Kompania Acer, siç kanë filluar thashethemet, është duke punuar në një laptop ultra të hollë pa kornizë dhe me tastierë të ndjeshme në prekje.

Në fotografinë e këtij artikulli është koncepti i laptopit pa kornizë i kompanisë Fujitsu, e pasi që nuk kemi fotografi të diçkaje të ngjashme nga Acer, portali Digitimes pohon se edhe kjo kompani është duke punuar në një laptop të tillë.

Modeli i Acer do të duhej të kishte tastierë të ngjashme me atë të iPad, domethënë shumë të hollë dhe të ndjeshme në prekje, pa komponentë mekanik. Ekrani i xhamtë megjithatë do të shërbente edhe si kapak i laptopit.

Duke marrë parasysh se kohëve të fundit po shohim çdo ditë e më shumë kësisoj konceptesh, nuk do të çuditeshim nëse Acer edhe në të vërtetë do të prodhonte diçka të tillë, posaçërisht nëse Apple iPad tregohet i suksesshëm, e sipas burimeve të Digitimes pajisja do të mund të arrinte në treg qysh në pjesën e dytë të këtij viti.