Ngjarje skandaloze në mes të "Bllokut" të hënën në mbrëmje. Dështon përpjekja mafioze e ortakëve të Ramës për të marrë peng tre të rinj që punonin te kompania e njeriut të Ramës
Banda e Kokëdhimës dhe kandidati për deputet i Ramës, tentojnë të marrin peng 3 punonjës të Televizionit A1 që kërkuan rrogat pas 5 muajsh
Tre punonjës të Televizionit "A1", Hergys Dividi, Dritan Peca dhe Rudi Skëmbi, i kanë shpëtuar të hënën në mbrëmje në mes të Tiranës një pengmarrjeje të pastër të organizuar nga Koço Kokëdhima dhe drejtori i 2K Grup, njeriu i besuar i Kokëdhimës, njëkohësisht kandidat për deputet në listën provizore të Ramës në zgjedhjet e 28 qershorit, Endri Puka. Plani për marrjen peng të tre punonjësve të Televizionit "A1" i ngjan një skenari të pastër të Sigurimit të Shtetit, në të cilën janë përfshirë më shumë se 12 persona.
Gjithçka ka ndodhur pas një sërë kontradiktash që kishin nisur prej kohësh në median e botuesit Kokëdhima. Ky i fundit prej të paktën pesë muajsh, sikurse pohojnë tre punonjësit, nuk u jepte atyre pagat. Të gjendur në kushte të vështira financiare, tre të rinjtë, njëri prej të cilëve punonte si inxhinier i televizionit dhe dy punonjësit e tjerë i kanë kërkuar stafit drejtues të këtij televizioni që të shlyenin detyrimet që kishte ndaj tyre.
Duke qenë se botuesi Kokëdhima, si dhe drejtuesit e tjerë të kësaj medieje nuk kanë pranuar t'u përgjigjen tre punonjësve të tyre, atëherë të punësuarit kanë bërë të qartë se në rast se deri të hënën nuk do të gjendej një zgjidhje, atëherë ata do të largoheshin nga puna. Fill pas qëndrimit të tre punonjësve, ka ardhur edhe reagimi mafioz me skenar të mirëfilltë terrorist të Kokëdhimës dhe të kandidatit në listën provizore për deputet të PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit.
Sipas punonjësve të A1, që i kanë shpëtuar marrjes peng falë ndërhyrjes së forcave të policisë në zonën e Bllokut, sqarohet se ata janë thirrur në hënën në mbrëmje për të pirë një kafe nga drejtori i Gazetës "Shekulli", Ardian Thano, i cili u kishte kërkuar "të sqaronin muhabetet" në një nga lokalet e kësaj zone. Të rinjtë duke qenë në mirëbesim të plotë pasi kishin punuar prej vitesh me Thanon, nuk u kishte shkuar kurrë ndër mend se kjo ftesë për kafe do të ishte edhe kurthi, i cili ishte përgatitur për marrjen peng të tyre. Sapo të rinjtë i janë afruar lokalit ku ishte lënë takimi, ata e kanë parë veten të rrethuar nga tetë persona trupmëdhenj, që ishin prej kohësh në pritje të tyre. Hergys Dividi, i cili ishte një nga tre personat e planifikuar për t`u marrë peng, sapo ka parë banditët e Kokëdhimës të afrohen ka kuptuar se nuk bëhej më fjalë për një "sqarim", por për një marrje peng. Ai është larguar me vrap, duke bërtitur dhe duke kërkuar ndihmën e policisë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe miku i tij Rudi Skëmbi, i cili po ashtu është larguar me vrap duke i shpëtuar pengmarrjes. Në momentin e largimit, Hergys Dividi thotë se ka telefonuar policinë për t'i ardhur në ndihmë mikut të tij, Dritan Peca.
Vetë Peca e ka pasur të pamundur t'i shpëtojë kapjes nga "gorrillat" e Kokëdhimës dhe është mbërthyer prej tyre. Fati i tij ka qenë se në këto momente kanë mbërritur forcat e policisë, të cilët e kanë liruar menjëherë Pecën, duke i shoqëruar në rajon. Në momentin që kanë mbërritur forcat e policisë, kanë dalë nga vrimat ku po ndiqnin pengmarrjen njerëzit e Kokëdhimës. I pari është shfaqur si trim, kandidati i Ramës për deputet në listën provizore në zgjedhjet e 28 qershorit, Endri Puka, i cili mban prej vitesh edhe detyrën e drejtorit të Përgjithshëm tek Kokëdhima. Puka i është drejtuar policisë, duke marrë përsipër direkt përgjegjësinë e kësaj tentative pengmarrjeje dhe duke deklaruar se ishte drejtori i Televizionit "A1" dhe se ai do të përgjigjej për çdo gjë, duke tentuar të lërë jashtë përgjegjësisë tetë njerëzit e armatosur që ishin të përfshirë direkt në këtë akt terrorist. Puka i është drejtuar forcave të policisë, duke u thënë se kishte pasur ai një takim me tre punonjësit e televizionit për të sqaruar disa problematika. Frazat e tij kanë synuar tërheqjen e policisë dhe daljen e pengmarrësve të palagur nga ky skenar.
Policia e Komisariatit Numër 2 ka shoqëruar Endri Pukën për të dhënë shpjegime dhe bashkë me të edhe punonjësin e dhunuar të Televizionit "A1", Dritan Peca. Peca, sikurse konfirmojnë burimet policore, ka bërë kallëzimin në polici dhe më pas është lënë i lirë.
Nga ana e saj, policia është vënë në lëvizje duke hetuar ngjarjen dhe ka shoqëruar disa persona në lidhje me këtë ngjarje dhe vazhdon të jetë e angazhuar në zbardhjen e plotë të skenarit terrorist të pengmarrjes të Koço Kokëdhimës dhe kandidatit për deputet në listën provizore të Ramës, Endri Puka.
Kokëdhima, tentativa për të joshur punonjësit që synonin t'i merrnin peng
Pasi ka dështuar tentativa për marrjen peng të tre ish-punonjësve të Televizionit "A1", Koço Kokëdhima dhe kandidati për deputet i Ramës në listën provizore në zgjedhjet e 28 qershorit, Puka, kanë nisur tratativat për të joshur njerëzit që synonin të merrnin peng të mërkurën në mbrëmje. Kjo është bërë për arsyen që të mbyllej dhe të mos hapej një problem i tillë në media.
Mamaja e Hergysit, Mariana Dividi tregon për Gazetën "RD" se menjëherë sapo është njohur me ngjarjen i ka dërguar Kryeministrit Berisha një mesazh telefonik, ku i ka shpjeguar situatën në të cilën ndodhet djali i saj. Mariana pohon se strukturat shtetërore janë ngritur në këmbë për të hetuar këtë ngjarje të rëndë, që sipas saj, vjen nga arroganca e drejtuesve të 2K Grup, të cilët mbrohen politikisht nga kreu i opozitës Rama, për shkak të lidhjeve të pista që ai ka me Koço Kokëdhimën. Hergysi thekson se situata e tensionuar me punonjësit e A1 Televizion, ka ardhur për shkak të mospagesës për punën e bërë nga kompania 2K Grup. Hergys Dividi shprehet se, "Ne kishim rreth 5 muaj që nuk merrnim pagë. Për këtë fakt, ne vendosëm që të mos i zhvillonim emisionet dhe na thanë vetë se, meqë nuk doni të bëni emisionet, mbyllni dhe televizionin. Nxorëm një logo që 'Transmetimet fillojnë së shpejti'. Pas këtij hapi ne bëmë një mbledhje me Endri Pukën dhe Ardian Thanon dhe ata deklaruan që një pjesë prej nesh do t'i hiqnin nga puna dhe në përfundim të mbledhjes u vendos që pesë persona prej nesh do t'u jepeshin pagat. Ky fakt nuk ndodhi dhe ne nuk e hapëm regjinë". Plani për marrjen peng ka nisur menjëherë pas këtij momenti. Si një hakmarrje e pastër ndaj largimit të punonjësve, Kokëdhima ka hartuar personalisht skenarin e pengmarrjes për të bërë shembull edhe punonjës të tjerë të mediave të tij, që mund të ndërmerrnin të njëjtin "rebelim", pasi është bërë tashmë e njohur për opinionin se në mediat e njeriut të afërt të Edvin Ramës, gazetarët trajtohen si skllevër duke mos u paguar.
Elis KUÇI
Rilindja Demokratike
Krijoni Kontakt