-s ndryshojnë herë pas here dhe kërkohen standarde të reja. Jemi në dijeni të ndryshimeve që i pasqyrojmë, duke plotësuar legjislacionin tonë”, është shprehur drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë, Shyqyri Dekavelli. Ky trajtim i diferencuar mes anëtarëve të NATO, që i referohet elementëve teknikë dhe nevojës për siguri risjell në vëmendje një problem me karakter politik.
Krijoni Kontakt