Thaçi na do në Qeveri

Dragisa Miric nga Partia Serbe për Kosovë dhe Metohi (SKMS) që është pjesë e Grupit për Integrim, thotë se Kryeministri Thaçi dëshiron që ky grup të jetë pjesë e Qeverisë. Por para së gjithash, ai pret ndihmë nga LDK’ja partnere dhe Presidenti Sejdiu

Anëtarët e Grupit parlamentar për Integrim janë të bindur se mund të jenë pjesë e Qeverisë së Kosovës, kur të bëhet riformatizimi i saj.

Deputeti Dragisa Miric, që është pjesë e këtij grupi nga radhët e Partisë Serbe për Kosovë dhe Metohi (SKMS), ka thënë për Express se Kryeministri Thaçi dhe Zëvendëskryeministri Kuçi kanë treguar disponim për përfshirjen e këtij grupi në Qeverinë e riformatizuar.

“Ne kemi biseduar me Kryeministrin Thaçi dhe Zëvendëskryeministrin Kuçi. Grupi për Integrime do të hyjë në Qeverinë e Hashim Thaçit. Dhe ne i besojmë Kryeministrit Thaçi dhe z. Kuçi, bazuar në atë që kemi dëgjuar nga ata”, ka thënë ai.

Miric, megjithatë, ka theksuar se Thaçi nuk ka premtuar asgjë. “Kryeministri ka kërkuar që ne të dërgojmë kërkesën dhe ne e kemi bërë këtë. Ai nuk na ka premtuar asgjë, por ka thënë se është edhe dëshirë e tij që ne të jemi në qeveri”.

Miric ka thënë se Grupi për Integrim pranon që të jetë pjesë e Qeverisë bashkë me Grupin e SLS’së, që është pjesë e koalicionit ku ka dy ministri.

“Pse jo. Por ky grup tjetër ka qenë dy vjet në Qeveri dhe ne e dimë sa kanë kontribuar ata në këtë qeveri. Unë nuk dua ta komentoj punën e tyre në qeveri, unë do të komentoja për grupin tim, ku jam anëtar unë”.

I pyetur se çfarë argumentesh kanë ofruar para Kryeministrit të Kosovës për futje në Qeveri, Miric tha se Grupi i SLS’së ka punuar pak gjatë dy vjetëve të fundit.

“Ne konsiderojmë se ata kanë bërë pak punë për komunitetin serb dhe komunitetet e tjera. Ne duam të shohim se çka ne mund të bëjmë. Në këtë grup janë pesë parti politike dhe është një grup i pastër multietnik”.

Grupi për Integrim është partner me Lidhjen Demokratike të Kosovës, nga e cila pret mbështetje. “Presim përkrahjen e LDK’së dhe të Presidentit dhe para së gjithash, përkrahjen e Thaçit. Sa kam parë unë, Kryeministri Thaçi dhe Zëvendëskryeministri janë të sinqertë me ne”, ka thënë ai.

Grupi për Integrim ka kërkuar përfshirjen në Qeverinë e riformatizuar të Kosovës, përderisa Kryetari i këtij Grupi, Numan Balic, ka kërkuar që të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë. Ky grup ka kërkuar edhe Ministrinë për Komunitete. /Express/