TIRANE – Nëse projektligji i miratuar sot në Komisionin e Ligjeve, votohet dhe miratohet në Parlament, atëherë Shërbimi Informativ i Shtetit do të mund të bashkëpunojë me shërbime partnere jashtë vendit, vetëm me pëlqimin e kryeministrit të Shqipërisë.
Kjo është në thelb e reja që sjell projektligji i ri në kuadër të raporteve të Shërtbimit Sekret me Qeverinë.
Një tjetër dispozitë e rëndësishme është përcaktimi i mandatit 5-vjecar për Drejtorin e Përgjithshëm të SHISH, po kështu ndryshimi i emrit të institucionit i cili nuk do të quhet më SHIK, por SHISH dhe sanksionimi sipas të cilit Shërbimi Informativ nuk kryen detyra policore apo ushtarake, por vetëm informative. (Lajmifundit)
Më poshtë bëhet publik varianti përfundimtar i draftit i cili u miratua sot në Komisionin Parlamentar dhe dërgohet për votim në Parlament në seancën e 18 marsit:
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
Kuvendi
PROJEKTLIGJ
Nr. ______ datë ________2010
PËR
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8391, DATË 28.10.1998 “PËR SHËRBIMIN INFORMATIV TË SHTETIT”, I NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, me propozim të Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998 “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, i ndryshuar, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
Neni 1
Neni 2, paragrafi i parë, ndryshohet si vijon:
“Shërbimi Informativ i Shtetit ka për mision të sigurojë informacionin e domosdoshëm, nga jashtë dhe brenda vendit, për problemet që lidhen me sigurimin kombëtar.”
Neni 2
Neni 3 ndryshohet si vijon:
“ Neni 3
Shërbimi Informativ i Shtetit kryen detyrat e mëposhtme:
1. Mbledh informacion dhe kryen veprimtari zbulimi për aktivitetet që zhvillohen jashtë vendit, në funksion të sigurimit kombëtar;
2. Mbledh informacion dhe kryen veprimtari kundërzbulimi brenda vendit për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues;
3. Mbledh informacion për terrorizmin, për individë, grupe apo organizata që mbështesin e financojnë atë;
4. Mbledh informacion për prodhimin, trafikimin e armëve, e lëndëve narkotike, trafikimin e qenieve njerzore, si dhe krimeve kundër mjedisit;
5. Mbledh informacion që i shërben zbulimit apo parandalimit të krimit të organizuar, kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike kur ky korrupsion cënon sigurimin kombëtar;
6. Mbron sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, të punonjësve, të aseteve dhe të teknikës me mjete të përshtatshme, duke përfshirë verifikimin e kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve.
7. Kryen çertifikimin e personave (Vetting), sipas përcaktimeve përkatëse ligjore;
8. Kryen veprimtari mbështetëse tekniko - administrative, sipas nevojave, për realizimin e funksioneve të mësipërme.
SHISH, në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të Kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme. Procedurat për raportimin dhe marrjen e pëlqimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Për realizimin e funksioneve të mësipërme, Shërbimi Informativ i Shtetit, ruan raporte të drejta ndërmjet nevojës së sigurimit të informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Ligjshmëria dhe objektiviteti janë parimet bazë të punës së Shërbimit Informativ të Shtetit.
Shërbimi Informativ i Shtetit ruan sekretin lidhur me burimet, identitetin e bashkëpunëtorëve, metodat e punës si dhe informacionin e klasifikuar sekret shtetëror, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”
Neni 3
Neni 5 ndryshohet si vijon:
“ Neni 5
Shërbimi Informativ i Shtetit drejtohet nga Drejtori, i cili është përgjegjës për:
1. veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kontrrollin e saj;
2. mbarëvajtjen e Shërbimit Informativ të Shtetit;
3. garantimin që çdo informacion të disponohet vetëm brenda qëllimit dhe funksioneve të Shërbimit Informativ të Shtetit;
4. garantimin se Shërbimi Informativ i Shtetit nuk ndërmerr veprime të cilat kanë për qëllim t’i shërbejnë, apo t’i sjellin përfitime ndonjë partie politike;
5. garantimin e zbatimit të marrëveshjeve ndërinstitucionale;
6. informimin dhe raportimin te Presidenti i Republikës dhe te Kryeministri, për probleme qe lidhen me sigurimin kombëtar.
Drejtori i paraqet Kryeministrit raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton kur i kërkohet nga Kryeministri, në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e SHISH.
Me kërkesë të Kryeministrit, Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, raporton edhe në Këshillin e Ministrave.”
Neni 4
Pas nenit 5, shtohet neni 5/1 me përmbajtjen si vijon:
“ Neni 5/1
Me propozim të Kryeministrit, Presidenti i Republikës, emëron dhe shkarkon drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar, Kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare.
Me propozim të Kryeministrit, Presidenti i Republikës, emëron dhe shkarkon zëvendësdrejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar Kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare.
Drejtori dhe zëvendësdrejtori qëndrojnë në detyrë për një mandat 5 vjecar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Procedura për emërimin në detyrë fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit përkatës.
Zëvendësdrejtori është në varësi të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kryen detyrat e ngarkuara prej tij. Zëvendësdrejtori zëvendëson drejtorin kur mungon në detyrë, por jo më shumë se tre muaj.
Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, për efekt të trajtimit financiar ka status të njëjtë me atë të ministrit, ndërsa zëvendësdrejtori ka status të njëjtë me atë të zëvendësministrit.
Neni 5
Paragrafi i katërt, i nenit 7, shfuqizohet.
Neni 6
Neni 9 ndryshohet si vijon:
“Neni 9
Në përmbushje të detyrave të përcaktuara në paragrafin e parë të nenit 3, Shërbimi Informativ i Shtetit e vë informacionin e nevojshëm në dispozicion të organeve të Policisë së Shtetit apo agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, sipas kompetencës dhe pa cënuar veprimtarinë e tij.
SHISH informon institucionet kompetente edhe kur cmon se informacioni në dispozicion të tij është i nevojshëm për zbulimin ose parandalimin e veprave penale dhe kur kjo nuk cënon veprimtarinë e tij.
Shërbimi Informativ i Shtetit nuk kryen veprimtari të karakterit ushtarak ose policor.”
Neni 7
Në nenin 13, paragrafi i katërt ndryshohet si vijon:
“Punonjësit e SHISH për përmbushjen e detyrave në funksion të sigurimit kombëtar, kërkojnë informacion nga autoritetet shtetërore, qendrore ose lokale dhe nga personat fizikë e juridikë, përfshirë dhe shfrytëzimin e rregjistrave, bazave të të dhënave, dokumentacionit zyrtar, etj. Drejtuesit dhe punonjësit e autoriteteve shtetërore, personat juridike dhe fizikë, përmbushin kërkesat e punonjësve të autorizuar nga Drejtori i SHISH. Në këto raste punonjësit e SHISH duhet të identifikohen, duke paraqitur dokumentin zyrtar të identifikimit dhe autorizimin përkatës.
Neni 8
Në përmbajtjen e ligjit bëhen zëvendësimet si vijon:
1. fjalët “Shërbimi Informativ Kombëtar” zëvendësohen me fjalët “Shërbimi Informativ i Shtetit”
2. fjala “SHIK” zëvendësohet me fjalën “SHISH”
3. fjalët “Kuvendi Popullor” zëvendësohen me fjalët “Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”.
Neni 9
Dispozitë kalimtare
Në zbatim të nenit 5/1 të këtij ligji , Drejtori dhe zëvendësdrejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit emërohen në detyrë brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në ndryshim nga neni 5/1 i këtij ligji zëvendësdrejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit herën e parë ka një mandat 3 vjeçar.
Neni 10
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
K R Y E T A R
JOZEFINA TOPALLI (Çoba)
Krijoni Kontakt