Ëndërron përballjen me Man Utd
Njëra ndër befasitë më të mëdha të së tetës së finales ishte gjiganti rus CSKA Moscow, që eliminoi klubin spanjoll Sevilla, duke fituar me rezultatin e përgjithshëm 3:2 (1:1 ndeshja e parë, 2:1 e dyta). Mesfushori i CSKA, Mark Gonzalez, ishte shumë i gëzuar për arritjen e madhe të ekipit të tij.
“E dinim shumë mirë nga loja e parë se po na priste një ndeshje e fortë. Çelësi i suksesit tonë ishte se ne nuk po ndienim ndonjë presion apo ndonjë shqetësim. Kjo do të thotë se ne ishim totalisht të fokusuar në planin e lojës sonë”, ka thënë Gonzalez për uefa.com.
“Sevilla e filloi shumë mirë ndeshjen dhe mund të shënonte, kurse faza tjetër e lojës ishte e jona. Ne e dinim rëndësinë e golit të dytë, por edhe pas shënimit të tij vazhduam dominimin”, shtoi ai. Përfaqësuesi kilian, që në të kaluarën ishte pjesë e Liverpoolit, do të dëshironte që në çerekfinale ekipi i tij rus të përballet me Manchester United .
“Si ish futbollist i Liverpoolit do të doja të ballafaqoheshim me Manchester United. CSKA luajti me ta në fazën e grupeve, por unë nuk e pata atë mundësi sepse isha i lënduar. Do të ishte bukur t’i kemi përballë sërish, sepse bëhet fjalë për një ekip të madh”, përfundoi Gonzalez. /Express/
Krijoni Kontakt