Myftiu Tërnava priti shefin e ICO së Pieter Feith

Prishtinë, 15 mars - Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava priti sot në takim pune shefin e ICO së, Pieter Feith, të cilin e njohu me punën, angazhimet dhe sfidat e Bashkësisë Islame të Kosovës. Shefi i ICO së çmoi lart rolin dhe kontributin e bashkësive fetare në Kosovë, e posaçërisht të Bashkësisë Islame për ofrimin e komuniteteve fetare e etnike në Kosovën e pasluftës. Pieter Feith në bisedë me Myftiun u interesua për rrjedhat dhe gjendjen në Bashkësinë Islame. Myftiu Tërnava nga ana e tij, shprehu gatishmërinë e BI të Kosovës që të kontribuojë në krijimin e klimës së mirëbesimit në mes komuniteteve fetare e etnike në Kosovë. "Ne si popull, prej kohës kemi kultivuar ndjenjën e tolerancës e mirëkuptimit ndërfetar e ndëretnik. Këtë traditë pozitive jemi të vendosur që ta kultivojmë edhe në të ardhmen" tha Myftiu Tërnava. Ai e njohu shefin e ICO së edhe me sfidat që ka Bashkësia Islame dhe njëherësh kërkoi nga ai që të përdor autoritetin e tij që sa më parë të behët i mundur rindërtimi i Xhamisë së Ibrit në pjesën veriore të Mitrovicës, që forcat serbe e shkatërruan në luftën e fundit. Myftiu gjithashtu e njohu edhe rastin e Xhamisë së Arastes dhe të Xhamisë së Kalasë në Prizren. Myftiu kërkoi nga shefi i ICO së, që edhe këto dy xhami në qytetin e Prizrenit të futen në planin për rindërtim dhe restaurim, kështu që qytetit të Prizrenit t'i kthehen të gjitha vlerat e dikurshme. /koha/