Gallup: Korrupsioni në biznes, 83 % në Kosovë
PRISHTINE - Rreth dy në tre të rritur në mbarë botën besojnë se korrupsioni është i përhapur në bizneset e vendeve të tyre.
Ky besim është relativisht i zakonshëm kudo në botë; duke filluar nga 60 për qind në SHBA dhe Kanada, e deri në 76 për qind në Afrikën sub-sahariane, por tenton të jetë më i lartë në rajonet me të ardhura më të ulëta, thuhet në sondazhin mbi korrupsionin në biznes, të kryer në gjithë botën gjatë vitit 2011 nga organizata Gallup.
Perceptimi për korrupsionin në bizneset në Kosovë, sipas këtij sondazhi është 83 për qind, por në rajon, para Kosovës gjendet Kroacia.
93 për qind e qytetarëve të Kroacisë besojnë se korrupsioni është i përhapur në vendin e tyre. Në Malin e Zi dhe Maqedoni, 63%, përkatësisht 64% e qytetarëve besojnë se korrupsioni është i përhapur, ndërkaq në Shqipëri 70 për qind, Serbi 87% dhe në Bosnje 89 për qind.
Të dhënat e Gallupit, të mbledhura në vitin 2011, tregojnë se korrupsioni në biznes është një çështje e nxehtë për vendet e zhvilluara dhe në zhvillim.
Megjithatë, vendet në zhvillim mund të vuajnë më shumë për shkak se korrupsioni mund të pengojë zhvillimin financiar dhe investimet e huaja dhe nxitjen e pabarazisë së të ardhurave.
Korrupsioni në biznes është një shqetësim global që përfshin edhe shtetet e zhvilluara edhe ato në zhvillim.
Për të luftuar korrupsionin duhet një lidership më i fuqishëm, ligje dhe transparencë më e madhe, që sipas Gallup, në këmbim do të kishte krijim të vendeve të punës dhe zhvillim ekonomik.
BW
Krijoni Kontakt