Një bashkëpunim i suksesshëm mes OSBE-së dhe Shqipërisë, që pikën e tij kulmore do ta ketë në vitin 2014, kohë kur vendi ynë do të kryesojë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Gjatë qëndrimit të tij në Vjenë, Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, takoi Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE, z. Perrin de Brichambaut i cili i vuri në dukje se vendi ynë i gëzon të gjitha kushtet për të kryesuar OSBE-në.
Z. Meta dhe z. Brichambaut vlerësuan me kënaqësi se bashkëpunimi mes OSBE-së dhe Shqipërisë është shumë i mire në të gjitha nivelet, në Vjenë si dhe në Tiranë. Ky bashkëpunim përbën një themel të fortë për kërkesën e shprehur nga Shqipëria për të kryesuar OSBE-në në 2014. Biseda u përqendrua në përgatitjet e nevojshme për të siguruar një kryesim të suksesshëm. Ministri Meta e informoi Sekretarin e Përgjithshëm për masat e planifikuara nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke theksuar se Shqipëria është e vetëdijshme për rëndësinë dhe përgjegjësinë që mbart një ndërmarrje e këtyre përmasave. Z. Meta vuri në dukje edhe vëmendjen që po i kushtohet përgatitjes së ekipeve diplomatike në Vjenë dhe Tiranë, si dhe mundësive për të caktuar diplomatë shqiptarë në misionet në terren të OSBE-së dhe në Sekretariatin e OSBE-së.
Z. Brichambaut shprehu mbështetjen e plotë të Sekretariatit të OSBE-së për këto nisma dhe për planet përgatitore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, duke e garantuar z. Meta që caktimet e diplomatëve shqiptarë në misionet e terrenit dhe në Sekretariat janë të mirëpritura. Gjithashtu, ai nënvizoi gatishmërinë e Sekretariatit për të asistuar Shqipërinë gjatë këtyre fazave përgatitore. Në vijim, biseda u përqendrua në përparësitë aktuale të organizatës, kryesisht për Procesin e Korfuzit, që synon vendosjen e besimit dhe konfidencës ndërmjet shteteve pjesëmarrëse, për një OSBE më të mirë e më të sigurt nga Vankuveri deri në Vladivostok.
Kryediplomati, shqiptar Ilir Meta, vijoi vizitën e tij zyrtare në Austri nga Finlanda, ku ishte i ftuar nga ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, z. Alexander Stubb. Ai u prit në takim të veçantë dhe zhvilloi bisedime me ministrin Stubb, me të cilin trajtuan çështje të bashkëpunimit dypalësh, integrimit evropian të Shqipërisë dhe të zhvillimeve rajonale. Meta e informoi homologun e tij finlandez për progresin e Shqipërisë në plotësimin e pyetësorit për arritjen e statusit të vendit kandidat të BE-së dhe veçanërisht për plotësimin e detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Valentina Madani - Gazeta Standard
Krijoni Kontakt