Organizata “Reporterët pa Kufij” i ka dënuar tri raste të kërcënimeve kundër gazetarëve që janë raportuar në Kosovë, gjatë muajit të kaluar.
Në raportin e publikuar në internet, organizata thotë se në Kosovë ka një valë kërcënimesh kundër shtypit.
“Është e papranueshme dhe shumë shqetësuese që policia dhe autoritetet e gjyqësisë refuzojnë të veprojnë mbi bazën e ankesave të gazetarëve rreth kërcënimeve. U bëjmë thirrje autoriteteve evropiane që përmes misionit të EULEX-it menjëherë ta adresojnë këtë kulturë të pandëshkueshmërisë”, thekson Reporters Sans Frontieres (RSF).
Në raport, mes tjerash, përmendet rasti i kërcënimit të gazetarit i “Kohës Ditore”, Vehbi Kajtazi, i cili shkroi një shkrim rreth grindjeve të brendshme dhe ndarjeve që rezultuan nga vendimet e kohës së fundit nga Presidenti Fatmir Sejdiu dhe sistemi gjyqësor, e në veçanti, amnistia presidenciale në dyvjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Përfitues ishte Alban Geci, i biri i Sabit Gecit, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe vëllai i tij Kushtrimi, të cilët ishin akuzuar më 22 qershor nga prokurori publik i Prishtinës për pjesëmarrje indirekte në një sulm në shtëpinë e kryeministrit Hashim Thaçi.
Ditën kur u publikua lajmi, Sabit Geci i telefonoi Kajtazit dhe e kërcënoi atë me masa ndëshkimore nëse nuk do t’i japë fund “fushatës së tij njollosëse”. Me pajtimin e redaktorëve të gazetës, Kajtazi i tha Gecit disa herë se gazeta ishte e gatshme ta publikojë reagimin e tij, por ai nuk pranoi.
“Ai më tha se do t’i zgjidhë problemet e tij pa shkuar në gjykata dhe më kërkoi të bëja një apologji publike për dëmin që ia kam bërë familjes së tij”, tha Kajtazi. Geci e kishte kërcënuar edhe në prillin e vitit 2009 Kajtazin.
Kur gazeta në fjalë kontaktoi Gecin për t’i shprehur habinë e tyre rreth kërcënimeve të tija, ai u përgjigj: “Unë nuk kërcënoj. Unë veproj”.
Pre e kërcënimeve, sipas RSF-së, ka qenë edhe gazetari Musa Sabedini nga e përditshmja “Lajm”, korrespodent i Gjilanit, kur ai pranoi disa telefonata anonime që e kërcënonin atë përreth një shkrimi që e kishte shkruar për vrasjen e një 16-vjeçari në Gjilan. Ai paraqiti një ankesë, por policia nuk ka mundur ta identifikojë burimin e kërcënimeve.
“Është e papranueshme dhe shumë shqetësuese që policia dhe sistemi i drejtësisë refuzojnë të veprojnë mbi ankesat e gazetarëve rreth kërcënimeve”.
Reporterët pa Kufij, në mesin e kërcënimeve që janë bërë gjatë muajit të kaluar ndaj gazetarëve të medieve të shkruara në Kosovës, kanë përmendur edhe rastin e drejtorit të përgjithshëm të PTK-së, Shyqri Haxha, ndaj dy gazetarëve të gazetës Zëri.
Menaxhmenti i kompanisë shtetërore të telekomunikacionit, Telekomi i Kosovës, ka kërcënuar me ndjekje penale gazetarët e të përditshmes “Zëri”, Arbana Xharra dhe Lavdim Hamidi, në fund të muajit janar pasi ata shkruan një shkrim investigativ për menaxhimin e drejtorit të përgjithshëm të PTK-së, Shyqyri Haxha.
Që nga atëherë, kompania ka refuzuar të jap intervista apo të japë përgjigje për pyetjet e gazetës Zëri. Kompania më e madhe shtetërore e Kosovës, Telekomi i Kosovës, asnjëherë nuk i ka vlerësuar hetimet e thella dhe përpjekjet mediale për hetim në aktivitetet e saja zakonisht kanë pasur pak sukses.
“Është për t'u habitur se si një kompani publike refuzon të jap përgjigje rreth shfrytëzimit të aseteve të saj”, thotë RSF.
“Gazetarët kanë një detyrë për të hetuar përvetësime të mundshme përbrenda një korporate të madhe kombëtare. Nëse Qeveria e Kosovës vërtet dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, duhet të siguroj respekt për të drejtën e medieve për të hetuar të gjitha fushat e ekonomisë, posaçërisht kompanitë publike që kontrollohen dhe menaxhohen nga shteti”, thekson organizata prestigjioze për mbrojtjen e lirisë së shtypit."
Nga Express më 11.03.2010
Krijoni Kontakt