Si u ndal BIA? Bisedat e incizuara…
Express sjell rrëfimin ekskluziv për arrestimin e pjesëtarëve të BIA’s në Kosovë, të cilët provuan të manipulojnë dëshmi të rrejshme kundër UÇK’së. Si u përcollën ata, si u përgjuan dhe si arriti Policia e Kosovës t’i arrestojë në flagrancë? Express ka siguruar dokumente të përgjimit të tyre. Lexoni bisedat, fjalë për fjalë.
Takime të fshehta në vende të ndryshme të Kosovës, fotografi, vendi ku ata kanë qendrën për operime në Kosovë, ofrimin e shumave të parave për deklarata të rrejshme kundër luftës së UÇK’së, e shumë detaje të tjera, Express ka arritur t`i sigurojë në lidhje me rastin e arrestimit të tre serbëve, që besohet të jenë pjesëtarë të Shërbimit Informativ Serb, BIA.
Të gjitha këto dëshmi e detaje të operimit të tyre në Kosovë, Express i ka siguruar pak ditë pas arrestimit të tre serbëve, Predrag Zheljkovic, Milutin Radanovic dhe Igor Josinac.
Në dokumentet që ka gazeta, janë evidentuar takimet e fshehta mes tyre, aranzhimet e takimeve me persona të ndryshëm nga të cilët është kërkuar të dëshmojnë rrejshëm për kohën e luftës që ka ndodhur në Kosovë, e posaçërisht për të dëshmuar për transplantimin e supozuar të organeve që kanë bërë ushtarët e ish UÇK’së.
Po ashtu, nga këto dëshmi shihet se në rrethin e këtij grupi janë të përfshirë edhe shqiptarë nga Kosova, e po ashtu edhe zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës.
Sipas këtyre dokumenteve zyrtare, thuhet se qendra kryesore e këtij grupi të Inteligjencës Serbe dhe personave të tjerë të udhëhequr nga Qeveria e Serbisë është në veri të Mitrovicës dhe në Kopaonik.
“...Këta persona dyshohet se janë duke mbledhur informata të rrejshme dhe janë duke bërë pagesa në mënyrë të paligjshme për gjoja mbledhjen e fakteve për transplantime të organeve gjatë luftës në Kosovës”, thuhet në raportin hetues, të siguruar nga gazeta.
Hetimet rreth këtij grupi të dyshuar, bëhet e ditur se kanë filluar qysh prej fillimit të muajit prill të këtij viti.
Kështu, me datën 8 të muajit prill, hetuesit policorë kanë kuptuar se ky grup i përbërë nga disa persona do të takohen në fshatin Prevallë të Prizrenit, në afërsi të Brezovicës.
Rreth orës 11 të mëngjesit, në restorantin N.N në Prevallë, janë takuar katër persona. Bëhet e ditur se ky takim është udhëhequr nga dy persona nga Beogradi, për të cilët thuhet se me profesion janë mjekë.
Në këtë incizim të policisë është kuptuar se këta persona kanë kërkuar një person të nacionalitetit shqiptar (emri i njohur për redaksinë), me qëllim që nga ky të marrin dëshmi të rrejshme për kohën e luftës që ka ndodhur në Kosovë.
Ky takim është aranzhuar nga polici serb i Kosovës, tashmë i arrestuari, Igor Josinac.
Për deklarata të rrejshme dhe për një bashkëpunim të mundshëm me këtë person shqiptar, në këtë takim është cekur se ai mund të përfitojë 50 mijë euro.
Pas takimit në Prevallë, tashmë i arrestuari Igor Josinac, i shoqëruar me dy personat nga Beogradi me veturën Opel Vectra në tabela të Novi Pazarit (NP) nisen në drejtim të Shtërpcës, ku gjatë rrugës marrin edhe personin e katërtë për të vazhduar udhëtimin e tyre drejt Prishtinës.
I gjithë ky takim i pjesëtarëve të BIA’s ishte nën vëzhgimin e hetuesve të policisë së Kosovës.
Sipas transkriptit, hetuesit e policisë kishin kontaktuar një njësi të trafikut afër qendrës tregtare ‘Ben Af’, në Ferizaj, ku kishin kërkuar që vetura me tabela NP të ndalohej për të identifikuar personat që po udhëtonin me Igor Josinac.
“Me të ndaluar veturën, Igor komunikon me policët e trafikut, ku ai paraqet ID kartën e tij duke treguar se është pjesëtar i Policisë së Kosovës. Në momentin kur policët e trafikut kërkojnë identitetin e pasagjerëve, Igor reagon duke thënë se këta janë mjekë nga Beogradi, të cilët i ka takuar për një shërbim mjekësor”, thuhet në raport.
Pas kësaj, policët e trafikut nuk kanë reaguar më shumë, duke lejuar që vetura e Igor Josinac dhe pasagjerëve të tjerë, gjegjësisht pjesëtarëve të BIA’s, të vazhdojë rrugën e tyre drejt Llapnasellës të Çagllavicës.
“Ndalohen në një oborr të një shtëpie në këtë fshat (Express ka shlyer të dhënat specifike të shtëpisë për çështje të sigurisë) ku zbresin të katër personat. Kjo shtëpi dyshohet të jetë shtëpi koordinuese e këtyre personave, të cilët janë duke mbledhur dëshmi të rrejshme nëpër territor të Kosovës. Në këtë grup, janë të përfshirë një grup shumë i madh personash të cilët janë të dirigjuar nga Qeveria e Serbisë për qëllime të caktuar”, thuhet më tej në këtë raport.
Në vazhdën e këtij misioni, pjesëtarët e BIA’s, më 11 prill të këtij viti, aranzhojnë takime të tjera në rrethinën e Prizrenit, për t`u takuar me njerëz të cilët po ndihmonin në mbledhjen e informatave dhe gjetjen e personave të tjerë, të cilët janë të gatshëm të japin deklarata të rrejshme në disfavor të shtetit të Kosovës, e posaçërisht për luftën e fundit.
Përveç disa personave që kanë ndihmuar në mbledhjen e informatave, hetuesit policorë kanë vërejtur se në misionin e BIA’s për deklarata të rrejshme kundër ish-UÇK ishte i angazhuar edhe një zyrtar i lartë i policisë së Prizrenit.
“Igor Josinac dhe personi tjetër rreth orës 14 e 28 minuta, në vendin e quajtur Shatërvani në Prizren, takohen me kapitenin e Policisë së Kosovës (emri i njohur për redaksinë) i cili në këtë takim vjen me veturë zyrtare të policisë Toyota Land Cruser”, sqarohet më tej në raport.
Takimi me kapitenin e policisë dhe dy pjesëtarëve të BIA’s kishte zgjatur vetëm pak minuta, ku zyrtari i lartë i policisë së Kosovës nxjerr një dokument nga xhepi, të cilin Igor Josinac e fut me shpejtësi në xhepin e tij.
Pas kësaj, bëhet e ditur se të dy personat ndahen nga kapiteni i PK-së dhe rreth orës 15 e 15 minuta ata hipin në një veturë Ford Orion me targa KS, ku nisen në drejtim të fshatit Reçan.
Sipas këtij dokumenti, thuhet se dy ditë më vonë, pikërisht me 11 prill, hetuesit policorë kanë vëzhguar një shtëpi në hyrje të fshatit Llapnasellë, në të cilën dyshohet të jetë shtab i krizës i formuar nga personat e lartcekur.
Fakti se kjo shtëpi është kthyer në qendër takimi të pjesëtarëve të shërbimit sekret serb, pohohet se para kësaj shtëpie shpeshherë shihen të parkuara automjete të ndryshme dhe se atë e vizitojnë persona të shumtë.
marre nga, Gazeta Shekulli
Krijoni Kontakt