Lindita Çela | 12/03/2010 | Shekulli
Gradat dhe Dekoratat e Enver Hoxhës? Për 20 vjet, nuk është përmendur kjo temë, por mesa duket do të jetë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ai që do të hedhë hapin e parë. Mësohet se Presidenti ka iniciuar ngritjen e një grupi pune për këtë qëllim dhe kjo u është komunikuar përfaqësuesve të ish të përndjekurve politikë, gjatë një takimi mes tyre dhe kreut të shtetit, të zhvilluar dy ditë më parë. Sipas këtyre përfaqësuesve, grupi i punës, veç E. Hoxhës do merret edhe me gradat dhe dekoratat e disa krerëve të tjerë të ish-nomenklaturës komuniste.
Dekoratat
Përveç urdhrave të shumtë që Presidiumi i Kuvendit Popullor i ka akorduar Enver Hoxhës, zyrtarisht ai mban dekoratën "Hero i Popullit", dekoratën "Hero i Punës Socialiste" si dhe "Suvorov", që iu ishte dhënë gjithë udhëheqësve të vendeve të Aleancës Antifashiste të Luftës së II Botërore.
Enver Hoxha nuk është i vetmi anëtar i lartë i ish-Byrosë Politike që i kanë ende ligjërisht gradat dhe dekorimet. Zyrtarisht, dekoratat dhe medaljet e arta të akorduara në emër të shtetit shqiptar i kanë ligjërisht edhe shtetas të huaj, madje edhe persona të tillë si ish-gjeneralë të Titos.
"Kërkesa në Presidencë ka ardhur nga Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës, - thotë për gazetën "Shekulli" Adrian Kati, sipas të cilit, "ndër kërkesat e bëra gjatë takimit të dy ditëve më parë me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, ishte edhe heqja e gradave, titujve dhe dekoratave, ish-diktatorit Enver Hoxha, të lëshuara nga ish-presidiumi i Kuvendit Popullor".
Por, në bazë të Ligj Nr. 6133, datë 12.2.1980, "Për titujt e nderit dhe dekoratat e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë", Presidenti i Republikës ka të drejtën vetëm të dekorimit të personave për motivacione të ndryshme, ndërsa për çdekorimin e tyre, legjislacioni shqiptar është krejtësisht i paqartë.
Këtë e pranon edhe Drejtoresha e zyrës së Dekorimeve, Fatjona Memça, në Presidencë. Sipas saj, institucioni i Presidentit në bazë të ligjit kryen të gjitha procedurat për dekorimin e individëve të ndryshëm, ndërsa heqja e titujve nuk është në kompetencë të këtij institucioni.
Po të njëjtin shpjegim të bën edhe Adrian Kati, sipas të cilit, ky do të jetë edhe qëllimi primar i grupit të punës së ngritur në zyrën e Presidentit të Republikës. Një ish-këshilltar presidencial, tha dje për "Shekulli-n" se rruga e vetme ligjore për të vepruar në këtë rast është Gjykata. Duhet të jenë, grupet e interesit, institucionet apo edhe shoqata të ndryshme ato që duhet të depozitojnë në Gjykatën e Tiranës një kërkesë për çdekorimin e një personi, kërkesë kjo që duhet edhe të jetë e motivuar, pra të përmbajë arsyet pse ky person nuk duhet të mbajë më një titull të akorduar në emër të shtetit Shqiptar.
E ndërsa ekspertët janë të qartë në hapat ligjorë, ndoshta, kjo temë do hedhë edhe ca benzinë shtesë në shpërdorimin që i bëhet këtyre temave, në ligjërimin e përditshëm politik.
Nexhmije Hoxha: No Koment
E prisja nga këto këtë nismë, por kjo nuk çnderon aspak Enverin
Përpjekja për t'i hequr titujt dhe dekoratat Enver Hoxhës nuk e çuditu aspak Nexhmije Hoxhën. E kontaktuar nëpërmjet telefonit, Nexhmije Hoxha nuk ka autorizuar asnjë koment mbi këtë çështje.
Fakti që ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, nuk kishte pranuar kërkesën e saj, për marrjen e pensionit të veteranëve kanë qenë kambanat e para të alarmit për të.
Prej atij momenti mund të priste çdo gjë, ndaj dhe lajmi për një grup pune që do merret me dekoratat e Enver Hoxhës nuk e ka çuditur aspak të venë.
Megjithëse e sjellshme dhe komunikuese në linjë telefonike, Nexhmije Hoxha nuk autorizoi publikimin e asnjë prej komenteve të saj, duke shtuar vetëm se "është krejtësisht e bindur se asnjë nismë ligjore nuk mund ta çnderojë atë që ia ka bërë me kohë nderin vetes në zemrat e shqiptarëve".
Dekoratat që mban Enver Hoxha
"Heroi i Popullit",
"Heroi i Punës Socialiste",
"Heroi i Popujve të Jugosllavisë",
"Heroi i Popujve të Bashkimit Sovjetik",
Dekoratat që mban Nexhmije Hoxha
Është vlerësuar me 13 dekorata, si dhe Urdhrin "Hero i Punës Socialiste".
Çfarë janë Dekoratat:
Shenja nderimi që i jepen nga Presidiumi i kuvendit Popullor shtetasve, institucioneve, ndërmarrjeve kooperativave, organizatave shoqërore që kanë kryer shërbime të shquara ose që kanë arritje të rëndësishme e të qëndrueshme në veprimtarinë e tyre për ndërtimin e socializmit të vendit dhe mbrojtjen e Atdheut.
Krijimi dhe heqja e dekoratave bëhet me ligj. Propozimet i paraqesin organe e institucione qendrore e lokale, sipas emërtesës së caktuar me vendim. Dekorimet mund t'u hiqen atyre që dënohen ose bëhen të padenjë më vendim të gjykatës, si dhe nga presidiumi i kuvendit popullor. Dekoratat mund t'u jepen edhe shtetasve të huaj kur i kanë sjellë shërbime popullit shqiptar, Shqipërisë në forcimin e marrëdhënieve të saj miqësore me vendet e tjera.
Krijoni Kontakt