Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1

    Lightbulb Surroi : E ardhmja evropiane e Kosovës është e paqartë dhe e cunguar

    Prishtinë, 18 mars – Ndonëse kosovarët në përditshmërinë e tyre hasin vazhdimisht në sloganin se Kosova ka perspektivë evropiane, kjo e ardhme, sipas kryetarit të Bordit të Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi, është e pasigurt, e paqartë dhe e cunguar. Surroi u ka thënë studentëve të Shkollës për Integrime Evropiane, se vështirësitë që ka Kosova në raport me integrimin në BE, kanë shkaktarë të ndryshëm, duke nisur që nga procesi se si ka lindur shteti më i ri në Evropë, e që, sipas Surroit, ka qenë lindje e vështirë e që vazhdon të ketë probleme dhe vështirësi edhe tash në fazën e vetë të rritjes.
    “Kur një foshnjë ballafaqohet me probleme të tilla në lindje është normale që nuk duhet pritur që ajo foshnjë të jetë e gatshme të vrapojë, e integrimi evropian, përgatitja për këtë integrim është kapacitet i fëmijës për të vrapuar. Këtë kapacitet shteti ynë nuk e ka”, ka thënë Surroi.
    Krahas skenarit ku përsëritet slogani për të ardhmen evropiane, e që, sipas Surroit, ka mbetur vetëm slogan, Kosova duhet përgatitur për një qasje më realiste karshi integrimit në Bashkimin Evropian.
    Sipas anëtarit të ish-Ekipit të Unitetit që përfaqësoi Kosovën në bisedimet për statusin, skenari që duket të jetë me realist është se Kosova ka një ardhmëri por ajo është krejtësisht e mjegullt dhe krejtësisht jokonkrete.
    “Në një kësi skenari korniza më realiste do të ishte kjo: që Kosova deri në vitin 2020, pra dhjetë vjet nga tash, të mos jetë vend anëtar i BE-së dhe se Kosova deri në vitin 2015 të mos jetë as vend kandidat i BE-së, dhe se Kosova brenda 12 muajve të ardhshëm të mos jetë as partner i barabartë në fillim të procesit të stabilizim asocimit, si vendet e tjera të regjionit”, ka thënë Surroi.
    Sipas tij, në këto rrethana Kosova është krejtësisht e izoluar prej rrjedhës së përgjithshme të integrimit evropian të regjionit. “Në fakt, është e izoluar prej një lëvizjeje historike, e cila do ta inkuadrojë tërë regjionin”.
    Sipas Surroit, në këtë mënyrë Kosova do të ballafaqohet me disa probleme në të ardhmen sepse po krijohet një prapambetje strategjike e Kosovës në raport me vendet e tjera të regjionit, duke krijuar edhe një diferencë mes kapacitetit integrues të Serbisë dhe kapacitetit integrues në BE të Kosovës.
    “Kjo mund të manifestohet dyfish në mënyrë negative për Kosovën. Fillimisht, duke mbajtur gjendjen e tanishme të konfliktit të ngrirë në veri, dhe nga ana tjetër mund të krijohet një masë kritike e vendeve të BE-së, të cilat në një moment vendimtar do të thonë që Serbia nuk ka nevojë që ta presë Kosovës për të hyrë në BE.
    “Një diferencë e tillë do ta fuste skenarin e Qipros sërish në BE dhe do ta kufizonte Kosovën në masë të madhe në veprimet e saj. Serbia atëherë do të fliste me Kosovën si anëtare e BE-së”, ka thënë Surroi.
    Kreu i Klubit për Politikë të Jashtme ka thënë se përderisa duhet ngutur që të jetë gati për t`u integruar në BE në vitin 2020, Kosova duhet të përgatitet për dy procese negociatore. I pari proces, sipas Surroit, do të jenë negociatat me Serbinë, të cilat do të kenë për qëllim një lloj normalizimi të marrëdhënieve Kosovë - Serbi, ndërkaq që procesi i dytë negociator do të bëhet me BE-në, e që për temë do të ketë integrimin.
    Të dyja proceset negociatore, sipas Surroit, do të ndodhin në dhjetë vjetët e ardhshëm.
    Procesi negociator me Serbinë ku do të tentohet të gjendet një normalizim i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pa njohjen e pavarësisë, por me njohjen e institucioneve, sipas Surroit, do të fillojë pas opinionit të GJND–së për Kosovën, dhe ato sipas tij, sjellin rreziqe të prekshme dhe eminente.
    “Fillimisht do të gjendemi në një pozitë jo të favorshme negociatore. Serbia do të negociojë nga një pozitë i shtetit i cili nga kjo negociatë pret ratifikimin e marrëveshjes së stabilizim asociimit, pra kalimin në fazën e kandidaturës për BE, ndërkaq Kosova do të negociojë nga pozita e një shteti që ende nuk e ka as statusin e partnerit kontraktual me BE-në”, ka thënë Surroi.
    Duke folur për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila gjatë këtij viti pritet të japë opinionin e saj rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe raportit të kësaj shpalljeje me të drejtën ndërkombëtare, Surroi ka thënë se prej tash mund të thuhet se janë dy gjëra që do të ndodhin me mendimin e GJND-së.
    “Mendimi nuk do të jetë eksplicit. Nuk është në natyrën e Gjykatës që të japë mendime të prera rreth një çështjeje. E dyta që do të ndodh është se mendimi nuk do ta zhbëjë pavarësinë e Kosovës, pra nuk do t`i detyrojë shtetet që kanë njohur pavarësinë ta tërheqin njohjen, sikur se edhe nuk do ta detyrojë Serbinë ta njohë pavarësinë”, ka thënë Surroi.
    Sipas kreut të Klubit për Politikë të Jashtme, Serbia nga procesi i GJND-së ka dalë fituese, sepse është legjitimuar si palë.
    “Serbia në fakt nuk do të duhej të ishte palë në këtë kontest, sepse Kosova nuk i përket Serbisë, nuk ka pasur kurrë një lidhje të tillë juridike. Avantazhi tjetër që e ka fituar Serbia është se formulimi i tillë neutral, mund të përdoret nga një diplomaci dinamike serbe te vendet e botës së tretë, ku do të merret formulimi që i konvenon Serbisë”, ka thënë Surroi.
    Ndonëse është kursyer nga kritikat e drejtpërdrejta për Qeverinë e Kosovës, Surroi ka thënë se procesi i udhëheqjes së Kosovës ka qenë devalvues, gjë që ka bërë që Kosova të humbë statusin e “fëmijës së përkëdhelur” që e ka pasur dikur.
    “Nëse i shohim vetëm dy vitet e pavarësisë, vërejmë se vendimmarrja e Kosovës ka qenë ose munguese ose e gabueshme. Që nga flamuri i cili nuk reflekton identitetin e këtij vendi, dhe himnit që asnjëri nga ne nuk mund ta fishkëllejë”, ka thënë Surroi.
    Ai ka përmendur edhe paralizimin e veriut të vendit pas djegies së dy pikave kufitare menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, por edhe gjashtëpikëshin e Ban Ki Moon-it, si elemente që tregojnë mungesën e kapaciteteve të politikës kosovare.
    BASHKIM KOSOVE ME SHQIPERINE DHE JO PAZARLLEQE ME SERBINE E GREQINE

  2. #2
    Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia nxori një projekt që e quajti “zhvendosjen e Kosovës nga politika në rrafshin juridik”, përkatësisht aktivizimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të dhënë mendimin mbi legalitetin e shpalljes së pavarësisë nga “IPVQ të Kosovës” (Institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes), Në një pjesë të BE-së ky hap u tumir, diku edhe u mirëprit si sjellje racionale, ndërsa në Kosovë u shpërfill, me injorancë, vetëm për t’u brengosur më vonë, kur ky hap fitoi një përkrahje të dukshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
    Dy ishin efektet anësore pozitive të këtij hapi për Serbinë. I pari, krijimi i një shëmbëllimi për gjoja përkrahje globale për pozicionin e Serbisë (nëpërmjet votave në Asamblenë e Përgjithshme) dhe i dyti, ngrirja e procesit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, me gjithë angazhimin e shteteve të mëdha (SHBA, Britania, Franca, Gjermania) në këtë drejtim.
    Në rrafshin evropian, Serbia gjithashtu fitoi shumë, përkatësisht dy vjet mosuniteti të qasjes së 25-shes ndaj Kosovës, e me këtë edhe një pozicion, ku, si në kohën e Milosheviqit, duhej shkuar në Beograd për të rregulluar një apo çështjen tjetër në Kosovë. Rast eklatant ishin 6 pikat e Ban Ki-moonit për dislokimin e EULEX-it, për të cilat u nevojit pëlqimi i Serbisë zyrtare dhe mendjelehtësia e Kosovës zyrtare.

    2.
    GJND-ja, megjithatë, pritet që gjatë këtij viti, besohet në gjysmën e parë të tij, të japë mendimin e tij për pyetjen e shtruar nga Serbia. Që tani mund të thuhen dy gjëra për natyrën e mendimit dhe dy gjëra për efektet thelbësore të këtij mendimi në Kosovë e Serbi.
    Fillimisht për natyrën e mendimit. E para, natyra konsensuale e GJND-së është e atillë që detyrimisht të kërkojë emërtuesin e përbashkët, i cili është zakonisht emërtuesi më i ulët - gjë që do thotë që mendimi ka më shumë gjasa të jetë unik nëse është sa më pak konkret e deciziv. E dyta, çfarëdo që të jetë mendimi, ai nuk ka karakter obligues, pra nuk i detyron palët në një apo veprim tjetër juridik.
    E tash për efekte. Çfarëdo që të jetë mendimi ai nuk mund të bëjë dy gjëra. Nuk mund ta detyrojë Kosovën që ta zhbëjë shpalljen e vet të pavarësisë dhe, nga ana tjetër, nuk mund ta detyrojë Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës.
    Pra, në fund, kur të jepet mendimi, gjendja mund të jetë afërsisht e njëjtë sikur kur u miratua iniciativa e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, më 2008. Do të thotë, Kosova, me përafërsisht po aq legjitimitet ndërkombëtar sa kishte atëbotë dhe Serbia me po aq pozicion të fortë, në veçanti në Botën e Tretë, Moskë dhe, ndoshta, Kinë.

    3.
    GJND-ja, megjithatë, është një perde mjegulle, e cila, kur të ngrihet, do të tregojë se dy prej tre aktorëve në terren në Kosovë gjatë dy vjetëve të kaluar nuk i kanë kryer detyrat e veta. EULEX-i, misioni i sundimit të ligjit, gjatë mjegullës së GJND-së, ka bërë “operacionin e zbarkimit”, në një afat kohe që do t’i mjaftonte të akomodohej në nën-kontinentin indian, e jo në 10 mijë kilometra katrorë të Kosovës. Institucionet e Kosovës – legjislativi, gjyqësori e në veçanti ekzekutivi - ose e kanë detyruar vendin në vendnumërim, ose e kanë zhytur më tej në regresion.
    Perdja e mjegullt e “rrethanave ndërkombëtare” ka qenë arsyetim i përhershëm i EULEX-it për moskryerjen e detyrave të veta në vendosjen e sundimit të ligjit, qoftë në Veriun e Kosovës, qoftë nëpërmjet stopimit të korrupsionit galopant dhe transparent të Qeverisjes kosovare. Për Qeverinë kosovare, perdja e mjegullt e GJND-së ka shërbyer për të nxjerrë kurdo e kudo kredencialet patriotike, posaçërisht kur, në të njëjtën kohë, përqendrimi real ka qenë në vendosjen e një sistemi të paprecedencë në Kosovë të monopolizimit të parasë publike dhe shtrirjes së rrjetit klientelist.

    4.
    Një ditë pas shpalljes së mendimit të GJND-së, do të bëhet përpjekja për një perde tjetër mjegulle: nevojën që Serbia e Kosova të ulen e të bisedojnë sërish për, dikush do të thotë statusin, dikush tjetër, marrëdhëniet e ndërsjella. Kosova zyrtare nuk e ka as idenë fillestare se çka të bëjë një ditë pas shpalljes së mendimit të GJND-së.
    Në mungesë të një politike unike evropiane për vendosjen e një sistemi unik ligjor në Kosovë, mund të shpiket tema e bisedave si një by-pass që nuk e obligon kë, pos Kosovën. Këto biseda, si edhe 6-pikëshi më herët, mund të shfrytëzohen për të eliminuar Kosovën si pengesë për rrugën evropiane të Serbisë. Në mungesë të një platforme kosovare që do të dinte se çfarë të kërkonte dhe si, nga “procesi i normalizimit”, Serbia do të mund të arrinte dy caqet e veta strategjike: rritjen e hendekut me Kosovën karshi BE-së dhe krijimin e gjendjes për “njohjen e ndërsjellë të realiteteve të reja”.
    Në planin e brendshëm, një perde e re e mjegullës mund të ketë efekte të njëjta si ajo e mëparshmja; për EULEX-in mbulesë për mosbërje, për qeverisjen e Kosovës mbulesë për keqbërje.

    (Nesër: Sindroma e Qeverisë së përkohshme)
    BASHKIM KOSOVE ME SHQIPERINE DHE JO PAZARLLEQE ME SERBINE E GREQINE

  3. #3
    Tadiç: Pas vendimit të GJND, dialog për kompromis me Kosovën

    Ka disa realitete të ndryshme në Kosovë”, deklaroi presidenti serb, Boris Tadiç për mediat serbe....
    Postuar: 11:49:40 / 19.03.2010


    “Nga një anë kemi shqiptarët në Kosovë që nuk duan të jetojnë nën një çati me Serbinë dhe realiteti tjetër është se serbët në Kosovë nuk duan të jetojnë në të ashtuquajturën Kosovë e pavarur”, tha Tadiç, duke shtuar se duhet të merren parasysh interesat e të dyja palëve. “Jemi të gatshëm, që pas vendimit të GJND-së mbi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë, të arrijmë kompromisin përmes dialogut”, tha Tadiç.
    BASHKIM KOSOVE ME SHQIPERINE DHE JO PAZARLLEQE ME SERBINE E GREQINE

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •