Loja e dyfishtë e LDK-së ndëshkohet nga elektorati

Disfata e Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe në Gjilan, sipas analistëve politikë, është një tagër që LDK-ja po paguan kundrejt elektoratit të saj, për shkak të konfuzionit që kjo parti krijoi në raport me koalicionin qeverisës.

Lidhja Demokratike e Kosovës, pas balotazhit të 13 dhjetorit, kërkoi me ngulm përsëritjen e zgjedhjeve në Gjilan, Prizren dhe Lipjan, nën dyshimin se ka pasur keqpërdorime.

Të dielën, në Gjilan, sikurse ndodhi më herët në dy komunat tjera, kandidati i LDK-së humbi ndaj kundër-kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Për analistin politik, Ilir Deda, rezultati i Gjilanit tregon se LDK-ja ka humbur ‘busullën’ politike.

“Elektorati është duke e ndëshkuar LDK-në për të gjitha ato premtime, që dolën të jenë të pavërteta, të cilat i dha nga tetori i vitit 2009. Retorika që LDK-ja po e përdor në fushatë parazgjedhore, është një retorikë e dy skajeve të ndryshme”.

“Sa herë që ka kampanjë parazgjedhore, LDK-ja kërcënon se do ta lëshojë koalicionin dhe, pas përfundimit të raundit zgjedhor, ajo mbetet në Qeveri. Në të njëjtën kohë, LDK-ja po konkurron në zgjedhje me figura të shpenzuara politikisht, të cilat edhe nuk kanë përkrahje në elektorat”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ilir Deda.

Hovin e LDK-së me fitoren e Isa Mustafës në Prishtinë, më 15 mars, e kanë ndalur humbjet në tri komunat, ku u desh të mbaheshin zgjedhjet për kryetar komune tri herë.

Analisti Bardh Hamzaj numëron një sërë arsyesh, që, sipas tij, çuan në disfatën e LDK-së.

“Rezultati është i tillë, që mendoj se në një mënyrë e ka përulur LDK-në. Gjilani po tregon se thellimi i përçarjeve, që kanë ekzistuar edhe përpara mes anëtarëve të Kryesisë, vetëm sa është thelluar”.

“Kështu që me këto tri humbje, në këto tri komunat ku janë përsëritur zgjedhjet, pozicioni i LDK-së për bindjen time është më i dobët, sesa që ka qenë më 15 nëntor, kur është menduar se po forcohet”, thotë Hamzaj.

Një tjetër arsye që çoi në humbjen e Gjilanit, por edhe të Prizrenit e Lipjanit, sipas Ilir Dedës, është mosfreskimi i LDK-së me kuadro të reja.

“LDK-ja është në krizë të thellë – parti, e cila ka humbur identitetin e saj, dhe parti, e cila, në njëfarë mënyre, po e paguan çmimin e mosfreskimit të kuadrove të saj që pothuajse 20 vjet”.

“Është fakt se njerëzit e kanë lëshuar LDK-në, por nuk kanë sjellë prurje të reja në këtë parti. Kështu që këto janë konsekuencat që kjo parti duhet t’i bartë, derisa t’i mbajë zgjedhjet e saj të brendshme, të cilat, në një mënyrë, do ta determinojnë të ardhmen dhe fatin e LDK-së”, thekson Deda.

Zgjedhjet e brendshme të LDK-së priten të mbahen këtë vit. Ato, disa analistë madje i cilësojnë si ngjarje kryesore të vitit. Por, a do t’ia rikthejnë zgjedhjet fuqinë LDK-së, që dikur ishte partia më e madhe në vend? Ilir Deda shpjegon:

“Nuk po shihet se ka ndonjë zgjim të anëtarësisë së LDK-së. Edhe më tutje ka një qasje, ku Kryesia e LDK-së është e përçarë. Në Kryesi të LDK-së nuk dihet kush cilit grup realisht i përket dhe Kryesia e LDK-së nuk është forumi ku bëhen politikat partiake”.

“Kështu që në zgjedhjet e ardhme të brendshme të LDK-së, ballafaqimi i vetëm në to do të jetë se kah do të shkojë LDK-ja, a do të ketë forcë që ta rizbulojë identitetin e saj, a do të ketë prurje të reja dhe a do të ketë ndëshkime ndaj atyre kryetarëve të degëve që i humbën zgjedhjet”, thotë Deda.

Ndërkaq, Hamzaj është skeptik se zgjedhjet e brendshme do të sjellin rikthim të LDK-së në skenën politike kosovare, ani pse, siç thotë ai, kësaj skene i duhet një LDK e fortë.

”Unë mendoj se skenari i zgjedhjeve normale është më i pamundshmi në LDK. Ndërkaq, përpos zgjedhjeve të tensionuara, ekziston mundësia që ato të përshkallëzohen, ta zëmë, deri te ndonjë formë e ‘Kuvendit të karrigeve’. S’them që do të ndodhë mu ajo, por eventualisht mund të kemi çarje të reja në LDK”, deklaron Hamzaj.

Ndërkohë, para LDK-së është edhe sfida e Istogut. Në këtë komunë do të përsëriten zgjedhjet, meqë kryetari nga radhët e LDK-së, Fadil Ferati, ndërroi jetë pasi që mori mandatin në zgjedhjet e 15 nëntorit.

“Sipas të gjitha gjasave, në Istog, LDK-ja do të rrezikohet nga AAK-ja (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës), e cila, deri më tash, e ka mbështetur LDK-në në të gjitha ato komuna, ku ajo ka pasur nevojë për mbështetje”.

“Nëse i ka humbur tri komunat nga PDK-ja, një dështim i radhës në Istog, që është edhe vendlindja e presidenti historik të LDK-së, z. Ibrahim Rugova, mendoj se do ta dërmonte përfundimisht LDK-në”, vlerëson Hamzaj.

Analistët mendojnë se LDK-ja, në një formë, po mbetet peng i postit të ngrirë të kryetarit të saj, njëherësh presidentit të vendit, Fatmir Sejdiu. Ata thonë se LDK-së i duhet një kryetar, i cili do të merrej me punët e partisë tërë kohën. /rel/