-
i/e regjistruar
"Ministri nuk ecën vetë", nga Albin KURTI
Ministri nuk ecën vetë
Luftimin e korrupsionit të lartë po e pengon karakteri grupor i hajnisë, por ama jo pse sekreti nuk do të mund të zbulohej meqë hajnat janë grup, por pse ai do të mund të dalë tepër i madh për këtë Kosovën tonë të vogël.
Nga Albin Kurti më 19.03.2010 në ora 12:45, Express.
Hajnia zakonisht kryhet në grup. Shumë të rrallë janë hajnat që vjedhin vetëm. Hajnin nuk e mundon vetmia. Përkundrazi. Hajni e ka problem mungesën e intimitetit. Mezi arrin të skajohet diku prej shokëve të shumtë për t’i numëruar paratë e vjedhura.
Jo pse nuk do të dëshironin të vidhnin vetë. Ideali i secilit hajn është hajnia e përsosur. Garancia paraprake se nuk do të kapet. Pra, jo vetëm të mos kapet, por të jetë i sigurt qysh në nisje se nuk do të kapet në fund. Të dihet prej fillimit se nuk do të ketë dëshmi, dëshmitarë e, mundësisht, as dyshim. Sepse kurrë nuk i dihet. Secili koleg i tanishëm, secili bashkëpunëtor sot, mund të bëhet dëshmitar nesër. Gjersa ëndërron, secili hajn ofshan: “Ah sikur të mund ta kryeja vetë”!
Por, nuk mund ta kryejnë vetë. Nga imagjinata për hajninë te planifikimi i hajnisë, shtohet numri i hajnave të nevojshëm për kryerjen e hajnisë. Për hajni të suksesshme nevojitet organizimi, nevojiten shumë hajna me detyra të veçanta. I vetëm mund ta vjedhësh një njeri tjetër të vetëm. Hajni i vetëm është hajni i xhepave, hajni që ëndërron luksin, por përfundon duke mbijetuar. Shuma të mëdha parash kanë sistemet, jo plakat teksa kërkojnë një vend për t’u ulur në autobus apo nënat që me njërën dorë mbajnë fëmijën e me tjetrën kuletën. E, për ta vjedhur sistemin nevojitet një minisistem. Madje edhe atëherë kur je vetë pjesë e sistemit. Ka aq shumë hollësi që duhet të merren parasysh përgjatë planifikimit të hajnisë. Dhe, sa më shumë hollësi që duhen konsideruar për realizimin e hajnisë, aq më shumë hajna bëhen të domosdoshëm për hajni të suksesshme. Procesi i planifikimit të hajnisë është proces i shtimit të hajnave për hajninë.
Hajni i vetëm e ka hallin kryesor te realizimi i hajnisë. Ai ka shumë vetëbesim, arrin të vjedh ndonjë shumë të vogël dhe zakonisht nuk kapet. Edhe kur e kapin, nuk i bie të qëndrojë gjatë në burg. Prandaj, vështirësitë për hajnin e vetëm janë derisa ta kryejë hajninë. Ai gjithmonë llogarit që pas hajnisë do t’ia mbath me të katra nga vendi i krimit për të cilin nuk do të mendojë më. Krejtësisht ndryshe qëndron puna me grupin e hajnave. Ata shumë më kollaj e kryejnë hajninë, por shumë më vështirë arrijnë ta ruajnë atë. Së pari, ata detyrohen ta analizojnë aksionin që porsa e kryen duke shënuar me përpikëri çka nuk shkoi aq mirë dhe kush dështoi pak. Së dyti, shuma e vjedhur me këtë rast gjithmonë është e lartë dhe trysnitë e jashtme e të brendshme mbi ta janë të mëdha.
Duke i menduar nga jashtë, qytetarët i konsiderojnë hajnat si kriminelë që kanë vjedhur në të kaluarën e afërt. Mirëpo, përbrenda grupit të tyre hajnat e shohin njëri-tjetrin si dëshmitarë potencialë në një të ardhme të afërt. Hajni është anëtar i bashkuar në grup që mund të bëhet dëshmitar kundër grupit dhe secilit anëtar të tij. Prandaj, hajnat gruporë kanë nevojë t’ia kufizojnë lirinë njëri-tjetrit. Ata kanë të drejta dhe detyrime karshi njëri-tjetrit dhe grupit. Kjo është dobia e domosdoshme për ta. Të jenë mirë dhe të lirë. Kur i dëgjoja rrëfimet e hajnave në burg, më dukej që ata e kishin krijuar një rrymë të re filozofike duke gërshetuar Kantin me Millin: një lloj etike që në të njëjtën kohë është edhe formale e normative por edhe natyrale. Hajnat e duan dobinë që njëherazi iu bëhet e domosdoshme. Sepse, grupi i hajnave mund të mos jenë më hajna në kuptimin që nuk do të vjedhin më, por ata e kanë të pamundur të mos vazhdojnë të mbesin grup. Nëse dikur u bënë grup për ta shkelur ligjin, sot u nevojitet të mbesin grup për të mos u rrezikuar nga ligji. Prandaj, hajnat në grup patjetër që kanë nevojë për një grup rregullash. Atyre u nevojitet një referencë e kodifikuar për ta siguruar grupin nëpërmjet unitetit të grupit. Hajnat përmes parimeve të tyre arrijnë ta ruajnë kohezionin e grupit që i shpërblen me jetë, liri dhe lumturi të ndjekur.
Pra, hajnat që ‘punojnë’ në grup nuk janë thjesht të pamoralshëm me njëri-tjetrin. Edhe ata kanë një kod grupor etik. Edhe ata kanë kritere e standarde të brendshme. Përndryshe nuk do të mund ta kryenin hajninë, e aq më pak ta ruanin plaçkën. Bile ‘morali’ i tyre mund të jetë shumë më i rreptë sesa ai i qytetarëve të zakonshëm. Hajnat janë më të rregullt e më të disiplinuar sesa qytetarët. Parimet e ‘moralit’ të tyre përpos që janë gjithsesi të dobishme për ta, ato ngjajnë edhe të drejta përbrenda kuadrit të padrejtësisë. Përbrenda grupit hajnat janë përlot virtyte: trimëri, barazi, drejtësi, ndjeshmëri... Ata njëmend vjedhin, por mandej në mënyrë të barabartë e distribuojnë plaçkën. Nejse, nuk shkojnë aq larg sa barazia e tyre brenda grupit të jetë barazi sipas nevojës, por pa dyshim se është barazi sipas meritës.
Problemi i paevitueshëm i hajnit është që ai nuk mund të vjedh vetëm njëherë. Kur e ka kryer një vjedhje me sukses ai s’përmbahet dot pa tentuar ta përsërisë suksesin. Mandej edhe herën e tretë, të katërt, e kështu me radhë. Përvoja e suksesshme është motori i përsëritjes. Kështu hajni përfundon duke vjedhur edhe atë që s’do të mund ta përdor kurrë, nis e vjedh edhe atëherë kur kjo tashmë s’është fare e nevojshme për të. Ky është momenti kur hajni nuk vjedh për ta plotësuar një nevojë sado e madhe të jetë ajo, por një dëshirë që s’plotësohet asnjëherë. Në këtë pikë nuk vjedh më hajni, por është hajnia ajo që vjedh. Plaçka rritet. Neve na e bllokon shikimin e hajnit ia bllokon trurin. Plaçka është tepër e madhe. Lakmia e papërmbajtur dhe natyra përçarëse e plaçkës ushqejnë njëra-tjetrën. Grupi i hajnave bie në krizë. Ata janë gjithnjë e më shumë hajna, por gjithnjë e më pak grup.
E dimë se kur policia i kap hajnat, ajo i izolon ata nëpër qeli të veçanta. Pra, jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga njëri-tjetri. Nëse hajnat dikur nuk mund ta kryenin hajninë pa u bërë grup me njëri-tjetrin, më vonë është policia ajo që s’arrin t’ua zbulojë plotësisht hajninë pa i izoluar ata prej njëri-tjetrit. Por çka ndodh kur vetë hajnat nisin dhe e kryejnë izolimin, kur ndahen pak e nga pak prej njëri-tjetrit derisa ndodhen në liri? Ata bëhen mosbesues ndërmjet veti dhe të brishtë. Mungesa e unitetit të tyre është kontribut direkt për policinë që do të duhej t’i arrestonte dhe hetonte. Lidhjet bashkëpunuese që i kishin fitojnë funksion tërësisht shantazhues. Ata nuk janë të lidhur për ta ndihmuar njëri-tjetrin tashmë, por për t’iu kërcënuar njëri-tjetrit.
Pikërisht në këtë fazë ka hyrë Qeveria e Kosovës dhe tërë elita politike e institucionale e Kosovës. Arrestimi i ndonjë ‘peshku të madh’ do të mund të sillte në burg shumë ‘peshq të mëdhenj’. Arrestimet dhe hetimet policore s’po nisen ende jo pse nuk do të mund të zbulohet e vërteta, por mu pse do të mund të zbulohej ajo në tërësinë e saj, duke shpërfaqur organizimin dhe natyrën grupore të hajnisë. Luftimin e korrupsionit të lartë po e pengon karakteri grupor i hajnisë, por ama jo pse sekreti nuk do të mund të zbulohej meqë hajnat janë grup, por pse ai do të mund të dalë tepër i madh për këtë Kosovën tonë të vogël. Duket se Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është në gjendje ta bëjë ‘kurban’ ndonjë ministër a zyrtar të lartë duke e shkarkuar për t’ia dorëzuar policisë, sepse hajnia ka qenë grupore dhe hajnitë janë të shumta. Askush nuk e di se sa i madh do të dalë grupi në fund. Askush nuk e di se sa thellë, gjerë e lartë do të shtrihet ky grup. Dhe, në veçanti, Hashim Thaçi nuk ka siguri që dorëzimi i ndonjë ministri a zyrtari të lartë partie nuk do të rezultonte me një grup në të cilin bëhet i përfshirë edhe vetë ai si kryeministër. Diku do të mund ta kapte përgjegjësia e drejtpërdrejtë e diku ajo e tërthortë si i pari në sistem që është. Asnjë ministër nuk ecën vetë. Hajnitë janë aq të mëdha saqë jo vetëm se bëhet fjalë për hajni grupore, por edhe për hajni të grupeve të mëdha të hajnave. Kur vinin aktakuzat nga Tribunali i Hagës, ish pjesëtarët e UÇK-së që ishin në pozita mbaheshin duke mos rënduar shokët, ndonëse, dorën në zemër, e dëmtonin UÇK-në duke mbrojtur sall veten. Por, tash është ndryshe. Askush nuk do që të shkojë i vetëm në Dubravë.
Vite më parë Hashim Thaçi skijonte me bashkëluftëtarë në Slloveni. Tash po skijon në Brezovicë vetëm me djalin e tij dhe truprojën. Janë rrudhur që të gjithë në lëvozhgat e tyre individualiste. Grupi është gjithsesi në krizë.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt