Prishtinë, 20 mars - Zgjedhjet lokale të Serbisë, të paralajmëruara të mbahen më 30 maj në Mitrovicë, nga institucionet në Prishtinë do të konsiderohen ilegale dhe jo legjitime.
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se paralajmërimi i Beogradit dhe strukturave të pushtetit të Serbisë në Kosovë që të organizohen zgjedhje në territorin e Republikës së Kosovës, paraqesin edhe një hap tjetër destruktiv të Serbisë në raport me shtetin fqinj, Kosovën.
Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se Beogradi edhe vetë po e sheh fare qartë se roli i tij në vendbanimet serbe po zbehet, ç’gjë, sipas tij, është vërejtur edhe me zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, ku kishte një dalje dhe pjesëmarrje solide të serbëve.
“Çfarëdo rezultati që mund të dalë prej atyre zgjedhjeve që po proklamohen, është i parëndësishëm, sepse ato zgjedhje janë jolegjitime, jolegale dhe si të tilla janë të papranueshme për institucionet dhe popullin e Republikës së Kosovës”, deklaron Beqiri.
Këto zgjedhje ai i sheh edhe si një përpjekje serbe për të penguar planet vendore e ndërkombëtare për integrimin e pjesës veriore.
“Institucionet e Kosovës janë të vetëdijshme për sfidat, mirëpo janë të përkushtuara që hap pas hapi, në koordinim edhe me komunitetin serb dhe atë ndërkombëtar t’i zgjidhin dhe tejkalojnë këto sfida”, thekson Beqiri.
Ndërkohë, Avni Arifi nga Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kërkon nga Qeveria që të ndërmarrë hapa kundër strukturave të pushtetit të Serbisë, në mënyrë që të mos lejohet cenimi i sovranitetit të shtetit të Kosovës.
“Besoj që Qeveria e Kosovës duhet t’ua bëjë me dije se në shumë aspekte nuk do të tolerohen veprime të tilla në territorin e Republikës së Kosovës”.
“Natyrisht se nuk mendoj në asnjë mënyrë që të përdoret dhuna, megjithatë mekanizmat e strukturave paralele dhe strukturave që votohen në territorin e Republikës së Kosovës dhe që i takojnë një shteti tjetër duhet të jenë të limituara dhe thjesht të parandaluara”, thotë Arifi.
Përderisa e përjashton si formë të parandalimit të ndërhyrjes së Serbisë përdorimin e forcës kundër atyre që u përgjigjen thirrjeve për të dalë në votime, Arifi thotë se ligji nuk do të duhej t’i kursente strukturat ilegale serbe, të cilat cenojnë sovranitetin e Kosovës me veprimet e tyre.
“Strukturave nga një shtet tjetër, në këtë rast të Serbisë, nuk duhet lejuar fushëveprimi, që në territorin e Republikës së Kosovës të ndërmarrin iniciativa që, në thelb, janë kundër sovranitetit të shtetit të Kosovës”.
“Dhe e dyta, mekanizmat apo funksionimi i mekanizmave që dalin jashtë institucioneve të Kosovës, duhet të ndërpritet. Kanë kaluar 10 vjet, mjaft është mjaft”, shprehet Arifi.
Sidoqoftë, përfaqësuesit politikë të serbëve në veri të lumit Ibër kanë kundërshtuar organizimin e zgjedhjeve nga institucionet e Kosovës dhe kanë thënë se do të dalin vetëm në zgjedhjet që i organizon Beogradi zyrtar.
Krijoni Kontakt