Anglezet nuk e lejn rrehat.
Sparks porosit Thaçin: Prej fjalëve në vepra
Prishtinë, 18 mars – Ambasadori britanik në Kosovë, Andy Sparks, ka përsëritur, të enjten, se është duke pritur nga Qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi që të nisë ndryshimet në kabinetin e tij qeveritar. Madje siç ka thënë Sparks ndryshimet e paralajmëruara nga shefi i ekzekutivit kanë zgjuar interes tek ai.
“Ne i presin me interesim këto ndryshime në qeveri. Dua të theksoj se pas bisedave që kam pasur me kryeministrin e Kosovës, na ka thënë shumë herë se ai është i interesuar për një qeverisje të mirë dhe luftimit të korrupsionit”, është shprehur ambasadori Sparks.
Mirëpo, nuk ka thënë nëse nevoja për ndryshime në kabinetin Thaçi është e lidhur me korrupsionin, porse ka shtuar që është mirë që kryeministri Thaçi ta qeverisë vendin në përputhshmëri me deklaratat e tij kundër korrupsionit.
“Është me rëndësi që qeveria e tij, që qeveriset prej tij, të jetë në përputhje me komentet apo parimet që ai i ka shprehur”, ka thënë Sparks.
Ambasadori Sparks këto deklarata i ka dhënë pas një takimi që ka zhvilluar me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, i cili e ka njoftuar me funksionimin e institucionit, të cilin e udhëheq ai. Kryetari Hasni ka bërë me dije se e ka njoftuar ambasadorin Sparks se Gjykata Kushtetuese e Kosovës është duke iu shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim etnie, të cilët sipas Hasanit janë duke e kërkuar zgjidhjen gjyqësore në këtë institucion.
“E njoftova se kohëve të fundit, Gjykatës Kushtetuese, kanë filluar t’i drejtohen edhe komunitetet jo shumicë, përkatësisht, serbët. Janë katër raste, gjë që është shenjë se pranohet një paanshmëri dhe profesionalizëm i Gjykatës në punën tonë”, ka deklaruar kryetari Hasani. Nga ana tjetër ambasadori Spraks i ka ftuar qytetarët që në rast nevoje t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të cilën ka thënë se nuk është institucion i korruptuar.
“Unë i inkurajoj të gjithë qytetarët e Kosovës, se ata e kanë një Gjykatë Kushtetuese të pranishme, e cila nuk është e korruptuar dhe është garanci e tyre dhe e drejta e tyre”, ka vlerësuar ambasadori britanik, Sparks, i cili ka premtuar se së bashku me DFID dhe USAID do ta ndihmojnë edhe më tej me Gjykatën Kushtetuese të vendit.
Më tej ambasadori Sparks ka theksuar se sundimi i ligjit vazhdon të mbetet një sfidë e madhe për Kosovës dhe qytetarët e saj gjë që sipas tij sundimi i ligjit ka një rëndësi shumë të madhe sidomos sa i përket integrimit të vendit në BE.
“Për sa i përket hyrjes në BE për mund të jepet një shembull i thjeshtë për shembull nëse lopët hyjnë në tokën e dikujt do të thotë kjo ka të bëjë me sundimin e ligjit kështu që Gjykata Kushtetuese është shumë e rëndësishme dhe është mjeti i fundit i sigurisë që qytetarët e Kosovës të sigurohen se atyre kanë për t’iu respektuar të drejtat kushtetuese”, ka deklaruar Sparks.
Duke folur për funksionimin e Gjykatës ambasadori Sparks ka thënë se “roli i Gjykatës Kushtetuese është për të mbrojtur Kushtetutën dhe normalisht Kushtetuta e Kosovës mban parimet themelore të demokracisë dhe të sundimit të ligjit edhe kështu që normalisht që gjykata ka për të respektuar këtë dhe s’ka asgjë tjetër, e cila ka për të devijuar nga këto parime”. Ndërsa ka shtuar se “korrupsioni nuk duhet të ketë vend në Kosovën moderne që shumë shpejt ka për t’iu bashkuar komuniteteve evropiane, jam shumë i sigurt që gjykata ka për ta mbrojtur këtë parim”, është shprehur Sparks.
Ai ka përmendur faktin se është shumë me rëndësi që Gjykata Kushtetuese ka një buxhet të pavarur, i cili sipas tij ndihmon në funksionimin e pavarur.
“E kuptoni se sa është e rëndësishme për këtë gjykatë ku qeveria nuk e kontrollon buxhetin. Asistenca jonë drejt mbështetjes për këtë gjykatë bashkë me organizatat e tjera siç është USAID-i”, është shprehur ambasadori Sparks.
Krijoni Kontakt